majlinda-hoxhaeducation
Blogbox | Education

Një javë pas rezulateve të testit PISA

Nga - 14.12.2016

Ne duhet të reflektojmë për problemet e sistemit arsimor në Kosovë dhe përfundimisht ta reformojmë sistemin për të mirë.

Nxënësit kosovarë gjatë programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Arsimit (PISA), në vitin 2015 ishin në situatë të mundimshme.“Kush do të më ndihmojë?”, “Si  me i marrë përgjigjet me telefon?”, “Si  me bashkëpunu dhe kopju”. Të gjitha këto momente të instaluara në kokën e tyre qysh prej para-fillores. Aty ku i mësojnë që vetëm me ngjyrë të gjelbër ngjyroset bari. Harroje imagjinatën!

Të nderuar qytetarë të Kosovës, para se ta krahasojmë vendin tonë me Singaporin si të parin e listës së rezultateve, dhe pastaj para se ta krahasojmë veten me shtetet e rajonit, le t’i krahasojmë këto rezultate ndërkombëtare me rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës.

Po në vitin 2015, afro 32,000 nxënës kosovarë i janë nënshtruar këtij testi nacional dhe afro 17,000 kanë rezultuar të suksesshëm. Do të thotë 53.9 përqind e kanë kaluar këtë test me sukses. Ndërsa në testin PISA, ku niveli 2 konsiderohet si niveli bazë i zotësive të nevojshme për pjesëmarrje të sukseshme në jetën ekonomike dhe sociale, mesatarisht 70 përqind e nxënësve kosovarë nuk kanë kaluar këtë nivel bazë (në të tri disiplinat: shkencë, lexim dhe matematikë).

Tash që u ballafaquam më rezultatet, është koha të mësojmë nga gabimi dhe jo të përkëmbemi.

Sot jeni të brengosur, por nuk keni pse të jeni të habitur. Cilësia e arsimit në vendin tonë ka kohë që çalon. Por, të pakët janë ata që menduan dhe vepruan për përmirësim të gjendjes. Gjithmonë në plan të parë u vendosen prioritete e agjenda politike, ngjarje e ndodhi momentale, por asnjëherë më të rëndësishme se kjo shtyllë e zhvillimit shtetëror dhe shoqëror.

Tash që u ballafaquam më rezultatet, është koha të mësojmë nga gabimi dhe jo të përkëmbemi. Madje le të shihet kjo si një etapë e re që më në fund na bëri ta kthejmë kokën dhe të reflektojmë mbi çështjet që duhet t’i përmirësojmë.

Nëse po e kërkoni fajtorin, atëherë secili nga ne, çdo hisedar e institucion është fajtor, përveç se nxënësit. Nxënësit nuk janë, sepse asnjëherë nuk u pyetën për nevojat e tyre atëherë kur institucionet tona përpiluan e hartuan strategji e legjislacione. Ligjet tona me përmbajtje moderne, të huazuara nga shtete të zhvilluara, që janë renditur të parët në rezultatet e PISA-s, asnjëherë nuk gjetën zbatim. Nuk i’u përshtatën as nxënësve, as mësimdhënësve, as prindërve, as udhëheqësve, e as kontekstit kulturor.

Këto ligje dhe strategji nuk u zbatuan kurrë sepse institucioni përgjegjës, siç është Inspektorati i Arsimit në Kosovë nuk pati rol aktiv. Shkollat u paralajmëruan për çdo vizitë nga ana e Inspektoratit, prandaj as u gjetën parregullësitë. Pastaj, drejtoritë komunale për arsim dhe institucionet nacionale si Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe komisioni për arsim në kuadër të Kuvendit nuk arritën kurrë të flasin të njëjtën gjuhë sepse më të rëndësishme patën politikën sesa zhvillimin edukues të komunës dhe vendit.

Shkolla si institucion do të duhej t’i ketë aktive dhe strukturat tjera përfaqësuese, siç janë Këshilli Drejtues i Shkollës, Këshilli i Prindërve dhe ai i Nxënësve. Të ndalemi te Këshilli i Prindërve sepse edhe prindërit mbajnë përgjegjësi. Angazhimi i tyre karshi zhvillimit dhe nxënies së dijes nga fëmija i tyre e ka vetëm një qëllim – notën. Ata nuk kërkojnë përgjegjësi ndaj metodologjive të dobëta që përdorë shkolla për fëmijën e tyre. Madje janë pikërisht ata që i’u sigurojnë pajisje teknologjike fëmijëve për t’iu lehtësuar kopjimin.

Dhe, në kuadër të gjithë këtyre hisedarëve na hyn dhe mësimdhënësi. Shumica nga ta janë të pakualifikuar, të vjetër në moshë dhe me kapacitet të vogël përditësimi. Metodologjia e mësimdhënies është e vjetër dhe refuzuese ndaj teknikave të reja, jo atraktive, e njëanshme, e pa avancuar dhe mekanike.

Kualiteti i cilësisë së arsimit, sipas raportit, “Qëndrimet e Këshillit të Nxënësve rreth Cilësisë së Arsimit në Kosovë”, të publikuar në nëntor nga Kishilli Rinor Kosovar dhe Këshilli i Nxënësve të Kosovës, ndahet në tri komponentë. I pari është “Procesi dhe Përmbajtja Mësimore”, në kuadër të së cilit konkludohet se ka mangësi në plan-programet mësimore të cilat nuk ofrojnë mundësi për zgjidhjen e problemeve praktike dhe për zhvillim të mendimit kritik. Një numër i madh i teksteve mësimore janë njëburimore dhe të papërditësuara. Udhëzimi Administrativ mbi standardet e vlerësimit, UA 33/2013, nuk zbatohet: nxënësi notohet për sjellje dhe jo për dije; nxënësi notohet për mësime mekanike që asesi nuk do t’i mbajë në mend, dhe mbi të gjitha ai mësohet të luftojë për notë dhe jo për mësimnxënie korrekte. Prandaj dhe rezulton dobët në teste ndërkombëtare. Ndër të tjera, nxënësit që vijojnë kurse private të organizuara nga mësimdhënësit e tyre sidomos në shkenca dhe matematikë, favorizohen dhe vlerësohen më mirë. Dhe organizimi i kurseve të tilla jo vetëm që është ilegal, por si praktikë nënkupton që nxënësit po ‘blejnë’ notat e tyre.

Këto rezultate duhet të jenë të mirëseardhura dhe të shërbejnë si motiv në mënyrë që nga sot.

Sipas komponentit të dytë “Mjedisi Mësimor”, konkludohet se nxënësit kosovarë mësojnë në kushte elementare. Shkollat nuk ofrojnë infrastrukturë të mjaftueshme për zhvillim praktik. Shumica e shkollave në vend nuk kanë punëtori, laboratorë apo kabinete ku do të mund të realizohej mësimi praktik. Edhe nëse ekziston infrastruktura, shpeshherë nxënësve nuk u lejohet qasja në këto ambiente me arsyetimin e dëmtimit të mundshëm të inventarit të shkollës. Ata nuk janë të sigurtë në shkollën e tyre, prandaj dhe aq shpesh ballafaqohen me momente dhune, dhe i mbijetojnë një higjiene të tmerrshme, që mezi i’u siguron një mirëqenie që është shumë e nevojshme për zhvillim stabil.

Ndërkaq, “Buxheti” si komponenti i tretë është procesi më i ndërlikuar me të cilin ballafaqohet arsimi në Kosovë. Ndarja buxhetore nuk korrespondon me nevojat e profileve të arsimit . Plani vjetor financiar i shkollave asnjëherë nuk përmban nevoja gjegjëse mbi çështje që do t’i kishin kontribuar ngritjes së cilësisë së arsimit në atë shkollë, si për shembull për përmirësim të infrastrukturës, organizimit të aktiviteteve jashtëmësimore, blerjes së mallrave higjenike sanitare, mbulimit të shpenzimeve të sigurisë së shkollës, e cila tani paguhet nga vet nxënësit.

Sipas UA 33/2013, për zbatimin e një formule komunale për përcaktimin e buxheteve të shkollave që administrohen nga komunat, shkollat janë të obliguara të përgatisin një plan financiar vjetor, në bazë të të cilit i planifikojnë të gjitha shpenzimet brenda një viti shkollor. Shumica e shkollave e përgatisin planin financiar dhe i dorëzojnë në drejtoritë komunale për arsim, mirëpo këto plane bëhen formalisht dhe nuk planifikohen mirë dhe si rezultat krijohen probleme në implementim. Në fakt, arsimi i vendit tonë vetëm sipas Grantit Specifik për Arsim të vitit 2015-2017 i ka të planifikuara rreth 144,230,328 milion euro shpenzime për të vetmin qëllim, përmirësim i cili nuk arriti të pasqyrohet pozitivisht.

Kjo cilësi e dobët e arsimit ka ekzistuar në mesin tonë qysh prej kohës kur ne jemi shtet, por vetëm rezultatet e PISA-s na bënë të reflektojmë. Debati tashmë është hapur prandaj mos ta shuajmë pas disa ditësh. Këto rezultate duhet të jenë të mirëseardhura dhe të shërbejnë si motiv në mënyrë që nga sot, një javë pas shpalljes, asnjëri nga ne nuk duhet të pres që gjendja të përmirësohet brenda natës.

Asnjëri nga ne nuk duhet të pres që ne do t’i arrijmë majat në vitin 2018. Por, secili nga ne që nga sot duhet të punojë pandërprerë për një edukim cilësor si prioritet për zhvillim të vendit dhe jo si proces rezultativ rendues.

Suksesi ynë si shtet nuk do të duhej të varej nga rezultatet. Reformimi fuqizues është i nevojshëm për një ngritje të vazhdueshme varësisht interesave të kohës dhe zhvillimeve globale.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO