Në thelb | Dhomat e Specializuara

Në mes modeleve të gjykatave

Nga - 24.05.2017

Dhomat e Specializuara do të punojnë me qasje hibride.

Përveç njohurive rreth asaj se si do të punojnë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, gjithashtu është thelbësore të kuptohet përbërja e tyre, për ta ditur saktësisht se me çka do të merremi për pesë vitet e ardhshme. A janë këto Dhoma, gjykata vendore, si Gjykata Supreme në Kosovë? A janë ato gjykatë ndërkombëtare, si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë apo Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi? Apo, a janë ato diçka krejt ndryshe dhe e re?

Ekzistojnë tri çështje të rëndësishme të cilat duhet t’i analizojmë për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, dhe për ta kuptuar si duhet modelin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyres së Prokurorit të Specializuar:  A kanë adoptuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar model hibrid? Çka në të vërtetë është modeli hibrid, dhe a është kjo hera e parë që Kosova ndeshet me hibriditet?

Formë ad-hoc e modelit hibrid

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë të krijuara për të funksionuar në një formë, që i ndan nga institucionet tradicionale të drejtësisë në Kosovë. Pavarësisht faktit se ato parashihen të funsionojnë brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës, ato gëzojnë privilegje të caktuara që vetëm një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare gëzon në Kosovë.

Të themeluara sipas ligjit të Kosovës por të përbërë vetëm nga gjykatës ndërkombëtarë, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar karakterizohen me më të mirat (apo më të këqijat) e dy kategorive dhe si të tilla kanë qasje më shumë hibride. Megjithatë, duhet theksuar se këtyre dhomave u mungon karakteristika më dalluese e një gjykate hibride — përbërja e përzier me gjyqtarë ndërkombëtarë dhe vendorë. Si të tilla, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë risi në kuadër të modeleve ekzistuese të gjykatave hibride. Por me gjithë këtë, ato prapëseprapë përmbajnë elemente vendore dhe ndërkombëtare.

Çka në të vërtetë është modeli hibrid?

Gjykatat hibride janë modeli më i fundit i gjykatave ndërkombëtare penale dhe karakterizohen me një përzierje të komponentëve vendore dhe ndërkombëtare. Si të tilla, këto gjykata duken shumë premtuese; duke ofruar një qasje e cila  mund të adresojë disa prej shqetësimeve sa i përket drejtësisë së pastër ndërkombëtare në një anë, dhe drejtësisë së pastër vendore në anën tjetër, duke shmangur njëkohësisht pengesa të dëgjimeve dhe gjykimeve vendore.

Derisa të gjitha modelet hibride përmbajnë elemente vendore dhe ndërkombëtare, gjithashtu duhet theksuar se ka shumë dallime edhe ndërmjet gjykatave të ndryshme hibride. Këto lloj gjykatash shpesh njihen si gjykata të përziera, tribunale, gjykata të ndërkombëtarizuara, tribunale të përziera vendore-ndërkombëtare, gjykata penale gjysmë të ndërkombëtarizuara, gjykata hibride vendore-ndërkombëtare e kështu me radhë.

Pavarësisht emrit i cili përdoret për t’iu referuar, shumë autorë të kësaj teme i përmendin gjykatat e njëjta si modele hibride:  Panelet e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Qarkut të Dilit në Timorin Lindor,  Gjykatat Speciale për Sierra Leonen,  Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatat e Kamboxhias dhe  Rregullorja “64 Panelet” në Gjykatat e Kosovës. Autorë të caktuar gjithashtu me hezitim e grupojnë  Dhomën e Krimeve të Luftës në Gjykatën e Bosnje e Hercegovinës,  Tribunalin Special të Irakut si dhe  Zyren e Prokurorit të Specializuar të Etiopisë brenda modelit të “gjykatës hibride”.

Megjithatë, përgjithësisht, ekzistojnë dy kategori kryesore të gjykatave hibride. Kategoria e parë lidhet me përbërjen me gjykatës vendorë dhe ndërkombëtarë si element i vetëm përkufizues i gjykatave hibride, derisa kategoria tjetër përqendrohet në bazën ligjore të institucionit, pra nëse gjykata është themeluar duke përdorur legjislacionin vendor apo ndërkombëtar.

Dallimi u mundëson shumë autorëve të kësaj fushe të konsiderojnë se modelet hibride adoptojnë elementet më të mira të të dyja kategorive, duke i shërbyer drejtësisë vendore dhe njëkohësisht duke e respektuar ligjin ndërkombëtar, duke qenë më efikasë, duke kushtuar më pak dhe duke ofruar pronësi mbi rastet, por njëkohësist duke mos e cënuar pavarësinë dhe paanshmërinë. Për fat të keq, nuk ndodh gjithmonë kështu.

Historia hibride në Kosovë

Historia e sistemit të drejtësisë në Kosovë nuk është krejt e lehtë për t’u kuptuar, sidomos pas vitit 1999. Por, është e rëndësishme të bëhet një hap mbrapa dhe të adresohet fakti se nuk është hera e parë që modeli hibrid po përmendet në lidhje me sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Gjithçka në të vërtetë filloi në qershor të vitit 1999 kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shpallli Rezolutën e cila e themelonte Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Përveç shumë kërkesave të tjera që kërkonte mandati i UNMIK-ut, përgjegjësitë e tij ishin specifike sa i përket rendit dhe ligjit dhe përfshinin mbajtjen, gjykimin dhe dënimin e atyre të cilët supozohet të kenë kryer krime të rënda gjatë luftës në Kosovë.

Në përgjithësi, ishte mjaft e qartë se dalja nga lufta bashkë me shumë vite diskriminimi kundër shqiptarëve kishte prodhuar një model gjysmak të drejtësisë i cili nuk kishte kapacitete të zhvillonte gjykime kundër krimeve të luftës.

Kjo ishte detyrë përtej fushëveprimit edhe të kapaciteteve të UNMIK-ut edhe të infrastrukturës vendore, duke pasur parasysh dëmin që i ishte shkaktuar kësaj të fundit gjatë luftës. Kishte pak gjykatës dhe avokatë vendorë me përvojë prezent, marrë parasysh se shumica e shqiptarëve ishin përjashtuar nga sistemi i drejtësisë gjatë viteve ’90. Në përgjithësi, ishte mjaft e qartë se dalja nga lufta bashkë me shumë vite diskriminimi kundër shqiptarëve kishte prodhuar një model gjysmak të drejtësisë, i cili nuk kishte kapacitete të zhvillonte gjykime kundër krimeve të luftës. Gjykata e Hagës në anën tjetër e bëri të qartë se ata nuk mund të merreshin me të gjitha rastet dhe se ishin në gjendje t’i gjykonin vetëm ata të cilët kishin kryer krimet më të tmerrshme në shkallë të lartë.

Kjo bëri që mbështetja për krijimin e një gjykate speciale (e cila do të njihej si Gjykata e Krimeve të Luftës dhe Krimeve Etnike në Kosovë) të rritej shumë shpejt. Kjo gjykatë do të kishte jurisdiksionin mbi krimet e luftës dhe do të përqendrohej në kryes të profilit jo shumë të lartë të cilët Gjykata e Hagës nuk kishte kapacitete t’i gjykonte.

Gjykata e Krimeve të Luftës dhe Krimeve Etnike në Kosovë kurrë nuk u themelua qoftë për shkak të kufizimeve financiare apo pengesave politike, apo mbase për shkak të të dyjave. Por historia e eksperimentimit me modele hibride vazhdoi kur autoritetet e OKB-së nxorën një numër rregulloresh të cilat mundësonin përzierjen e gjykatësve vendorë dhe ndërkombëtarë për të gjykuar nëpër gjykatat vendore të Kosovës, duke lejuar njëkohësisht që avokatët ndërkombëtarë të punonin me atë vendorë në lidhje me këto raste. Kjo ndryshe njihet si  “64 Panelet”.

Përgjatë viteve, kjo vazhdoi me rikonfigurimin e mandatit të UNMIK-ut dhe me themelimin e Aksionit të Jashtëm të Bashkimit Europian (EULEX), i cili kishte përgjegjësi të ngjashme me ato të UNMIK-ut. Sikurse UNMIK-u, EULEX-i gjithashtu vazhdoi (dhe ende vazhdon) të ketë përzierje të gjykatësve vendorë dhe ndërkombëtarë duke përfshirë edhe ligjin e adoptuar vendor; deri në atë masë që nuk bie ndesh me normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Duke u nisur nga kjo, është e qartë se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë rezultat i dështimeve të vazhdueshme vendore dhe ndërkombëtare për të themeluar një sistem të denjë të drejtësisë në Kosovë. Si të tilla, ato vazhdojnë ta adaptojnë modelin hibrid, me ndryshime të vogla, duke shpresuar se rezultati do të jetë i frytshëm. Se a do të ndodhë kjo apo jo, mbetet të shihet.

Imazhi: Majlinda Hoxha.