Blogbox | Rrëfim

Për Kafkën

Nga - 07.07.2017

Në prag të ditëlindjes së njëzetenëntë.

Kam shkruar titullin dhe rri e pres një heshtje e plotë të zë vend përreth dhomës sime. Ora ka shkuar vonë, është futur në fillimin e ditës tjetër. Jam në prag të ditëlindjes së njëzetenëntë.
Ka kohë që nuk jam ulur të shkruaj për çkado, vetëm të shkruaj.

Këtë herë rrekem të shkruaj për veten time duke u munduar të ndërlidh mendime rreth një shkrimtari që ka ditëlindjen në të njëjtën ditë.

Nuk kam dijen, dhe kështu as guximin e papërmbajtshëm, e as ambicien, t’i bëjë një përmbledhje apo kritikë letrare veprës së Franz Kafkës. Nuk dua të flas për jetën e tij përveç atëherë kur përmes saj disi do të krijoja hapësirë dhe njohje për jetën time.

Dhe, këtu ndalem, topitem, duke mos e patur të qartë se çfarë dua të shkruaj për veten time, në këtë ditëlindje, dhe pse këmbëngul të lidh këtë me shkrimtarin çek.

Pres nga nata e qetë të më bëjë shoqëri pa hile dhe bashkë të shkruajmë disa rreshta të cilët ditën që vjen nuk do të mund t’i shoh me sy. Kur them këtë, nuk mendoj se e teproj. Nëse arrij të shkrihem, kjo mund të ndodh vetëm natën në errësirë dhe qetësi të plotë.

Ditën jam vetëm një zhurmë, drithërimë endacake.

Vazhdoj ngadalë dhe nuk po them gjë. Vetëm sa largohem nga ajo që me titullin e kisha menduar. Jo se atëherë kisha diçka të qartë në kokë.

Rreth një vit e gjysmë më parë, derisa po lexoja Kështjellën, kisha ndjesinë se po nxirrja para vetes kuptimin e kodeve me çka Kafka kishte mbushur tregimin e tij. Kam kaluar momente mahnitjeje duke lexuar atë vepër. E dhimbshme për mua, dëshpëruese, është e vërteta se tani ato momente janë vetëm në kujtesën time. Dhe, nga ajo kohë është venitur fuqia që sillte pastërtia e lidhjes sime me secilën fjalë të veprës derisa e lexoja.

Ishte e pastër lidhja ime me veprën e Kafkës, pasi më herët i kisha ndaluar rreptësisht vetes që të lexoj ndonjë kritikë të dikujt ndaj shkrimeve të shkrimtarit, ndonjë analizë, parathënie apo shpjegime dhënë nga përkthyesit e të tjerët.

Për Kafkën dëgjova gjatë shkollës së mesme, sikurse edhe për disa shkrimtarë të tjerë. Vetëm vite më pas krijova kurreshtjen e duhur që t’i kërkoj thëniet nga ai. Dhe, me thëniet e tija dhe të disa shkrimtarëve të tjerë isha mjaftuar për disa vite.

Atëherë nuk arrija të shihja vallen e paragjykimeve që mendja ime luante me atë dije gjysmake, e edhe më ngusht se aq, për veprat e Kafkës dhe jetën e tij. Nuk them se sot njoh mirë ato, madje shpeshherë dyshoj sinqerisht të kem bërë një hap më lart larg shtresës së vetëkënaqësisë, mbushur me thënie dhe asgjë tjetër.

Sot, nuk pendohem për një gjë. Për atë se nuk kam filluar të lexoj Kafkën, dhe të tjerët ‘të ngjashëm’, shumë më herët.

Gjatë viteve të shkollës së mesme, dhe në studime, dëgjoja dhe njihja bashkëmoshatarë dhe të rinj që përpinin veprat e shkrimtarëve të shumtë të huaj. Flisnin për këtë, komentonin nëpër kafene me një pasion që nxirrte jashtë vetëkënaqësi dhe që përmbyllej në mbrëmje me disa gota alkohol dhe me dëshirën e ripërtrirë që nesër të vazhdohej njësoj.

Unë rrija aty, jo shumë larg tyre, shpeshherë në shoqëri me ta. Dëgjoja, ndonjëherë flisja, jo për librat dhe shkrimtarët. Tërhiqesha, lakmoja, kisha zili, menjëherë më pas nuk kisha zili, largohesha, flisja për diçka krejt tjetër, me të tjerë, dhe pija.

E vetmja e përbashkët që kisha me ata që lexonin ishte pija. Ata pinin dhe lexonin. Unë vetëm pija, flisja dhe endesha.

Nëse do të ndalesha tani, në këtë moment, të shikoj çfarë kam shkruar mësipër nga fillimi, e gjitha do të përfundonte në qesen e hedhurinave. Prandaj po vazhdoj edhe disa rreshta për përfundim.

Thash se nuk pendohem që nuk kam lexuar kur të tjerët, disa prej bashkëmoshatarëve, lexonin pa pushim.

Është e diskutueshme kjo, por unë sot kam bindjen se më ka bërë mirë periudha kohore ‘e vonuar’ kur unë fillova të lexoj Kafkën dhe të tjerët. Kur them se më ka bërë mirë, nuk mendoj në dije, në pozitë, në shkathtësi për të komunikuar, për të kritikuar apo cituar. Jo, asnjë nga këto nuk i gëzoj dhe vështirë se ndonjëherë do të gjej rehati në to.

Ka diçka që Kafka, dhe veprat e tij, kanë shpalosur tek unë. Kohë pas kohe, në një faqe apo thënie shkruar nga ai, mbështjellë me pasigurinë e patjetërsueshme, me drithërimën  nga mosnjohja e të tërës, kur ato kode të fshehura në fjalët më të rëndomta dorëzohen dhe shkrihen, atëherë lartësohet pamje e re. Qafa është lehtësisht më e qëndrueshme, sytë më të theksuar, balli më prezent. Nga afër ndjehet fundi i ‘procesit’. Gjithçka është aty, si më parë, veçse tani është e re. Nuk është dije, nuk është mesazh në fjalë. Është e re dhe mjafton të shihet derisa të mos jetë më, derisa nuk rikthehet ndjekja. K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO