Biseda | Feminizmi

Paula Petričević: Nuk duhet të presim të ndodhë diçka që shoqëria të bëhet më e ndërgjegjshme për të drejtat e grave

Bisedë për Feminizmin në Ballkan (Pjesa 7) — Feministja, aktivistja dhe profesoresha nga Kotori flet rreth nevojës për të mos i lënë ëndrrat klerike të krahut të djathtë të bëhen ankthi jonë i përbashkët.

Në fushën e feminizmit global, viti 2017 do të kujtohet për lëvizjen #MeToo.

Kjo nismë, e themeluar në SHBA pas skandalit të Harvey Weinstein – në të cilin prodhuesi i njohur i filmave është akuzuar për ngacmime dhe sulme seksuale kundër dhjetëra grave – u përhap në shtete të tjera, duke bërë që qindra e mijëra gra të thonë publikisht “me too” (“edhe unë”… jam viktimë e ngacmimit), për ta theksuar faktin se dhuna seksuale është problem i përhapur dhe serioz. Revista Time e shpalli lëvizjen “me too”, apo ato që e “thyen heshtjen”, si person të vitit.

Ndonëse “me too” arriti edhe Ballkanin, shtetet në këtë rajon ende përballen me beteja të ndryshme. Disa nga temat e theksuara nga aktivistët feministë në Ballkan janë e drejta për abortim, përfaqësimi i grave në pozita të vendimmarrjes, prania e grave në politikë dhe dhuna kundër grave.

Në një seri të Bisedave, K2.0 ka folur me disa prej feministeve më të shquara në rajon për zhvillimin dhe gjendjen aktuale të feminizmit në shtetet e tyre përkatëse dhe problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen.

Në intervistën tonë të shtatë dhe të fundit në serinë  BisedëpërFeminizmin në Ballkan, K2.0 foli me një prej feministeve dhe aktivisteve të pakta malaziase që vazhdimisht janë aktive, me profesoreshën e filozofisë Paula Petričević, që është anëtare e organizatës ANIMA – Center for Women’s and Peace Education, dhe është gjithashtu Ombudsperson në gazetën e përditshme Vijesti.

Foto: Dušan Vuleković.

K2.0: Si perceptohet sot fjala feminizëm nga qytetarë të zakonshëm malazias, qoftë mashkull apo femër? A është kjo ende një fjalë që shkakton shumë rezervime?

Paula Petričević: Ekziston një pikëpamje e përgjithshme dhe disi e vjetruar për feminizmin që lidhet me inerci, dhe ky është shkaktari më i madh i frikës. Unë besoj shumë se feminizmi është kryesisht i kufizuar edhe te gratë, edhe te burrat, sepse nuk e dinë se çfarë simbolizon feminizmi.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë se nuk ka anti-feministë të vërtetë, të cilët e perceptojnë me të vërtetë feminizmin si ‘ideologji gjinore’ që ka për synim t’i shkatërrojë marrëdhëniet, familjet dhe vlerat tradicionale. Si kontrast, në kohët e fundit në Mal të Zi, feministët janë perceptuar sikur kanë zë më të qartë dhe më të artikuluar në lidhje me të drejtat e riprodhuese, të drejtat e njerëzve LGBT, e kështu me radhë.

Do të thoja se perceptimi i sotëm për feminizmin është diçka më pozitive dhe shumë më mirë e prezantuar se para 10 apo më shumë vitesh. Ka gjithnjë më shumë gra, veçanërisht të reja, të cilat nuk hezitojnë ta identifikojnë veten si feministe. Sidoqoftë, vullneti për ta identifikuar veten si feministe nuk ka shumë kuptim nëse nuk jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi për ndryshim, dhe në afat të gjatë, për punën e rëndë dhe shpeshherë frustruese që vjen me të.

Për mua feminizmi kurrë nuk ka qenë vetëm përpjekje për të arritur barazi gjinore, por ka qenë lufta kundër të gjitha formave të shtypjes, mënyrë që do të na ndihmojë të bëhemi njerëz më të mirë të cilët e kanë guximin për të ëndërruar për një botë më të drejtë, njerëz që punojnë për të arritur, në çfarëdo vendi dhe kohe në marrëdhëniet që i ndërtojmë me njerëzit, praktikat që duhe të rimendohen dhe ndryshohen, të drejtat që duhet të forcohen dhe për të cilat duhe të luftojmë dhe dituria që duhet të prodhohet dhe shpërndahet.

Feminizmi nuk mund të mbetet në nivelin e qëndrimit deklarativ, ‘stilit të jetës’ apo pozës që i përputhet imazhit tonë. Feminizmi është luftë dhe lufta është, në shumë raste, jo e rehatshme dhe jo e këndshme, por ndonjëherë na kaplon një hare e pashembullt.

Të flasim për sistemin patriarkal  sa është i fuqishëm në Maqedoni?

Edhe pse nuk lëvdohet dhe festohet më plotësisht në mënyrë të koordinuar, sistemi patriarkal ende është shëndosh e mirë në Mal të Zi. Mjafton ta shohim përqindjen e grave që kanë pasuri të patundshme dhe ai numër mezi e arrinë një qerek gratë janë pronare të 4 përqind të shtëpive, 8 përqind të tokave, 14 përqind të shtëpive të pushimit, dhe 9.6 përqind të bizneseve.

Gratë diskriminohen prej para lindjes. Dëshmi e tmerrshme për këtë është mosbalancimi në numrin e të porsalindurve djemë dhe vajza 110 [djem për] 100 [vajza]   që rezulton nga abortimet selektive dhe nga zbulimi i hershëm i seksit para lindjes dhe zgjedhja e gjinisë së dëshiruar mashkullore të fëmiut, siç u theksua nga Fondi për Popullsi i OKB-së, që e sjelli në vëmendje të publikut nëpërmjet fushatës që u zhvillua vitin e kaluar Women’s Rights Center, #Neželjena [#Padëshiruar].

"Nuk ka dyshim se sistemi patriarkal ende i jep formë në mënyrë sovrane realitetit të jetëve të grave në Mal të Zi".

Nuk ka dyshim se sistemi patriarkal ende i jep formë në mënyrë sovrane realitetit të jetëve të grave në Mal të Zi. Ndryshimet e mira ndodhin gradualisht – në fakt të irriton fakti se sa të ngadalshme janë – por duhet ta dimë se, si rregull, ato ndodhin në grupe qe veç se janë të privilegjuara.

Pra është jetike ta kemi parasysh gjithmonë ndërthurjen e boshteve të ndryshme të diskriminimit dhe ta aplikojmë një qasje ndërseksionale për ta kuptuar shtypjen dhe fytyrat e shumta të saj që e thellojnë privimin e grupeve më të prekshme që margjinalizohen në shumë mënyra, ku shkelja e të drejtave është shumë e shpeshtë dhe thuajse e padukshme.

Pak ose hiç ka diskutime për të drejtat e grave, por shpeshherë njerëzit shprehen për nevojën për t’i ruajtur ‘vlerat tradicionale familjare’. Më shpesh dëgjojmë diskutime për kufizimin e të drejtës për abortim dhe ‘mbrojtjes së jetës së fëmiut para lindjes’. Obligim i kujt është ruajtja e atyre pak të drejtave që i kanë gratë në Mal ë Zi?

Nuk pajtohem se gratë kanë pak të drejta. Për shembull, ligji garanton të drejta të barabarta sa i përket trashëgimisë. Fakti se trashëgojmë shumë më pak në krahasim me burrat do të thotë se të drejtat nuk përdoren plotësisht, dhe kjo qartë konfirmohet nga të dhënat.

Sigurisht, të drejtat kurrë nuk janë siguruar një herë e përgjithmonë, dhe ato gjithmonë rrezikohen. Fillimisht, po i referohem cenueshmërisë gjithnjë më të madhe të të drejtave të punës, femizimit të punëve që paguhen pak dhe varfërisë, dhe gjithashtu thirrjeve sporadike për t’i kufizuar të drejtat riprodhuese të grave, që nuk duhet kurrë të pranohen.

Theksi mbi ‘vlerat tradicionale familjare’ nuk është diçka e re dhe zakonisht shkon dorë për dorë me klerikalizimin e shoqërisë. Në Mal të Zi, në këtë kuptim kemi një situatë më ndryshe se në shtetet tjera të ish-Jugosllavisë në Mal të Zi nuk ka unitet brenda besimit më të madh, besimit ortodoks [krishtërizmit].

Mendoj se ishim me fat në fatkeqësinë e ndarjeve tona të mëdha dhe idiotike, të cilat ironikisht, në këtë rast të caktuar, na shpëtuan, për shembull, nga arsimi religjioz në shkolla. E re është lufta kundër ‘ideologjisë gjinore’, që është pjesë thelbësore e programit të elementeve të sapoformuara politike, partive të reja që po e përdorin këtë platformë për ta profilizuar veten në skenën politike malaziase, duke vepruar si alternativë emancipuese e elitave të korruptuara politike që e kanë varfëruar rëndë vendin dhe e kanë futur atë në borxhe.

"Nuk duhet të presim ‘të ndodhë diçka’ për t’i bërë shoqëritë më të ndërgjegjshme — luftë mund të ndodhë".

Nëpërmjet retorikës nxitëse të fashizmit, ata po i mbështesin vlerat e ‘familjes së zakonshme malaziase’ dhe janë për masa të rënda pro natalitetit që përveç se e kufizojnë të drejtën për abortim, përfshijnë edhe ‘ndihmë për çifte për ta financuar gjithë procesin e fekondimit artificial’.

Këto masa zakonisht janë reciprokisht ekskluzive, për shkak se dallojnë në qasjen e tyre ndaj premisës bazike të politikave pro jetë – shenjtëria e jetës që nis me lindjen – pra është një pyetje e rëndësishme për nivelin e mbrojtjes që mund ta gëzojë embrioni në procesin e fekondimit artificial. Por këto dhe mospërputhje të ngjashme logjie nuk i shqetësojnë shumë mbrojtësit e shumtë dhe të flaktë të ‘vlerave tradicionale’ në Mal të Zi, përderisa me to fitojnë pikë të lira politike.

Hipokrite është të mbështetemi në aktivistë ‘që gjithmonë janë në detyrë dhe të zgjuar’, që e mbikëqyrin fushën jostabile të lirive që i kemi fituar, sepse përgjegjësi e të gjithë atyre që nuk e mbështesin këtë vizion për të ardhmen është të sigurohen që ëndrrat klerikale të krahut të djathtë nuk bëhen ankthi jonë i përbashkët.

Me sa duket, gjuha dhe kuotat e ndjeshme ndaj gjinisë, për të cilat flitet por të cilat nuk përdoren, kanë qenë rezultati më i madh që është arritur sa i përket çështjes së barazisë për gratë në shoqëri. A mendoni se është e mundur ta bëjmë një hap përfundimtar dhe konkret dhe çfarë duhet t’i ndodhë shoqërisë malaziase për t’u bërë më e ndërgjegjshme?

Nuk duhet të presim ‘të ndodhë diçka’ për t’i bërë shoqëritë më të ndërgjegjshme luftë mund të ndodhë.

Paradoksalisht, luftërat ishin pika të kthimit sa i përket të drejtave njerëzore të grave. Ende do kishim qenë duke pritur për një kohë të gjatë për të drejtën e përgjithshme për të votuar po të mos kishte ndodhur Lufta për Çlirim Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, luftërat e 90-ve kthyen tradita [të caktuara] dhe ripatriarkalizimin në rajon. Dhe plaçkitjen e shekullit, sigurisht. Nuk mësuam asgjë, nuk morrëm përgjegjësi, e as nuk u ballafaquam me të kaluarën. E përdorim harresën si mekanizëm të mbrojtjes, edhe pse është primitiv dhe i përkohshëm, sepse i mbledh traumat pa i procesuar, pa i integruar, traumat që janë ruajtur mbi njëra tjetrën, duke pritur një shkëndijë që i shpërthen të gjitha, kryesisht ato që janë më të dhimbshme.

Nuk mund të presim të vijë apo të ndodhë liria; liria kapet, dhe më mirë është kur bëhet pa u mbështetur në kataklizma. Në atë kuptim, roli i arsimit është jetik, ndonëse kurrë nuk e ka përjetuar një krizë të madhe si sot. Profesioni [i mësimdhënies] është turpëruar dhe keqësuar, dhe pasojë e kësaj është zhurma e vazhdueshme në horizontin e të ardhmes, që ende nuk është i qartë.

Sidoqoftë, nuk ka mënyrë tjetër pos arsimimit të vazhdueshëm, dhe nuk duhet të jetë vetëm formal që nuk do të thotë se sistemi formal i arsimit duhet t’i lihet burokratëve që po kryejnë eksperimente të pakontrolluara sociale përgjatë gjeneratave. Pra përsëri, përgjegjësi kolektive dhe individuale.

Foto: Dušan Vuleković.

Pasi gratë e fituan të drejtën për të votuar, Mali i Zi nuk pati pikë të kthimit apo valë… apo diçka të ngjashme pas së cilës gratë u bënë më të forta. Përkundrazi, ato diskriminohen dhe degradohen në të gjitha sferat dhe kjo është më e dukshme në fushën e të drejtave sociale dhe të punës. Si e komentoni këtë?

E kishim mundësinë për t’i bërë pika të kthimit disa pika të caktuara. Nuk e kishim kapacitetin për ta bërë këtë. Ta marrin shembullin e të ashtuquajturave protestave të nënave që kanë ndodhur prej fundit të vitit 2016 dhe vazhdojnë edhe sot.

Pas ndryshimit të Ligjit për Përkujdesje Sociale dhe ndaj Fëmijeve në vitin 2015, nënat e tre apo më shumë fëmijëve që kishin qenë të punësuara për 15 deri në 25 vjet kishin të drejtë të marrin pagesë 70 euro, apo 40 përqind të rrogës mesatare në Mal të ZI. Shumë gra dolën në pension apo e lanë punën duke e përdorur këtë kompensim, duke e parë këtë si rrugëdalje nga situata katastrofike ekonomike.

Ligji ishte i gabuar në disa mënyra, sepse e ripatriarkalizonte pozitën e grave si prind primar dhe i ‘shpërblente’ post festum nëpërmjet pensionit kombëtar. Kundërshtimi ndaj miratimit të këtij ligji nga organizatat joqeveritare të grave nuk pati efekte serioze, përveç tjetërsimit të mëtejmë të grave nga lëvizja e grave, nëse ekziston një e tillë në Mal të Zi.

Menjëherë pasi hyri në fuqi, buxheti i 2017 parashihte një reduktim 25 përqind të këtyre përfitimeve, para se të shfuqizohej ky honorar më vonë gjatë vitit, i shpallur si jokushtetues. Organizatat e grave i mbështetën kërkesat e nënave dhe luftën e tyre për të drejtat e tyre [të reja por jo të përkryera] që i fituan e i humbën. Ato u mbështetën edhe nga disa aktivistë të sinqertë dhe nga disa mbledhës të pikëve politike. Të tjerët nuk i mbështetën.

E gjithë kjo sagë i ka gdhendur stereotipet më toksike për ‘nënën malaziase’, kur ka mundur të bëhet simbol i emancipimit të papritur të gjithë shoqërisë. Ndoshta është koha për ta pranuar se nuk është ende koha e duhur. Disi nuk mund ta pranoj.

E zakonshme është të dëgjojmë kritika për gratë që janë të pamartuara dhe nuk kanë fëmijë, më shumë se për gratë e martuara. Por njëkohësisht sulmohen edhe kur janë nëna dhe për shembull, nuk ushqejnë me gji thuhet se janë tepër a po pamjaftueshëm të përfshira në jetët e fëmijëve të tyre, kanë tepër shumë ambicie që nuk lidhen me familjen… Disa nga këto qëndrime mund t’i atribuohen mendësisë së një qyteze të vogël, por a është vetëm ajo?

E përmenda këtë më parë, në vend se të jetë nxitës për ndryshim, ky ligj qesharak dhe shfuqizimi edhe më qesharak i tij, e përforcoi imazhin normativ të nënës ideale, asaj që jep jetë dhe ja mohon vetes jetën, zbatueses, asaj që e rikrijon sistemin që e shtyp vet atë, roli epror nëpërmjet të cilit ajo njihet përfundimisht, duke e detyruar çdo grua t’i nënshtrohet biologjisë së saj dhe të reduktohet deri në biologjinë e saj që shoqëria e pranon dhe e feston. Nuk është mendësi e qytezës, është shtypje.

"Nëse nënat tona nuk na lënë një pasion për jetë dhe për liri, në çfarëdo gjuhe që kanë folur, ato nuk na lënë shumë".

Amësia është zgjedhje. Duhet të jetë zgjedhje e sinqertë e gruas. Unë jam nëna që gjithmonë kam dashur ta kem dhe me të vërtetë e kisha një grua revolucionare në atë rol, e cila u largua, duke bërë hapa të mëdhenj nga modeli me të cilën është rritur. Ajo ishte një grua e cila më ka mësuar të luftoj nëpërmjet sukseseve dhe dështimeve të saj, në vende ku ajo nuk luftoi, apo në vende ku ajo luftoi në anën kundër së cilës do të luftoja unë sot. Ende jam duke mësuar prej saj, edhe pse ajo nuk është më këtu.

Nëse nënat tona nuk na lënë një pasion për jetë dhe për liri, çfarëdo gjuhe e folin, ato nuk na lënë shumë. Unë jetoj me një trashëgimi të pasur që ende jam duke e zubluar, duke u munduar ta bëjë botën më të mirë për të dyjat – po të ishte ende këtu – për të gjitha nënat dhe vajzat dhe familjarët e tyre që ndonjëherë janë aleatë e ndonjëherë të uritur për gjak.

Sa i përket problematizimit të grave në media, duket se kjo ndodh më së shpeshti për shkak të dhunës në familje. Megjithatë, kur ka vrasje, kur një partner e vret një gra, kjo ende rregullisht trajtohet si krim i pasionit. Si mund ta ndryshojmë ndërgjegjësimin e shoqërisë në këtë aspekt?

Dhuna ndaj grave është me gjasë ajo që ka rezultuar në ndryshime pozitive sa i përket të drejtave njerëzore të grave. Kam përshtypjen se kemi mësuar diçka për përgjegjësinë e të ashtuquajturës dhunës në familje dhe për arsyet për justifikimin e saj.

Mediat janë instrumenti më i fuqishëm për krijimin e opinionit publik. Në këtë kuptim, ato gjithashtu kanë përgjegjësinë përfundimtare për mënyrën se si raportojnë dhunën me bazë gjinore. A kërkojnë mediat rrethana lehtësuese, duke justifikuar veten? A i romantizojnë vrasësit për qëllimin e përfitimit apo luftës për mbijetesë, pa marrë parasysh mjetet përgjatë procesit?

Trajtimi i jetëve të grave si burime të përdorshme nuk duhet të jetë më alternativë; nuk mund t’i ushqejmë më trupat tonë me patriarkinë e ruajtur nga Cerberus, xhelozia e të cilit do të thtoë se çfarëdo mospajtime me dekretet e vendosura dhe rolet gjinore do të përdoret si alibi për shfrytëzimin e grave.

Vrasjet e grave janë dhuna e vërtetë që pretendon të drejtën për të vendosur për jetët e grave që refuzojnë të binden. [Këto gra] duhet të ekzistojnë, pavarësisht vullnetit të kujtdo tjetër.

Mediat kanë obligim të mos bëjnë më justifikime dhe të mos e eufemizojnë më këtë dhunë që është toleruar dhe normalizuar për një kohë tepër të gjatë.K

Kjo është biseda e shtatë dhe e fundit e intervistave në serinë tonë ‘Bisedë për Feminizmin në Ballkan’, që trajton gjendjen e feminizmit në rajon.

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën malaziase.

Foto kryesore: Dušan Vuleković.