Në thelb | Të drejtat e punëtorëve

DISPOZITAT E PUSHIMIT TË ATËSISË PO I PËRJASHTOJNË BABALLARËT KOSOVARË

Nga - 16.06.2016

Roli i babait në kujdesin e fëmijës kryesisht shpërfillet.

Para gjashtë viteve, kur Kadri Gashi ishte 27 vjeçar, ishte i vendosur që të ishte pranë partneres së tij kur u lind e bija e tij, Olta. Megjithatë, stafi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nuk e lejojë që të ishte i pranishëm në dhomën e lindjes, pavarësisht faktit se gratë e familjes u lejuan të hynin.

Sot Gashi kujton ngjarje tjera të jetës që e bënë atë të vetëdijshëm për paragjykimet e ndryshme ekzistuese, sa i përket gjinisë në shoqërinë kosovare: Habia e gjinekologut me faktin se Kadriu dhe bashkëshortja e tij nuk i vënin rëndësi seksit të foshnjes; ose mënyra se si edukatori në kopshtin e fëmijëve ku shkonte e bija e tij, u transferua në pozitë menaxhuese (që nuk përfshin kujdesin për fëmijë), pas presionit dhe paragjykimeve të drejtuara kah ai nga prindërit, të cilëve u dukej e çuditshme që të ishte një burrë për edukator.

Përvoja të tilla e kanë nxitur Gashin që të angazhohet në punë që synon sfidimin e stereotipeve tradicionale gjinore që janë të rrënjosura në shoqërinë kosovare. Tash e tre vite, ai është koordinator i projektit Young Men Initiative (YMI – Nisma e Burrave të Rinj) në Kosovë, projekt ky i udhëhequr nga Care International dhe Peer Educators Network (PEN), që organizon fushata kombëtare që promovojnë ‘atësi pozitive’. Si aktivist, ai mundohet të përkrahë dhe të rris ndërgjegjësimin për rëndësinë e pushimit të atësisë, dhe praninë e babait në javët dhe muajt e parë të jetës së një fëmije.

“Tani po e presim fëmijën e dytë… dhe do të mundohem të jem i pranishëm kur bashkëshortja ime është duke lindur”, thotë Gashi. “Dua të jem aty… të insistojë dhe të jem shembull që edhe në spitalin publik të Prishtinës, baballarët mund të përfshihen. Në të njejtën kohë, do të mundohem të rris ndërgjegjësimin e baballarëve [që edhe ata ta bëjnë të njejtën gjë]”.

Kadri Gashi është koordinator i projektit Young Men Initiative (Nisma e Burrave të Rinj) në Kosovë, që synon të promovojë 'atësi pozitive'.

Kadri Gashi është koordinator i projektit Young Men Initiative (Nisma e Burrave të Rinj) në Kosovë, që synon të promovojë ‘atësi pozitive’.

Ka shumë hulumtime që tregojnë se pjesëmarrja e gjithanshme e etërve në jetët e fëmijëve kontribuon shumë në mirëqenien dhe lumturinë e të dy palëve, fëmijëve dhe prindërve. Pushimi i atësisë konsiderohet si veçanërisht i rëndësishëm për promovimin e mirëqenies së fëmijëve, si dhe barazisë gjinore në shtëpi, punë dhe shoqërinë e gjërë. Në këtë aspekt, politikat ekzistuese në lidhje me pushimin e atësisë që rregullohen nga Ligji i Punës në Kosovë ofrojnë qasje që është larg nga të qenit gjithëpërfshirëse ndaj prindërisë.

Në bazë të Nenit 49 të Ligjit aktual të Punës, që i referohet pushimit të lehonisë, nënat aktualisht kanë të drejtë për 12 muaj pushim: Punëdhënësit janë të obliguar që të paguajnë 70 përqind të rrogës gjatë gjashtë muajve të parë të pushimit; qeveria paguan tre muajt e ardhshëm, në vlerë të 50 përqind të rrogës mesatare në Kosovë; tre muajt e fundit mund të merren pushim pa pagesë. Ndërkohë, etërit kanë të drejtë për vetëm tri ditë pushim të atësisë, por nënat teknikisht mund t’i transferojnë te etërit gjashtë muajt e fundit të pushimit të tyre të lehonisë. Deri në dy javë pushim pa pagesë mund të merren nga babai në periudhën para ditëlindjes së tretë të fëmiut.

"Është e padrejtë që ligji i detyron baballarët që të jenë larg fëmijëve të tyre gjatë një periudhe shumë të rëndësishme për të dy palët".

Qerim Ondozi

Zyrtarët nga MPMS thanë për K2.0 se, edhe pse nuk kanë të dhëna për kërkesa të pushimit të atësisë – marrëveshje direkte në mes të punonjësit dhe punëdhënësit – deri sot nuk ka pasur asnjë kërkesë që të transferohet pushimi nga nëna të babai. Kështu barra kryesore e kombinimit të kujdesit për fëmijën me sigurinë e punës i bie nënave, që kryesisht shihen si personat e vetëm përgjegjës. Roli i babait dhe dëshira e mundshme e tij për t’u përfshirë në procesin e kujdesit për fëmijë po përjashtohen gjerësisht.

Në 2013, MPMS nisi të bënte amendamente për Ligjin e Punës, me synimin e shprehur për të rritur pjesëmarrjen e grave në tregun e punës. Edhe pse ky projektligj i ri përmban ndryshime në pushim të lehonisë, nuk ka ndryshime të propozuara në lidhje me pushimin e atësisë.

Gashi beson se legjislacioni duhet të merr parasysh dispozitat që do ta zgjasnin edhe pushimin e atësisë. “Institucionet duhet ta marrin si obligative, si e drejtë themelore e një babai”, thotë ai. “Pra ai [babai] mund ta ndajë atë kohë me partneren, dhe të jetë pjesë e kujdesit familjar”.

Atësi pozitive

Sipas raportit të vitit 2016 nga Care International “Gjendja e Baballarëve të Botës, Ballkan”, pushimi i lehonisë është hap jetik drejt njohjes së rëndësisë së ndarjes së përgjegjësive në lidhje me kujdesin ndaj fëmijëve. Ai raport gjeti se në Mbretërinë e Bashkuar, tetë deri në 12 muaj pas lindjes së fëmijëve të tyre, baballarët që morrën pushim të atësisë kishin 19 përqind më shumë gjasa që të merrnin pjesë në procese si të ushqyerit e fëmijës ose të zgjohen gjatë natës për t’u kujdesur për fëmijën, në krahasim me ata që nuk morrën pushim.

Raporti gjithashtu gjeti se pushimi i atësisë duket se lidhet me shëndet të përmirësuar të nënave – shëndet mendor – dhe stres të reduktuar të prindërve. Baballarët e angazhuar dolën të kenë ndikim të njejtë në fëmijë si nënat; përfshirja e baballarëve lidhet me shfaqje të zhvillimit më të mirë kognitiv dhe ndjeshmërisë te fëmijët, si dhe shkallë të përmirësuar të mësimit dhe aftësi më të mira sociale.

Kadri Gashi dhe e bija e tij janë shfaqur në postera që promovojnë atësi pozitive, si pjesë e një fushatë për të ndihmuar thyerjen e stereotipeve tradicionale gjinore për 'mashkullorësi'.

Kadri Gashi dhe e bija e tij janë shfaqur në postera që promovojnë atësi pozitive, si pjesë e një fushatë për të ndihmuar thyerjen e stereotipeve tradicionale gjinore për ‘mashkullorësi’.

Në Kosovë, ku rolet gjinore janë të ndara në mënyrë strikte, kohëzgjatja e pushimit të atësisë vetëm mund t’i shtohet barrës dhe mundimeve të përditshme të nënave të reja.

Qerim Ondozi, një burrë i ri që jeton në Prishtinë, u bë baba në dhjetor. Si Gashi, edhe ai ishte me fat, e i kaloi javët e para pranë fëmijës të tij të sapolindur; Ondozi bëri marrëveshje me punëdhënësin e tij që të merr pushim një muaj. Ai konsideron se kujdesi për fëmijën e tij menjëherë pas lindjes i mundësoi atij që të zhvillojë lidhje speciale me foshnjen. “Është e padrejt që ligji i detyron baballarët që të jenë larg fëmijëve të tyre gjatë një periudhe shumë të rëndësishme për të dy [palët]”, thotë ai.

“Mendoj se është tepër e rëndësishme që baba me qenë pjesëmarrsë në periudhën fillestare, por po më duket që ligjvënësit që e kanë shty përpara këtë punë nisen prej faktit që ne jemi familje të mëdha tradicionale, dhe që të gjitha nënat i kanë 10 apo më shumë veta [gra] pranë vetës”, thotë Ondozi. “Por ata po e harrojnë faktin se ka prindër të ri që jetojnë vetëm. Nuk mund ta përfytyrojë se si një nënë e re mund të merret me të gjitha gjërat që kërkohen në bazë ditore, duke filluar nga ushqyerja me gji, përgatitja e ushqimit, larja e foshnjes, e gjithë… kujdesin intenziv që kërkohet nga nënat”.

Kjo pikëpamje ndahet edhe nga Linda Gusia, sociologe dhe ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, që tha për K2.0 se dispozitat aktuale të pushimit të atësisë prej vetëm tre ditësh i fuqizojnë ndarjet gjinore dhe pikëpamjet tradicionale që babai duhet të jetë “autoritar” dhe “i largët” në jetën e fëmiut.

Përballja me qasje të tilla patriarkale tek burrat me të cilët takohet ai në bazë ditore ka ndikuar në aktivizmin e Gashit, që thotë se marrja e pushimit të atësisë shpesh perceptohet si diçka që shtyp maskulinitetin e tyre; vet miku i Gashit është përqeshur nga shokët e tij pasi morri pushim nga puna për të qenë pranë fëmiut të tij të sapolindur.

Ekspertët si Besnik Leka i Care International Kosovo besojnë se përmirësimi i dispozitës së pushimit të atësisë në Kosovë mund të ketë ndikim pozitiv në fëmijë, familje dhe shoqëri, duke reduktuar diskriminimin gjinor.

Ekspertët si Besnik Leka i Care International Kosovo besojnë se përmirësimi i dispozitës së pushimit të atësisë në Kosovë mund të ketë ndikim pozitiv në fëmijë, familje dhe shoqëri, duke reduktuar diskriminimin gjinor.

Aktivisti koleg i Gashit në YMI, Besnik Leka nga Care International, tha për K2.0 se pjesëmarrja e burrave si prindër në një shtet patriarkal si Kosova do të ketë ndikim të rëndësishëm në sfidimin e normave strikte shoqërore. “Marrja e pushimit të atësisë dhe kalimi i kohës me fëmijën në shumë raste mund të rezultojë që baballarët të fillojnë të ndajnë më tepër emocione të cilat ndoshta më parë asnjëherë nuk i kanë shfaqë për shkak të frikës se kjo i’u cenon maskulinitetin dhe mund te gjykohen nga shoqeria, thotë Leka. “Dhe kjo në të njejtën kohë do të ishte nismë e mirë për baballarë tjerë, ngase në disa raste ata nuk e përdorin këtë të drejtë, për shkak të frikës nga paragjykimi nga shoqëria. Baballarët e parë që fillojnë ta marrin dhe gëzojnë këtë pushim… do ta shtrojnë rrugën që shumë të tjerë ta bëjnë të njejtën gjë”.

Ndikimi ekonomik

Përmirësimi i dispozitave të pushimit të atësisë mund të ketë ndikim të rëndësishëm në reduktimin e diskriminimit në baza gjinore në tregun e punës. Vitin e kaluar “The Economist” raportoi se mes tjerash pushimi i lehonisë është i mirë për karierat e grave. “Kur përgjegjësitë e kujdesit për fëmijë bien ekskluzivisht tek nënat, rrogat e grave do të ndikohen. Koha larg tregut të punës i privon ato nga përvoja dhe ngritja në pozitë. Kur burrat e mbajnë mbi vete një pjesë më të madhe të barrës së kujdesit për fëmijë, ky ndikim pakësohet”, shkruan në raport. “Këto ditë, më shumë qeveri po fillojnë të besojnë se mënyra më e mirë për të përmirësuar perspektivat e grave në karrierë është të kthehen kah etërit”.

"Kur babai angazhohet rreth punëve të shtëpisë, si dhe në karierë, dhe kur nëna angazhohet në karierë, si dhe në shtëpi, atëherë fëmija do të mësojë për rëndësinë e angazhimit të barabartë".

Besnik Leka

Megjithatë, me rishqyrtimin aktual të Ligjit të Punës, MPMS si duket po e anashkalon këtë mundësi. Nën amendamentet e propozuara të MPMS, pushimi i atësisë është i paprekur, ndërsa propozohet që pushimi i lehonisë të reduktohet nga 12 muaj në nëntë.

Kur i bënë propozimet për pushim të lehonisë, Ministria u ndikua pjesërisht nga një raport i vitit 2012 nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, që konkludoi se neni për pushimin e lehonisë është barrë për bizneset e Kosovës, dhe kështu shkakton diskriminim drejt grave kur ato aplikojnë në vende të reja pune. Megjithatë, shumë OJQ të të drejtave të grave thanë për Kosovo 2.0 vitin e kaluar se propozimet e reja duket se i favorizojnë bizenset, e jo nënat.

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) argumenton se zgjatja e pushimit të lehonisë është e rëndësishme për të adresuar rolet tradicionale gjinore në shtëpi dhe në shoqëri, për të rritur pjesëmarrjen e grave në treg të punës, dhe për të adresuar diskriminimin aktual drejt etërve. Pas një kërkese nga MPMS për informata mbi hartimin përfundimtar të Ligjit të Punës, RrGGK publikoi një dokument në maj, ku i propozoi amendamentet e veta.

Për ta plotësuar edhe më shumë raportin e tyre, në tetor RrGGK organizoi një anketë në 21 komuna përgjatë Kosovës, me të cilin i pyeti burrat e moshave 18-50 se sa kanë dëshirë të kenë pushim të atësisë; shumica thanë që kanë dëshirë t’u zgjatet dispozita e pushimit të atësisë. Prej 374 burrave të anketuar, 126 thanë se preferojnë që pushimi i atësisë të zgjatë 4 ditë deri në një muaj, 77 thanë se preferojnë një deri në tre muaj, dhe 49 thanë se preferojnë dispozitën aktuale, një deri në tre ditë.

Iliriana Banjska, një prej autoreve të dokumentit, tha për K2.0 se RrGGK rekomandoi që të dy prindërit të kenë nga tre muaj pushim, të paguar në vlerë 80 përqind të rrogës së tyre të zakonshme nga punëdhënësit e tyre përkatës; pushimi i nënës të merret menjëherë pas lindjes së fëmiut, e i babait kurdo gjatë vitit të parë të jetës së fëmiut. Tre muaj shtesë do të mbuloheshin nga shteti në vlerë 50 përqind të rrogës mesatare në Kosovë; kjo do të mund të merrej nga cilido prej dy prindërve, ose të ndahej mes të dyve. Pastaj do të mund të merreshin edhe tre muaj pa pagesë, nga cilido prind, ose të ndaheshin mes të dyve.

“Ky model i lejon familjet që të vendosin se çfarë është e dobishme për ta, financiarisht dhe praktikisht”, thotë Banjska. “Inkurajimi i pushimit të atësisë nëpërmjet kësaj nismeje financaire do t’i mundësojë grave që të kthehen në punë më shpejtë, dhe kështu të mos rrezikojnë të mbesin pa punë, e të marrin rrogë më të ulët, ose të jenë të demotivuara kur të kthehen në punë”.

Leka argumenton se po të përmirësohej dispozita e atësisë në Kosovë, do të reduktonte presionin mbi baballarët për të siguruar të hyra adekuate për familje, burrat do të mirrnin më shumë pjesë në kryerjen e punëve të shtëpisë dhe kujdesin për fëmijë, dhe mbi të gjitha do të kishte ndikim pozitiv në të ardhmën e fëmijëve.

“Fëmija do të rritet me dy role modele”, thotë Leka. “Kur babai angazhohet rreth punëve të shtëpisë, si dhe në karierë, dhe kur nëna angazhohet në karierë, si dhe në shtëpi, atëherë fëmija do të mësojë për rëndësinë e angazhimit të barabartë, dhe e njëjta gjë do të ketë mundësi të ndodhë me partnerët e fëmijëve në të ardhmen”.K