Pikëpamje | Kulturë

Ndjellja e fuqive të artit e kulturës

Nga - 26.12.2016

Përmbledhje e punës së sivjetme në kulturë: përmirësimi i imazhit të Kosovës.

Sa i përket imazhit të Kosovës para komunitetit ndërkombëtar, lirisht mund të themi që kultura po përpiqet të ndreq atë që po e bëjnë politikanët. Por çdo vjet kur ndahet buxheti, disi një formulë “logjike” vendosë që kultura është sektori më i parëndësishëm. Në buxhetin e paraparë për vitin 2017, që u miratua në parim nga kuvendi i Kosovës, buxheti për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të jetë 19.2 milion euro, tre milion më pak se sivjet.

Shteti është i varfër dhe i nënzhvilluar, izolimi nga regjimi i vizave dhe korrupsioni endemik po e ngulfasin si vello e rëndë, por fatmirësisht, kjo nuk është e mjaftueshme për t’i dhënë fund dëshirës për diçka të bukur. Sivjet veçanërisht kemi parë disa arritje të mrekullueshme për artin dhe kulturën. Kosova ka treguar që nuk është vetëm burim i poshtërsive, por edhe vend që është i pasur me aktivitete kulturore. Është vend prej nga kanë dalur këngëtar e këngëtare të muzikës pop me famë botërore, dhe ku bendet lansojnë nga njëzet albume në një natë. Është vend ku kinematografia me financim të dobët mund të arrijë deri te ceremonia e Oskarëve. Është vend që frymëzon artistë konceptual me renome botërore dhe është vendi orkestra Filarmonike e të cilit luajti për një audiencë televizive të përbërë prej 700 milion njerëzve.

Filma në lartësi turbulente

Të fillojmë me kinematografinë e Kosovës, meqë vazhdimisht po e dëshmon vetën si një prej fushave më të suksesshme të arteve në Kosovë. Gjatë viteve, filmat kosovar kanë arritur shumë, por viti 2016 ishte qershia mbi tortë.

Drama e shkurtër filmike “Shok”, koproduksion i Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe drejtorit britanez Jamie Donoughue, arriti deri te ceremonia e Oskarëve, që udhëheqet nga American Academy of Motion Picture Arts and Sciences. Shok, që është i bazuar në ngjarje të vërtetë, e tregon historinë e një miqësie të dy djemve që provohet gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Edhe pse çmimin për filmin më të mirë të shkurtër artistik e fitoi një film tjetër, sidoqoftë kjo vetëm që i nxiti më shumë filmbërësit në Kosovë që ta fitojnë në të ardhmën Oskarin e parë në histori të vendit.

shok1

Në shtator, Qendra Kinematografike e Kosovës njoftoi se drama filmike “Home Sweet Home”, koproduksion i Kosovës dhe Maqedonisë me regji të Faton Bajraktarit, është zgjedhur për të garuar në kategorinë filmi më i mirë në gjuhë të huaj në Oskarët e vitit 2017. Edhe në këtë film flitet për luftën, gjegjësisht eksplorohet shoqëria e pasluftës nëpërmjet historisë së protagonistit Agronit, për të cilin mendohet se ka vdekur gjatë luftës, por i cili kthehet në shtëpi i gjallë, e me këtë kthim shkakton vetëm ndërlikime për familjen e tij, që gëzojnë përfitime financiare nga dëshmorësia e tij. Premiera e filmit u mbajt në Karlovy Vary International Film Festival, e për të pati kritika të ndryshme.

Një sukses tjetër për filmat e Kosovës ishte filmi i shkurtër ‘Home’, që u nominua për Çmim të Akademisë Evropiane. I shkruar nga Daniel Mulloy dhe me regji të tij, ky film 20-minutësh u fokusua në temat e luftës dhe migrimit, dhe paraqet një familje të patrazuar angleze që duket se janë duke udhëtuar për në pushime, e në sfond ka refugjatë që përpiqen të hynë në Evropë.

Ky sukses i kinemasë kosovare, veçanërisht nominimi për Oskar, nxiti qeverinë e Kosovës që ta rris buxhetin e paraparë për prodhim të filmave për një milion euro (kosto mesatare e një regjisori të fotografisë së filmit në Hollyëood). Premtime të ngrohta u bënë që qeveria do të investonte edhe një milion tjera për bashkëpunime në kinematografi me shtete tjera.

Një ndërhyrje më pak e mirëpritur nga qeveria në botën e filmbëries kosovare ishte projektligji për Kinematografi. Ky projektligj provokoi protesta të furishme nga komuniteti artistik që i konsideroi ato rregulla si të pazhvilluara, ksenofobike, të mbushura me pritje jorealistike për prodhim të filmit, dhe haptas të paligjshme në synimin e tyre për ta mbyllur Kosovafilm. Në fund ky projektligj u shskarkua.

Kinemaja nga Kosova gjithashtu e përfaqësoi vendin në festivale të filmit përgjatë Evropës, përfshirë edhe një herë në festivalin e filmit të Sarajevës, pas disa viteve që munguam aty. Gjatë festivalit u shfaq Drums of Resistance, një eksplorim i lëvizjeve jo të dhunshme të rezistencës në Kosovë gjatë 1990-ave, me regji të Mathieu Jouffre. Në festival fitoi çmim për skenar një film artistik që është në zhvillim e sipër, “Looking for Venera”, me regji të Norika Sefa, filmbërëse nga Prishitna. Ky çmim u dha nga asociacioni Evropian i Ndërmarrësve Audiovizual, që tani do të ndihmojnë me zhvillimin e filmit.

Edhe në Kosovë u organizuan festivale të filmit sivjet. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë (PriFest) u kthye sivjet përkundër reduktimit 50% të financimit nga Ministria e Kulturës, dhe pas një viti në ‘ekzil’ (u mbajt një festival simbolik në Tiranë), me programe të reja që synojnë ndërkombëtarizimin e rrjetit të filmave dhe festivaleve të Kosovës.

Festivali i Animacionit Anibar përsëri gjallëroi skenën kulturore të Pejës sivjet me një mori animacionesh, veçanërisht duke theksuar temën e sivjetme, “Ngrohja Globale” dhe fatkeqësitë e pashmangshme natyrore. DokuFest në Prizren zgjodhi një temë që trajtoi një fatkeqësi tjetër, por këtë herë e shkaktuar nga njeriu: korrupsionin. Tema u trajtua nëpërmjet workshop-ëve, takimeve, dhe filmëve.

Përveç festivaleve tanimë tradicionale, dashamirësit e filmit në Kosovë u befasuan këndshëm sivjet me hapjen e Cineplexx në Albi Mall në periferi të Prishtinës. Me ato 8 ekrane, filmdashësit tani kanë mundësi që t’i shohin produksionet e Hollywood sapo të publikohen.

home1

Muzikë: shenjtorë & engjëj

Edhe muzika ka dhezë sivjet. Era Istrefi, këngëtare e re e lindur në Prishtinë, e publikoi këngën e saj të 7, “BonBon”, në YouTube në ditën e fundit të vitit 2015. Viti nisi mirë për BonBon; arriti një milion shikime, pastaj tre milion, pastaj bum! Kënga u përhap në mbarë botën dhe të gjithë po e shijonin. Video i bëri 300 milion shikime deri në fund të vitit.

Kjo këngë u bë gati e pashmanghsme në botën shqipfolëse, dhe nxiti prodhimin e disa stileve të modës dhe versioneve parodike. Gjithashtu bëri që këngëtarja 22 vjeçare të krahasohet me Sia e Rihanna, dhe i fitoi asaj një kontratë me kompani si Sony Music Entertainment dhe Ultra Music.

Era nuk ishte ylli i vetëm i muzikës pop që e vuri Kosovën në hartë sivjet. Pasi arriti famë vitin e kaluar me ‘Be the One’, Dua Lipa lansoi tri këngë të reja, përfshirë “Last Dance” dhe “Hotter than Hell” që arritën në top 15-shën e këngëve më të dëgjuara në Mbretërinë e Bashkuar. “Blow Your Mind (Mëah)” hyri në US Billboard Hot 100, dhe e nxiti Sean Paul, reperin dhe muzikantin xhamaikan, që të këndojë bashkë me të në këngën e tij “No Lie”.

Dua gjithashtu festoi për rrënjët e saj kosovare në 2016, duke mbajtur koncert në Prishtinë në gusht, ku perfromoi këngë nga albumi i saj që pritet të lansohet në 2017. Ajo gjithashtu e interpretoi këngën e bendit të babait të saj, ODA, ‘Beso në Diell’.

Vizita e Duës në Prishtinë nuk ishte e vetmja ngjarje e madhe muzikore e verës. Gjatë verës, shpeshherë në rrethana të vështira, u mbajtën festivale si Beerfest në Prishtinë, NGOMfest në Prizren dhe Into the Park në Pejë. Ndërkohë në DokuNights, elementi muzikor i Dokufest-it të Prizrenit, pati performanca të yjeve ndërkombëtar, Omar Souleyman, Super 700 dhe Yasmine Hamdan, si dhe një natë që u fokusua në më të mirët e muzikës bashkëkohore kosovare, ku rok bendi i bazuar në Prishtinë, Me t’njofshëm, e festoi lansimin e njëkohshëm të 20 albumeve të reja.

Ndoshta festivali më interesant i vitit ishte festivali i ri “Visions of Beyond”, që u mbajt te Kalaja e Harilaqit, lokacion afër aeroportit të Prishtinës me pamje shumë të mirë panoramike. Festivali u përpoq që të promovojë turizëm dhe aktivitete artistike duke rritu njëkohësisht nivelin e ndërgjegjësimit për trashëgimi kulturore. Biletat ishin më të lira për ata që sollën dy kilogram ushqim për ata që kanë nevojë, edhe një aspekt human i këti festivali të muzikës elektronike, që zgjati deri në agim, e u mbyll me premtime për atmosferë edhe më të mirë në vitin e ardhshëm.

Gjithashtu në shtator, një koncert më i errët u mbajt në Bazilikën e Shën Paulit Para Mureve në Romë, për të festuar kanonizimin e Nënës Terezë. Mijëra njerëz morrën pjesë në këtë koncert që u organizua nga Dioqeza e Prizrenit dhe u formësua artistikisht nga Orkestra Filarmonike e Kosovës. U transmetua drejtpërdrejt nga kanali televiziv i Vatikanit, “Centro Televisivo Vaticano”, për 700 milion shikues, si dhe nga RTK, televizioni kombëtar i Kosovës.

E përbërë prej dy organeve, orkestrës dhe korit, Filarmonia e Kosovës është një prej institucioneve artistike më të suksesshme në vend. E themeluar menjëherë pas luftës, Filarmonia ka më shumë se 120 anëtar. Përveç në koncertin e Romës, sivjet ata performuan edhe një operë në Gjakovë, “Kënga e Dashurisë Fitimtare” nga kompozitori italian Paolo Coletta, e kjo ishte opera e parë e performuar në Kosovë qe shtatë vjet.

Pavarësisht këtyre sukseseve, si duket në sytë e qeverisë së Kosovës, Filarmonia merito nrroga prej 250 deri në 350 euro në muaj. Prishtinës gjithashtu ende i mungon një vend i përshtatshëm ku mund të mbahen koncerte dhe prezantime tjera. Një Shtëpi e Operës ka qenë në planet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit prej vitit 2009, por ende nuk është krijuar. Vlerësohet që do të kishte kosto rreth 20-30 milion euro. Gati është harruar për shkak të “mungesës së fondeve”, sipas qeverisë.

Komuniteti artistik e fajëson mungesën e vendosmërisë politike, duke theksuar se e njejta qeveri derdhi dhjetëra miliona euro të paplanifikuara në një kontratë me të meta dhe të mbyllur për publikun për “Autostradën Kombëtare”.

Sa i përket lokacioneve kulturore, qytetarët filluan që ta trajtojnë vet këtë problem në vitin 2016. Në Prishtinë, disa vullnetarë rinovuan një ndërtesë të braktisur, duke krijuar një qendër kulturore për komunitetin të quajtur Termokiss. Ekipi që krijoi Termokiss e përshkruajnë atë si një vend për ndihmë reciproke për rritje artistike dhe shoqërore, të gjitha pa pagesë dhe pa interes financiar. Tani për tani, është entitet unik në Kosove, dhe premton që të provokojë ndryshime në shoqëri.

Art shoqërisht i ndërgjegjshëm

Shkrimet e gjata për punët e qeverisë janë fatkeqësisht të domosdoshme meqë ata menaxhojnë paratë e kombit, por është një domosdoshmëri e hidhur sidoqoftë. Por pamja e punës së artistëve bashkëkohor të Kosovës, në anën tjetër, është kënaqësi e ëmbël.

Puna e artistës së bazuar në Mbretërinë e Bashkuar, Alketa Xhafa Mripa, përfshinë piktura, fotografi, qëndisje, filma dhe instalacione; e të gjitha këto kanë gjurmë të dallueshme të fëmijërisë së saj në Kosovë. Në shtator të këti viti, Mripa, që vet ishte refugjate dikur, u përfshi në disa aktivitete të ndryshme që kishin synim rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit për gjendjen e vështirë të refugjatëve.

Instalacioni i saj “Mirëpriten Refugjatët” debutoi në Muzeun Britanez si pjesë e Javës së Refugjatëve 2016. Instalacioni i saj, që është frymëzuar nga mirëpritja e saj në Mbretërinë e Bashkuar si refugjate, është një dhomë e ditës brenda një kamioni që u sill nëpër Britani në vjeshtë. Ajo me këtë instalacion shpresoi që të provokonte pyetje për mirëpritjen e refugjatëve sot.

Artistë kosovar që kërkojnë ndryshime sociale pati edhe brenda vendit. Kolektivi ‘Haveit’, i përbërë prej dy palë motrash, Alketa e Lola Sylaj, dhe Hana e Vesa Qena, përsëri e spërkatën vitin me performanca që të provokojnë që të mendosh.

Me 27 nëntor, dita kur festojmë Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, zakonisht është ditë e mbushur me mjekrra, mustaqe dhe burrëri. Për të festuar, katër vajzat u ulën para statujës së Skendërbeut në qendrën e qytetit dhe u rruan para kamerës, duke e emëruar performancën Shaving patriarchy(Rruajtje e Sistemit Patriarkal).

Njëra prej anëtarëve të kolektivit, Lola Sylaj, gjithashtu fitoi një prej çmimeve më prestigjioze të artit në Kosovë, Artistët e së Nesërmës’, bashkë me bashkëpunëtorin e saj, Dardan Zhegrova.

autoxtrada

Artistët bashkëkohor në Kosovë së shpejti do ta kenë një burim të ri të frymëzimit, meqë Prizreni do të bëhet ndalesë e re në autostradën në mes të bienaleve të Stambollit dhe Venedikut. Në korrik 2016, Autostrada Bienalembajti konferencë me panelistë të njohur ndërkombëtarisht, në të cilën u diskutua bienalja e parë e artit bashkëkohor në Kosovë.

Galeria Kombëtare e Kosovës gjithashtu ka të ardhme të ndritur. Pas shumë ndërlikimeve, promovimit të fuqisë dhe gjashtë garave, më në fund u zgjodh drejtoresha e re, Arta Agani, që ka kryer magjistraturën në drejtimin e dizajnit grafik.

Performanca të shkëlqyeshme

Një institucion tjetër kosovar që ka kryesi të re është Teatri Kombëtar i Kosovës, që pas disa muajve të pasigurisë dhe me drejtorë të përkohshëm e zgjodhi Agim Sopin si drejtor në janar, dhe Agon Myftarin si drejtor artistik disa muaj më vonë në qershor. Pavarësisht këtyre ndryshimeve në menaxhment, programi i Teatrit Kombëtar vazhdoi si gjithmonë.

Një prej pjesëve kryesore të plan programit ishte “Një shfaqje me katër aktorë dhe disa derra dhe disa lopë dhe disa kuaj dhe një kryeministër dhe një lopë Milka dhe disa inspektorë lokal e ndërkombëtar”, shkruar nga Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Neziraj. Bazuar në ngjarje aktuale, kjo shfaqje eksploroi një realitet alternativ tragjikomik në të cilin Kosova u përpoq që t’i bashkohet Bashkimit Evropian pas boshllëkut të lënë nga Brexit.

Baleti Kombëtar i Kosovës gjithashtu po vazhdon me performanca të shkëlqyeshme, pavarësisht kushteve të vështira që i kanë për ushtrime. Bodrumi i Teatrit Kombëtar ka lagështi dhe toka është e fortë, gjë që shkakton lëndime; dhomat e veshjes janë gjysëm të shkatërruara. Kompania e njëzet e pak vallëzuesve prap se prap i kanë performuar katër premiera sivjet, e prej tyre më mbresëlënës ishte “Recomposed”, që u interpretua së fundmi nën koreografinë e Christophë Baranger dhe Jonathan Pranlas-Descours.

Këto janë vetëm koka e arritjeve kulturore të Kosovës. Pas kokës, është trupi, një makineri që punon pa lodhje si ambasadori jonë më efektiv në botë, kryesisht në Evropë. Një numër i madh i studentëve po merrp jesë në performanca dhe shfaqje të ndryshme artistike. Artistët profesional janë shkrirë në skenën artistike globale. Aktorët po merren për role në filma e teatër. Muzikantët prej DJ-ve e deri te sopranot po kryejnë punët e tyre në shtete të ndryshme. Piktorë, skulptorë, dizajnerë grafik, dramaturgj, animues, shkrimtarë, arkitektë, dizajnerë të modës, kuratorë, e tjerë, të gjithë po lënë gjurmët e tyre. Me gjithë punën e tyre “shumë herë nuk është e madhe, shumë herë nuk është as e dukshme, por ka rëndësi sidoqoftë”.K

Fotografia kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO