S`fundmi | Dhunë Seksuale

Një libër i ri i kujtimeve për dhunën seksuale të kohës së luftës

Nga - 16.05.2017

Dhjetë të mbijetuar i tregojnë historitë e tyre personale.

Gjatë 90-ve me mos-besim të thellë Teuta po shikonte raportimet në media, nga shtëpia e saj në Zvicërr, që çdo ditë shpërfaqnin mizoritë e kryera gjatë luftës në Bosnjë. Nuk kaloi shumë kohë, kur në fund të asaj dekade, ajo e gjeti vetën në qendër të mizorive. Kjo pasi Teuta ishte kthyer me bashkëshortin e saj në vendlindjen e saj  Kosovën – që gjendej në një luftë si Bosnja – meqë ai i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pak pasi arriti në Kosovë me pesë fëmijët e saj, njëri prej të cilëve sapo kishte lindur, ajo u dëbua nga shtëpia, dhe jetoi me persona tjerë që i kishin zhvendosur duke lëvizur prej fshatit në fshat përmes maleve në kërkim të një strehe të sigurt. Një ditë prej ditësh u gjend si pjesë e një grupi të njerëzve që po fshiheshin në një shkollë gjatë një sulmi të paramilitarëve serb. Ajo dhe 20 gra tjera u ndanë prej këtij grupi me gra të moshave të ndryshme. Njëra prej tyre i kishte të paktën 65 vjet, derisa kishte tjera që ishin edhe shtatzënë. I morrën, i shtyen për muri, i zhveshën, dhe i përdhunuan.

Tregimi i tmerrshëm i Teutës për përdhunimet e torturat e forcave serbe është një prej 10 tregimeve personale që u ndanë prej të mbijetuarve të torturës dhe dhunës seksuale në një libër të ri të kujtimeve të titulluar: “Dua të më dëgjoni”. Ky botim u lansua dje (e hënë, 15 maj) nga një OJQ për të drejtat e njeriut dhe drejtësi tranzicionale e quajtur “Integra” dhe zyra në Kosovë e OJQ-ve ndërkombëtare “Forum ZFD”. Botimi fokusohet në përballje me të kaluarën dhe libri është pjesë e një projekti që synon dokumentimin e rrëfimeve e kujtimeve personale të grave dhe vajzave që i kanë mbijetuar torturës së kohës së luftës, duke u fokusuar në dhunë me bazë gjinore.

Libri i kujtimeve “Dua të më dëgjoni”, që përfshinë 10 tregime personale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, u publikua dje (15 maj). Foto: Jetmir Idrizi.

“Dua të më dëgjoni” është libër i shpresës e i së vërtetës”, shkruajnë liderët e projektit, Korab Krasniqi dhe Kushtrim Koliqi, në hyrje të librit. “I vështirë është përjetimi dhe kthimi në vendet ku njerëzit janë lënduar. Nëpërmjet jetëve që sot po i jetojnë të mbijetuarat, na kujtohet se çka mbetet pas përjetimit të ngjarjeve të tilla të tmerrshme”.

Publikimi i librit të kujtimit u shënua me një diskutim të anëtarëve të ftuar të panelit të cilët kanë punuar me të mbijetuar të dhunës seksuale nga periudha e luftës, që prej fundit të saj. Përfaqësuesi i Integra-s, Kushtrim Koliqi, i cili ishte moderator i diskutimit, tha se qëllimi i këtij libri është që të dokumentohet një pjesë shumë e dhimbshme e së kaluarës së Kosovës nëpërmjet burimeve parësore.

“Edhe po të ishte vetëm një rrëfim sado i vogël, ose të ishin vetëm pesë tregime, për neve nuk do të kishte rëndësi”, tha Koliqi. “Është e rëndësishme se çfarë thonë për atë periudhë në Kosovë dëshmitarët e gjallë, të cilët përveç që e dokumentojnë të kaluarën, flasin edhe për një aspekt shumë të ndjeshëm që ende ka pasoja në shoqëri”.

Ai shtoi se trajtimi kësaj çështje është urgjente meqë lufta ka përfunduar qysh moti, dhe dëshmitarët po vjetërsohen: “Koha po kalon shpejtë dhe kujtimet janë shumë të rëndësishme për shoqërinë. Në këtë rast, të gjithë ne që punojmë në këtë fushë duhet të nxitojmë e t’i mbledhim këto tregime”, tha ai para se të vinte në përfundim që shoqëria kosovare nuk mund të krijojë paqe të qëndrueshme pa u marrë me të kaluarën e dhimbshme fillimisht.

"Fatkeqësisht, për shkak të stigmatizimit të përhapur në shoqëri, njerëzit nuk kanë patur mundësi që t’i dëgjojnë këto tregime”

Atifete Jahjaga.

Për audiencën u lëshua një video e inçizuar pikërisht për këtë ngjarje nga ish-presidentja Atifete Jahjaga e cila dha një mesazh.

Jahjaga, që ishte politikanja kosovare më e zëshme sa i përket kësaj çështjeje, dhe e cila e themeloi Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Kohës së Luftës, tha se rrëfimet në librin e kujtimeve janë “po aq të rënda sa edhe fati i këtyre grave”.

Në vitin 2013, në kohën kur ishte presidente, Jahjaga shkoi me veturën e saj pa roje të sigurimit deri në rajonin e Drenicës për t’u njoftuar personalisht me një të mbijetuar të dhunës seksuale; kjo grua ishte një prej të mbijetuarve të parë që ndau tregimin e saj me ish-presidenten.

“Gratë që i takova ishin të frikësuara e të pashpresë, dhe kishin humbur interesimin për jetë”, tha Jahjaga. “Gjatë këtyre viteve kam dëgjuar qindra tregime të tmerrshme prej grave, ndaj të cilave përdhunimi është përdorur si armë e luftës”.

Ajo tha se ky libër i ri do të lejojë që lexuesi të përballet me realitetin e këti elementi të luftës: “Një realitet që si shoqëri jemi munduar që ta fshehim dhe ta heshtim pa të drejtë për shumë vite. Fatkeqësisht, për shkak të stigmatizimit të përhapur në shoqëri, njerëzit nuk kanë patur mundësi që t’i dëgjojnë këto tregime”, tha ajo.

Ish-presidentja, Atifete Jahjaga, e cila ka qenë mbështetëse nga radhët e profilit të lartë politik për të mbijetuarit e dhunës seksuale në kohën e luftës, dha një porosi personale nëpërmjet videos gjatë publikimit të librit. Foto: Jetmir Idrizi.

Jahjaga tha se ky libër do t’i paraqes më mirë pasojat e përdhunimit në kohë të luftës, do të ndihmojë që të luftohet stigmatizimi kolektiv i të mbijetuarve të dhunës seksuale, dhe do të kontribuojë në sfidimin e kulturës së pandëshkueshmërisë.

Ajo në fund tha se ky libër po botohet në një kohë shumë të rëndësishme për Kosovën, vetëm disa javë pas themelimit të një komisioni qeveritar që do të ketë rolin e njohjes dhe verifikimit të statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës. Me 28 prill, ish-Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale lajmëroi se procesi i zgjedhjes për anëtarët e Komisionit kishte përfunduar; pas verifikimit, të mbijetuarit pritet që të marrin mbështetje institucionale, edhe pse ndarja e buxhetit ende është e paqartë.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitim e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e ndau përvojën e saj të luftës në Kosovë si studente në Tiranë, ku ajo u njoftua me shumë refugjatë kosovar – gra e burra – të cilit ishin traumatizuar pasi ishin sulmuar seksualisht.

"OJQ-të janë përballur me kërcënime direkte për shkak se komuniteti deshi që ta mbante këtë çështje si tabu"

Feride Rushiti

Meqë QKRMT është një prej organizatave kyçe që punojnë me të mbijetuarit e dhunës seksuale, gjatë viteve Rushiti ka hasur në shumë raste në të cilat gratë janë dëbuar prej familjeve e miqve.

“Përdhunimet bëheshin në prani të anëtarëve të familjes – bashkëshortëve, vëllezërve, motrave, prindërve, fqinjve dhe të huajve – me synim që të liheshin plagë të thella në shoqëri”, tha Rushiti. “Dhe fatkeqësisht disa prej tyre nuk janë më me ne. Disa përfunduan me vdekje tragjike. Më vjen mirë që të paktën arritëm që t’i finalizojmë disa prej rrëfimeve të tyre, meqë numri i këtyre grave po reduktohet çdo ditë”.

Duke folur për mospranimin dhe përpjekjet për t’i heshtur zërat e të mbijetuarve të dhunës seksuale, ajo tha se në të kaluarën edhe OJQ-të janë përballur me shumë pengesa, gjatë punës në teren me komunitete.

“OJQ-të janë përballur me kërcënime direkte për shkak se komuniteti deshi që ta mbante këtë çështje si tabu”, tha ajo. “Në shumë raste, kolegët tonë në teren, veçanërisht në rajonet e Drenicës, Podujevës, Fushë Kosovës, por edhe në Dukagjin, janë përzënë nga komuniteti, dhe janë kërcënuar prej komandantëve të ndryshëm”.

Rushiti shpjegoi se si të mbijetuarit e dhunës seksuale në përgjithësi jetojnë në margjina të shoqërisë e në varfëri, dhe përballen me vështirësi në lidhje me shëndetin fizik dhe mendor. Ajo argumentoi se procesi i tejzgjatur i njohjes së statusit të viktimave të kohës së luftës e ka keqësuar situatën e tyre.

“Shoqëria civile tani duhet të luaj një rol të rëndësishëm për ta përgatitur shoqërinë që t’i mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale në mënyrë që t’i qasen Komisionit për njohje dhe dokumentim të dhunës seksuale”, tha ajo. “Të mbijetuarit janë të stigmatizuar dhe të paragjykuar nga shoqëria dhe institucionet, dhe ne duhet të punojmë me komunitetin në mënyrë që të krijohen marrëdhënie të reja me viktimat, dhe t’i pranojmë përkrah viktimave tjera”.

Versioni serb i librit do të promovohet në festivalin ‘Mirëdita, Dobar Dan’ në Beograd në fund të majit. Foto: Jetmir Idrizi.

Flora Macula, nga Gratë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, tha se të mbijetuarit e dhunës seksuale kishin tendencë që të flasin më shumë për abuzimet e tyre gjatë dhe menjëherë pas luftës. “Por tragjike është që kishte shumë raste të vetëvrasjes pas luftës, për shkak të presionit nga familja”, tha ajo.

Macula me plot emocion e tregoi historinë e një rasti që e kishte prekur atë veçanërisht. Bëhet fjalë për një djalë 13 vjeçar i cili ishte traumatizuar pasi ishte sulmuar seksualisht nga forcat serbe, pasi e kishin mbajtur peng për një javë.

Ajo theksoi se Kosova kishte mësuar prej përvojave të disa prej akterëve kryesor të shoqërisë civile dhe institucioneve të përfshira në punë me të mbijetuarit e dhunës seksuale në shtete tjera si Bosnja e Hercegovina. Kjo i ka ndihmuar që të mos bëhen gabimet e njejta në procesin e identifikimit dhe verifikimit të viktimave.

Duke e shpjeguar më tej shembullin e Bosnjes dhe Hercegovinës, Rushiti theksoi se procesi i verifikimit në këtë vend ishte poshtërues për gratë, meqë të mbijetuarit e dhunës seksuale u detyruan që t’i rrëfenin përvojat e tyre para të gjithë anëtarëve të Komisionit. Për më tepër, për t’u verifikuar si viktima të dhunës seksuale, atyre iu kërkua që t’i sjellin dy dëshmitarë – Bosnja e Hercegovina së fundmi kanë bërë amendamente në legjislacion për t’i eliminuar pengesat e tilla.

“Këtu, procesi do të jetë më njerëzor, më me dinjitet, dhe më i lehtë për viktimat e dhuëns seksuale”, shpjegoi Rushiti. “Kur ta marrin statusin e ‘viktimës’ nuk do të njihen më si viktima të dhunës seksuale, por si ‘viktima civile të luftës’”.

Ajo shpjegoi se si, për dallim nga përvojat e shteteve tjera në rajon, informatat e marra gjatë procesit të verifikimit nuk do t’i ipen institucioneve tjera pa miratim. “Aplikimi do të përdoret vetëm për verifikim dhe identifikim të statusit [të viktimës], e jo si në shtete tjera të rajonit, në të cilat dokumentet e dorëzuara nga viktimat shkonin direkt te prokuroria e shtetit, me ose pa leje të viktimës”.

“Nuk ka patur luftë në të cilën dhuna seksuale nuk është përdorur, sepse është strategji dhe armë e luftës"

Vjollca Krasniqi

Vjollca Krasniqi, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe bashkë-udhëheqëse e Programit për Studime dhe Hulumtime Gjinore në këtë universitet, ishte folësja e fundit. Ajo foli për rolin e rëndësishëm që mund ta luaj universiteti dhe bota akademike sa i përket trajtimit të çështjes së dhunës seksuale të kohës së luftës, duke aluduar se nëpërmjet hulumtimit, dhe në bashkëpunimit me aktivistët e të drejtave të grave, akademikët kanë ndihmuar që të tregojnë se dhuna seksuale përdoret si armë e luftës dhe tmerrit.

“Dhuna seksuale përdoret për t’i zhvleftësuar kundërshtarët meshkuj”, tha Krasniqi. “Dhuna nuk i drejtohet grave, por i drejtohet burrave, për t’i zhvleftësuar ata, e për t’i bërë më pak të rëndësishëm, e për ta dëmtuar maskulinitetin e kundërshtarëve meshkuj gjatë luftës”.

Krasniqi argumentoi më tej se përdhunimi dhe tortura fizike kundër grave dhe vajzave përdoret si vegël që synon shkatërrimin e kulturave specifike dhe grupeve etnike.

“Dhuna seksuale nuk është diçka e re që ka ndodhur në luftërat e ish-Jugosllavisë”, tha ajo. “Nuk ka patur luftë në të cilën dhuna seksuale nuk është përdorur, sepse është strategji dhe armë e luftës. Dhuna seksuale duhet të kuptohet si produkt i mizogjinisë”.

Integra ofron kopje pa pagesë të librit “Dua të më dëgjoni”, në shqip, serbisht dhe anglisht. Kopjet digjitale do të jenë në dispozicion së shpejti.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.