Blogbox | Diaspora

Një dolli për diasporën

Nga - 28.05.2017

Të pish për të harruar, për t'u shtirur, për të pranuar, e për të injoruar.

E dehur jam

E dashura diasporë, sot po pi.

Po pi për të harruar, po pi për t’u shtirur. Për të pranuar, e për të injoruar. Po pi sepse e kam përshtypjen se dikush duhet me pi. Dhe në njëfarë mënyre, e pyes veten, mos po pi me mua fshehurazi?

Po pi për të injoruar.

Po pi për të injoruar se sa absurde është të punosh për banesa e shtëpi, të cilat i sheh një herë në vit. Gjëmon se si familja ta ka humbur fustanin e preferuar. Se si askush nuk u kujdes për lulet derisa ti nuk ishte aty. I dashur donator, i dashur mysafir, më vjen keq për pikëllimet dhe ëndrrat të cilat mbesin pëshpërima në kokën tënde. Kam frikë se një ditë ato do të varrosen, jo larg luleve të tua.

Po pi për të injoruar se si çastet e tua të suksesit po shkatërrohen nga konfliktet tuaja. Klubet dhe shoqatat tuaja, aq shumë prej tyre të vdekur që në lindje. Dhe ti, po e pyet veten se pse gjithë këto vjet të ekzistencës sate nuk janë përfillur fort, potenciali të është shpërfillur, zëri të është keqpërdorur.

Po pi për t’i injoruar debatet e tua të pafundme rreth futbollistëve tuaj. Si e gjykon vetën vazhdimisht. Thonë se po kënaqesh me ndjenjën e ëmbël të përkatësisë. Po pi sepse siç duket nuk po e vëren se si ajo ndjenjë po shkatërrohet nga injoranca dhe gjykimi yt.

Po pi për t’u shtirur. Po pi për t’u shtirur se nuk po e dëgjoj lutjen tënde kur turma i këndon këngët e tua. Ky është momenti i ëmbëlhidhur i unitetit tënd. Ta dish se i ke vetëm disa minuta para se të të rrëmbejë dykuptimësia, dhe fëmija yt i parë shkon për ta pirë një birrë.

Po pi për t’u shtirur se nuk po shoh se si po të shkëputen familjet sepse nuk po u lejon të jenë ndryshe. Ende i beson gënjeshtrës sate të vockël se një ditë do të kthehesh në shtëpi? Po pi për të gjitha vendimet të cilat i merr në bazë të deluzionit. Për të gjitha viktimat që i bartin pasojat tua.

Po pi për t’u shtirur se nuk dhemb të jesh grua e mbërthyer në kthetrat e tua. Dëgjova se ende e arsyeton dhunën dhe padrejtësinë përmes kulturës sate? Dhe a ishe ti ajo që the se këto vajza të reja që po martohen është një sukses? Se kjo kërkon planifikim, durim dhe vullnet? Më duket se më duhet një gotë tash. Në fakt, dy.

Po pi për të harruar.

Po pi për të harruar për humbjen e gjuhës tënde të bukur. Po i thua botës se ti po vdes sa herë që dikush vendos ta harrojë gjuhën tënde, ta shpërfillë vendlindjen tënde, apo të refuzojë të martohet me njerëzit e tu. Jam e zhgënjyer që beson se koncertet dhe dasmat po ta kompenzojnë mungesën e arsimit, artit dhe debatit.

Po pi për të harruar të vetmin rast kur shkove në ekspozitë për ta shfaqur punën tënde. Oh, vërtetë dëshiroj të harroj se si u largove kur kuptove se ishe e rrethuar me njerëzit e tu. Dhe jo pa bërtitur se nuk mund ta durosh tërë atë grumbull në një vend. Edhe pikturat të dëgjuan.

Po pi për të pranuar.

Po pi për të pranuar se ende po e tregon rrëfimin e moçëm për gjermanët, francezët dhe zvicranët e ftohtë. Këto vende të dhanë jetë. Dallimet e tyre ende të ushqejnë. Dhe më duket se frika jote më e madhe është ta kuptosh se edhe ti je bërë e ftohtë duke qëndruar ndërmjet karrigeve tua.

Po pi për të pranuar se ti ende krijon botëra paralele, të kosovave dhe maqedonive të tua në gjithë botën. Për të pranuar se mund të vdesësh pa jetuar në qytete që figurojnë në miliona pasaporta si qytetet e tua të lindjes.

Kryesisht, po pi për të pranuar se ke hequr dorë nga përpjekja për t’u rritur dhe përpjekja për të ndryshuar.

Dëshiroj të çoj dorë nga ti, diasporë… dhe në vend të kësaj, unë rri këtu dhe pi.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO