Pikëpamje | Pavarësia

Ne — qytetarët — jemi shteti

Nga - 16.02.2018

17 shkurti nuk është vetëm dita e pavarësisë, por edhe mundësi për të reflektuar mbi Republikën çfarë e dëshirojmë.

Këto ditë hasa në një libër për fëmijë me titull “Misioni i Borëbardhës: Fëmijët drejt NEWBORN-it”. Përmes personazheve të sajuara, libri përshkruan ngjarjet kryesore politike të cilat e përshkuan rrugëtimin e Kosovës drejt shtetësisë.

Borëbardha është protagoniste kryesore, dhe ajo personifikon bashkësinë ndërkombëtare. Misioni i saj është t’u ndihmojë fëmijëve — të cilët përfaqësojnë popullin e Kosovës — të kalojnë nëpër tri faza për t’u bërë “vend i pavarur”.

Në fazën e parë, ajo u ndihmon fëmijëve duke u siguruar ushqim dhe veshmbathje. Faza e dytë përqendrohet në “përparimin e vendit”. Dhe në fazën e tretë, para se të bëhet gati të largohet, ajo ia vë vetes detyrën t’u mundësojë atyre të bëhen “një vend i mirë për të gjithë, pa dallim”, dhe një vend i cili udhëhiqet nga vet fëmijët.

"Në realitet, Borëbardha nuk u largua, fëmijët po grinden për lodrat dhe dhuratat, derisa shteti nuk është bërë “një vend i mirë për të gjithë.”

Narrativat e ngjashme janë manifestuar në mënyrën se si po shënohet #Kosova10. Prej postimeve të ambasadave të Kosovës nëpër rrjetet sociale se si ato do ta festojnë “pavarësinë e shtetit tonë të ri” e deri te udhëheqësit shtetërorë e qeveritarë që i quajnë medaljet e fundit në sport “dhurata për ditëlindjen e dhjetë të Kosovës”. Për më tepër, në këtë mbulueshmëri të shtuar mediale nga gazetarët e huaj sivjet, më kanë pyetur madje nëse Kosova do, apo duhet të vazhdojë të jetë vend i pavarur.

Të lexosh storie të tilla nuk është domosdo risi kur kemi parasysh mënyrën se si janë sajuar shpeshherë narrativat për Kosovën. Është pra ky sforcimi i konceptit të NEWBORN-it — i marrëdhënies ndëmjet ‘mësuesit’ dhe ‘nxënësit’,  ‘prindit’ dhe ‘fëmijës’, ‘shpëtimtarit’ dhe ‘viktimës’ ‘të dijshmit’ dhe ‘të padijshmit’.

Gjatë gjithë kohës, në realitet, Borëbardha nuk u largua, fëmijët po grinden për lodrat dhe dhuratat, derisa shteti nuk është bërë “një vend i mirë për të gjithë”.

Një aspekt i kësaj ka të bëjë me atë që të gjitha këto narrativa kanë të përbashkët — të gjithat përpiqen ta zhveshin Kosovën dhe, ç’është më e rëndësishmja, qytetarët nga çfarëdo ndjenje e veprimit, qoftë individuale qoftë kolektive. E veprimi është elementi kyç me të cilin individët në një shoqëri jo vetëm që e identifikojnë veten por edhe marrin pjesë në formësimin e saj.

Kësisoji, derisa po shënohet dhjetëvjetori i pavarësisë së Kosovës, është e natyrshme të shihet se çfarë domethënie ka pasur, çfarë ka sjellë dhe çfarë ka dështuar të nxjerrë dekada e shkuar.

Në njërën anë, kemi kapjen e institucioneve, dhe kjo është përsëritur sa e sa herë. Përgjimet e vitit 2016 kanë qenë vetëm konfirmim i një të vërtete publike tashmë të pranuar, duke treguar se si institucionet dhe agjencitë shtetërore të cilat ofrojnë shërbime, prej kartonit të gjelbër të sigurimit të veturave e deri te infrastruktura energjetike dhe administrata tatimore, kanë qenë në grusht të atyre që ishin të afërt me politikën.

Por, në anën tjetër, e shoh po aq të rëndësishme t’ia hedh një vështrim mënyrave se si është kapur diskursi i shtetësisë në po atë masë. Shumë shpesh, shteti nënkupton qeverinë; qeveria shihet si pushteti; e individët brenda institucioneve (përfaqësuesit) quhen pushtetarë.

Shprehjet e tilla mund të konsiderohen si gjuhë që thjesht ilustron praktika të pranishme. Por kjo gjithashtu nënkupton se shteti është bërë sinonim i sjelljeve të establishmentit politik dhe të klasës politike. Përvetësimi dhe pranimi i kuptimeve të tilla rrezikon ‘legjitimimin’ apo ‘normalizimin’ e praktikave të tyre, dhe madje në fund ndikon te marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin, me institucionin, dhe rrjedhimisht me atë se në ç’mënyre, nëse dhe ç’lloj llogaridhënieje kërkohet. Nëse nuk e sfidojmë gjuhën, dhe nëse nuk ia kujtojmë vetes thelbin e asaj që mishëron shteti, atëherë ne si qytetarë po rrezikojmë të bëhemi fajtorë për shkatërrimin e tij.

Shumë shpesh duket se Kushtetuta pranohet si një 'dokument legal’ dytësor i cili është thjesht është një kusht burokratik i një vendi i cili dëshiron të jetë i pavarur.

Në një shembull të një situate të tillë hasa tash vonë, kur i dorëzova dokumentet për patentë shofer në një departament pranë Ministrisë së Transportit. Pasi prita për gjysmë ore në një rresht i cili sa vinte e rritej çdo minutë pasi sporteli nuk ishte hapur me kohë, trokita në dritaren e qelqtë me shpresë se dikush do të dëgjonte. Kur doli nëpunësja dhe e pyeta nëse ekzistonte ndonjë arsye përse nuk kishin nisur shërbimet, apo nëse do të nisnin, ajo u përgjigj: “Së shpejti do të nisin; ata janë njerëz të zënë. Ata janë zyrtarë të lartë të shtetit”.

E po, ç’është e vërteta, ata janë shërbyes civilë — siç edhe iu përgjigja. Por edhe sikur të ishin ‘zyrtarë të shtetit’ obligimi dhe përgjegjësia e tyre prapëseprapë do të ishte po e njëjta — karshi qytetarit.

Andaj, derisa kritika më e shpeshtë ndër popull është “po s’ka shtet këtu”, të mos harrojmë në fakt se shteti definohet me qytetarët e tij, dhe në bosht të tij qëndron qytetaria. Dhe ky nuk mund të jetë lexim, interpretim a praktikë selektive, siç ndodh rëndom.

Në këtë drejtim, shumë shpesh duket se Kushtetuta pranohet si një ‘dokument legal’ dytësor i cili është thjesht është një kusht burokratik i një vendi i cili dëshiron të jetë i pavarur. Rrallëherë ajo shihet si themel mbi të cilin ndërtohet shteti — një shtet ku drejtësia dhe barazia janë vlera themelore të cilat secili i respekton dhe i gëzon.

Fajin më të madh për këtë e kanë ata të cilët ishte dashur të udhëhiqnin duke dhënë shembull. Por, ata mblidhen nëpër oda për të festuar me armë kur një ish-ministër i transportit lirohet nga akuzat për korrupsion. Dhe pasi shpërfaqin të kuptuarit e tyre të ngushtë e të kufizuar të asaj se si ‘duhet të sillet’ një burrë shqiptar, Kryeministri i arsyeton veprimet e tyre duke iu përgjigjur kritikave me fjalët: “E po, ne gjithmonë e kemi pasur traditë të gjuajmë me armë në momente feste”.

Një deklaratë e atij soji nga një Kryeministër jo vetëm që u jep dritë të gjelbër veprimeve të pamatura, por duke bërë kështu ai vepron thuajse ka të drejtë ta definojë edhe vet traditën.

Por qytetarët, e sidomos të rinjtë e ditëve tona, nuk dëshirojnë të ngasin vetura pa patentë shofer, apo të udhëtojnë pa karton të gjelbër, apo të kenë armë në brez për t’i ikur trafikut. Ata dëshirojnë që Kushtetuta t’i mbrojë, duke u bazuar në rregulla e standarde si dhe në vlera të vendosura mbi parimet e drejtësisë dhe të paanshmërisë.

Është një brez i ri i cili kërkon ta sfidojë dhe ta shqyrtojë çdo gjë që i del në rrugë.

Dhe ndryshimi i mendësisë po fillon të dalë sheshit. Në sa e sa raste kohëve të fundit kam dëgjuar të rinj duke thënë: “A bën të mos flasim për vitin 1999 dhe për luftën? A bën të flasim për diçka më pozitive?!”

Kjo është shkurajuese, dhe flet për një dështim kolektiv për të ofruar një narrativë të së kaluarës e cila në njërën anë e nxjerr në pah vuajtjen ndërsa në anën tjetër e trason rrugën për një të ardhme më të drejtë. Përgjegjësia më e madhe për këtë bie mbi klasën politike të këtyre 20 viteve të shkuara. Duke e sforcuar një narrativë të vetme të së kaluarës për t’i dhënë vetes legjitimitetin e përvetësuar për pushtet në të tashmen, ata e kanë zhveshur atë nga çdo kuptim i njëmendtë dhe të rinjtë sot zor se identifikohen me të.

Po ashtu, ka edhe mënyra të tjera përmes të cilave të rinjve po u mohohet e drejta për të ëndërruar, duke i mbajtur të mbyllur brenda kufijve të një shteti me 1.8 milionë banorë.

Ambasada e Kosovës në Francë dhe homologia e saj në Prishtinë kanë vendosur t’i ofrojnë zgjidhje të përkohshme kësaj çështjeje duke u mundësuar kosovarëve ta vizitojnë Parisin më 17 shkurt — por ama virtualisht. Këtë, ata e quajnë “Teletransport” dhe po vendosin ekrane në rrugët e të dy kryeqyteteve për t’u mundësuar qytetarëve të këtyre dy shteteve ta takojnë njëri-tjetrin — me kartën se kjo “do t’ju mundësojë t’i shihni dhe t’i përshëndetni kalimtarët, apo të zhvilloni takim virtual me miqtë dhe familjen që jeton në Francë”.

Për një brez kosovarësh i cili është më i izoluar se asnjëri më parë, të cilit vazhdimisht i refuzohen aplikacionet për vizë nëpër ambasada, kjo nuk është vetëm ironi, por edhe fyerje.

Derisa qytetarët francezë apo “europianë” mund t’i hipin aeroplanit në çfarëdo kohe dhe ta vizitojnë Kosovën, e drejta e njëjtë i’u mohohet qytetarëve kosovarë.

Të rinjtë e Kosovës kanë filluar të tregojnë se ata nuk do ta pranojnë thjesht fatin i cili po u servohet. Është një brez i ri i cili kërkon ta sfidojë dhe ta shqyrtojë çdo gjë që i del në rrugë. Ata nuk po bëhen pjesë e diskutimit sa për ta sharë shtetin dhe mangësitë e tij, por po hynë në debat për të sjellë kritikë konstruktive për përmirësimin e tij.

Ndërsa shteti po e mbyll kapitullin prej një dekade, përpjekjet më nuk kanë të bëjnë vetëm me narrativat se si erdhëm deri këtu, por edhe se ku po shkojmë.

Pavarësia po ridefinohet jo vetëm përmes kufijve të shtetit, por edhe duke kërkuar dhe duke krijuar mundësi si për individin ashtu edhe për shoqërinë. Dhe është pikërisht kjo vendosmëri ajo që e bën shtetin shtet.

Në atë libër që e përmenda më parë, ku rrëfimit i erdhi fundi në vitin 2008, “fëmijët” i premtuan Borëbardhës se do ta ndërtojnë “një vend të mirë për të gjithë”. Këtu rrëfimi shkoi mbrapsht. Këtë premtim “fëmijët” nuk është dashur t’ia jepnin asaj, por vetvetes — si dhe njëri-tjetrit.

Andaj, në këtë përvjetor të dhjetë, qytetarët janë protagonistë, dhe ata po e rimarrin veprimin në duart e tyre. Ndërsa shteti po e mbyll kapitullin prej një dekade, përpjekjet më nuk kanë të bëjnë vetëm me narrativat se si erdhëm deri këtu, por edhe se ku po shkojmë.

Mendoj se një mënyrë për ta bërë këtë nuk është që 17 shkurti të shihet vetëm si dita e pavarësisë, por edhe si Dita e Republikës.

Sepse tekefundit, dikush mbase edhe mund të hyjë në histori si ai që e ka shpallur pavarësinë, por ama nuk mund të hyjë në histori si dikush që e ka formësuar Republikën. Kjo varet nga ne të gjithë.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia Kosovo X