Blogbox | Politika

Si të (mos) bësh fushatë politike

Nga - 12.09.2017

Disa këshilla para zgjedhjeve lokale.

Kam prirje t’i marr shumë për zemër çështjet e ndryshme në Kosovë, siç është me gjasë rasti me të gjithë njerëzit që janë lindur ose kanë jetuar këtu dikur.

Veçanërisht jam e interesuar për zgjedhjet e ardhshme lokale në tetor, kryesisht për shkak se shumë çështje të cilat kanë ndikim direkt në jetën e qytetarëve në bazë ditore janë kompetencë e drejtpërdrejtë e qeverive lokale. Këtu përfshihen buxhetet të cilat caktohen për t’i trajtuar problemet me të cilat përballen qytetarët, për çështje të cilat ndikojnë në jetën dhe përvojat e qytetarëve.

Si ligjëruese e lëndës Studime Mediale, Kulturore dhe të Gazetarisë, dhe person që ka dhënë mësim dhe ka kryer hulumtime në Kosovë, sigurisht se më intereson shumë e gjithë kjo.
Jam gjithashtu e lumtur që kandidatët e rinj – veçanërisht disa të cilët më parë ishin pjesë e shoqërisë civile – po garojnë për pozita të kryetarëve të komunave të ndryshme. Ndoshta nga paaftësia për ta kontrolluar ngazëllimin tim, në të kaluarën u kam ofruar këshilla atyre që kanë garuar, e më vonë jam penduar shumë.

Më duket se në përgjithësi në Kosovë legjislacioni është i strukturuar mjaft mirë, edhe pse sigurisht gjithmonë ka hapësirë për përmirësime. Megjithatë, ligji shpeshherë anashkalohet, dhe kur i pyesim politikanët dhe kandidatët e rinj, ata shpeshherë distancohen nga legjislacioni.
Shpeshherë e kam vërejtur se kandidatët dhe ata që mbajnë pozita zyrtare kanë tendencë të japin mendime personale për çështje të ndryshme, edhe kur i pyet për legjislacion dhe ligje specifike ekzistuese. Kësisoji, edhe profilet në rrjete sociale përdoren për të krijuar opinion publik (ndoshta nuk është aq e befasishme prej daljes së Trumpit dhe të periudhës së pasvërtetës), për të fituar vota e për të legjitimuar veprime të ndryshme, si dhe për t’i delegjitimuar shqetësimet e qytetarëve për çështjet të cilat mbesin të pazgjidhura.

Pra këto janë 10 pikat e mia për atë se Si të (mos) bësh fushatë politike në Kosovë.

  1. Nëse mendon se është i rëndësishëm angazhimi i votuesve në një demokraci të shëndoshë, atëherë përdore profilin e Facebook-ut për të postuar opinione personale për çështje të ndryshme, në vend se t’i referohesh legjislacionit ose të dhënave të mbledhura nëpërmjet metodologjive të qëndrueshme, pa marrë parasysh se kjo është e barasvlershme me gënjeshtër, dhe se me gjasë je duke e thyer ligjin.
  2. Përdore profilin në Facebook për të postuar sa më shumë, bile edhe Twitter-in, ose çfarëdo platforme tjetër. A flasin më njerëzit ballë për ballë me elektoratin a?
  3. Kur të flasin ekspertët për një temë, më së miri thuaju se e ke mendimin tënd dhe se nuk ta ndin për hulumtime të cilat janë të bazuara në dëshmi ose për struktura ligjore për të cilat po të pyesin.
  4. Nëse të pyesin për shpenzime dhe buxhet, shpik sende prej vetes aty për aty.
  5. Nëse dikush të bën edhe më shumë presion duke të pyetur për ndonjë çështje, atëherë fol për ‘fëmijët’ ose ‘të varfrit’ dhe nevojat e tyre, edhe nëse nuk lidhet si temë, ose nuk është i pamundshëm trajtimi i dy problemeve njëkohësisht.
  6. Nëse del në TV për t’iu përgjigjur pyetjeve, mundohu t’i delegjitimizosh pyetjet dhe shqetësimet duke aluduar se është diçka që: a) nuk mund të zgjidhet ose b) është shumë e ndërlikuar dhe kështu nuk mund ta kuptojë audienca, ose c) gjeje një mënyrë për ta fyer intelegjencën e elektoratit.
  7. Nëse dështojnë krejt këto, mbledhi mbështetësit tuaj dhe mbështetësit e tyre që t’i kthehen atyre që nuk pajtohen me ty ose të shtrojnë pyetje të vështira, dhe t’i etiketojnë si jopatriotikë, ose të korruptuar, ose si persona të partive politike kundërshtare. E preferueshme është t’i bësh këto në rrjete sociale, për ndikim maksimal.
  8. ‘Parja e Bën Burrin’, a ndoshta ‘sjelljet’? Sidoqoftë, fushata nuk e paguan veten. Sigurohu të gjesh donatorë të fshehtë të cilët janë super të pasur, por edhe super të korruptuar, dhe më së miri, të lidhur me Serbinë dhe Rusinë.
  9. Kujtoje faktin se është shumë e rëndësishme si dukesh në media dhe si të mbulojnë ato. Nëse duhet të takohesh me donatorë të fshehtë dhe të korruptuar, mos e bëj gabimin t’i lejosh mediat të të fotografojnë bashkë me ta.
  10. Nëse dështon gjithçka tjetër, thjesht ndiqe Trumpin në Twitter. Atëherë mëson gjithçka që të duhen për të zhvilluar një fushatë politike në një demokraci të shëndoshë!

Ilustrimi: Kosovo 2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO