S`fundmi | Maqedonia e Veriut

Ligji i ri hapë plagë të vjetra në Maqedoni

Ambienti i mediave shton tensionin mbi ligjin e rëndësishëm për gjuhë.

64 nga 120 deputetët në Parlamentin e Maqedonisë e miratuan Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve javën e kaluar (e mërkurë, 14 mars), pavarësisht 35.000 amendamenteve të palexuara dhe kundërshtimit të fuqishëm nga partitë opozitare. Tash e tutje, nëse ligji zbatohet, do ta zgjerojë përdorimin e gjuhës shqipe nëpër Maqedoni në institucione si komunat, spitalet dhe gjykatat.

Miratimi i ligjit ndodhi pas shprehjes së argumenteve politike brenda dhe jashtë Parlamentit, dhe përpjekjeve të ithtarëve nga të dy palët për ta kthyer situatën në favor të palëve të tyre përkatëse. U pa sa i polarizuar është ambienti i mediave, sepse ky antagonizëm ishte në fokus të raporteve mediale, në vend se të jetë përmbajtja e ligjit.

Ndërkohë, kritikët kanë theksuar se qytetarët kanë marrë pak informata përmbajtësore për t’i ndihmuar ata të vendosin se çfarë qëndrime kanë për meritat e ligjit dhe gjithçka që rrethon miratimin e tij.

Ndërkohë, kritikët kanë theksuar se qytetarët kanë marrë pak informata përmbajtësore për t’i ndihmuar ata të vendosin se çfarë qëndrime kanë për meritat e ligjit dhe gjithçka që rrethon miratimin e tij.

Furkan Saliu, një gazetar nga TV21, pretendon se kjo mungesë debatit kuptimplotë ka qenë pika më e keqe e gjithë procesit të miratimit të këti ligji. Ai i thekson protestat e një grupi të qytetarëve – disa qindra njerëz sipas raporteve mediale – të cilët u mblodhën para parlamentit për ta kundërshtuar miratimin e ligjit.

“Fakti se ka qytetarë të cilët po e protestojnë këtë ligj sepse besojnë se nuk do të mund të komunikojnë me institucionet në gjuhën maqedone, dëshmon se mediat kanë dështuar ta shpjegojnë se çfarë do të thotë ky ndryshim”, tha Saliu për K2.0. “Mos të harrojmë që gjuha shqipe veç se ka qenë gjuhë zyrtare, dhe kemi ligj për këtë”.

Shumë të drejta ekzistuese të komuniteteve pakicë në Maqedoni burojnë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit e cila u nënshkrua në gusht të vitit 2001 dhe i dha fund konfliktit ndërmjet maqedonëve dhe shqiptarëve. Kjo marrëveshje ndërshtetërore u nënshkrua nga presidenti i asaj kohe Boris Trajkovski, dhe nga katër partitë kryesore politike të asaj kohe. Mes tjerash, e miratoi të drejtën për përdorim më të gjërë të gjuhës shqipe, duke e bërë gjithashtu gjuhë zyrtare në vende në të cilat më shumë se 20 përqind e popullsisë janë shqipfolës.

Ligji i ri e bënë shqipen gjuhë zyrtare në gjithë Maqedoninë – shtet ky në të cilin shqiptarët përbëjnë rreth një çerek të popullsisë – dhe në të gjitha institucionet publike. Gjithashtu mundëson krijimin e një agjencie speciale e cila do të ketë për detyrë monitorimin e përdorimit të gjuhëve nga ana e institucioneve.

Ligji i ri është parë si hap pozitiv në Shqipëri dhe Kosovë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në Klan Kosova TV se miratimi i këti ligji është lajm i mirë për gjithë rajonin.

Ligj jokushtetues?

Miratimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni ishte një prej premtimeve kryesore të kryeministrit Zoran Zaev, kur ai themeloi qeverinë bashkë me disa parti shqiptare në mars të vitit 2017. Ky qëndrim u kritikua shumë nga VMRO-DPMNE, e cila e akuzon atë për tradhti të interesave kombëtare të Maqedonisë.

Për shkak të polarizimit të opinioneve, në korrik të vitit të kaluar, partia shqiptare Aleanca për Shqiptarët kërcënoi ta tërheqë mbështetjen nga qeveria në rast se ligji nuk do të miratohej së shpejti.

Në janar, ligji u miratua në Kuvend, por më pas iu vë veto nga presidenti Gjorge Ivanov, i cili nguli këmbë se ishte kundër Kushtetutës. Ivanov, i cili është i afërt me VMRO-DPMNE, është mbështetur nga disa akademikë maqedonas, si dhe disa organizata të diasporës dhe politikanë të krahut të djathtë. Argumenti i tyre është se ky ligj, në formën aktuale, rrezikon statusin kushtetues të gjuhës maqedone duke prezantuar dygjuhësinë dhe një formë të identitetit binacional.

Pas vetos, ligji u kthye tek deputetët. Kjo rezultoi në 35,000 amendamente të propozuara nga opozita. Të gjitha amendamentet u injoruan në procesin e miratimit të ligjit. Partia udhëheqëse, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), ishte e vendosur se ligji duhet të miratohet në formën aktuale.

Deputetët e VMRO-DPMNE në fund refuzuan pjesëmarrjen në votim, duke pretenduar se ligji është jokushtetues dhe nuk kontribuon në përmirësimin e vërtetë të të drejtave të komunitetit shqiptar.

Prej janarit, deputetët nga opozita nuk kanë marrë pjesë në punët e Kuvendit, dhe ligji është diskutuar vetëm në takime koordinuese ndërmjet kryetarit të kuvendit dhe koordinatorëve të partive politike.

Para se të mbahej votimi të mërkurën, sigurimi u detyrua të ndërhynte për t’i ndarë Nikola Gruevskin, ish-kryeministrin dhe liderin e dikurshëm të partisë VMRO-DPMNE, që tani është në opozitë, dhe kryetarin e kuvendit, Talat Xhaferin. U rrit niveli i tensioneve në Parlament para votimit. Gruevski i ishte afruar tryezës së Xhaferit dhe bëri përpjekje për ta penguar fjalimin e tij duke i prekur pajisjet elektronike. Kjo bëri që të dy të grinden për një kohë të shkurtër.

Deputetët e VMRO-DPMNE në fund refuzuan pjesëmarrjen në votim, duke pretenduar se ligji është jokushtetues dhe nuk kontribuon në përmirësimin e vërtetë të të drejtave të komunitetit shqiptar.

Ndarje e thellë

Mbulimi i të gjithë procesit të miratimit të ligjit tregoi sa thellë janë të ndara mediat lokale, por gjithashtu i theksoi vështirësitë me të cilat përballen gazetarët kur duan t’i shtjellojnë thelbësisht çështjet e ndërlikuara në një ambient kaq të polarizuar politik.

Sipas Dušica Mrgja, gazetare dhe redaktore në Televizionin 24, miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është karakterizuar me shumë trazira dhe pak debat. Ajo pretendon se e kishin të vështirë të raportonin për këtë çështje për shkak të argumenteve shumë të ndryshme të qeverisë dhe opozitës.

“Argumentet u manipuluan nga të dy palët. Qeveria e manipuloi procedurën dhe interpretimin e procedurës, si dhe pretendimin e vazhdueshëm se ligji ishte në përputhje me Kushtetutën, përkundër faktit se u kontestua nga disa profesorë të shquar të degës së Ligjit Kushtetues”, tha ajo për K2.0.

“Ata [qeveria] u munduan ta japin një interpretim të ngjarjeve i cili ishte në favorin e tyre, gjegjësisht që të gjithë ata të cilët i kundërshtonin argumentet e ndryshme për ligjin ishin kundër bashkëekzistencës apo kundër të drejtave të shqiptarëe… Në anën tjetër, opozita i manipuloi ndjesitë kombëtare dhe argumentet nacionaliste, duke i shfrytëzuar marrëdhëniet ndëretnike”.

Me këtë pikëpamje pajtohet Vesna Velkova e televizionit Channel 5. Ajo thotë se bëri përpjekje për të marrë më shumë informata dhe qartësime nga anëtarët e Parlamentit për proceset procedurale, por pa sukses.

“U mundova të shtroja pyetje në mënyrë që kryetari i kuvendit të përgjigjej për faktin se nuk po i bindej Rregullave të Procedurës, në të cilat kërkohet që amendamentet të merren parasysh”, tha ajo për K2.0. “Në vend se t’i përgjigjej pyetjes sime në lidhje me këtë çështje, ai vendosi të më thoshte diçka krejtësisht tjetër, duke i interpretuar rregullat në mënyrën e tij. Një reagim i tillë krijoi përshtypjen se ligji i miratuar ishte i papërfunduar”.

Velkova dhe Mrgja besojnë se në gjithë këtë procedurë mungoi transparenca, dhe shtoi se është dashur të përmirësohen gjërat me ardhjen e administratës aktuale, e cila supozohej ta ndryshonte praktikën e politikëbëries në Maqedoni.

Mefail Ismaili, gazetar nga TV Shenja, thekson se paqartësitë në Kushtetutë dhe në Rregullat e Procedurës së Kuvendit mundësuan që vendimmarrësit të kenë interpretime të ndryshme, duke i vënë mediat në provë gjatë votimit.

“Ishte shumë e vështirë. Dhe arsyeja kryesore janë boshllëqet e mëdha në Rregullat e Procedurës, por edhe në Kushtetutë”, tha ai për K2.0. “Për shkak të këtyre mangësive, partitë politike kanë hapësirë për t’i interpretuar sipas synimeve të tyre politike. Mendimi im personal është se asnjëra nga institucionet e lartpërendura nuk ka qenë transparentë sa duhej para dhe pas miratimit të ligjit”.

Ismaili thotë se ai beson që Kushtetuta nuk është shkelur. Por gjithashtu thotë se nuk i kujtohet të ketë parë një nivel të tillë të hutisë në lidhje me proceset parlamentare. “Si gazetar i cili ka raportuar për shtatë vite për punën e Kuvendit, nuk kam përjetuar diçka të tillë”, tha ai.

Ndërkohë Saliu mendon se faj për këtë huti kanë politikanët, për faktin se nuk ishin transparentë, por edhe mediat, për shkak se nuk bënë përpjekje të mjaftueshme për të kuptuar më mirë para se të raportojnë. “Ne, gazetarët, e dimë se e gjithë kjo që po ndodh në Maqedoni, e gjithë kjo histori për ligjin, është skenar i planifikuar mirë për një performancë tjetër teatrale”, tha ai.

Në mesin e të gjitha komenteve në rrjete sociale në ditët e fundit, një mesazh i veçantë thotë se njerëzit në Maqedoni tani zyrtarisht do të mund ta thënë të njejtën gjë në dy gjuhë: "Ne jemi të uritur / Гладни сме."

Ndonëse ligji u miratua, hutia me sa duket ende po mbizotëron. President Ivanov nuk ka të drejtë për të vënë veto për herë të dytë në të njejtin ligj, dhe e vetmja mënyrë për ta anuluar projektligjin, apo disa prej dispozitave të tij, është duke bërë apel në Gjykatën Kushtetuese.

Pas gjithë këtyre polemikave, në adresimin e tij të parë pas miratimit të ligjit, Kryeministri Zaev deklaroi se ky ligj ishte i mirë për të gjithë dhe se do të kontribuojë në bashkëjetesën ndërmjet maqedonëve dhe shqiptarëve, si dhe që askush nuk do të humbë prej tij. Me kohë do të shohim nëse kjo “dygjuhësi” e ashtuquajtur në fund do të ndihmojë t’i bashkojë njerëzit apo do t’i ndajë më tej grupet e ndryshme etnike që jetojnë në Maqedoni.

Në mesin e të gjitha komenteve në rrjete sociale në ditët e fundit, një mesazh i veçantë thotë se njerëzit në Maqedoni tani zyrtarisht do të mund ta thënë të njejtën gjë në dy gjuhë: Ne jemi të uritur / Гладни сме.

Por e paqartë është se a do ta kuptojnë këtë mesazh ligjvënësit dhe mediat.K

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.