Në thelb | Greqia

Emra të ri e të vjetër në diskutimet për Maqedoninë

Nga - 24.04.2018

Mundësitë për t’i dhënë fund konfliktit disadekadësh ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë.

27-vjeçarët në Maqedoni janë të moshës së njëjtë si ky shtet i vogël i Ballkanit – dhe si debati i vazhdueshëm rreth ‘çështjes së emrit’ të tij.

Maqedonia dhe Greqia janë shtyrë që nga fillimi i viteve të ‘90-a për përdorimin e emrit ‘Maqedoni’, sepse politikanët në Greqi besojnë se fqinji i tyre me këtë emër implikon pretendime territoriale në një rajon me po këtë emër në veri të Greqisë. Që atëherë, çështja e emrit i ka vështirësuar marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy fqinjve, duke nxitur nacionalizëm dhe frustrim. Ndërkombëtarisht, Maqedonia njihet zyrtarisht me emrin ‘Former Yugoslav Republic (FYROM) Macedonia’ (ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), e këtë emër nuk po duan ta pranojnë qytetarët.

Një dekadë pasi Greqia vendosi veto ndaj përpjekjeve të Maqedonisë për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008, dy shtetet tani po shfaqin dinamizëm të ri në përpjekjet e tye për ta tejkaluar këtë çështje të hidhur. Nëse Shkupi dhe Athina arrijnë ta tejkalojnë çështjen e emrit, liderët e BE-së pritet ta caktojnë një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në një samit i cili pritet të mbahet në Bruksel më 28-29 qershor. Dy javë pas kësaj, Maqedonia mund të ftohet për t’u anëtarësuar edhe në NATO.

Në muajt e fundit, ministrat e jashtëm të dy vendeve, Nikola Dimitrov (Maqedoni) dhe Nikos Kotzias (Greqi) – të cilët e kanë të njëjtin emër, vetëm në dy versione të dy gjuhëve të ndryshme – janë takuar më rregullisht. Megjithatë, bisedimet e tyre të fundit në Ohër më herët gjatë muajit demonstruan se nuk do të jetë lehtë të arrihet te një zgjidhje për konfliktin e emrit.

“Kuptojeni se sa më shumë që afrohemi, duke i zgjidhur të gjitha problemet, mbesin gjithnjë më pak probleme për t’i diskutuar. Por ato janë problemet më të vështira”, theksoi Kotzias. “Ne sot i kemi bërë disa hapa pozitivë, dhe të dytë shpresojmë se do të arrijmë sukses kur t’i bëjmë hapat më të mëdhenj – që t’i bëjmë të lehtë ata hapa më të vështirë”.

A ka gatishmëri për kompromis?

Sefer Tahiri, asistent profesor në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturës dhe Komunikimit në Universitetin e Europës Juglindore, mendon se Maqedonia është në një periudhë kritike politike, dhe se ekziston nevoja për të gjetur zgjidhje të cilat mund të duken si të dhimbshme, por janë të domosdoshme për progresin e këtij vendi.

“Jetike është që të dyja shtetet kanë demonstruar vullnet politik për ta zgjidhur çështjen e emrit”, tha ai për K2.0. “Mund të shohim se qeveria e [Kryeministrit Zoran] Zaev po projekton një ide për një zgjidhje e cila do ta respektojë dinjitetin dhe interesat e të dyja vendeve”.

Janë të paktën tri probleme të cilat demonsrojnë se do të jetë mjaft e vështirë të gjindet zgjidhje për këtë çështje.

Paqëndrueshmëria politike, si në Shkup ashtu edhe në Athinë, shpeshherë e ka bërë më të vështirë arritjen e këtij objektivi në 23 vitet e fundit. Tani po e dëgjojmë një ton optimist nga të dyja palët për zgjidhjen e këtij konflikti të kahmotshëm.

“Për herë të parë e kemi diskutuar një afat kohor dhe hapat të cilët duhet t’i ndjekim për të arritur deri te zgjidhja, domethënë kemi biseduar për strukturën dhe zbatimin”, tha ministri i jashtëm i Maqedonisë pas takimit me homologun e tij grek në Ohër më 12 prill. Ministria greke për Punë të Jashtme gjithashtu tha se viti 2018 është viti kur Greqia do të gjejë zgjidhje për problemet me fqinjtë e saj, duke përfshirë këtu çështjen e emrit.

Megjithatë, janë të paktën tri probleme të cilat tregojnë se do të jetë mjaft e vështirë të gjendet zgjidhje për këtë çështje.

Pengesa e parë është kërkesa e grekëve që emri i ri të përdoret ‘erga omnes’ (nga të gjithë), që do të thotë brenda Maqedonisë dhe ndërkombëtarisht. Për këtë kërkohen amendamente të emrit të përdorur në Kushtetutën e Maqedonisë, e Kryeministri Zaev këtë e ka quajtur të paarsyeshme. Pra, ekziston rreziku që të prishet marrëveshja për të cilën të dyja palët thonë se e synojnë.

Pengesa e dytë është se Greqia po bën presion t’i përfshijë disa çështje të ndjeshme të identitetit – që lidhen me etninë maqedone – në negociatat për këtë çështje të ndërlikuar diplomatike. Kjo aludon se palët e treta duhet t’i dallojnë identitetet maqedone në Maqedoni dhe Greqi.

Shkupi ka thënë se diskutimet e tilla janë të papranueshme, dhe gjatë një vizite të fundit në Shkup, ndërmjetësuesi i OKB-së, Matthew Nimetz, theksoi se çështjet që lidhen me identitetin maqedon nuk janë pjesë e këtij mandati; diplomati amerikan u caktua si Përfaqësues Special i OKB-së për çështjen e emrit në vitin 1999, dhe punon për një rrogë formale në vlerë 1 dollar amerikan në vit, për ta gjetur një zgjidhje të përshtatshme për të gjithë.

Megjithatë, u raportua se Nimetz-i i ka ofruar këto sugjerime për emrin identifikues për popullin e shtetit të Maqedonisë (siç shënohet në pasaporta dhe dokumente zyrtare): ‘makedonski’ apo ‘nacionaliteti i Republikës Maqedonia e Re’. Në Maqedoni, termi ‘nacionaliteti’ përkthehet si ‘nacionalnost’, dhe është më i lidhur me etninë se me idenë e shtetësisë, prandaj edhe ekziston frika se këto negociata po e prekin çështjen e identitetit; zyrtarët në Shkup kanë sugjeruar se ndryshimi i emrit të gjuhës është një vijë e kuqe të cilën ata nuk janë të gatshëm ta kalojnë.

Problemi i tretë që i vështirëson mundësitë për zgjidhjen e këtij problemi emocional është klima e ndjeshme politike në Greqi dhe Maqedoni. Grekët dhe maqedonët janë tubuar kundër marrëveshjes potenciale për çështjen e emrit, por Toni Deskoski, profesor i lëndës së ligjit ndërkombëtar në Fakultetin Juridik Iustinianus Primus në Shkup, beson se qytetarët në Maqedoni janë të gatshëm ta pranojnë një marrëveshje për emrin në rrethana të caktuara.

“Opinioni publik në Republikën e Maqedonisë është i gatshëm të bëjë kompromis nëse në të nuk përfshihet ndryshimi substancial i emrit të shtetit, sepse kjo do të kishte implikime në lidhje me identitetin e kombit maqedonas”, tha ai për K2.0.

Zaev e mori mirëkuptimin e diplomatëve të BE-së dhe SHBA-së duke nënshkruar një traktat të miqësisë me Bullgarinë dhe duke bërë hapa pozitivë në këtë aspekt, siç ishte rasti kur e ndryshoi emrin e aeroportit të Shkupit dhe autostradës kryesore të Maqedonisë, pasi që më parë kishin qenë të emëruara sipas Aleksandrit të Madh, personaliteti historik trashëgimia e të cilit kontestohet nga dyja vendet në fjalë. Kryeministri maqedonas ka thënë gjithashtu se janë të gatshëm t’ia shtojnë një frazë gjeografike emrit të vendit, për ta përmbushur kërkesën e Greqisë.

Njëkohësisht, negociatat e kryesuara nga ndërmjetësi i OKB-së janë intensifikuar dhe tani në tryezë të diskutimit janë disa alternativa të emrit të cilat po e formojnë bazën e diskutimeve. Jozyrtarisht, sipas mediave maqedonase dhe greke, pako e Nimetz-it i ka pesë mundësi:

  • Republika Nova Makedonija (Republika e Maqedonisë së Re)
  • Republika Makedonija (Skopje) (Republika e Maqedonisë (Shkupi))
  • Republika Severna Makedonija (Republika e Maqedonisë Veriore)
  • Republika Gorna Makedonija (Republika e Maqedonisë së Epërme)
  • Republika Vardarska Makedonija (Republika e Maqedonisë së Vardarit)

K2.0 i ka analizuar këto mundësi. Disa prej tyre – në një formë apo tjetër – po pëmenden tash e shumë vite.

‘Maqedonia e Re’

Emri ‘Maqedonia e Re’ u ofrua nga ministri i jashtëm portugez, Joao de Deus Pinheiro, në prill 1992 dhe u refuzua menjëherë nga pala greke. Një emër i ngjashëm, ‘Nova Makedonija’ (i papërkthyer), u propozua nga negociatorët e Kombeve të Bashkuara, Cyrus Vance dhe Lord Owen, në maj 1993, por edhe kjo u refuzua nga Athina.

Sipas informatave jozyrtare të mediave greke, ‘Maqedonia e Re’ u propozua përsëri nga negociatori i OKB-së, Nimetz, vitin e kaluar si një prej opsioneve të cilat janë duke u diskutuar aktualisht.

Profesori grek Kalypso Nicoladis dhe profesori shqiptar nga Maqedonia, Valon Latifi, thonë se ky emër e përmbledh mesazhin se Maqedonia është komb modern i cili shikon drejt së ardhmes, dhe jo drejt së kaluarës. “‘Maqedonia e Re’ deklaron qartë: T’i lëmë konfliktet për trashëgiminë e Aleksandrit të Madh në të kaluarën”, theksojnë dy profersorët në një analizë të publikuar nga Këshilli Europian për Punë të Jashtme.

Megjithatë, Athina aktualisht e favorizon një emër i cili përmban tregues gjeografikë.

‘Republika e Shkupit (Maqedonia)’

Sipas një dokumenti të publikuar nga WikiLeaks, para samitit të NATO-s në vitin 2008, Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri presion qeverisë maqedonase ta pranojë propozimin grek ‘Republika e Shkupit (Maqedonia). Megjithatë, prej të gjitha emrave të diskutuar, ky mendohet të jetë njëri prej emrave më të papranueshëm për palën maqedone, për shkak se fjala ‘Maqedoni’ paraqitet vetëm në kllapa.

‘Republika e Maqedonisë (Shkupi)’

Emri ‘Republika e Maqedonisë (Shkupi)’ mendohet të jetë i pranueshëm për Maqedoninë por nuk preferohet nga Greqia. U propozua fillimisht në fund të vitit 1992 nga diplomati i pensionuar britanik, Robin O-Neil, i cili raportoi se Maqedonia nuk ishte e gatshme ta pranonte këtë emër në të gjitha transaksionet ndërkombëtare.

Në vitin 2013, Kryeministri i atëhershëm maqedon, Nikola Gruevski, aludoi se e kishte pranuar këtë propozim para samitit të NATO-s në vitin 2008. Megjithatë, ky emër i propozuar u refuzua nga Greqia. Ministri i atëhershëm për punë të jashtme të Greqisë u tha mediave se emërtimi nuk përputhej me objektivat e cekura nga Greqia.

Në vitin 2005, Nimetz-i kishte propozuar të ndërrohej emri ndërkombëtar i Maqedonisë për t’u bërë ‘Republika Makedonija – Skopje’ (në formë të papërkthyer). Kjo u pranua si bazë për negociata nga Athina, por u refuzua nga Shkupi.

Nimetz-i e bëri një propozim të dytë atë vit, por shkaktoi pakënaqësi të madhe në Athinë. Në këtë propozim përfshihej formula e dyfishtë: emri ‘Republika Makedonija’ të përdorej nga viti 2006 deri në vitin 2008 në organizata, traktate, komunikata dhe rezoluta ndërkombëtare. E nga viti 2009, emri të bëhej ‘Republika e Maqedonisë, ndërsa Greqisë t’i lejohej përdorimi i termit ‘Republika Makedonija-Skopje’.

“Nga pikëpamja greke, ky ishte propozimi më i keq që nga fillimi i konfliktit. Menjëherë u ‘kthye si i papranueshëm’”, shkruan Aristotle Tziampiris, profesor i lëndës Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin Piraeus.

Në janar, ‘Republika e Maqedonisë (Shkupi)’ u kthye në tryezën e bisedimeve, si një prej pesë emrave të sugjeruar nga Nimetz-i.

‘Republika e Maqedonisë Veriore’

Propozimi ‘Republika e Maqedonisë Veriore’ u sugjerua nga Nimetz-i në vitin 2008, sipas mediave greke. Dy vite më vonë, Nimetz-i e prezantoi përsëri idenë e njejtë.

“Pozita greke në lidhje me çështjen e emrit është e ditur; ata duan një emër të përbërë me një frazë gjeografike e cila përdoret në relacion me të gjitha shtetet e tjera, pra është e qartë se kjo ide është në përputhje me pritjet e grekëve”, tha për mediat greke zëvendësministri i jashtëm grek i asaj kohe, Dimitris Droutsas.

Megjithatë, ky propozim u refuzua nga Shkupi për shkak të këmbënguljes së Athinës që ky emër të përdoret brenda Maqedonisë dhe ndërkombëtarisht. Tani është raportuar se ky propozim është kthyer përsëri në tryezën e bisedimeve.

Republika e Epërme e Maqedonisë

Variacionet me mbiemrin ‘e epërme’ janë diskutuar në të kaluarën. ‘Republika e Maqedonisë së Epërme’ ishte një nga propozimet e Nimetz-it në vitin 2008; në atë kohë, ai gjithashtu propozoi: ‘Republika Kushtetuese e Maqedonisë’, ‘Republika Demokratike e Maqedonisë’, ‘Republika e Pavarur e Maqedonisë’ dhe ‘Republika e Re e Maqedonisë’.

Në vitin 2013, Nimetz-i propozoi ‘Republika e Epërme e Maqedonisë’ me gjuhën e folur ‘maqedonisht/makedonski’ dhe nacionalitetin ‘Nacionaliteti i Republikës së Epërme të Maqedonisë’. Greqia e refuzoi propozimin, duke propozuar alternativën ‘Republika e Maqedonisë së Epërme’.

‘Republika e Maqedonisë së Epërme’

Propozimi ‘Republika Gorna Makedonija’ me transkriptim latin është një tjetër mundësi në listën aktuale të propozimeve të Nimetz-it. Disa media maqedonase kanë raportuar se ‘Republika e Maqedonisë së Epërme’ është propozimi i cili mund të zgjedhet përfundimisht, pasi që ky propozim avokohet edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Për palën greke shihet si i pranueshëm nëse ‘Maqedonia e Epërme’ do të bëhej një fjalë – ‘Republika GornaMakedonija’.

“Për Athinën, GornaMakedonija është një fjalë dhe për shkak se tingëllojnë si fjalë sllave, nuk tingëllon ashtu siç thuhet Maqedoni në greqisht”, shkruan agjencia e lajmeve dhe portali Greek Reporter. “Njëkohësisht, fjala ‘Maqedoni’ mungon në këtë emër”.

Megjithatë, ministri i jashtëm maqedon, Dimitrov, ka deklaruar se propozimi ‘GornaMakedonija” nuk është i pranueshëm për Shkupin. Ai shpjegoi se edhe referenca aktuale e përkohshme, ‘ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë’, e cila përkthehet në gjashtë gjuhët zyrtare të OKB-së, e përmban fjalën ‘Maqedoni’.

Republika e Maqedonisë së Vardarit

Emri ‘Republika e Maqedonisë së Vardarit’ i referohet lumit më të gjatë në Maqedoni. Kjo u konsiderua si zgjidhje e mundshme në vitin 2010, sipas TV Antenna të Greqisë. Është gjithashtu emri i cili aktualisht po favorizohet nga autoritetet greke në bisedimet e vazhdueshme për emrin, sipas së përditshmes greke, Kathimerini.

Nuk dihet qëndrimi i Maqedonisë për këtë mundësi.

Republika e Aardvarkut

Disa prej propozimeve të jashtëzakonshme flasin për frustrimin e diplomatëve me konfliktin e kahmotshëm ndërmjet Athinës dhe Shkupit.

Ish-Sekretarja e Shtetit e SHBA-ve, Condoleezza Rice, e irrituar me faktin se çështja e emrit po e bllokonte anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, sugjeroi që emri i ri i këtij vendi të ishte ‘Republika e Aardvarkut’ (duke iu referuar kafshës e cila gjindet në Afrikë), që ajo të paraqitej e para në renditjen alfabetike.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0. K

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO