civile-c-report
Shkurt | Raport

Ndriqohet puna e shoqërisë civile në Kosovë

Nga - 10.11.2016

Një raport i ri ekzaminon shoqërinë civile në Kosovë.

Me 6 nëntor, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) lansoi raportin që rregullisht e publikon dy herë në vit, dhe që ka të bëjë me Organizatat e Shoqërisë Civile (OJQ) në Kosovë: Indeksi Kosovar i Shoqërisë Civile 2016. Me këtë raport KCSF ka për qëllim të paraqes rolin e OShC në Kosovë; ndikimin dhe transparencën e tyre – diçka që shumë OJQ e kërkojnë vet prej institucioneve publike në bazë ditore.

Janë 8,500 OJQ të regjistruara në Kosovë, prej të cilave 1500 janë aktive. Ky raport jep një analizë të hollësishme të situatës së sektorit të shoqërisë civile në Kosovë, të sfidave të tyre, të qëllimeve të tyre dhe të mënyrës së financimit të tyre. Këto janë disa prej gjetjeve kryesore.

Qëllimet, sukseset dhe të metat

Sipas këtij studimi, tri fusha në të cilat OJQ-të vërehet që janë më së shumti aktive janë ato të transparencës dhe llogaridhënies, sundimit të ligjit, dhe demokratizimit, ndërsa barazia gjinore dhe Integrimi Evropian gjithashtu përmenden si fusha të rëndësishme.

Ndikimi i OJQ-ve ka qenë veçanërisht efektiv në fushën e demokratizimit. Taulant Hoxha është drejtor i hulumtimit dhe avokimit në KCSF dhe të njejtën kohë autor i këtij studimi. Ai shpjegoi për K2.0 se si “pavarësisht situatës së vështirë politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë, shoqëria civile ka arritur që të bëhet faktor i rëndësishëm në demokratizimin e vendit”.

Hoxha beson se OJQ-të e kanë arritur këtë nëpërmjet disa formave. “Së pari, duke bërë presion për transparencë dhe llogaridhënie nga ana e institucioneve publike”, tha ai për K2.0. “Por edhe duke kontribuar me ekspertizë nga OJQ-të e specializuara në fusha të ndryshme. Ato gjithashtu kanë ngritur kauza të rëndësishme shoqërore duke punuar me grupe të qytetarëve nga OJQ-të  lokale, për t’i zgjidhur problemet e tyre të përditshme”.

Ky demokratizim shfaqet nga numri i OJQ-ve në Kosovë që janë të angazhuara në konsultime publike; 51 përqind të OJQ-ve ekzistuese janë ftuar nga institucionet publike për konsultime publike, ndërsa 23 përqind të OJQ-ve janë ftuar rregullisht.

"Sidoqoftë, sektori civil është shumë aktiv në kërkimin e transparencës dhe llogaridhënies, sundimit të ligjit, barazisë gjinore dhe në ndjekje të procesit të Integrimit Evropian."

Taulant Hoxha

Megjithatë, pavarësisht këtij niveli të lartë të konsultave, sipas studimit, OJQ-të në Kosovë nuk kanë shumë ndikim në procese të vendimmarrjes; 61 përqind kanë ndikim të kufizuar, 27 përqind kanë ndikim mesatar, ndërsa 8 përqind nuk kanë fare ndikim. Vetëm 3 përqind kanë ndikim të madh.

Ky studim gjithashtu zbulon se për shkak të niveleve të ulëta të angazhimit të qytetarëve në shoqërinë civile në Kosovë (me fjalë tjera vetëm 2.9 përqind të qytetarëve janë anëtarë të OJQ-ve), shumë pak OJQ kanë lidhje direkte me grupe më të mëdha të qytetarëve.

Megjithatë, ende ka zëra që pretendojnë se ndikimi i shoqërisë civile nuk duhet të nënvlerësohet. “Pa kompetenca ekzekutive, ndikimi i shoqërisë civile është i varur edhe në nivelin e funksionimit të shtetit në përgjithësi”, tha Hoxha. “Sidoqoftë, sektori civil është shumë aktiv në kërkimin e transparencës dhe llogaridhënies, sundimit të ligjit, barazisë gjinore dhe në ndjekje të procesit të Integrimit Evropian”.

Problemet financiare

Sfida më e madhe që po pengon punën e OJQ-ve në Kosovë është varësia e tyre në financim të jashtëm, që shkakton edhe mungesë të buxhetit e stafit.

Hoxha shpjegoi se si, sipas studimit, “më shumë se 60 përqind e sektorit përbëhet prej OJQ-ve me aspak ose pak financim, dhe me pak punëtorë”. Ai shtoi se shumë OJQ operojnë në bazë të plotë vullnetare dhe se sektori i shoqërisë civile ka shumë më shumë vullnetarë se punëtorë. Prej 927 OJQ-ve në Kosovë që punësuan staf në 2015, 66.25 përqind i kishin më pak se katër punëtorë. 28.16 përqind i kishin 5-25 punëtorë, ndërsa vetëm 5.61 përqind i kishin 26 ose më shumë punëtorë.

Studimi gjeti gjithashtu se 60 përqind e OJQ-ve operojnë me buxhet vjetor më të vogël se 10,000 euro. OJQ-të me buxhete më të mëdha janë shumë më të rralla; vetëm 15 përqind kanë buxhet 100-500,000 euro, dhe vetëm pesë përqind kanë më shumë se 500,000 në dispozicion çdo vit.

Fondet ndërkombëtare i mbulojnë shumicën e buxheteve të OJQ-ve, të mëdha e të vogla. Për çdo 100 euro që shpenzohen nga OJQ-të në Kosovë, 99 euro vijnë prej donatorëve ndërkombëtar.

Transparencë e brendshme

Kur u pyet për transparencën e shoqërisë civile në Kosovë, Z. Hoxha tha: “Shumica e këtyrë OShC që kanë fonde të mëdha dhe numër të madh të punëtorëve kanë rregulla të brendshme dhe revizione të jashtme financiare”.

Hoxha tha për K2.0 se “niveli i respektimit të taksave nga OJQ-të sa i përket transaksioneve financiare dhe punëtorëve është shumë i lartë; pra niveli i evazionit fiskal në sektorin e shoqërisë civile është i ulët”. Ai e shpjegoi më tej duke thënë “kjo do të thotë se ky sektor vepron mirë sa i përket përmbushjes së kërkesave ligjore, që në shumë raste (me fjalë tjera, kur ka revizione të jashtme financiare) madje edhe tejkalohen”.

Edicioni i 2016 i Indeksit Kosovar të Shoqërisë Civile e paraqet shoqërinë civile në Kosovë si shoqëri që përballet me sfida të ndryshme financiare dhe logjistike, por që gjithashtu duket se po luan rol të fuqishëm në procesin e demokratizimit në Kosovë, duke vendosur standarde të larta, sa i përket transparencës.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO