Doktori më i vjetër i Bresanës, përpos konsultimeve të zakonshme apo diagnostikimit të problemeve shëndetësore, ka raste kur ndihmon gjatë lindjes dhe bën intervenime urgjente kirurgjike.
Ekipi mjekësor në këtë fshat përbëhet kryesisht nga mjekët familjarë, infermierët si dhe një dentist dhe një farmacist.
Qendra e mjekësisë familjare së fshatit është e pajisur me laborator bazik, një aparat ECHO, një defibrilator dhe një elektrokardiogram të vjetër, pajisje këto, që i përmbushin minimalisht nevojat e personelit. Megjithatë, doktorët thonë se nuk i kanë serumat të cilat nevojiten për trajtimin e kafshimeve të gjarpërinjëve, të cilat janë të shpeshta në malet e Sharrit, veçanërisht gjatë pranverës.
Gjithashtu, fshati më i madh i Komunës së Dragashit ka në dispozicion një auto-ambulancë për raste emergjente që shumicën e kohës shërben për transportin e të sëmurëve për në qendrën spitalore të Prizrenit. Këtë automjet e nget një shofer vullnetar.