Në thelb | Drejtësi

Në pritje të gjykatësve nga Veriu

Nga - 16.10.2017

Shtrirja e sistemit gjyqësor të Kosovës arrin në një pikë kyçe.

Shënim i redaksisë: Ky artikull është botuar më 16 tetor si referencë për takimin që ishte planifikuar të mbahet më 17  tetor në mes të presidentit, Hashim Thaçi, dhe një numër të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të Kosovës, e ku pritej të bëhej betimi i tyre, dhe nisja e implementimit të marrëveshjes së drejtësisë për Veri. Takimi nuk u mbajt meqë  asnjë prej gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të Kosovës nuk morrën pjesë dhe nuk u betuan para Thaçit.

Më 2015, në rolin e bajraktarit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Hashim Thaçi kishte deklaruar se kishte arritur një marrëveshje për zgjerimin e sistemit gjyqësor kosovar në pjesën më problematike, në veri të Mitrovicës. Megjithatë, ende nuk dihet nëse Thaçi do të jetë në gjendje të bind gjykatësit serb nga ajo anë që të betohen para tij si president, një hap që është i nevojshëm para dekretimit të një gjykatësi të shtetit.

Nesër është 17 tetori, data që është caktuar për fillimin e implementimit të marrëveshjes së drejtësisë të arritur në Bruksel mes dy palëve në gusht të vitit 2015. Marrëveshja është rezultat i një marrëveshje të mëhershme që ishte nënshkruar më 9 prill 2013 – e para marrëveshje që ishte nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në të ashtuquajturin proces të normalizimit.

Gjykatësit dhe prokurorët në veri të Mitrovicës kanë refuzuar të bëhen pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës që nga përfundimi i luftës, duke iu përgjigjur vetëm Beogradit dhe ligjeve të Serbisë. Kjo ishte menduar se do të ndryshonte përmes marrëveshjes së Brukselit, e cila synon të përfshij gjykatësit dhe prokurorët të cilët janë të emëruar nga presidenti në një sistem të integruar të drejtësisë në veri.

Megjithatë, presidenca e Kosovës ende nuk ka marrë siguri se 48 gjykatësit dhe 9 prokurorët të cilët janë rekrutuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) do të betohen.

Derisa Hashim Thaçi u shpreh i bindur se marrëveshja e arritur në gusht të vitit 2015 do të shtrijë suistmin gjyqësor të Kosovës në veri, ai ende nuk ka marrë konfirmime nëse gjyqtarët serbë do të bëjnë betimin para tij. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

I pyetur nëse ka marrë konfirmim që gjykatësit dhe prokurorët serbë do të deklarojnë betimin e besnikërisë para Hashim Thaçit, respektivisht shtetit të Kosovës, në zyrën e presidentit në Prishtinë, zyra e komunikimit e Presidencës i ka dhënë K2.0 përgjigjen si në vijim: “Jemi në kontakt të vazhdueshëm me KGJK-në dhe KPK-në për çështjen e dekretimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të angazhohen në veri. Sapo të marrim propozimet nga KGJK-ja dhe KPK-ja do të zhvillojmë procedurat përkatëse.”

Pas luftës në Kosovë, shumë ligje dhe rregullore ishin adaptuar nga UNMIK, e cila administroi Kosovën deri në shpalljen e pavarësisë më 2008. Sistemi gjyqësor në Kosovë, duke përfshirë Gjykatën në pjesën veriore të Mitrovicës punonin bazuar në një kombinim të ligjeve të UNMIK-ut dhe atyre të Jugosllavisë.

Pas vitit 2008, ligjet dhe rregulloret e UNMIK-ut ishin zëvendësuar nga ligjet vendore, në bazë të të cilave gjykatat filluan të punojnë, me përjashtim të atyre në veri, të cilat vazhduan të përdorin ligjet e Jugosllavisë. Gjykatësit dhe prokurorët nga komuniteti serbë e deklaruan veten e tyre si pjesë e sistemit serb të drejtësisë, nga i cili ende vazhdojnë të paguhen. Proceset juridike në veri aktualisht kryhen në një shtëpi private me gjykata që punojnë bazuar në legjislacionin e Serbisë.

Marrëveshja e Brukselit synon të ndryshoj këtë situatë. Megjithatë, gjykatësit dhe prokurorët serbë nuk mund të paguhen nga shteti Kosovar në të ardhmen, nëse ata nuk betohen para presidentit, duke njohur heshturazi kështu autoritetin e tij mbi shtetin.

Nëse dhe kur do të ndodh kjo ende është pikëpyetje edhe për zyrtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. KGJK menaxhon të gjitha gjykatat në vend, përveç gjjykatës në veri. Zëdhënësja e KGJK, Aishe Qorraj, i ka thënë K2.0 se stafi gjyqësor nuk mund të paguhet pa emërimin e 48 gjykatësve të cilët janë rekrutuar në fushën që është duke u finalizuar. E pyetur nëse kanë marrë konfirmim në lidhje me betimin, Qorraj i ka thënë K2.0 që të adresoj pyetjen tek zyra e presidentit.

“Procesi i emërimit ende nuk është përmbyllur për shkak se implementimi i marrëveshjes së drejtësisë ende nuk ka nisur. Për më shumë, meqenëse ende nuk janë emëruar, ata nuk mund të marrin paga”, ka thënë ajo.

Sisteme të ndara?

Një çështje tjetër kundërthënëse është zbatueshmëria e ligjeve të Kosovës në rajonin verior, ku shtetësia e Kosovës nuk njihet. Pika 10 e marrëveshjes strukturore e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë thotë që autoritetet gjyqësore duhet të integrohen, dhe që ato do të punojnë në përputhje me strukturën ligjore të Kosovës.

Ajo gjithashtu parasheh themelimin e një panel i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, e përbërë nga gjykatës dhe staf administrativ serbë të cilët jetojnë në veri. Marrëveshja e vitit 2015, e cila derivon nga marrëveshja e prillit, e quan këtë panel “Njësiti i Apelit.”

Gjykata e Apelit është gjykata kryesore e sistemit të drejtësisë pasiqë është përgjegjëse për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Kjo gjykatë mbulon gjithë territorin e Kosovës dhe, sipas ligjit, vetëm një Gjykatë e Apelit mund të ekzistoj brenda sistemit Kosovar të drejtësisë.

Sipas një numri të analistëve dhe ekspertëve ligjor, krijimi i një njësiti të Apelit në veri lë hapësirë për krijimin e një sistemi paralel të drejtësisë, apo edhe legalizimin e sistemit aktual, i cili nuk është i integruar në shtetin e Kosovës, por funksionon si sistem i ndarë nga ai që vepron në pjesët jugore të vendit.

Marrëveshja e drejtësisë e vitit 2015 gjithashtu parasheh krijimin e Gjykatës Themelore dhe një Zyrë të Prokurorisë Themelore për rajonin e Mitrovicës.

Në çdo rajon tjetër të Kosovës, Gjykata Themelore e ka zyrën qëndrore në një ndërtesë të vetme, me një udhëheqës të vetëm të gjykatës, megjithatë, deri tani në Mitrovicë, është përdorur një gjykatë në Vushtrri për të gjykuar rastet ku janë të përfshirë Shqiptarë të Kosovës nga rajoni, përderisa gjykata e lartpërmendur e vendosur në një shtëpi private, jasht sistemit Kosovar është përdorur për të gjykuar Serbët e Kosovës.

Ndërtesa kryesore e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që gjendet në pjesën veriore, nuk është përdorur që prej vitit 2008 pas protestave të dhunshme. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Gjykatësi Ali Kutllovci është udhëheqësi në detyrë i kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, e cila aktualisht është e vendosur në Vushtrri. Kutllovci i ka shpjeguar K2.0 se edhe për atë është shumë e paqartë se çfarë do të ndodh me pozitën e tij pasi marrëveshja të filloj të implementohet, meqenëse teksti i marrëveshjes thotë kategorikisht se udhëheqësi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë mund të jetë vetëm një Gjykatës Serb nga Kosova. Megjithatë, marrëveshja gjithashtu sygjeron që gjykata do të ketë dy ndërtesa, një e vendosur në veri dhe tjetra në jug të qytetit të Mitrovicës.

‘Nëse gjykatësit serb nuk betohen, ata nuk mund të konsiderohen si gjykatës, kështu që është e paqartë edhe për mua se si dikush mund të emërohet Udhëheqës i Gjykatës pa qenë së pari gjykatës,” ka thënë Kutllovci për K2.0. “Nuk e di se si Këshilli Gjyqësor është duke menduar të implementoj këtë marrëveshje dhe kë do të emërojnë si udhëheqës të Gjykatës Themelore në Mitrovicë nëse gjykatësit Serb nuk betohen. Këtë nuk e kanë bërë në Janar kur gjithçka ishte gati. Tani kanë marrë një ftesë tjetër për të shkuar në zyrën e Presidentit nesër dhe të betohen, por askush nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Nuk e di. Është pak e ndërlikuar dhe për të qenë i sinqert, nuk di më shumë rreth kësaj.”

Po qe se konfirmohet betimi i gjyqtarëve, njëri nga ata do të zgjedhet kryetar/e i/e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri me 22 tetor.

Sipas marrëveshjes, stafi i Zyrës së Prokurorisë Themelore do të jetë i etnive të përziera, edhe pse kryeprokurori i Zyrës së Prokurorisë Themelore do të jetë Shqiptar i Kosovës. Zyra aktualisht është e vendosur brenda Zyrës Administrative për Veriun e Mitrovicës (ZAVM), e cila është brenda asaj që njihet si Lagja e Boshnjakëve.

Megjithatë, përkundër faktit se qiraja është paguar për këto hapësira për dy vitet e fundit, prokurorët lokal asnjëherë nuk kanë qenë fizikisht prezent atje për shkak të mungesës së sigurisë. Kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqri Syla dhe stafi i tij punojnë në gjykatën e Vushtrrisë.

Ndërkohë, Njësiti i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë do të përbëhet nga pesë gjykatës serb të Kosovës dhe dy gjykatës shqiptarë, ashtu siç është paraparë me marrëveshje. Nëse gjykatësit Shqiptar janë të gatshëm të kthehen në veri është një çështje tjetër kundërthënëse. KGJK nuk ka dhënë një përgjigje në lidhje me atë se si planifikojnë të funksionalizojnë sistemin e drejtësisë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, apo të adresojnë faktin që ai ka dështuar të dërgojë prokurorët e vet në rajon në dy vitet e fundit. Megjithatë, zëdhënësi i KGJK, Astrit Kolaj, i ka thënë K2.0 se KGJK ka përmbushur të gjitha obligimet e veta që rrjedhin nga Marrëveshja e Brukselit për Drejtësi.

“Këshilli është i gatshëm të filloj implementimin e marrëveshjes,” ka thënë ai.

E gatshme për t’u implementuar

Në konferencën e parë para gazetarëve, pas emërimit si Ministër i ri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i PDK-së, ish-këshilltar i Hashim Thaçit, i është përgjigjur një pyetje nga K2.0 duke thënë se ai është i bindur se marrëveshja e drejtësisë do të zbatohet në praktike, duke e quajtur atë si shtrirje e drejtësisë dhe shtetësisë së Kosovës në atë pjesë të vendit.

“Ne jemi duke bërë punën tonë, duke e bërë të pamundurën, në mënyrë që brenda këtyre afateve kohore të përcaktuara së fundmi, të mund të funksionalizojmë drejtësinë në atë pjesë, dhe gjykatësit e Republikës së Kosovës, qofshin serbë, boshnjakë apo shqiptarë, të vazhdojnë punën e tyre në veri,” ka thënë Ministri Tahiri. “Qytetarët tanë do t’i përgjigjen vetëm një sistemi të drejtësisë në secilin aktvendim që respektohet në Republikën e Kosovës. Secili aktvendim do t’i përkas Republikës – Nuk jam duke paragjykuar asgjë,” është zotuar ai.

Jelena Krivokapic, e vetmja grua gjykatëse nga veriu i Mitrovices, është e bindur se sistemi i integruar i drejtësisë duhet t’i nënshtrohet legjislacionit të Kosovës edhe në praktikë, përkundër skepticizmit të saj rreth zbatueshmërisë së kësaj ideje.

Në një përgjigje me shkrim për K2.0, Krivokapic ka thënë se gjykatësit të cilët do të propozohen nga KGJK e dijnë se ata duhet të betohen para “Zotëri Thaçit” në Prishtinë. “Unë nuk pres që ndonjëri nga ata të ketë problem me këtë. Nuk e di kur do të ndodh betimi, për shkak se gjykatësit ende duhet të emërohen, dhe emërimi i paraprin procesit të dekretimit,” ka thënë ajo, duke shtuar që nëse KGJK e propozon atë si gjykatëse për gjykatat veriore, ajo do të betohet para autoriteteve kompetente, edhe pse nuk i është referuar shprehimisht Thacit si “president” në përgjigjen e saj.

“Nëse marrëveshja do të implementohet, atëherë sistemi Kosovar i drejtësisë do të jetë unik dhe tërësisht i sigurt,” ka thënë Krivokapic. Ajo gjithashtu ka folur rreth Njësisë së Gjykatës së Apelit në veri – e cila ka ngritur dilema të mëdha mes opinionit publik rreth asaj nëse kjo do të jetën jë Gjykatë paralele e Apelit apo një degë e Gjykatës aktuale të Apelit – duke thënë se kjo do të jetë një ndarje pa një udhëheqës, vetëm me gjykatës dhe staf administrativ.

“Ekziston vetëm një Gjykatë e Apelit dhe ajo është e vendosur në Prishtinë, ku udhëheqësi i kësaj gjykate edhe vepron. Në Mitrovicë do të ketë një department të Gjykatës së Apelit të Prishtinës, por pa udhëheqës, në këtë mënyrë të gjithë do të jenë të obliguar të respektojnë vendimet e marra nga udhëheqësi i Gjykatës së Apelit në Prishtinë,” ka thënë gjykatësja e cila aktualisht është gjykatëse e Supremes.

 

"Në shekullin e 21-të, njerëzit kanë nevojë për mekanizma institucional, dhe ne kemi faj për këtë problem, sepse ne e kemi braktisur atë pjesë të popullatës së Kosovës".

Gjyljeta Mushkolaj, ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese.

Një çështje tjetër që duhet të shqyrtohet është fakti që të gjitha vendimet e marra nga sistemi paralel i drejtësisë në veri duhet të integrohen brenda sistemit aktual të Kosovës. Megjithatë, një numër i atyre vendimeve janë marrë në përputhje me legjislacionin e Serbisë, duke sfiduar kështu sovranitetin gjyqësor të Kosovës.

Autoritetet Kosovare kanë themeluar një komision i cili pritet të shqyrtoj të gjitha vendimet që janë marrë nga sistemi paralel i drejtësisë deri tani. Pritet që ky komision, i cili është pjesë e KGJK, do të vendos se cilat vendime nuk shkelin ligjet e Kosovës.

Megjithatë, nëse kthehemi te marrëveshja për drejtësi e Brukselit, ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Gjyljeta Mushkolaj, e vlerëson  pozitivisht në parim, meqë bëhet fjalë për një marrëveshje të nevojshme për të integruar gjykatën në veri në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Megjithatë, ajo ka treguar se kur bëhet fjalë për vendimet për rastet civile, gjykata në veri edhe në të kaluarën nuk ka pasur alternativë përpos të veprojnë brenda legjislacionit të Serbisë atje.  

“Sa i përket çështjeve civile kuptohet ato [gjyktata në veri] e vazhdojnë punën sipas legjislacionit serb, por kjo nddh sepse njerëzit atje duhet të zgjidhin problemet me të cilat ballafaqohen, dhe ne si republikë ende nuk ju kemi ofruar asgjë,” ka thënë Mushkolaj. “Mund ta merrni një shembull, përsa i përket çështjeve familjare, si përcaktimi i alimentacionit për fëmijë, etj. Çka ju  ofrojmë ne? Njerëzit kanë nevojë për zgjidhje, dhe për këtë duhet t’u drejtohen gjykatave. Në shekullin e 21-të, popullata ka nevojë për mekanizma institucional, e problematikë është edhe tek ne, sepse ne e kemi braktisur atë pjesë të popullatës së Kosovës.”

Duhet kujtuar se institucionet e Kosovës nuk njihen nga serbët lokal.

Mbetet të shihet ndërkaq, nëse dora e drejtësisë përfundimisht do të zgjerohet në atë pjesë të vendit që ka shkaktuar kokëdhëmbje për vite të tëra – veriu i Mitrovicës. Megjithatë, gjyqësori i Kosovës gjithashtu është i brishtë në jug dhe shpesh ka dëshmuar të jetë i hapur ndaj ndikimeve politike. Gjithashtu mbetet të shihet nëse politika do të pengoj apo ndihmoj implementimin e marrëveshjes së drejtësisë.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO