Pikëpamje | Drejtësi

Pse njerëzit nuk reagojnë kur të tjerët janë në rrezik?

Nga - 13.07.2017

Vështrim mbi efektin e kalimtarit dhe gjasat që ligji t’i rrisë intervenimet.

Para dy javësh, në qytetin e Gjilanit ndodhi një ngjarje shumë fatkeqe. Një i moshuar ndërroi jetë si pasojë e shëndetit të dobët, temperaturave të larta dhe mungesës së gatishmërisë së njerëzve për t’u ndalur dhe për t’i ndihmuar.

Situata ishte si në filma — ku të ligët kalojnë pranë dhe e lënë viktimën të vuajë, duke e shikuar dhe duke qeshur me të, megjithëse kalimtarët nuk qeshën, por mezi e kthyen kokën që ta shikonin. (Po, e kam parë xhirimin).

Tragjedia pastaj u përcoll me zemërim, dëshpërim dhe reagime të cilat u përhapën kryesisht nëpër media sociale. Megjithatë, ishte e qartë se njerëzit u prekën nga kjo ngjarje dhe tragjedia, si e tillë, pati ndikim në shoqëri dhe tërhoqi shumë vëmendje. Sistemi i drejtësisë gjithashtu u përfshi në këtë rast falë asaj që parasheh Kodi Penal i Kosovës.

A ka më shumë gjasa që njerëzit të ofrojnë ndihmë kur këtë e shohin si obligim, e jo si rezultat i vullnetit të mirë?

Kjo ngjarje nxiti diskutimin e shumëpritur në lidhje me moralin e njerëzve dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar, duke përfshirë edhe detyrimin e tyre ligjor për ta bërë një gjë të tillë. Diskutimin e kam përcjellur nga afër pa qenë pjesë e tij, dhe rrjedhimisht në këtë artikull kam dashur t’i shtjelloj dy çështjet kryesore: (mos)gatishmërinë për të ndihmuar, të shpjeguar përmes efektit të kalimtarit, dhe detyrimin ligjor për të ndihmuar.

Cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet ndërmjet këtyre dy çështjeve dhe a ka më shumë gjasa që njerëzit të ofrojnë ndihmë nëse atë e shohin si obligim dhe jo si vullnet i mirë? Kjo, natyrisht, nuk është pyetje për të cilën do të jepja përgjigje — por është diçka për të cilën të gjithë duhet të pyetemi e të mendojmë vazhdimisht.

Efekti i kalimtarit

Efekti i kalimtarit është koncept shumë i njohur sociologjik i cili është përdorur gjerësisht edhe në fushën e kriminologjisë. Ideja e këtij koncepti është se njerëzit u ndihmojnë të tjerëve më shumë kur janë vetë sesa kur janë të pranishëm edhe kalimtarët tjerë. Ky koncept është ndërtuar përgjatë viteve, por faza e tij e parë nis me punën klasike të vitit 1968 të Darley-it dhe Latane-it.

Nëse jo në baza ditore, atëherë në baza javore e mujore jemi dëshmitarë të lajmeve për viktimat, qoftë të krimeve apo të aksidenteve, të cilëve nuk u ofrohet ndihma e nevojshme, përkundër faktit se aty ka pasur shumë kalimtarë rasti e të cilët kanë qenë në gjendje të ofrojnë ndihmë. Por ky nuk është skenari i vetëm ku ndodh efekti i kalimtarit. Nëse e marrim një shembull nga jeta jonë e përditshme, ta zëmë kur dikujt i bie një libër apo diçka tjetër nga dora, verëjmë se gjasat janë më të vogla që njerëzit t’i ndihmojnë personit ta marrë librin nëse aty ka njerëz tjerë të pranishëm.

Kjo gjithashtu u provua me hulumtimin e Latane-it dhe Dabbs-it më 1975. Me fjalë të tjera, pavarësisht nëse dikush është viktimë e krimit apo e aksidentit, apo thjeshtë ka nevojë për ndihmë sepse diçka i ka rënë nga dora, të gjitha llojet e kërkesave për ndihmë vihen në pikëpyetje si rrjedhojë e efektit të kalimtarit.

Për të kapur sadopak kuptimin e asaj që është efekti i kalimtarit dhe atë që e shkakton këtë efekt, duhet t’i hedhim një sy ‘vlerave normative’ të sjelljeve njerëzore; me fjalë të tjera, dhe nëse e përshtatim konceptin të cilin e përdorë Hart dhe Miethe, ky është vlerësim i përbashkët i sjelljes së duhur dhe sjelljes jo të duhur në një kontekst të caktuar shoqëror.

A do të ishte epilogu ndryshe po të kishte kaluar atypari vetëm një kalimtar?

Si sociologët ashtu edhe kriminologët, për llojet e ndryshme të sjelljeve kriminale dhe konvencionale, kanë shpjegime të gjata e të përhapura normative — të gjitha këto gjenden në gati çdo aspekt të jetës sonë të përditshme, duke filluar nga rregullat e sjelljes në komunikacion, mirësjellja, rregullat e lojës fer, e kështu me radhë.  

Me të drejtë, rregullat e ndryshme normative hynë në fushën e sjelljes së ofrimit të ndihmës. Normat precize të sjelljes së ofrimit të ndihmës provojnë të japin shpjegime për shpeshtësinë, si dhe nivelin e intervenimit të kalimtarit në kontekste të caktuara sociale.

Shpjegimi zakonisht jepet si ngurrim. “Ta shikosh punën tënde” është definitivisht një prej ngurrimeve të menjëhershme normative i cili ka zënë vend në jetën tonë të përditshme dhe shërben si një prej pikëpyetjeve të rëndësishme për vendimmarrje kur gjendemi në rrethana të paqarta. Për shkak se fundja, gati të gjithë kalimtarët janë të painformuarit të cilët nuk e kuptojnë plotësisht situatën dhe nuk e kapin njëmend tërësinë e natyrës qoftë të grindjes (kur flasim për një rrahje, ta zëmë) qoftë të ngjarjes tragjike.

Të menduarit racional në situata si këto ka gjasa të zbehet përkohësisht si rezultat i paqartësisë së papritur të rrezikut potencial. Në këto rrethana, rregulla normative e “ta shikosh punën tënde” bën që shumë kalimtarë ngurrojnë të përfshihen dhe me shumë gjasa vazhdojnë tutje.

Pyetja e cila lind në lidhje me rastin e Gjilanit është se a ka pasur kjo ndikim që njerëzit të vendosin të mos ndalen dhe t’i ndihmojnë të moshuarit? A ishte kjo sepse shoferët panë që aty kishte këmbësorë dhe konsideruan se dikush do të ndalej e t’i ndihmonte? A ishte sepse këmbësorët panë që kishte shumë vetura dhe kamionë në rrugë dhe konsideruan se dikush që në fakt kishte mundësi për ta transportuar do të ndalej t’i ndihmojë? A do të ishte epilogu ndryshe po të kishte kaluar atypari vetëm një kalimtar?

Mënyra më e mirë për të marrë ndonjë përgjigje nga këto pyetje është duke u mbështetur në hetimin ligjor dhe konkluzionin e tij.

Të mos bësh asgjë është e jashtëligjshme

Përkundër faktit se është tejet e rëndësishme të kuptohet kjo sjellje nga këndvështrimi sociologjik e kriminologjik, korniza ligjore në Kosovë këtë punë e bën edhe më të qartë.

Fakti se Kodi Penal i Kosovës e konsideron mosdhënien e ndihmës si vepër penale dëshmon se efekti i kalimtarit është më shumë se një dukuri sociologjike. Është kjo një dukuri e cila kriminalizohet, dhe njerëzit që e bëjnë atë mund të mbahen ligjërisht të përgjegjshëm.

Kodi parasheh kriminalizimin e mosdhënies së ndihmës në Nenin 191, pika 1, që në mënyrë eksplicite thotë:

Kushdo që nuk i ofron ndihmë personit jeta e të cilit ndodhet në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për veten apo tjetrin, dënohet me burgim deri në një (1) vit”.

Ligji tutje thotë se kur mosdhënia e ndihmës rezulton në vdekjen e personit në rrezik (si në rastin tonë), kryesi (kalimtari në këtë rast) do të dënohet me burgim deri në 8 vjet.

Kjo tregon se në Kosovë ofrimi i ndihmës nuk është vetëm vullneti etik moral e personal, por në rastet e caktuara kjo është e rregulluar edhe me ligj.

Pas ngjarjes tragjike mediat menjëherë e shpërndanë lajmin dhe qytetarët treguan gatishmërinë t’i ndajnë qëndrimet e tyre në lidhje me ngjarjen.

Është fat i keq që u desh një ngjarje tragjike që përfundoi me vdekje të një personi që shoqëria ta kuptonte se dhënia e ndihmës në kalim e sipër nuk është vetëm obligim moral por edhe ligjor.

Deklarata e parë e prokurorit të rastit bëri bujë. Kur u pyet për përgjegjësinë e kalimtarit në lidhje me rastin, përgjigjia e parë e prokurorit ishte të arsyetonte që kalimtari mund të kishte pasur arsye tjera për të mos u ndalur, dhe në këtë mënyrë la të kuptohet se rasti mund të jetë shumë i vështirë për t’u hetuar.

Më vonë, një person u arrestua për mosdhënien e ndihmës për të moshuarin, që është në përputhje me shtjellimin e deklaratës së prokurorit, i cili tani po tregon se hetimi po shkon si duhet dhe se prokuroria po punon për identifikimin e kalimtarëve të tjerë të cilët nuk ofruan ndihmë. Pas shtjellimit të deklaratës, edhe dy persona u vendosën në arrest shtëpiak në lidhje me këtë rast. Ajo që është shumë e habitshme është se prokurori i përmend vetëm ata të cilët drejtonin vetura në rrugë dhe nuk thotë asgjë për personat në rrugë të cilët kaluan pranë të moshuarit dhe nuk u ndalën.

Është fat i keq që u desh një ngjarje tragjike që përfundoi me vdekje të një personi që shoqëria ta kuptonte se dhënia e ndihmës në kalim e sipër nuk është vetëm obligim moral por edhe ligjor.

A nënkupton kjo që njerëzit janë më shumë të prirë t’u ndihmojnë të tjerëve kur ballafaqohen me rrezikun e ndjekjes ligjore, sesa duke u mbështetur vetëm në etikën dhe moralin e mirë, si dhe në ndjenjën e humanitetit?  Kjo është definitivisht çështje e cila vlen të diskutohet, dhe ajo ka qenë pjesë e debateve për shumë dekada.

Nuk është se mund të nxirren përfundime të hatashme kur shkruhet për një ngjarje kaq të ndjeshme dhe tragjike. Ngjarja tragjike në Gjilan ndodhi si pasojë e një sërë faktorësh — e njëri prej tyre është mosdhënia e ndihmës nga ana e kalimtarëve.

Ky rast ka bërë që shumë njerëz ta kuptojnë se dhënia e ndihmës nuk është vetëm kërkesë morale por edhe detyrim ligjor sipas ligjit tonë, ku një person tashmë është arrestuar, dy janë në arrest shtëpiak, ndërsa ky numër potencialisht mund të rritet.

A do të ndryshojnë gjërat me këtë? Nuk jam e sigurtë nëse do të shkoja aq larg. Ajo që di me siguri është rëndësia e përjetimit të lindjes së një vale të re të kërkimit të llogaridhënies nga burimi i duhur — prokuroria — dhe kjo është diçka që duhet të zhvillohet edhe më shumë në shoqërinë tonë.

Mediat dhe shoqëria nuk kanë pritur që ky rast të mbyllet, apo të shkojë në gjykim, që pastaj ta pyesin gjykatësin në lidhje me rezultatin. Ato shkuan te burimi dhe kërkuan përgjigje, duke i edukuar njëkohësisht lexuesit/qytetarit në lidhje me ligjin dhe obligimet e tyre.