Në thelb | Shëndeti | Barazia gjinore

Mohimi i të drejtave riprodhuese

Nga - 05.06.2018

Shëndeti i grave gjerësisht i shpërfillur.

“A je e martuar?”, është pyetja e parë me të cilën u prit Genta kur vizitoi gjinekologun në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Me këtë pyetje, mjeku dëshironte të dinte se, a është aktive seksualisht.

Në vizitën e tyre të parë gjinekologjike, 21 vjeçaret Genta dhe shoqja e saj, nuk kishin kaluar aspak mirë. Kërkesa për këshilla se si të menaxhohet dhimbja e barkut dhe çrregullimet emocionale para dhe gjatë ciklit menstrual, u nënvlerësuan nga gjinekologu.

“Krejt çikat në botë kanë dhimbje”, u kishte thënë mjeku. “Mos e bon të madhe këtë punë. Edhe problemet emocionale s’kanë lidhje me ciklin, shko te ndonjë psikiatër”, ishin këshilluar ato.

Me një nënqeshje të relaksuar, gjinekologu shpërfilli problemet shëndetësore të tyre, ndërsa ato të shqetësuara, vazhduan të kenë dhimbje të zorshme nga një javë të çdo muaji. “Kisha shumë dhimbje dhe marramendje”, thotë Genta. “ Nuk mund të koncentrohesha në punë dhe shumë shpesh më kanë akuzuar kolegët se po e teproj, sepse sipas tyre duhet me u mësu me këtë çrregullim pasi është çdo muaj”.

"Shëndeti e mirëqenia e grave mbetet në fund”.

Shqipe Gjocaj, aktiviste për barazi gjinore

Trajtimin që ka marrë Genta me shoqen e saj, është tregues i një keqkuptimi më të gjërë të të drejtave riprodhuese në Kosovë, ku po shpërfillen të drejtat riprodhuese, pavarësisht se mbrohen nga një kornizë ligjore që është në harmoni me ligjin e Bashkimit Evropian. Ekziston një hezitim për të folur hapur për këtë temë, për shkak të mentalitetit i cili trupin e gruas e vendos përbrenda kornizave të moralit e turpit.

Aktivistja për barazi gjinore, Shqipe Gjocaj, thotë se shëndeti i grave nuk konsiderohet i rëndësishëm në familje e shoqëri për shkak të mendësisë patriarkale. “Gratë janë ato që përkujdesen për të tjerët në familje. Ato përkujdesen për fëmijët, burrin, prindërit e burrit si dhe për prindërit e tyre po ashtu”, thotë Gjocaj, duke shtuar se gratë edukohen të pranojnë një rol të tillë dhe ta konsiderojnë veten më pak të rëndësishme. “Në këtë mënyrë, shëndeti e mirëqenia e grave mbetet në fund”.

Në një raport të vitit 2016 nga Rrjetit i Grave të Kosovës, mbi qasjen në shëndetësi, thuhet se gratë dukshëm kishin barriera socio-kulturore më shumë se burrat. “Në Kosovë, vendimet e rëndësishme në amvisëri duke përfshirë edhe atë se kur gratë dhe fëmijët duhet të shkojnë te mjeku mbetet kryesisht tek burrat, gjë që mund të pengojë në qasjen e grave në kujdes shëndetësor”, thuhet në raport, duke cekur gjithashtu, se nëse burimet e familjes janë të pakta, anëtarët burra të familjes mund të kenë prioritet për kujdes shëndetësor.

Shëndeti i trupit të gruas sipas këtij diskursi, merr kuptim vetëm atëherë kur sjellë në jetë fëmijë. Sidomos nëse fëmija është djalë.

Çrregullimet gjatë ciklit menstrual në shoqërinë tonë, shihen problem vetëm atëherë kur mund të ndikojnë në sterilitet, ndërsa ushqyerja e gruas shtatzënë lidhet drejtpërdrejtë me nevojat e fetusit. Kur flitet për rëndësinë e edukimit të grave për shëndetin, nënkuptohet ndikimi që ajo do të ketë në rritjen e fëmijëve të saj. Edhe në rastet tragjike kur nënat vdesin gjatë lindjes, prapë flitet se si mbijetesa e tyre është jetike për foshnjet.

Gjinekologia Jehona Binishi Hysa thotë se pjesa më e madhe e grave nuk kërkojnë këshilla për shumicën e problemeve shëndetësore dhe se të rralla janë gratë që bëjnë vizita të rregullta gjinekologjike. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Vizitat rutinore gjinekologjike janë ende të rralla në Kosovë. Gjinekologët thonë se gratë zakonisht kërkojnë kujdes profesional kur janë shtatzënë ose kur bëjnë planifikim familjar, si dhe në ndonjë rast kur u paraqiten probleme të mëdha me infeksione. Ka shumë pak raste kur gratë kërkojnë këshilla për probleme të tjera shëndetësore.

“Kjo ndodhë, lirishit mund të them deri në  90% të popullatës”, thotë gjinekologia Jehona Binishi Hysa. “Mirëpo kemi një 10% të grave të cilat i kushtojnë rëndësi shëndetit të tyre”.

Zhvillimi i edukimit

Shëndeti riprodhues nuk kufizohet vetëm me shtatzëninë, lindjen apo abortin. Por njeh edhe nevojat e veçanta shëndetësore të adoleshentëve, grave pas lindjeve, menopauzës, planifikimit familjar etj.

Përfaqësueset e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, Dorina Grezda dhe Evlanda Gojani, besojnë se duhet të bëhet më shumë për t’i informuar gratë për të drejtat riprodhuese të tyre, si dhe për vendet ku mund të kenë qasje në shërbime. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Dorina Grezda dhe Evlanda Gojani nga organizata joqeveritare Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (ANF) thonë se arsyeja kryesore për numrin e ulët te vizitave gjinekologjike është mungesa e informatave se ku mund t’i marrin këto shërbime.

“Shumica e grave, sidomos ato që nuk jetojnë në pjesët urbane, e kanë më të vështirë qasjen në informacion”, shkruhet në emal-in e dërguar nga Grezda dhe Gojani për K2.0. Kjo vjen edhe si rrjedhojë e mungesës së një kampanje edukative shtetërore, që do të shërbente për të avokuar në të gjitha vendet e Kosovës për një edukim gjithëpërfshirës.

Përfaqësueset thonë, se kjo formë e edukimit do të informonte qytetarët më mirë për të drejtat dhe zgjedhjet e tyre, si në aspektin e shëndetit seksual, riprodhues dhe në ndërtimin e marëdhënieve jo të dhunshme.

“Edukimi seksual gjithëpërfshirës nuk është pjesë e plan programeve në Kosovë. Me mungesë të informatave për edukimin seksual gjithëpërfshirës shfaqen shumë mite”.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë

Sipas tyre, është shumë e rëndësishme që institucionet e vendit të fillojnë të kenë prioritet shëndetin riprodhues. Përfshirja e edukimit seksual në kurrikula sipas tyre do të ishte një ndërhyrje pozitive në këtë situatë.

“Edukimi seksual gjithëpërfshirës nuk është pjesë e plan programeve në Kosovë. Me mungesë të informatave për edukimin seksual gjithëpërfshirës shfaqen shumë mite”, tregojnë përfaqësueset, duke cekur se një ndër mitet është që, edukimi seksual gjithëpërfshirës inkurajon të rinjtë të fillojnë aktivitetin e tyre seksual, mit ky që besohet edhe në Kosovë. “Megjithatë, hulumtimet e shumta duke përfshirë ato të Organizatës Botërore të Shëndetësisë,  tregojnë të kundërtën”, thonë përfaqësueset e ANF-së.

Këto programe, sipas tyre, nuk inkurajojnë aktivitetet seksuale tek të rinjtë e sidomos tek ata në mosha të reja, sepse përmes këtyre programeve informohen për metodat kontraceptive të përshtatshme për ta dhe vendimet që mund t’i marrin për veten e tyre.

Të papërfshira në planifikim

Nuk janë vetëm të rinjtë që nuk janë në gjendje të bëjnë zgjedhje të informuara në lidhje me shëndetin riprodhues të tyre.

“E drejta për të lindur, abortuar, apo për të qenë nënë vet-ushqyese, duhet të respektohen si të drejta të pakontestueshme të grave. Përderisa me ligj këto të drejta mbrohen, normat shoqërore janë të vrazhda dhe e mohojnë të drejtën e grave të marrin vendime të informuara për vet trupat dhe të ardhmen e tyre”, thotë Shqipe Gjocaj.

“Një mit tjetër është që spiralja shkakton kancer. Ky është totalisht keqinformim”.

Shqipe Gjocaj, aktiviste për të drejtat e grave

Në bazë të një raporti monitorues të vitit 2013-14 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për shëndetin e grave dhe fëmijëve, 66% e grave të martuara apo që jetojnë në bashkëjetesë, përdorin kontraceptivë. Mirëpo vetëm 13% e këtyre grave përdorin metoda moderne.

“Metoda më e shpeshtë e kontracepsionit është tërheqja e cila është përdorur nga më shumë se gjysma e grave të martuara në Kosovë (51%). Metoda tjetër më e shpeshtë është kondomi mashkullor dhe DIU (spiralja) të cilën e përdorin 5 % e grave të martuara… 3% përdorin  pilula, derisa të gjitha metodat e tjera janë nën 1%”, shkruhet në raport.

Sipas gjinekologes Hysa, ekziston një mit lidhur me kontracepsionin, ku pretendohet se ndikon në sterilitet. “Vajzat thonë, ‘E qysh unë me u mbrojtë e pastaj mos me mujtë me mbet shtatzënë a?’. Ose spiralja shkakton kancer, ky është totalisht keqinformim”.

Për shkak të përdorimit të ulët të kontracepsionit, gratë shpesh ballafaqohen me shtatzëni të padëshiruara të cilat përfundojnë në aborte. Një hulumtim i Preportr ka gjetur se në Kosovë po ndodhë një numër i madh i aborteve ilegale në klinika të palicencuara apo në kushte shtëpiake me anë të tabletave. Sipas këtij hulumtimi, nga 122 klinika gjinekologjike private që gjenden në Kosovë, vetëm pesë prej tyre kanë licencë për të ushtruar veprimtarinë e ndërprerjes së shtatzënisë. Ndërsa në QKUK realizohen mesatarisht 100 aborte në vit.

Aktivistja për barazi gjinore, Shqipe Gjocaj, thotë se grave gjerësisht po u mohohen të drejtat themelore riprodhuese, pavarësisht mbrojtjeve të garantuara nga ligji. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Gjocaj mendon se debati për shëndetin riprodhues është ndër debatet më të mangëta në kuadër të aktivizmit feminist në Kosovë ku sipas saj institucionet bashkë me shoqërinë civile nuk kanë bërë mjaftueshëm aktivitete të mirëfillta dhe afatgjate për shëndetin seksual dhe riprodhues të grave.

“Keqtrajtimi i grave në gjinekologji dhe obstetrikë në QKUK është dokumentuar shpesh në media, por pothuajse asgjë nuk është bërë nga institucionet që kjo gjendje të përmirësohet apo dikush të jap përgjegjësi”, thotë Gjocaj duke cekur rastin e Arbenita Spahiut e cila dyshohet që vdiq gjatë lindjes në Spitalin Regjional të Gjilanit në muajin mars të vitit 2016 nga pakujdesia e mjekëve. “Gjinekologet të cilat ishin të akuzuara për rastin e Arbenita Spahiut, nuk u dënuan dhe vazhdojnë të punojnë sot, sikur të mos kishte ndodhur asgjë”.

Vonesa vdekjeprurëse

Pasojat e mos kryerjes së kontrolleve të rregullta gjinekologjike, potencialisht mund të jenë vdekjeprurëse. Niveli i ulët i vizitave rutinore gjinekologjike implikon se sëmundjet të cilat nuk kanë simptome fillestare, si kanceret që ndikojnë tek organet riprodhuese, zbulohen tek pasi shkaktojnë dëm të madh shëndetësor.

Sipas “World Cancer Research Fund International” kanceri i qafës së mitrës është kanceri i 4-të më i shpeshtë tek gratë në botë, me statistikat më të fundit botërore që tregojnë se në vitin 2012 janë diagnostikuar më shumë se 527,000 raste të reja. Në Kosovë, kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i përhapur në mesin e grave pas kancerit të gjirit, me 225 raste të reja të diagnostikuara në vitin 2016.

“Kanceri i qafës së mitrës është shumë agresiv dhe [mund të jetë] vdekjeprurës, por një vizitë në vit për një PAP test detekton shkallë të hershme të kancerit”.

Jehona Binishi Hysa, gjinekologe

Nëse ky lloj i kancerit zbulohet me kohë, mjekimi është më i lehtë dhe gjasat për trajtim të suksesshëm janë shumë më të mëdha. Testimi i rregullt me PAP test dhe vaksinimi kundër virusit HPV parandalojnë gati 90% të rasteve me kancer të qafës së mitrës.

Hysa thotë që ndonëse në Kosovë ka mungesë të të dhënave të besueshme statistikore për trendet e rasteve të kancerit, doktorët po raportojnë në mënyrë anekdotike se sëmundjet kancerogjene janë në rritje.

Kanceri i qafës së mitrës është shumë agresiv dhe [mund të jetë] vdekjeprurës, por një vizitë në vit për një PAP test detekton shkallë të hershme të kancerit”, tregon Hysa, sipas të cilës kjo është një metodë e lehtë për parandalimin e sëmundjeve malinje.

Sipas saj, gratë pas lindjes mendojnë që nuk kanë më nevojë për vizita dhe kjo bën që sëmundjet e tilla të identifikohen me vonesë.

Zëvendës Avokatja e Popullit, Majlindë Sinani Lulaj, thotë se zyra e saj ka rekomanduar një program gjithëpërfshirës të skriningut për gra, por se kjo ende nuk është zbatuar. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ndërsa Majlindë Sinani Lulaj, zëvendëse e Avokatit të Popullit thotë se në Kosovë nuk ka ekzaminim sistematik për kancerin e gjirit dhe as për atë cervikal. 

“Në Vlerësimin Nacional të të Drejtave në Shëndetin Riprodhues dhe Seksual që u është përcjellë autoriteteve përgjegjëse, Avokati i Popullit ka përfshirë edhe aspektin e kancerit të sistemit riprodhues dhe atij të gjirit”, thotë ajo, duke iu referuar raportit të publikuar më 2016-n. “Mes të tjerash, aty rekomandohet  që të bëhet shtrirja e programit të skreniningut në të gjithë territorin e vendit, siç e parashohin standardet ndërkombëtare”.

Njëjtë mendojnë edhe përfaqësueset nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, të cilat thonë se fokusi duhet të mbetet tek krijimi dhe qasja në programet nacionale të skriningut, ku do të përfitonin gratë në të gjithë Kosovën. Sipas tyre, shërbimet që sigurojnë zbulimin e hershëm dhe më pas trajtimin e kancerit të gjirit dhe cervikal, duhet të jenë pjesë kryesore e sistemit shëndetësor me prioritet të lartë.

Tani për tani, pavarësisht faktit se mund të jetë çështje jetë a vdekje, shëndeti riprodhues në Kosovë ende gjerësisht trajtohet si luks, e jo si e drejtë bazike.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Redaktuar nga Leurina Mehmeti.

Kthehu në Monografinë e Shëndetit

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO