S`fundmi | Drejtësi

Mundësi ligjore që Fatmir Limaj të dorëzohet në Speciale për krime lufte

Nga - 22.11.2016

Lideri i partisë Nisma veçmë i akuzuar për krime lufte në Kosovë.

Fatmir Limaj, komandant “Çeliku” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është e mundur të ulet për të dytën herë në bankën e të pandehurve para një trupi gjykues ndërkombëtar për krime lufte në Hagë. Vetëm një kërkesë nga Zyra e Prokurorit Special në Holandë i duhet institucioneve të drejtësisë kosovare që ta dorëzojnë në Gjykatën Speciale për gjykim lëndën për krime lufte që rëndon mbi ish-deputetin e PDK-së, Fatmir Limaj.

Nga 28 tetori i këtij viti, mbi Limajn rëndojnë akuzat për “krim të luftës kundër popullatës civile”. Deputeti aktual në Kuvendin e Kosovës dhe kryetari i partisë opozitare “Nisma”, është akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për krime në dy raste: vrasje të dy civilëve shqiptarë Ramiz Hoxhës nga fshati Bellanicë si dhe Selman Binishi nga fshati Banjë të komunës së Malishevës.

Ai thuhet se si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarr masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Hoxhës dhe Binishit.

“I pandehuri Fatmir Limaj, i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarrë masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje”, thuhet në përmbajtjen e aktakuzës që u publikua në media.

Prokuroria Speciale në Holandë, e cila vepron pranë Gjykatës Speciale, sipas nevojës mund të kërkojë cilëndo lëndë për krime lufte, për të cilën zhvillohen hetimet pranë PSRK-së.

Por, pavarësisht faktit se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka në kompetencë të veçantë hetimet për veprën penale të krimeve të luftës, Prokuroria Speciale në Holandë, e cila vepron pranë Gjykatës Speciale, sipas nevojës mund të kërkojë cilëndo lëndë për krime lufte, për të cilën zhvillohen hetimet pranë PSRK-së.

Zyrtarë të kësaj prokurorie i kanë pohuar Kosovo 2.0 se do t’i ofrojnë bashkëpunim Zyrës së Prokurorit të Specializuar, përfshirë edhe në kërkesën eventuale për dorëzimin e lëndës ndaj Fatmir Limajt për krime lufte.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në kuadër të përgjegjësive të dala nga Ligji nr. 05/L-053, [Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar] do t’i ofrojë bashkëpunim Zyrës së Prokurorit të Specializuar, sa herë që do të jetë e nevojshme”, është përgjigja e zëdhënëses së Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.

Sipas nenit 10, paragrafi 2 të këtij ligji, “në çdo fazë të hetimeve ose procedurave, dhomat e specializuara ose prokurori i specializuar mund të urdhërojnë transferimin e procedurës brenda juridiksionit të tyre nga ndonjë prokuror tjetër ose ndonjë gjykatë tjetër [përveç Gjykatës Kushtetuese] në territorin e Kosovës tek Dhomat e Specializuara dhe Prokurori i Specializuar”. Gjykata Speciale, ligjërisht njihet si “Dhomat e Specializuara”, mbase bëhet fjalë për një organ që funksionon në bazë të juridiksionit të Kosovë.

Më tej thuhet se prokurori i shtetit ose gjykata i përcjellin dhomave të specializuara çdo shkresë dhe të gjitha shkresat që i përkasin lëndës së kërkuar. Ndërsa, urdhri i Dhomave të Specializuara për transferim është përfundimtar dhe detyrues.

Për njohës të ligjit, si juristi Kujtim Kërveshi, ky nen përcakton qartë se bartja e çfarëdolloj lënde në cilëndo procedurë do të jetë e mundshme, përveç nëse lënda trajtohet pranë Gjykatës Kushtetuese.

“Dhomat e Specializuara ose Prokurori i Specializuar sipas diskrecionit mund të urdhërojnë transferimin e procedurës. Për sa i përket detyrimit, institucionet e Kosovës kanë detyrim që shkresat që i përkasin lëndës në fjalë t’i bartin në Dhomat e Specializuara dhe te Prokurori i Specializuar, ndërsa asistenca gjyqësore specifikohet gjithashtu përmes nenin 53”, ka thënë Kërveshi.

Neni 53, ndërkaq, përcakton qartë se të gjitha subjektet dhe personat në Kosovë bashkëpunojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe pa vonesë e respektojnë çdo kërkesë për asistencë ose urdhrat apo vendimet e dhëna nga Dhomat e Specializuara apo Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Megjithëse Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar thirren si organe që punojnë nën juridiksionin e Kosovës, Kërveshi vlerëson se ato përbëjnë një strukturë mbi strukturat e rregullta gjyqësore dhe prokuroriale të Kosovës. Të njëjtat nuk i përgjigjen organeve më të larta të gjyqësisë dhe prokurorisë në Kosovë. Për më tepër lëshojnë urdhra detyrues për to, sikurse që do të mund të ndodhë për bartjen e lëndës nëse kërkohet.

Limaj akuzon drejtësinë për “përndjekjen” e tij

Limaj e kishte quajtur si të pabazë akuzimin e tij. Ai u shpreh i bindur se aktakuza ka qëllim përndjekjen e tij. “Prokuroria e Kosovës sot ka dalë me një aktakuzë kundër meje për një rast të cilin unë jam hetuar së paku tri herë. Dy herë nga UNMIK-u dhe një herë nga Tribunali i Hagës”, ka deklaruar ai me 28 tetor 2016, kur Prokuroria e shtetit njoftoi publikun për ngritjen e aktakuzës ndaj tij.

“Në të tri rastet për mungesë të provave hetimet kundër meje janë mbyllur dhe kjo dëshmohet edhe nga shkresat hetimore të lëndës të cilat sot i mora nga prokuroria”, ka thënë Limaj. “Këtu është duke u keqpërdorur ky rast në mënyrë që të vazhdojë përndjekja kundër meje. Kjo besoj tanimë për të gjithë është e qartë”.

Reagimet e deputetit Limaj, komunës së Malishevës ku ai kishte shërbyer si komandant i UÇK-së, por edhe partisë së tij “Nisma” për ngritjen e aktakuzës për krime lufte, kishin nxitur kundër-reagimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) që përmes një komunikate për shtyp të kërkojë që të mos sulmohen prokurorët dhe institucionet e sundimit të ligjit gjatë kryerjes së detyrës së tyre. KPK i kishte cilësuar reagimet ndaj këtij rasti si jashtëzakonisht të dëmshme për sundimin e ligjit në vend e sidomos në kohën kur prokurorë vendorë kanë marrë mbi vete kompetenca të plota për t’i trajtuar krimet e luftës.

“Sulmet dhe propagandat politike kundër prokurores së rastit Limaj dhe sulme të tilla të ngjashme ndaj prokurorëve tjerë nuk paraqesin vetëm ndërhyrje në parimin fundamental të pavarësisë së sistemit prokurorial, por njëkohësisht edhe shkelje ligjore”, thuhet në reagimin e KPK-së.

“Ai është i vetëdijshëm për aktakuzën ndaj tij dhe nuk kemi asnjë shqetësim lidhur me të.”

Tahir Rrecaj, Avokati mbrojtës i Limaj.

Departamenti për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, i themeluar në maj të vitit 2015, ka gjithsej 167 raste në procedim, ku 69 prej tyre u bartën nga EULEX-i. Themelimi i këtij departamenti pati ngritur pikëpyetje në diskurs publik, për faktin se në të njëjtën kohë po bëheshin përgatitjet për themelimin e dhomave të specializuara si dhe zyrës së specializuar të hetimeve në Hagë që do të trajtonte pikërisht krimet e luftës në Kosovë.

Nga zyra për media e Zyrës së Prokurorit Special nuk është ofruar ndonjë informacion nëse rasti Limaj do të kërkohet për procedim në Gjykatën Speciale. Megjithatë nuk është mohuar se transferimi i lëndëve, përfshirë rastin Limaj, mund edhe të ndodh. “Lidhur me pyetjen tuaj, kam frikë se do të ishte e papërshtatshme nga ana jonë që të spekulojmë mbi atë që ne do të bëjmë apo nuk do të bëjmë në rrjedhën e punës sonë”, është përgjigja e zëdhënësit Joao Sousa për Kosovo 2.0.

Për avokatin Tahir Rrecaj, që mbron Limajn, nuk ka asnjë arsye që lënda e klientit të tij të dorëzohet në instanca tjera, meqë, sipas tij, tashmë autoritetet kompetente vendore e kanë ngritur aktakuzën dhe, pavarësisht faktit se ligji lejon që çdo lëndë që kërkohet nga Specialja të dorëzohet, nuk ka logjikë që kjo të ndodhë në rastin e Limaj. “Ai është i vetëdijshëm për aktakuzën ndaj tij dhe nuk kemi asnjë shqetësim lidhur me të”, ka thënë Rrecaj, i cili pas ngritjes së aktakuzës pati deklaruar se nuk ka prova kundër Limajt.

Limaj kishte filluar në Hagë ballafaqimin me drejtësinë për krime lufte së bashku me Haradin Balajn dhe Isak Musliun, më 15 nëntor 2004. Procesi i mbrojtjes nisi më 17 maj 2005 dhe vazhdoi deri më 27 qershor 2005. Pas 88 ditë gjykimi, Limaj më 30 nëntor 2005 u shpall i pafajshëm. Për herë të dytë Limaj ishte ballafaquar me akuzë për krime lufte pas kthimit të tij nga Haga. Në gusht të vitit 2011, duke u bazuar kryesisht në dëshminë e ish-ushtarit të UÇK-së Agim Zogaj, që kishte luftuar nën komandën e Limajt, ai dhe 9 pjesëtarë të tjerë të UÇK-së u akuzuan për krime kundër popullsisë civile dhe krime kundër të burgosurve të luftës, në rastin që njihet si “Kleçka”. Për këto akuza Limaj ishte liruar dy herë pas një procesi gjyqësor që zgjati pesë vite. Në kohën kur gjykimi i parë i Limajt dhe të tjerëve në kuadër të rastit “Kleçka” ishte në zhvillim e sipër, Agim Zogaj – dëshmitari kryesor i rastit – kishte vdekur, siç thuhet zyrtarisht, si pasojë e vetëvrasjes. Në shtator të vitit 2011 Zogaj u gjet i varur në një park në Gjermani, ku ishte dërguar pasi u bë pjesë e programit të mbrojtjes së dëshmitareve si pasojë e kërcënimeve me jetë që i kishte marrë pas dhënies së dëshmisë së tij për rastin “Kleçka”.

Kryeprokurori Schwendiman: Do ndjekim individë, jo UÇK-në

Gjykata Speciale e Kosovës për krime lufte pritet të nisë punën në fillim të vitit 2017. Në diskursin publik është spekuluar për rastet që mund të trajtojë kjo gjykatë, duke aluduar madje se gjykata do të përndjekë gjithë krerët e UÇK-së.

Megjithatë ishte kryeprokurori i Gjykatës Speciale, David Schwendiman, ai që u kujdes këto ditë të sqarojë për opinion se ndjekja do të zhvillohet ndaj individëve që kanë kryer krime, jo ndaj UÇK-së.

“Unë nuk jam për organizata apo etni. Unë po kërkoj përgjegjësi individuale për atë që është bërë”, tha David Schwendiman në intervistën e tij të parë publike si kryeprokurori i speciales për BIRN. “Nëse ky mesazh mbërrin qartë te njerëzit që preken nga kjo, atëherë ndoshta ata do të kuptojnë se gjykata nuk është pro-shqiptare apo anti-shqiptare, pro-serbe apo anti-serbe, por ne thjesht po bëjmë punën tonë”.

Zyra e re e Prokurorisë Speciale të Kosovës është ngritur në Hagë dhe ka mandatin për të ndjekur penalisht krimet nga ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000.

Gjykata e re do të dëgjojë raste që dalin nga raporti i Task Forcës Hulumtuese të BE-së të vitit 2014, i cili thoshte se zyrtarë të paidentifikuar të UÇK-së do të përballeshin me aktakuza për një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohet të ishin bashkëpunëtorë të regjimit të Beogradit. Në krimet e dyshuara përfshihen vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.