ecokosovo
Shkurt | Ambienti

Një fushatë fotografike me fokus në ambient dhe shëndet

Nga - 02.12.2016

#EcoKosovo fushatë për rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit për ambientin nëpërmjet një gare.

Është një shprehje që thuhet zakonisht pasi merr frymë thellë, diçka si “Ah, s’ka me ajrin e mëngjesit!” Kjo shprehje ndoshta ekziston ende, por nuk shkon të përdoret në Kosovë. Me dekada ndotja e shkaktuar nga niveli i madh i industrializimit të parregullt ka patur ndikim serioz në ambientin, sipas disa raporteve dhe studimeve.

Për të përshkruar se sa serioze është bërë kjo situatë, fokusi primar i agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë për pesë vitet e ardhshme do të jetë ambienti dhe shëndeti në relacion me ndotjen e mjedisit.

Fumihiko Tominaga, analist i programit për ndryshime të ambientit në Programin e Zhvillimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNDP) tha për K2.0 se ndotja po ka efekt të dëmshëm ndaj shëndetit të qytetarëve të Kosovës.

“Jetëgjatësia këtu është 10 vjet më e shkurtër se mesatarja e BE”, thotë Tominaga. “Pra ndotja e ajrit po ka ndikim në shëndetin e njerëzve. Ndoshta ngadalë, por prap se prap po e keqëson gjendjen, dhe kjo pasqyrohet në jetëgjatësi”.

Për ta rritur nivelin e ndërgjegjësimit publik për ambientin dhe shëndetin në Kosovë, me 17 nëntor UNDP dhe Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë lansuan një fushatë online të quajtur #EcoKosovo. Pika e fokusit e kësaj fushate është garë e fotografive, ku çdo banor i Kosovës mund të dorëzojë fotografi prej zonave të tyre lokale, që kanë të bëjnë me shëndetin dhe ambientin.

Fotografitë duhet të publikohen në llogari personale në Facebook, Twitter ose Instagram, me thurrjen #ecokosovo, dhe lokacionin ku është bërë fotografia, si dhe një përshkrim të shkurtër për lidhjen e fotografisë dhe atë se si pasqyrohen çështjet e shëndetit dhe ambientit. Afati i fundit për dorëzim të fotografive është 6 dhjetor. Tre fitues do të marrin kamerën e fundit GoPro.

Tominaga tha se nuk ka kërkesa specifike për rezolucion, dhe se pjesëmarrësit mund të përdorin telefonë, telefonë të mençur ose kamera profesionale. “Nuk ka rëndësi përderisa përçohet mesazhi dhe dhe pasqyrimi i ambientit dhe shëndetit”, tha ai, duke theksuar se synimi është që të motivohen njerëzit që t’i shprehin ndjenjat e tyre në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me shëndetin e ambientin.

“Do të na jep gjithashtu një ide të mirë të shqetësimeve të njerëzve”, tha Tominaga. “Më vonë mund t’i përdorim këto fotografi për të treguar që njerëzit në Kosovë i kanë këto shqetësime, ose për t’i treguar sfidat në lidhje me ambientin, sepse këto sfida mund të kenë ndikim në shëndetin e njerëzve”.

Tominaga theksoi se ndotja e ambientit nuk është e rëndësishme vetëm tani, por se fushata për rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit do të jetë e rëndësishme edhe në vitet e ardhshme. “Është çështje shumë urgjente”, tha ai. “Duhet të kemi ndonjë ndërhyrje në këtë fushë”.

ecokosovo-1

Fushata e UNDP është e mbështetur nga vullnetarët e OKB dhe Organizatës Botërore të Shëndetit, ndërsa Trembelat, një kolektiv lokal i dizajnerëve, programerëve dhe aktivistëve, po ndihmojnë me zbatimin praktik.

Për Nita Zeqirin, zhvilluese e programit në Trembelat, fushata është e rëndësishme sepse është kauzë në të cilën beson kolektivi. “Duke marrë parasysh faktin që kemi rrjet të madh të njerëzve, menduam që mund ta shpërndajmë shumë”, tha Zeqiri për K2.0.

Deri më tani, sipas Trembelat, janë postuar rreth 400 fotografi. Zeqiri tha se fotografitë paraqesin gjëra të ndryshme, prej bukurive natyrore e aktiviteteve të ecjeve malore, e deri te bërllogu, ndotja e ajrit dhe ndotja e tokës.

Deri sa fushata është duke u zhvilluar, Trembelat po publikojnë informata në rrjete sociale me fakte dhe të dhëna që kanë të bëjnë me ambientin. “Deshëm që t’i informojmë qytetarët për çështje të ndryshme, si gjendja e ujit, ajrit dhe tokës”, tha ajo.

E gjithë kjo, thotë Zeqiri, është për të siguruar informacione për ambientin dhe burimet natyrore në Kosovë, të cilat kanë nevojë për mbrojtje dhe kujdes, dhe për t’i inkurajuar njerëzit që të zgjohen e të veprojnë.K

Imazhet: EcoKosovo.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO