S`fundmi | Zgjedhjet2017

Koalicioni PAN vazhdon bojkotimin e Kuvendit

Nga - 14.08.2017

Dështon edhe përpjekja e pestë për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit.

Siç është bërë thuajse traditë në javët e fundit, koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) sot (e hënë, 14 gusht) përsëri vendosi të mos marrë pjesë në seancën e vazhduar fillestare të Kuvendit të Kosovës. Është hera e pestë prej kur nisi seanca fillestare më 3 gusht që koalicioni PAN së bashku me 20 deputetë që i përfaqësojnë komunitetet pakicë zgjodhën të mos marrin pjesë. Mungesa e vazhduar e tyre po e parandalon zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, lëvizje e nevojshme për të nisur procesin e formimit të qeverisë.

Vetëm 53 deputetë, të gjithë të Lëvizjes Vetëvendosje ose të koalicionit LDK-AKR-Alternativa (LAA) ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit. Ky numër nuk ishte i mjaftueshëm për të arritur kuorumin e nevojshëm (61 deputetë) për të mbajtur seancë votimi. Megjithatë, pa praninë e PAN-it nuk mund të mbahen seanca votimi për shkak të një vendimi të diskutueshëm që e mori Gjykata Kushtetuese në vitin 2014 për t’i dhënë partisë ose koalicionit më të madh të drejtën që të parët ta propozojnë kandidatin/en për Kryetar të Kuvendit.

Koalicioni PAN vazhdimisht ka refuzuar të marrë pjesë në seancën fillestare, duke thënë se i duhet më shumë kohë për konsultime. Ata gjithashtu kanë akuzuar Vetëvendosjen për kapje të Kuvendit duke përdorur Adem Mikullovcin – kryesuesin e seancës fillesatre – për qëllime partiake; Mikullovci e ka këtë rol meqë është deputeti më i moshuar.

Fotografia: Eraldin Fazliu / K2.0.

Kritikët i kanë vënë në dyshim justifikimet e PAN-it për mungesën e tyre, duke theksuar faktin se ky koalicion që prej fundit të zgjedhjeve vazhdimisht ka deklaruar se ka mbështetje të mjaftueshme për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit dhe për të formuar qeverinë. Ata thonë se koalicioni PAN është duke e vonuar procesin meqë nuk i ka votat e mjaftueshme për ta siguruar rolin e Kryetarit të Kuvendit për kandidatin e tyre të supozuar, liderin e PDK-së, Kadri Veselin.

Të dielën, ambasadat e shteteve tê Quintit – gjegjësisht Ambasada e SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë – publikuan një deklaratë të përbashkët nëpërmjet së cilës thanë se janë të “shqetësuar me situatën e vazhdueshme politike në Kosovë”, si dhe theksuan që “formimi i këtyre institucioneve është përgjegjësi e liderëve të Kosovës”. Ata gjithashtu thanë  duhet të jepen propozime konkrete në mënyrë që të shohim progres në këtë situatë.

Deklaratën e përfunduan me këtë fjali: “Parim fillestar i rëndësishëm është që deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës duhet të marrin pjesë në seanca të Kuvendit, në mënyrë që të mundësohet funksionimi i tij”.

A ka alternativë?

Pasi u konfirmua që nuk ka kuorum në seancën e mbajtur sot në mëngjes, Mikullovci e hapi foltoren për fjalime të deputetëve të pranishëm.

Glauk Konjufca i Vetëvendosje e kritikoi vendimin e PAN-it për mospjesëmarrje në seancë, duke deklaruar se “është tipike për ta”. “Ku është problemi? Është shumë e thjeshtë. Ata nuk i kanë numrat as për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, e as për ta formuar qeverinë”, tha ai. “PAN-i operon me logjikë totalitare: ‘Ose ne jemi në pushtet, ose nuk ka alternativë’”.

"Pyetja ime për deputetët e komuniteteve jo-shumicë është kjo: Pse po e bojkotoni seancën e Kuvendit - çfarë arsye keni?”

Sami Kurteshi

Si Konjufca ashtu edhe kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, e mirëpritën deklaratën e ambasadave të Quint-it. Hoti tha se “i fton qartë deputetët që t’i përmbahen detyrave të tyre kushtetuese, dhe të jenë të pranishëm në seancë”. Ai shtoi se kjo situatë nuk mund të vazhdojë, dhe se LDK-ja do të mundohet të organizojë një diskutim me partitë tjera në ditët në vijim, para se ta çonte këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese.

Arben Gashi i LDK-së e ofroi një alternativë tjetër të mundshme, që Kuvendi të synojë zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të Kuvendit, e ta funksionalizojë këtë institucion edhe në mungesë të PAN-it. Megjithatë, Mikullovci reagoi duke thënë se kjo do të ishte shkelje e Rregullave Procedurale të Kuvendit, meqë votimi për kryetarin dhe zëvendëskryetarët e Kuvendit bëhet njëkohësisht.

Sami Kurteshi i Vetëvendosjes pyeti se pse deputetët e partive që i përfaqësojnë minoritetet po mungojnë kur ata janë të obliguar të marrin pjesë në seanca dhe t’i përfaqësojnë interesat e komuniteteve të tyre. “Deputetët e komuniteteve joshumicë nuk janë formalisht pjesë e PAN-it”, tha ai. “Megjithatë, ata asnjëherë nuk e kanë qartësuar qëndrimin e tyre, dhe pyetja ime për deputetët e komuniteteve joshumicë është kjo: Pse po e bojkotoni seancën e Kuvendit – çfarë arsye keni?”

Një “takim për konsultim” që u kërkua nga PAN-i u caktua nga Mikullovci për të mërkurën (16 gusht). LAA-ja konfirmoi që do të marrë pjesë në këtë takim, por Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk do të marrë pjesë, meqë diskutimet duhet të mbahen brenda sallës së Kuvendit. Mikullovci u tha deputetëve se e vetmja pyetje që do t’i shtrohet PAN-it është: “Kur do të jetë PAN-i i gatshëm të marrë pjesë në seancë dhe ta zgjedhë Kryetarin e Kuvendit?”K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.