Shkurt | Maqedonia

Nikola Gruevski dënohet me dy vite burg

Nga - 11.06.2018

Ish-kryeministri maqedon shpallet i fajshëm në rastin e parë prej pesë rasteve.

Vendimi i shqiptuar më 23 maj, nëpërmjet të cilit u dënua ish-Kryeministri maqedon Nikola Gruevski me dy vite burg, kumboi si bombë, jo vetëm në vend, por në tërë rajonin. Gjykata e dënoi për “marrje të shpërblimeve për ndikime të kundërligjshme”, në lidhje me blerjen e një Mercedesi luksoz në vitin 2012. Kosto e tij ishte mbi 500,000 euro.

Ky ishte vendimi i parë i shpallur, për një nga rastet që lidhen me Gruevskin. Prokuroria Speciale Maqedone aktualisht është duke i zhvilluar pesë raste të ndryshme në të cilat është i përfshirë ai.

Përveç akuzave në lidhje me Mercedesin, ai është akuzuar në rastin ‘TNT’ në të cilin pretendohet se e ka urdhëruar shkatërrimin e kompleksit të ndërtimtarisë Kosmos; në rastin ‘Trajektorija’ në të cilin pretendohet se e ka shfrytëzuar autoritetin e tij për të zgjedhur kompani për ndërtimin e dy autostradave; në rastin ‘Titanik’ për mashtrim të supozuar zgjedhor; dhe në rastin ‘Dhuna para Komunës në Qendër’, në të cilin pretendohet se orkestroi dhunën para ndërtesës komunale.

Prokuroria Speciale ende nuk ka lajmëruar se a do ta kërkojë arrestimin dhe dënimin e Gruevskit. Ka pasur spekulime në media se është diskutuar për një dënim më  shkurtër me burg.

Rasti i Prokurorisë ishte i ndërtuar mbi bisedat e përgjuara që u publikuan në vitin 2015, si pjesë e skandalit që u titullua ‘Bomba’ nga mediat.

Megjithatë, Prokuroria ka të drejtë të bëjë apel për të kërkuar dënim më të gjatë. Se a do të ndodh kjo, është diçka që do të mirret vesh në ditët në vijim, pasi Prokuroria ta pranojë një shpjegim të shkruar për vendimin e gjykatës.

Rasti i Prokurorisë ishte i ndërtuar mbi bisedat e përgjuara që u publikuan në vitin 2015, si pjesë e skandalit që u titullua ‘Bomba’ nga mediat. Lideri i atëhershëm i opozitës – tani kryeministër – Zoran Zaev, i publikoi disa biseda të përgjuara dhe e akuzoi Gruevskin dhe shërbimet shtetërore të sigurisë për përgjim të rreth 20,000 qytetarëve.

Këto inçizime u publikuan nga opozita dhe në mesin e tyre ishte një bisedë në të cilën Gruevski flet për një dhuratë për veten, duke e quajtur “Ajo me shkronjën ‘M’”.

 

Vendimi mallkues, i transmetuar për kombin

Shqiptimi i vendimit u transmetua drejtpërdrejtë në disa media. Gjykatësja Dobrila Kacarska deklaroi se, Gruevski ishte i fajshëm për të gjitha elementet e krimit për të cilin akuzohej.

Gjatë shpjegimit, gjykatësja deklaroi se Gruevski e përdori ndikimin e tij si kryeministër për të kërkuar nga ish-ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankuloska, që të ja sjellin ni Mercedes të blinduar. Edhe Jankuloska ishte e akuzuar në këtë rast, por për shkak të një shtatëzënie së rrezikshme, ajo po gjykohet ndaras.

Gjykatësja gjithashtu deklaroi se Jankuloska kishte vepruar me paramendim kur e nxiti të pandehurin tjetër dhe ish-asistentin e saj, Gjoka Popovski (i cili u dënua me gjashtë vite e gjysmë burg), për ta favorizuar kompaninë Makautostar-Skopje – distributor i Mercedesit në Maqedoni – “të gjitha për t’i përmbushur dëshirat e Gruevskit”.

Në vendim u tha se lajmërimi i publikuar për prokurim publik e favorizoi kompaninë Makautostar dhe se një Mercedes ishte rezervuar edhe para se të merrej vendimi për prokurim publik.

Gjykata erdhi në përfundim se të pandehurit ishin në dijeni se ky automjet ishte i shtrenjtë. Çmimi i tij ishte 35,216,000 denarë maqedone (rreth 527,000 euro), vlerë e ndarë nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në dëshmi u përmend qartë fakti se Nikola Gruevski do ta përdorte atë veturë.

Që nga shkurti i vitit 2012, para lajmërimit të tenderit, Gruevski foli me Jankuloskën dhe i dha asaj udhëzime për ta blerë Mercedesin, procedurë kjo e cila u mbajt e fshehtë. Gjykata erdhi në përfundim se Gruevski ishte i vetëdijshëm se veprimet e tyre nuk ishin të drejta dhe këtë e arsyetoi duke thënë se për këtë arsye ai nuk guxoi ta përmendë veturën, por iu referua  si ‘ajo me shkronjën ‘M’”.

Gjykata vlerësoi se biseda ndërmjet Jankuloska dhe Gruevski, e inçizuar më 10 korrik, 2012, është dëshmi se e gjithë procedura u mbajt e fshehur nga publiku. Në një pikë, Gruevski thuhet të kishte deklaruar se deri në fund të zgjedhjeve lokale, ai do të bëhej sikur vetura i përkiste Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe se në prani të gazetarëve, Gruevski do ta përdorte veturën e tij të vjetër. Gruevski i tha Jankuloskës dhe njerëzve që ishin në krye të mirëmbajtjes së veturës, se ai do ta përdorte shpesh.

“Në Maqedoni, të jesh zyrtar publik, e veçanërisht kryeministër, është nder”, u konkludua në vendim. “Për këtë arsye, ai është dashur të kujdesej për interesat e qytetarëve. Jo vetëm ai, por secili shërbyes publik duhet ta dijë se një prej parimeve themelore është parimi i përgjegjësisë”.

Në një bisedë të inçizuar më 20 korrik, 2012, Jankuloska dëgjohet duke i thënë ish-drejtorit të Administratës për Siguri dhe Kundërinteligjencë, Sašo Mijalkov, se Mercedesi kishte arrritur dhe se ishte “në garazhën e kryeministrit”. Ajo shtoi se vetura ishte “fantastike” dhe që të gjitha gjërat e shkruara në katalog ishin zbatuar, dhe se një nga kërkesat e Gruevskit ishte që vetura të ketë ekran për ulëset e pasme, për t’i zbavitur fëmijët e tij.

Gjykata beson se Gruevski e performoi gjithë procesin e blerjes në mënyrë të jashtëligjshme për t’u siguruar që qytetarët të mos marrin informata për pronësinë e veturës. Ai dhe zyrtarët e tjerë, pranuan se po bëheshin kinse vetura i përkiste Ministrisë së Brendshme për të fituar prestigj politik në sytë e elektoratit.

“Në Maqedoni, të jesh zyrtar publik, e veçanërisht kryeministër, është nder”, u konkludua në vendim. “Për këtë arsye, ai është dashur të kujdesej për interesat e qytetarëve. Jo vetëm ai, por secili shërbyes publik duhet ta dijë se një prej parimeve themelore është parimi i përgjegjësisë”.

U tha gjithashtu, se qytetarët duhet të dinë se si po shpenzohen paratë e tyre dhe se askush, “veçanërisht jo një zyrtar publik”, nuk duhet t’i nënvlerësojë apo mosrespektojë qytetarët “siç bëri i pandehuri Nikola Gruevski”.

Jehonë në të gjithë vendin

Ky vendim shkaktoi reagime të ndryshme në sallën e gjykatës; disa festuan, e disa u revoltuan.

Vështirë që u befasua dikush nga fakti se Gruevski nuk u paraqit në sallë për ta dëgjuar tingullin e çekiçit të gjykatëses, ndonëse në atë ditë, në ora 9:30 në mëngjes, ai ishte në gjykatë për të qenë i pranishëm për procedimin e rastit gjyqësor ‘Trajektorija’.

Burimet nga ekipi ligjor mbrojtës i Gruevskit, i thanë mediave se ai nuk morri pjesë në shqiptimin e gjykimit për shkak se nuk deshi “ta rriste nivelin e tensionit” në mesin e mbështetësve të tij që po prisnin para gjykatës.

Një orë pas shqiptimit të vendimit, Gruevski iu adresua publikut nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook me mesazhin në vijim: “Kokën lart. Po vijnë kohë më të mira.”

30-40 qytetarë protestuan para gjykatës në Shkup, duke brohoritur “Liri për Gruevskin”. Në mesin e tyre ishin ish-kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski dhe ish-presidenti i Komunës së Aerodromit, Ivica Koneski. Megjithatë, pasi u publikua vendimi, ata dy u zhdukën me shpejtësi.

Pas shqiptimit të dënimit me burg, parlamentarët nga partia e Gruevskit, VMRO-DPMNE, dolën nga parlamenti në shenjë proteste. Disa orë më vonë, partia e dënoi vendimin duke deklaruar se gjykata i përket Unionit Social Demokratik të Maqedonisë (SDSM), partisë e cila është në pushtet dhe se gjykata po përdorej për t’i persekutuar ata që nuk pajtohen me kryeministrin Zoran Zaev.

Një orë pas shqiptimit të vendimit, Gruevski iu adresua publikut nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook me mesazhin në vijim: “Kokën lart. Po vijnë kohë më të mira.” Një ditë më vonë, ai përsëri la një porosi, në të cilën pretendoi se gjykimi ishte një sulm politik. “Procedimi është pjesë e gjuetisë politike dhe gjyqësore”, shkroi në statusin e tij. “Ky është një persekutim klasik politik në të cilin janë duke na sulmuar mua dhe shumë prej kolegëve të mi”.

Dënimi i ish-kryeministrit polemik ishte moment simbolik në trazirat e fundit politike në Maqedoni. Por për shkak se ka raste të tjera të mëdha, të cilat ende janë duke u zhvilluar, si dhe mundësitë për të apeluar, fundi i këtij tregimi është larg.K

Foto kryesore: K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO