Në thelb | Aktivizmi

Përtërirja e shoqërisë civile në Kosovë

Nga - 16.02.2018

Rruga e ndërlikuar drejt qytetarisë së riangazhuar.

Në janar 2013, institucionet e Kosovës u zunë në një moment të papritur. Rritja disproporcionale e çmimeve të energjisë elektrike nga ana e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) para privatizimit të saj u përball me protesta civile.

  • Qytetarët u nxitën nga një postim i një gazetari në Facebook. Për herë të parë që nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, në hapësirat publike të Prishtinës ndodhi një mobilizim i cili nuk u thirr nga ndonjë parti politike dhe nuk ishte për ndonjë çështje që lidhet me shtetësinë e vendit. Përkundrazi, ai u thirr për të kërkuar shërbime të mira publike.

Një rritje e madhe e çmimeve të energjisë elektrike shkaktoi protestën e parë të udhëhequr nga qytetarët në Kosovën e pavarur. Kjo është një çështje e cila edhe më vonë i ka mbledhur vazhdimisht njerëzit në rrugë për të protestuar. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

“Deri më 2013, veç Vetëvendosja është ndërlidhur me fjalën ‘aktivist’. Aktivisti ka qenë i identifkueshëm me Vetëvendosjen sepse kanë qenë shumë aktivë me jetën publike në Kosovë dhe me të gjitha çështjet që i kanë ngritur”, thotë Rron Gjinovci, i cili tani është drejtor në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).

Prej vitit 2005 kur u themelua si lëvizje politike, protestat masive të Lëvizjes Vetëvendosje kundër komunitetit ndërkombëtar dhe ndërhyrjeve të Serbisë në politika vendore i kishin zaptuar sheshet, rrugët e madje edhe kufijtë, duke u bërë kështu kanali më i fuqishëm për zërat e aktivistëve në vend.

Vet Gjinovci ishte pjesë e Vetëvendosjes deri në vitin 2012. Vetëm një vit më vonë, gjatë mobilizimit kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, ai për herë të parë e gjeti veten të angazhuar në një tubim si aktivist i pavarur.

“Mendoj që ka qenë edhe një ndërtim i një kulture të re e protestimit dhe aktivizmit, që vazhdon edhe sot”, thotë Gjinovci. “Ajo përballet shpesh me sfida për shkak se ende ekziston [mendësia] – që aktivisti duhet të jetë pjesë e një organizate, partie, dhe institucioni politik, formal dhe joformal që i bën pak dëm aktivizmit. Dhe mendoj që në masë të madhe i kemi thyer këto paragjykime”.

Ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Rron Gjinovci, ka vazhduar aktivizmin e tij në vitet e fundit si qytetar i pavarur. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Gjinovci u bë figurë e njohur kur si pjesëtar i Vetëvendosjes e gjuajti me ngjyrë të kuqe rektorin e atëhershëm të Universitetit të Prishtinës, si reagim ndaj kushteve të këqija në institucion kryesor arsimor në Kosovë; ndonëse shumëkush e mbështeti motivin prapa kësaj proteste, ajo gjithashtu shkaktoi polemika, sepse disa e konsideruan këtë veprim si tepër radikal.

Edhe më pas, si aktivist i pavarur, përgjatë viteve ai ka ndihmuar me organizimin e veprimeve dhe protestave të ndryshme, duke u përpjekur t’i ndajë me të tjerët njohuritë e aktivizmit që i kishte mësuar në Vetëvendosje. Por, ai thotë se gjithashtu është munduar vazhdimisht të largohet nga Vetëvendosja duke përdorur në demonstrata fjalime që e përfaqësojnë zërin e shumicës dhe jo të personit që e lexon, dhe duke përjashtuar gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës.

Pavarësisht shkëputjeve nga kjo parti politike, ai thotë se aktivizmi është gjithmonë politik në thelb. “Unë mendoj që nuk mund të jetë aktivizmi jopolitik”, reflekton ai. “Mund të jetë jopartiak, por gjithçka që trajtohet në sferën publike është politike, dhe në këtë rast, edhe aktivisti është politik”.

Përshtatje tranzicionale

Pjesëmarrja civile e Gjinovcit është pjesë e veprimeve shoqërore që adresojnë çështje që shqetësojnë publikun, dhe jo vetëm që e kanë ridefinuar aktivizmin në Kosovë në pesë vitet e fundit, por edhe i kanë  dhënë një dimension krejtësisht të ri shoqërisë civile si tërësi.

I gjithë koncepti i shoqërisë civile është i tillë që përcaktohet dhe perceptohet në forma të ndryshme: si qytetarë dhe organizata të pavarura nga Qeveria që i mbajnë nën vrojtim institucionet, ose bëhen bashkë për një kauzë të përbashkët, në disa raste në formë të një nismeje të bazuar në komunitet – si për shembull, kur bëhen bashkë fqinjët për ta pastruar lagjen.

Në shtetet e Europës lindore, kjo tërhoqi shumë vëmendje pas rënies së komunizmit, pasi që shoqëria civile filloi të shihej si një organizim i qytetarëve dhe i grupeve – qoftë në organizata formale apo joformale – me synim të mbushjes së sferës në të cilën Qeveria nuk kishte më qasje, dhe të ofrimit të një lloj barazpeshe kundrejt institucioneve shtetërore.

“Një prej argumenteve në shkenca politike ka qenë që për t’u krijuar një shoqëri demokratike ka nevojë të krijohet shoqëria civile”, thotë Nita Luci, ligjëruese në Programin për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës, e cila e shtjelloi këtë koncept si studente e antropologjisë në vitet e ‘90-a.

Sociologia Nita Luci thotë se shoqëria civile ka ekzistuar në forma të ndryshme për një kohë të gjatë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Por Luci dhe studiuesit tjerë theksojnë se nga një pikëpamje antropologjike, është gabim të thuash se nuk kishte shoqëri civile para rënies së komunizmit apo socializmit.

“Në fund të viteve të ‘80-a, fqinji të ka treguar kur dyqani është furnizuar me sendet bazike ushqimore dhe ti ke shkuar për t’i marrë. Kjo mund të merret si formë angazhimi për nevoja të përbashkëta”, thotë ajo. “Mund të duket si shembull i thjeshtë, në atë kuptim se çka shoqëria civile sot punon: ligje, komente, protesta. Por edhe në atë përditshmëri kur je i ballafaquar me kualitet të dobët të jetës, dhe mungesë të gjërave esenciale për jetë, kjo mund të jetë shumë e rëndësishme. Të njëjtën kohë ka pasur disidentë, organizime të ndryshme nëntokë”.

Kur u hoq statusi autonom i Kosovës brenda Jugosllavisë në vitin 1989, shoqëria civile u bë pjesë e lëvizjes së rezistencës ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Shërbimet alternative të shëndetësisë, mirëqenies dhe të arsimit – në bashkëpunim të afërt me qeverinë paralele – e zëvendësuan funksionin e ministrive. Por, dekada e shtypjes zor se lejoi shpalosjen e zërave të ndryshëm. Elita politike brenda LDK-së – partisë kryesore politike që udhëhoqi rezistencën paqësore gjatë viteve të ‘90-a – shtypi çfarëdo zëri që kundërshtonte unitetin dhe interesin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës.

Nga viti 1999, komuniteti ndërkombëtar u bë nxitësi kryesor i rindërtimit të shoqërisë civile. Pas lutfës, një prej detyrave të institucioneve të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ishte funksionalizimi i shoqërisë civile. Kjo ishte njëra prej fushave të para që u rregullua me ligj dhe u zhvillua jashtëzakonisht shumë nëpërmjet projekteve të mundësuara prej donatorëve. Kështu, organizatat joqeveritare (OJQ-të) u bënë forma dominuese e organizimit.

Hulumtuesi i fushës së sociologjisë Driton Zeqiri konsideron se mënyra e krijimit të shoqërisë civile nga ana e UNMIK-ut në periudhën e pasluftës ishte problematike sa i përket llogaridhënies. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Driton Zeqiri, hulumtues dhe kandidat për doktoraturë në degën e sociologjisë, e sheh administratën e UNMIK-ut si vazhdimësi të shtypjes së zërave të pavarur. Ai beson se UNMIK-u nuk ishte i interesuar ta shihte shoqërinë civile duke vepruar si kundërpeshë e shtetit, dhe se UNMIK-u vet nuk iu përgjigj nevojave të qytetarëve, por i dha llogari vetëm selisë së tij në Nju Jork.

“Ne kemi pasur një ndërtim të shoqërisë civile prej dikujt tjetër, në këtë rast prej UNMIK-ut, që ka ofruar krijimin e OJQ-ve; ka krijuar infrastrukturën ligjore. Por në thelb, ato OJQ nuk kanë realizuar efektin që e kanë pasur, sidomos në raportin e kundërshtimit të strukturave qeveritare dhe të pushtetit, në këtë rast UNMIK-ut”, thotë Zeqiri.

Por Luci thotë se UNMIK-u megjithatë u sfidua gjatë administratës së tij, veçanërisht nëpërmjet zërit të organizatave që punonin për të drejtat e grave, të cilat kërkonin zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rezoluta 1325 bën thirrje për miratimin e një perspektive gjinore që i merr parasysh nevojat e veçanta të grave dhe vajzave gjatë rimëkëmbjes pas konflikteve, dhe për pjesëmarrje të grave në përpjekjet për paqe dhe siguri.

Luci thotë se duke ngritur zërin e tyre aktivistët e bënë të qartë se UNMIK-u nuk ishte arbitri i vetëm që po e përcaktonte dhe po e formësonte shoqërinë civile në Kosovë, por që tashmë i kishte pasur rrënjët e veta.

“UNMIK-u ka harresë në shumë nivele, për atë se çka ka qenë historia para intervenimit dhe instalimit të tij”, thotë Luci. “Dhe protesta e grave aktiviste dhe tentimet që i bëjnë kundrejt nivelit më të lartë të UNMIK-ut tregojnë moslejim të fshirjes së historisë dhe angazhimit të tyre”.

Ndonëse zërat e aktivisteve hasën shpesh në rezistencë të madhe gjatë procesit të ndërtimit të shtetit – Qeveria miratoi një plan veprimi për zbatimin e Rezolutës 1325 tek në vitin 2014 – OJQ-të feministe gjithashtu kanë kontribuar shumë në formësimin e shoqërisë civile dhe kanë përbërë një pjesë të madhe të pakos së të drejtave të njeriut që janë mbështetur shumë nga organizatat ndërkombëtare gjatë procesit të demokratizimit.

Por diskursi i përhapur publik i të drejtave të njeriut si pjesë thelbësore e shoqërisë demokratike u zhvillua paralelisht me procesin e gjatë të privatizimit që la mijëra njerëz të papunë, duke i kontribuar edhe më shumë varfërisë së përhapur në masë të madhe. Nevojat e ish-punëtorëve dhe mbrojtja sociale e njerëzve të papunë nuk morrën asnjëherë trajtim adekuat, pjesërisht për shkak të historisë së gjatë të ndikimit politik në sindikata, pjesërisht për shkak të interesimit selektiv për të drejtat e njeriut nga ana e donatorëve ndërkombëtarë.

Progresi ekonomik është prioritetizuar në dëm të luftimit të shkeljes së të drejtave të punëtorëve, ndërsa Luci pohon se procesi i tranzicionit nga socializmi në kapitalizëm ka bërë që sindikatat të trajtohen si organizata të cilat me gjasë e rrezikojnë tregun e hapur, dhe që shoqëria civile t’i trajtojë simptomat në vend të shkaktarëve të pabarazisë.

Huti dhe skepticizëm

Derisa vitet e pasluftës u shndërruan në vitet e pavarësisë, nocioni i shoqërisë civile në Kosovë shpeshherë u pa gjithnjë e me më shumë skepticizëm.

Një arsye për këtë ka qenë kalimi i zërave të rëndësishëm të opozitës nëpër parti politike dhe Qeveri; sot, në mesin e ministrave, këshilltarëve, kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve të lartë qeveritarë ka shumë njerëz që dikur ishin zëra kritikë brenda mediave dhe organeve të tjera që kërkojnë llogari nga Qeveria.

“Sigurisht kjo rrallëherë ka rezultuar në bashkëpunim më të madh”, thotë Venera Hajrullahu nga Fondacioni Kosovar i Shoqërisë Civile (KCSF). “Pjesa më e madhe e liderëve që dikur ishin pjesëtarë të shoqërisë civile tash janë bërë politikanë tipikë, të gllabëruar nga sistemi i mbyllur i politikave partiake, pa ndikim real në vendimmarrje ndërkombëtare”.

Drejtoresha e KCSF-së, Venera Hajrullahu, thotë se OJQ-të u shumuan pas luftës, në një kohë kur kishte kërkesë të madhe për rindërtim. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Hajrullahu thekson se kalimi nga një sektor te tjetri nuk është domosdoshmërisht problematik, por mungesa e progresit si rrjedhojë e kësaj ka kontribuar në një perceptim që shumë liderë të shoqërisë civile e përdorin atë thjesht si hap të karierës politike. “Pra, sa më kritik të jenë ndaj shoqërisë civile, aq më e lartë iu ofrohet pozita nga partitë rekrutuese politike”, thotë ajo.

Por është edhe një faktor tjetër, ndoshta edhe më rrënjësor, që ndikon te mosbesimi ndaj shoqërisë civile në Kosovë: Në masë të madhe, nocioni ‘shoqëri civile’ është shkrirë me OJQ-të dhe kështu është lidhur në mënyrë të pakthyeshme me arritjet e tyre – por veçanërisht me dështimet e tyre.

Kjo ide përforcohet nga mediat dhe misionet ndërkombëtare në Kosovë. Gazetarët në debate televizive i përmendin përfaqësuesit e OJQ-ve vetëm kur përdorin termin ‘përfaqësues të shoqërisë civile’, dhe stafi i misioneve e bën të njejtën gjë në takime dhe ngjarje të ndryshme.

Ç’është e vërteta, në shumë mënyra OJQ-të e kanë dominuar sektorin e shoqërisë civile pas rritjes masive në numra pas luftës, dhe sot ekzistojnë më shumë se 9,000 organizata të tilla të regjistruara në Kosovë. “Gjatë asaj kohe [menjëherë pas luftës] nevoja për veprim, rindërtim dhe pajtim ishte shumë e madhe, dhe prandaj donatorët e huaj dhanë shumë mbështetje financiare”, thotë Hajrullahu, e cila shpjegon se menjëherë pas luftës fokusi ishte në reagime emergjente, pajtim dhe grupe të margjinalizuara, e pas pavarësisë u zhvendos në promovimin e demokracisë dhe ndërtimin e shtetit.

Pas pavarësisë dhe krijimit të institucioneve të Kosovës, OJQ-të luajtën rol të rëndësishëm duke ndihmuar me politikëbërje dhe hartimin dhe shqyrtimin e legjislacionit; kjo në masë të madhe konsiderohet se e ka ngritur nivelin e transparencës institucionale.

Igballe Rogova thotë se OJQ-të si ajo e saj, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, kanë luajtur rol të rëndësishëm sa i përket ndikimit te pjesët e rëndësishme të legjislacionit. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, shpjegon se si mekanizmat e barazisë gjinore, duke përfshirë Ligjin për Barazi Gjinore dhe Ligjin për Mbrojtje Kundër Dhunës në Familje, u krijuan si rrjedhojë e identifikimit të problemeve nëpërmjet një kombinimi të hulumtimeve në terren, protestave dhe bashkëpunimit me institucione.

“Ne kemi protestuar dhe përsëri Qeveria nuk e ka marrë dhunën në familje seriozisht. Pastaj kemi bërë hulumtime dhe kemi treguar që ajo ekziston. Dhe gradualisht kanë krijuar mekanizma”, thotë ajo. “Ne kemi trokitë aty, ne kemi shtyrë proceset para”.

Gjinovci thekson gjithashtu se një ndër faktorët e përdorimit të gjërë të nocionit ‘shoqëri civile’ si sinonim për OJQ-të është fakti se elementet e tjera të shoqërisë civile po bënin shumë pak.

“Faktori më aktiv për shoqëri civile në Kosovë prej pasluftës kanë qenë OJQ-të”, thotë Gjinovci.

“Mos i ke dëgjuar ndonjëherë akademikët, ose një grup profesorësh, duke ngritur ndonjë shqetësim shumë të rëndësishëm në kohë reale? Ose ndonjë sindikatë? Do të thotë krejt këto faktorët e tjerë të shoqërisë civile kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të heshtur”.

Por ekziston edhe një besim i përhapur që vet OJQ-të nuk kanë bërë sa duhet për ta përdorur ndikimin potencial të tyre, dhe se për shkak të modelit të financimit të tyre, një pjesë e madhe e aktivizmit që ka buruar prej tyre nuk është parë si organike ose si aktivizëm që ka potencial për të sjellë ndryshime sociale.

Linda Gusia, sociologe në Universitetin e Prishtinës, pajtohet se pavarësisht punës së mirë të OJQ-ve, projektet e mundësuara nga donatorët kanë bërë që shumë njerëz t’i shohin OJQ-të me skepticizëm, “që ata që punojnë në OJQ e bëjnë këtë punë vetëm për pare, vetëm për donatorë”.

“Iniciativat e ndryshme që vinë nga qytetarët duhen të jenë më të dukshme. Kjo do ta ndryshonte tërësisht mënyrën se si perceptohet shoqëria civile.”

Driton Zeqiri, studiues në shkenca sociale

Ajo kujton se si para disa viteve, kur ajo punonte bashkë me Lucin në një analizë për trafikimin me qenie njerëzore në Kosovë, OJQ-të ishin të fokusuara në punën me gratë e trafikuara nga vendet e tjera, dhe vetëm më vonë i kanë përfshirë edhe gratë kosovare, “kur donatorët e kanë kuptuar që edhe gratë kosovare janë po ashtu viktima të trafikimit me qenie njerëzore”.

Gusia beson se OJQ-të mund të bëhen më efektive dhe ta përmbushin më mirë rolin e tyre si element i lulëzimit të shoqërisë civile, duke kaluar më shumë kohë larg elementit formal të punës së tyre, si konferencat sterile nëpër hotele, dhe duke u fokusuar në nisma që krijojnë lidhje më të mira me komunitetet të cilat ato i përfaqësojnë.

“Lëvizjet që ata përfaqësojnë duhen të ndërtohen duke krijuar solidaritet dhe ura lidhëse me njerëz që mendojnë njëjtë”, thotë Gusia. “Ti duhesh të krijosh rrjet të simpatizantëve që mendojnë njëjtë si ti, dhe e krijon kështu një lëvizje më grassroot. OJQ-të nuk mund ta izolojnë veten”.

Zeqiri pajtohet se fakti që OJQ-të janë detyruar të punojnë brenda kufizimeve të donatorëve e ka penguar aftësinë e tyre për të qenë zëra kritikë që përfaqësojnë zërat e qytetarëve, dhe se më shumë duhet të bëhet jashtë ambienteve të tilla zyrtare në mënyrë që të vijë në shprehje shoqëria civile.

“Iniciativat e ndryshme që vinë nga qytetarët duhen të jenë më të dukshme”, thotë ai. “Kjo do ta ndryshonte tërësisht mënyrën se si perceptohet shoqëria civile. Dhe do ta kishte efektin që e ka në vendet e zhvilluara; një shoqëri civile që buron nga vet kërkesa e qytetarëve, nga nevojat e tyre, dhe jo sepse dikush tjetër thotë ‘ne kemi problem dhe kemi ardhur ta zgjidhim’”.

Qytetarët bëjnë hapa përpara

Në vitet e fundit, nismat e qytetarëve kanë filluar të rishfaqen pak nga pak në Kosovë.

Një shembull i tillë ishte vala e demonstratave të përjavshme #PROTESTOJ, e organizuar nga një grup i qytetarëve në Prishtinë pas publikimit të bisedave të përgjuara të anëtarëve të kryesisë së PDK-së, në të cilat u zbulua keqpërdorimi i pushtetit për favore personale dhe ndikimi i madh politik te rekrutimet publike.

Në verën e vitit 2016, një valë e demonstratave kundër klientelizmit në Qeveri i sfidoi idetë e strukturimit të protestave të udhëhequra nga qytetarët. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ndonëse vetëm qindra protestues dolën rrugëve, Gjinovci – i cili ishte njëri prej organizatorëve – ende e konsideron si ngjarje revolucionare sa i përket aktivizmit civil. “Kur jemi mbledhur ta diskutojmë protestën në takimin e parë, kemi qenë 30 veta”, thotë ai. “Ka qenë gatitshmëri e madhe e njerëzve që janë të vetëdijshëm politikisht”.

Gjinovci mendon se sfida më e madhe ishte të binden njerëzit të zhvillonin protesta gjatë muajve të verës. “Mendoj që është protesta e parë e organizuar në korrik”, thotë ai. “Në Kosovë i kemi disa parime të trashëguara sa i përket protestës – që nuk bën të organizohet protestë verës, nuk bën gjatë natës. Dhe mendoj që protesta [#PROTESTOJ] e ka thyer këtë tabu”.

Por sa i përket peshës së numrave, demonstratat #PROTESTOJ dështuan të tërheqin mijëra njerëzit që shpeshherë marrin pjesë në protesta të organizuara nga partitë politike, dhe kështu në fund ato u shuan, në vazhdën e bisedave të shumta për ‘apati publike’. Gjinovci thotë se për një kohë të gjatë ka reflektuar për atë se pse nismat e qytetarëve zakonisht nuk tërheqin një numër të madh të njerëzve, dhe ka ardhur në përfundimin se varfëria e përhapur dhe faktorët socio-ekonomik luajnë rol kyç.

“Me numrin e madh të papunësisë, njerëzit shpesh duhen të marrin vendime që janë joparimore, si për shembull, ta  punësojnë vajzën apo djalin [përmes lidhjeve] ose ta mbyllin syrin kur punëdhënësi është duke bërë diçka gabim”, thotë ai.

“Njerëzit ndihen moralisht të përjashtuar nga pjesëmarrja në një protestë ku dënohet ky fenomen. Mendoj se të gjithë duhet të angazhohemi për ta rregulluar këtë defekt dhe për t’u thënë njerëzve se nuk kanë patur zgjedhje tjetër, dhe se gjithmonë është OK të kërkosh llogari nga zyrtarët. Vetëm fakti që paguajmë taksa është arsye e mjaftueshme që duhet të na nxisë të kërkojmë llogari. Sepse në fund të fundit janë paratë tona”.

Pavarësisht këtyre pengesave, në vitet e fundit kemi parë nisma të suksesshme të qytetarëve. E fundit, një protestë e thirrur në Facebook për të kërkuar ajër më të pastër, pas niveleve “të rrezikshme” të ndotjes në Prishtinë, rezultoi me miratimin e një rezolute për adresimin e kësaj çështjeje në Kuvend.

Protesta e fundit e udhëhequr prej qytetarëve në Prishtinë kërkoi që institucionet të veprojnë kundër ndotjes vdekjeprurëse të ajrit. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Një nismë tjetër që ndihmoi duke u bërë presion politikëbërësve ishte ajo e vitit 2016, kur ngeci një zgjidhje për reformimin e sistemit të vjetër të trafikut urban në kryeqytet – çfarë u bë burim i akuzave të ndërsjella në mes Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë. Një grup i qytetarëve nisi një peticion të quajtur “Nënshkruaje Ministër”, duke e nxitur ministrin e atëhershëm të financave, Avdullah Hotin, ta nënshkruante një marrëveshje që e bënte Qeverinë garantuese të një kredie që nevojitej për të blerë autobusa të rinj për komunën e kryeqytetit.

Ky vrull nisi kur aktivisti Krenar Shala në rrjete sociale shprehi frustrimin e tij në lidhje me këtë ngërç, dhe i bëri thirrje Qeverisë ta nënshkruante këtë marrëveshje të kredisë. Postimi i tij tërhoqi vëmendjen e shumë njerëzve, të cilët e nxitën atë ta bënte një eksperiment. Në një postim të ri, ai përsëri i bëri thirrje Qeverisë për ta nënshkruar marrëveshjen, por këtë herë ai i ftoi 100 persona ta pëlqejnë postimin, dhe 10 persona ta shpërndajnë atë. Postimi morri hovi brenda disa minutave, duke i treguar Shalës që shumë njerëz pajtoheshin me mendimin etij.

Nisma e Krenar Shalës, nëpërmjet të cilës kërkonte që politikanët t’i tejkalonin grindjet politike për ta përmirësuar transportin urban në Prishtinë, nisi në mënyrë organike, nëpërmjet një postimi të thjeshtë në Facebook. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Herën tjetër ai e dyfishoi kërkesën e tij për pëlqime dhe shpërndarje, dhe përsëri i tejkaloi caqet – këtë herë u bënë mijëra ndërveprime në këtë postim. Shala e pa këtë si shenjë që njerëzit ishin të gatshëm për të vepruar dhe kështu e nisi një peticion online, i cili pas pak iu dorëzua Qeverisë.

Peticioni erdhi në një kohë kur debatet për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – pikat dominuese të diskutimit për politikanë dhe media në vitet e fundit – po shkaktonin protesta të mëdha të udhëhequra nga partitë politike opozitare.

“Në mes të zhvillimeve të mëdha politike… të gjithë sytë janë të drejtuar tek çështjet e mëdha”, thotë Shala. “Mendoj që iniciativa ka qenë fundamentale sepse nëse qeveria do të kishe pasur të drejtë, nuk mendoj që do të kishim sukses. Momentin kur njerëzit kuptojnë që diçka është e padrejtë dhe fillojnë të organizohen, Qeveria do të veprojë, të paktën sa u përket gjërave më lokale”

“Kur nuk ka hapësira të përbashkëta, pa e thirrë njëri tjetrin për kafe, nuk ka as mundësi të organizimit."

Linda Gusia, sociologe

Gusia pajtohet që aktivizmi social duhet të largohet nga çështjet e mëdha kombëtare dhe të fokusohet në ambientin që rrethon njerëzit dhe rri-marrjen e hapësirës publike.

“Ideja është që duhet ta kthesh lojën në habitusin tënd”, thotë ajo. “Çdo gjë është e ndërlidhur sepse ti nuk mund të merrësh me çështjen e korrupsionit në universitet pa u marrë me korrupsionin në shoqërinë kosovare si fenomen. Por, ideja është të merrësh me atë çka të preokupon ty individualisht, dhe mandej ajo rendidet me çështje të mëdha. Njerëzit duhen të jenë aktivë për sendet për të cilat atyre u’a ndinë”.

Gusia, e cila ligjëron në universitet, thotë se së fundmi, për t’i motivuar studentët e saj për të nisur një intervenim, në vend se t’u kërkonte të shkruanin ese, ajo kërkoi prej tyre të krijojnë një aktivitet brenda hapësirës publike.

Sociologia Linda Gusia shpjegon se projektimi i hapësirave publike luan rol të rëndësishëm në lehtësimin e aktivizmit civil. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ajo mendon se ekzistenca e hapësirave të cilat përdoren prej të gjithë njerëzve është shumë e rëndësishme sepse i bashkon njerëzit që kanë interesa të ngjashme, dhe u mundëson atyre diskutimet për këta interesa, e kështu e zhvillon aktivizmin për një kauzë të përbashkët.

“Gjatë ligjëratave kemi folur se si në Universitetin e Prishtinës nuk ka hapësirë ku studentët mund të ulen, të diskutojnë, të mësojnë. Mënyra se si janë të dizajnuara, edhe në aspektin e hapësirës fizike, i bën që studentët të hynë në klasë, të dalin, dhe kaq”, thotë Gusia. “Kur nuk ka hapësira të përbashkëta, pa e thirrë njëri-tjetrin për kafe, nuk ka as mundësi të organizimit”.

Duke u ndërlidhur me deklaratat e Gusisë, Luci pohon se studentët në Universitetin e Prishtinës duhet të jenë më aktivë sa i përket ngritjes së zërit të tyre, sepse asnjë institucion tjetër publik nuk bashkon më shumë të rinj me prapavija të ndryshme ekonomike dhe shoqërore. Por ajo mendon se në vend që ta ndihmojë këtë ide, Unioni ekzistues i Studentëve po e pengon atë.

“Për momentin hapësira e lëvizjeve studentore është e ngulfatur prej Unionit Studentor, që është kryekëput organizatë paralele politike dhe është e lidhur me njerëz në pozita vendimmarrëse brenda universitetit”, thotë ajo. “Në të gjitha nivelet nuk i përfaqëson interesat më të mëdha të studentave”.

Ndonëse Unioni i Studentëve mbetet joaktiv, shumë studentë dhe grupe të studentëve megjithatë u janë bashkuar nismave të ndryshme gjatë viteve. Një vit pas protestës së parë të nisur nga qytetarët në Kosovën e pavarur, Jeta Rexha, në atë kohë studente në bachelor, iu bashkua studentëve dhe qytetarëve tjerë të cilët kërkuan dhe realizuan dorëheqjen e rektorit të atëhershëm të universitetit, Ibrahim Gashit, pas një skandali të vazhdueshëm për publikimin e shkrimeve ‘akademike’ në një revistë fiktive.

Jeta Rexha nisi aktivizmin si studente e Universitetit të Prishtinës. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Dinamikat e ndërtimit të protestave, akterët e saj dhe efekti përfundimtar, kanë bërë që ajo të mendojë për drejtësinë sociale, agjencinë individuale dhe kolektive, dhe mënyrën si njerëzit mund t’i drejtojnë veprimet e tyre në bashkëpunim me të tjerët. Më vonë, gjatë një diskutimi të organizuar për teoritë gjinore dhe letërsinë, Rexha u takua me njerëz që kishin mendime dhe mendësi të ngjashme.

“Ka qenë hera e parë në një mjedis ku kam mundur të diskutojë ndonjë libër dhe ta kem atë lloj ambienti ku më ka ardhur pak si natyrshëm të bëjë diçka që mendimin tem thjesht ta qes në pah”, thotë Rexha.

Atë vit, ajo ishte e përfshirë në një fushatë të suksesshme për ta larguar librin “Kriminalistika” nga klasat universitare, pasi që përfshinte një paragraf që e shpërfillte peshën e dhunës dhe ngacmimit seksual, duke fajësuar vet viktimat.

Si pjesë të aksioneve të tyre, aktivistët e mbishkruan fjalën ‘seksist’ brenda kampusit universitar, duke iu referuar librit – ky mbishkrim u pastrua menjëherë të nesërmen. “Më ka shtyrë me mendu: A e kanë fshirë sepse e kanë përceptu si ‘vandalizim’, apo fjala ‘seksist’ ka qenë shumë e rëndë për ta për me e përbi?”, kujton Rexha.

“Ndoshta është më mirë të bëhet diçka më të vogël e sporadike që rrin, se sa të forcohet edhe instalohet njëfar mendimi që nuk përbihet aq lehtë”.

Jeta Rexha, aktiviste

Ajo beson se aksionet e vogla kanë fuqinë për të ndikuar ndryshime në afat të gjatë.

“Kanë qenë gjëra të vogla, më sporadike. Nuk ka pasë diçka më lineare, në formë më të organizuar dhe menduar – ka qenë shumë më spontane, por që ka sjellë njëfar debati pak më të thellë e më të gjatë, dhe kjo është shumë mirë”, thotë Rexha. “Ndoshta është më mirë të bëhet diçka më të vogël e sporadike që rrin, se sa të forcohet edhe instalohet njëfar mendimi që nuk përbihet aq lehtë”.

Ndërkohë Gjinovci beson se protestat e qytetarëve në vitet e fundit kanë demonstruar se njerëzit janë të interesuar për çështje sociale dhe ekonomike.

Ai beson se Kosova tani e ka arritur një pikë të ndryshimeve vendimtare, ku rrënjët e një kulture të protestimit janë rindërtuar, dhe ku aktivizmi po fillon të përhapet në qytete të tjera, jashtë kryeqytetit. Ai përmend një protestë që u mbajt në Gjakovë në dhjetor, kur një grup i vogël i qytetarëve u mblodh si reagim ndaj lajmërimit për mundësinë e rritjes së çmimeve të energjisë elektrike për 18 për qind.

“Protestimi është duke u bërë më i mirë për shkak se ka filluar të decentralizohet me ardhjen e gjeneratave të reja që kanë më pak ngarkesa nacionaliste dhe patriotike”, thotë ai. “Ata janë më kërkues ndaj Qeverisë dhe shoqërisë në përgjithësi, për kushtet, dhe për atë çka presin nga shteti dhe shoqëria. Krejt këto janë kombinime interesante që e bëjnë Kosovën të jetë në një fazë shumë dinamike”. K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia Kosova X