Shkurt | Bisedë e Shkurtë

Nata kundër shtypjes: Bisedë e Shkurtër & Muzikë nga Alushi

Nga - 11.12.2017

Bashkohuni me K2.0 në Bisedën e Shkurtër të fundit për këtë vit, me 13 dhjetor.

Duke e analizu vitin 2017 e vërejmë një gjë të përbashkët te të gjitha lajmet e këqija e të shumta: shtypja. Ajo nisi me fitoren e Donald-it, dhe po përfundon me Kevin Spacey-n dhe me “sjelljet e tij të pavend të pijanecit”. Një burrë tjetër që kishte probleme me pije ishte Slobodan Praljak, i cili me një gotë helm e mbyti veten dhe kështu e mori me vete në varr edhe drejtësinë për mijëra familje. Miradie Rrustemi gjithashtu vdiq me një potez, atë të pushkës së burrit të saj.

Mizogjinia, nacionalizmi, racizmi po transmetohen në kanalet kryesore, po marrin forma të pranueshme në pjesë të ndryshme të botës. Na po dojmë me u mbledh për me i diskutu format e ndryshme të shtypjes, veçanërisht të rasteve të vitit të fundit në Kosovë dhe në botë – nga pabarazia ekonomike, deri te të drejtat e grave dhe rritja e politikave të krahut të djathtë.

Qysh po e përjetojnë këtë mungesë barazie burrat dhe gratë që punojnë? A është nacionalizmi reagim ndaj sistemeve të dështuara politike? A ka me pasë Kosova momentin #MeToo në të ardhmen e afërt? A rrezikohet Kosova nga rritja e politikave të krahut të djathtë?  Ku lidhen të gjitha këto çështje? A jemi të gatshëm ta luftojmë shtypjen tonë?

Për me e nisë diskutimin i kemi ftu: Nita Lucin (antropologe), Naim Rashitin (analist politik), Shkelzen Gashin (politolog) dhe Dren Berishaj (aktivist i të drejtave të punës). Redaktorja e K2.0, Besa Luci, ka me e moderu këtë diskutim.

Pijet prej neve, për me ju nxitë me fol.

Për me na ndihmu me e harru vitin 2017 dhe për me u përgatitë për vitin e ri aty është Alushi me muzikën e tij, menjëherë pas diskutimit.

E mërkure, me 13 dhjetor nga ora 19:00 në Klubin M – Mos e leni pa ardhë…K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO