Në thelb | LGBTI

“E çka nëse nuk jemi lezbike, po diçka tjetër?”

Nga - 21.12.2016

Rrugëtim i gjatë deri te pranimi i identitetit transgjinor.

Ishte kjo edhe një natë e gjatë dhe e pashpresë për Lendi Mustafën dikur në vitin 2011. Nëna e tij e gjeti edhe njëherë duke qarë në po të njëjtin vend në tavolinën e kuzhinës.

“E tash, çka ndodhi?” e kishte pyetur nëna me butësi.

Jo më larg se një vit më parë, ata kishin pasur një bisedë të sinqertë po aty te tavolina e kuzhinës, kur Lendi i tregoi nënës së saj se i pëlqenin vajzat. Kësaj here, Lendi gjithashtu dëshironte t’i shpjegonte nënës se ai ishte mashkull transgjinor — i lindur biologjikisht si femër por që identifikohet si mashkull. Ai nuk dëshironte ta rrezikonte refuzimin e saj, meqë besonte se kjo mund ta komplikonte mirëkuptimin e nënës së tij. Në fakt, edhe për Lendin kjo kishte qenë betejë e gjatë emocionale e vetëzbulimit —një proces i gjatë frustrimi e vetëpërmbajtjeje para se të çelej se ishte mashkull transgjinor.

“Si fëmijë, kur më shkonte mendja se diçka nuk ishte në rregull me pamjen time fizike, imagjinata ime hynte në funksion dhe mendoja, ‘Kur të rritem, do të dukem fizikisht si burrë’”, thotë Lendi. “Në atë kohë kam lexuar shumë në internet, për të kuptuar se çka ishtë [një person transgjinor]. Kishte momente kur isha i vendosur të jetoja si vetvetja. Por pastaj kishte edhe momente kur njerëzit më quanin me emrin tim të gjatë [Lendita], dhe atëherë më kujtohej se [biologjikisht] unë isha femër”.

Lendi Mustafa is the first transgender person to come out publically in Kosovo, where there is a huge amount of misunderstanding about transgender issues.

Lendi Mustafa është personi i parë transgjinor që e ka bërë këtë publike në Kosovë, ku ka shumë keqkuptime sa i përket çështjeve transgjinore.

Në adoleshencën e saj të hershme, mbrëmjet me tri shoqet e saj në qendër të Prishtinës i ofronin Lendit hapësirën e vetme të mirëkuptimit, eskapizmit dhe rehatisë. E lindur si femër dhe me nevojën shoqëore për t’iu përshtatur identiteteve gjinore si gra, të katër shoqet shpesh ndanin telashe të ngjashme në lidhje me identitetet e tyre.

“Ne ishim katër persona dhe zhvillonim diskutime si, ‘E çka nëse nuk jemi lezbike, po jemi diçka tjetër?’” përmend Lendi. “Dhe pastaj thonim, ‘Nuk mund të jemi lezbike, sepse lezbiket nuk ndjehen si meshkuj, ndërsa ne ndjehemi si meshkuj”.

Sot, Lendi është 20-vjeç dhe është personi i parë transgjinor i cili e ka treguar këtë publikisht në Kosovë. Fakti se asnjë person tjetër nuk ka qenë i gatshëm sa duhet për të treguar publikisht se është transgjinor përveç se dëshmon betejën personale të individëve të cilën nuk ndihen rehat me trupin e tyre, ai pasqyron edhe shoqërinë kosovare, ku çështjet transgjinore janë tejet të keqkuptuara dhe shprehja e një identiteti gjinor ndryshe nga ai i cili është rreptësisht në vijë me seksin biologjik të lindjes, mbetet shkaktar i shumëpranishëm i paragjykimit.

Përveç një rrethi të ngushtë aktivistësh LGBTI dhe sociologësh, diskutimet në lidhje me personat transgjinor gati se nuk janë fare të pranishme në Kosovë në nivel institucional, në shkolla dhe në media. Derisa nocionet “seksi” dhe “gjinia” shpesh përdoren për ta zëvendësuar njëri-tjetrin, kjo vetëm sa e shton hutinë dhe keqinterpretimin e publikut të përgjithshëm. Për shembull, dokumentet e identifikimit në Kosovë përmbajnë fjalën ‘gjinia’ në vend të fjalës ‘seksi’, duke kontribuuar edhe më shumë në mungesën e vetëdijësimit dhe të njohurive.

Shpjegimi i nocionit ‘transgjinor’

Dëshmitë flasin se shumë njerëz në Kosovë, duke përfshirë edhe profesionistë shëndetësorë, nuk e kuptojnë nocionin ‘transgjinor’ apo se cili është dallimi ndërmjet të qenit transgjinor dhe lezbike apo gej.

Derisa personat gej apo lezbike i tërheqin personat e seksit të njëjtë, personat transgjinorë nuk futen brenda nocioneve konvencionale të femrës dhe mashkullit, sepse ata nuk identifikohen sipas seksit të tyre biologjik.

Për shembull, një mashkull transgjinor është i lindur biologjikisht si femër, por identifikohet si mashkull; një femër transgjinore është e lindur biologjikisht si mashkull por identifikoohet si femër.

Personat transgjinorë, së bashku me gejët, lezbiket, dhe biseksualët janë të ekspozuar ndaj dhunës dhe diskriminimit, presioneve e ngacmimeve, gjuhës së urrejtjes në media dhe në rrjete sociale, dhe kanë qasje të dobët apo joadekuate në shërbimet shëndetësore. Personat trangjinorë keqkuptohen në veçanti, si në nivelin shoqëror ashtu edhe në atë institucional.

Blert Morina, aktivist i të drejtave të LGBTI dhe menaxher i programit në Qendrën për të Drejta të Barabarta (CEL), thotë se ta pranosh dikë që është ‘ndryshe’ mbetet sfidë për shoqërinë kosovare, e cila gjithashtu shpërfaqë paragjykime të veta: “Për shembull, në shoqëri [krahasuar me një femër transgjinore] më shumë pranohesh nëse je transgjinor mashkull, kur dikush është i lindur si femër po ndjehet dhe jeton si mashkull”, thotë Morina. “Është problem shumë i madh për dikë që është i lindur si mashkull të dalë e të shprehet si femër. Këtu [në Kosovë], fuqia e familjes matet me meshkuj — sa më shumë meshkuj që ka familja aq më e fuqishme konsiderohet ajo, dhe natyrisht do të ishte tronditëse të paraqitet një mashkull i cili deklaron se dëshiron të bëhet femër”.

Kushtetuta e Kosovës garanton barazi përpara ligjit, ku secili gëzon të drejta të mbrojtjes ligjore pa diskriminim. Por u desh të pritej deri në vitin 2015 që Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimit të amendamentohej për ta pranuar identitetin gjinor.

Për aktivistët LGBTI, ligji ende nuk mund të adresojë çështje të tjera të rëndësishme. “Për shembull, personat transgjinorë nuk dinë nëse mund ta ndryshojnë emrin e tyre, apo ta ndryshojnë seksin në dokumentet e tyre, sepse në dokumentet personale tona kemi fjalën ‘gjinia’” thotë Morina. “Ka shumë boshllëqe që duhen mbushur, siç është edhe rasti i martesave ndërmjet personave të së njëjtit seks, dhe është e paqartë nëse dy persona gejë mund të martohen ose jo”.

Derisa Ligji për Familjen e përkufizon martesën si akt ndërmjet një mashkulli dhe një femre, Kushtetuta thotë se martesa është bashkësi ndërmjet dy personave. Rrjedhimisht, shumëkush e ka interpretuar këtë se martesat ndërmjet personave të të njëjtit seks janë të lejuara, por deri më sot diçka e tillë nuk është testuar.

Mungesa e mirëkuptimit profesional

Gjatë viteve që lamë pas, aktivizmi LGBTI sa vinte e rritej në Kosovë, ndërsa marshet e komunitetit LGBTI që shënuan Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Biofobisë tashmë janë mbajtur qe tre herë. Megjithatë, përderisa kjo e ka ngritur vizibilitetin e aktivizmit LGBTI në vend, vizibiliteti apo pranimi i  popullatës LGBTI nuk është rritur domosdoshmërisht në sferën publike.

Për shembull, në tetor qeveria e Kosovës dhe LGBTI Equal Rights Association for Western Balkans and Turkey (ERA), organizuan konferencën e parë të këtij lloji për të drejtat e komunitetit LGBTI. Kosova u zgjodh si vend nikoqir për shkak të faktit se ajo ka nivel më të lartë diskriminimi kundër personave LGBTI krahasuar me gjithë rajonin.

Kjo u dëshmua pas një raporti hulumtimi të vitit 2015 nga kompania franceze e anketave IPSOS, i cili analizonte perceptimet e çështjeve LGBTI në shoqëri dhe nivelin e mospranimit apo diskriminimit karshi personave LGBTI. Hulumtimi gjithashtu vuri në pah se niveli më i lartë i diskriminimit dhe i mospranimit nga familjet kosovare dhe nga shoqëria ndjehet nga personat transgjinorë.

Përkundër kësaj, Morina thotë se deri vonë organizatat LGBTI në Kosovë nuk i kanë dhënë prioritet çështjeve transgjinore.

“Lëvizja LGBTI ka pasur vizibilitet më të madh, por komuniteti transgjinor nuk ka qenë shumë në fokus”, thotë Morina. “Një prej arsyeve është se fillimisht vetë organizatat nuk kanë pasur kapacitet për t’i mbuluar shqetësimet e personave transgjinorë dhe [arsyeja tjetër është] se nevojat e komunitetit transgjinor dallojnë prej atyre të lezbikeve, gejëve dhe biseksualëve”.

Blert Morina says that while the LGBTI movement has increased its visibility and activism in recent years, it has taken longer for transgender issues to be focussed on.

Blert Morina thotë se megjithëse lëvizja LGBTI e ka ngritur vizibilitetin dhe aktivizmin në vitet e fundit, çështjeve transgjinore u është dashur më shumë kohë ta fitojnë vëmendjen.

Ky muaj shënon herën e parë që u zhvillua një hulumtim i cili kryekëput merret me çështjet e transgjinorëve. Dy organizata të të drejtave të komuniteteve LGBTI publikuan një raport i cili përqendrohet në qasjen e kufizuar të personave transgjinorë në mbrojtjen sociale dhe sistemin shëndetësor. Raporti gjithashtu thekson nevojat e veçanta të komunitetit transgjinor të cilat asnjë institucion kosovar nuk i adreson fare.

Sipas raportit, pavarësisht gatishmërisë së disa profesionistëve shëndetësore për t’u ndihmuar personave transgjinorë, njohuritë dhe mirëkuptimi i tyre mbesin shumë të kufizuara, duke përfshirë këtu edhe mosnjohjen e terminologjisë themelore.

Në pyetjen se si do ta definonin nocionin “transgjinor”, përgjigjet e 25 profesionistëve shëndetësorë të cilët u intervistuan për këtë raport ndër të tjera ishin: “Nuk e di”, “Devijim mendor”, “Marrëdhënie me dy gjinitë”, dhe “Biseksual”.

Sipas raportit, shumica e profesionistëve shëndetësorë nuk e kishin parasysh se ata kanë rol në mbështetjen e personave transgjinorë, duke përfshirë edhe ndihmën që u duhet ofruar për ta shprehur vetidentitetin e tyre; shumë prej tyre kanë shprehur besimin se personat transgjinorë nuk kanë të drejtë ta shprehin identitetin e tyre gjinor.

Qasja e disa profesionistëve shëndetësorë në lidhje me këtë u pa qartë në përgjigjet si: “Ne s’kemi pse të ofrojë mbështetje, ne mund t’i shpërfillim ata sepse ata janë persona të gërditshëm, atyre u duhen psikiatra”. Në pyetjen se a duhet të kenë rol në mbështjetjen e personave transgjinorë, tjetri u përgjigj: “Kurrsesi. Kush do t’i mbështeste ata? [Vetëm] njerëzit abnormalë”.

Në anën tjetër, raporti ka gjetur se punëtorët socialë kishin shumë pak përvojë në ofrimin e mbështetjes për personat transgjinorë, por të intervistuarit shprehën gatishmërinë t’u ndihmonin atyre, dhe shumë prej tyre konsideronin se ky ishte detyrim i tyre zyrtar. Por, si në rastin e profesionistëve shëndetësorë, atyre u mungonin njohuritë themelore të terminologjisë si dhe vetëdijësimi në lidhje më çështjet transgjinore.

Në pyetjen se si e kuptojnë nocionin ‘transgjinor’, disa prej tyre u përgjigjën: “Personat që nuk i përkasin një gjinie, qoftë mashkullore apo femërore”, “Afërsi me të dy gjinitë”, “Persona homoseksualë — martesa ndërmjet personave me seks të njëjtë: Për këtë e keni fjalën?” dhe “Ndoshta preferencat biseksuale”.

Sipas Morinës, roli i profesionistëve shëndetësorë dhe i punëtorëve socialë është kyç për t’i ndihmuar transgjinorët në rrugëtimin e tyre drejt zbulimit të identitetit të tyre gjinor. “Komuniteti transgjinor ka nevoja specifike sepse ata dëshirojnë ta shprehin një identitet gjinor ndryshe, i cili dallon nga seksi i tye biologjik”, thotë Morina, duke i krahasuar nevojat e personave transgjinorë me ato të lezbikeve, gejëve apo biseksualëve. “Në këtë kontekst, tranzicioni është prioritet, e jo orientimi seksual”.

Njëri prej personave transgjinorë i cili është intervistuar për këtë raport kishte thënë se si ndjenjat e tyre të cilat nuk pranohen, ndonjëherë kanë çuar në mendime vetëvrasëse dhe se ata kanë provuar t’ia marrin jetën vetes.

“Është shumë e dhimbshme të zgjohesh çdo mëngjes dhe të mos ndjehesh mirë me trupin tënd”, thotë Morina. “Në Kosovë nuk jemi shumë të hapur të flasim për trupat tanë, për nevojat apo seksualitetin tonë dhe kur të gjithq këto emocione e ndjenja grumbullohen, ka gjasa që ato të përcillen me ankthe e depresion”.

Tranzicion i kushtueshëm

Në vitin 2011 në tavolinën e kuzhinës, Lendi kishte arritur kulmin e frustrimit dhe të dëshpërimit. Ai kishte kërkuar terapi për zëvendësim hormonesh dhe operacione për ndërrim të seksit. Por, shumë shpejt ai e kuptoi se Kosova nuk ka kurrfarë infrastrukture e cila do t’i mbështeste personat transgjinorë të cilët zgjedhin opsione të tilla dhe do t’i duhej të kërkonte intervenime të shtrenjta jashtë vendit.

Kur iu afrua nëna e tij ndërsa ai rrinte ulur me lotë në sy, ai ia shpjegoi se çka do të thotë të jesh person transgjinor, dhe se ishte i interesuar të kalonte nëpër gjithë procesin e tranzicionit. Nëna e tij menjëherë provoi t’i ofronte përkrahje dhe të nesërmen ia caktoi një vizitë te psikologu, në spitalin publik në Prishtinë.

Në tranzicion

Të gjithë personat transgjinorë kalojnë nëpër një proces tranzicioni, i cili përfshin vetëpranimin dhe vetëvlerësimin e identitetit të tyre gjinor që dallon nga kategoria e tyre e seksit.

Disa persona transgjinorë gjithashtu vendosin të marrin terapi hormonale dhe t'i nënshtrohen operacionit të ndërrimit të seksit, që identiteti i tyre biologjik të jetë në vijë me identitetin e tyre gjinor.

Terapitë me psikologë dhe psikiatra kanë rolin më të madh për të vlerësuar nëse një person transgjinor është gati të nisë terapinë për zëvendësimin e hormonëve dhe operacionin për ndërrim të seksit, por Lendi e gjeti veten në një situatë ku psikologes iu desh t’i shpjegonte terminologjinë dhe çështjet transgjinore, që ajo pastaj t’ia shpjegonte këtë nënës së tij. Po kjo ndodhi edhe kur u takua me psikiatrin e spitalit. Derisa psikologia ishte kurreshtare të merrte vesh më shumë për çështjet transgjinore ndërsa Lendi i jepte të dhëna të ndryshme, ajo nuk e kishte idenë se çdo të thotë të jesh transgjinor. Lendi thotë se psikiatri nuk ia doli ta ruajë formalitetin profesional dhe e trajtoi atë me dhembshuri.

Pa asnjë mbështetje themelore në Kosovë për personat trangjinorë, ky proces i vështirë bëhet edhe më i ndërlikuar për personat që kalojnë nëpër të. “Duke filluar nga gjërat themelore, siç janë psikologët dhe psikiatrët [të cilët] nuk janë në dispozicion [me mbështetjen e duhur] në Kosovë”, thotë Morina. “Pastaj, [është edhe] terapia hormonale — përveç se është i kushtueshëm, procesi është poashtu i dhimbshëm. Pavarësisht dëshirës së dikujt për ta ndërruar seksin në mënyrë që të jetë në vijë me identitetin e tyre gjinor, procesi prapëseprapë do të jetë trondits derisa personat të adaptohen me pjesët [e tyre] të reja të trupit”.

Morina gjithashtu e përmend mjedisin në Kosovë dhe brengat e personave transgjinorë të cilët kalojnë nëpër tërë tranzicionin, se si do të pranohen ata. “Ne mund të jemi të rrethuar me persona mendjehapur, por përsëri do të jetë shokuese ta shohësh dikë për 20 vjet dhe pastaj një person i ri të shfaqet përpara”, thotë ai. “Është tronditëse për të gjithë, dhe Kosova, fatkeqësisht, nuk ofron kurrfarë kushtet [të përshtatshme] për komunitetin transgjinor. Koncepti i ‘kushteve [të mira]’ [bile] as që ekziston”.

Lendi, megjithatë, përfudimisht e ka gjetur psikologun me të cilin ndihet rehat dhe po e pret dritën e gjelbër për të nisur procedurat e tjera. Ai e pranon se do t’i duhet të udhëtojë jashtë vendit për të filluar me proceset e operacioneve, por tash për tash së paku e ka parasysh se ai është një prej pak personave transgjinorë fatlumë në Kosovë i cili e ka mbështetjen e plotë të familjes së tij.K

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO