S`fundmi | DokuFest 2017

Fotografia si art i rrugës

Nga - 07.08.2017

Muret e qytetit të Prizrenit transformohen nëpërmjet fotografisë nga punëtoria e DokuPhoto.

Fotografitë e dokumentojnë thelbin e epokave të ndryshme më mirë se çdo medium tjetër, por janë më shumë se formë e dokumentimit. Ato inkorporojnë vlera artistike – tregojnë histori të pa thëna apo pa shkruara me fjalë. Tani në Prizren fotografitë bardhë e zi do t’i japin gjithashtu kuptim të ri termit ‘art i rrugës’. Një punëtori e DokuPhoto që u mbajt të shtunën dhe të dielën (5 dhe 6 gusht) arriti kulmin nëpërmjet përjetësimit të copave të vogla të historisë shqiptare në rrugët e qytetit.

Kjo punëtori ishte rezultat i një bashkëpunimi në mes të DokuFest dhe Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” të Shkodres, arkiva e së cilit përfshinë fotografi prej Shqipërisë së periudhës 1856-1959. Drejtori i Muzeut, Lucjan Bedeni, tha për K2.0 se “janë tri gjenerata Marubi, një prej periudhës kur Shqipëria ishte nën Perandorinë Osmane, një tjetër kur Shqipëria po i afrohej pavarësisë, dhe një tjetër në periudhën e monarkisë dhe komunizmit”.

Artisti Ergin Zaloshnja, udhëzues i kësaj punëtorie, i zgjodhi disa prej gjithsej 500,000 fotografive të cilat janë në arkivat e Marubit, e pastaj ato u zmadhuan dhe shtypën. Zaloshnja, pjesëmarrësit e punëtorisë dhe një grup i vullnetarëve pastaj filluan që t’i prejnë njerëzit, objektet dhe simboliet për t’i vënë në mure në pika të ndryshme nëpër Prizren.

Pastaj u përzie një kovë me pastë gruri, ngjitës i krijuar prej miellit të grurit dhe ujit. Një shtresë pastë gruri e vënë në mur me brushë të bojës, e pastaj vullnetarët i ngjitën pjesët e prera me kujdes në atë shtresë, dhe vënë edhe më shumë pastë gruri me një leckë, për t’i ngjitur mirë ato për muri. Këto fotografi antike në kombinim me artin e rrugës tani do të mbesin në Prizren dhe do të jenë instalime të përhershme të peizazhit të qytetit.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi, Lucjan Bedeni. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Foto e parë u vendos në murin e Kino Lumbardhit. Ajo foto paraqet një grup muzikantësh të cilët janë duke kënduar. Ky instalacion tregon për rëndësinë e këti lokacioni në lidhje me artin dhe kulturën në Prizren. Por nuk shkoi gjithçka mirë, meqë u përballën me vështirësi e ndërlikime gjatë përpjekjeve për ta ngjitur prerjen në mur, por në fund e rregulluan me pastë gruri. Instalacioni i parë që u krye me sukses u prit me duartrokitje nga grupi i vogël i njerëzve që ishin të pranishëm.

Zaloshnja tha për K2.0 se ishte sfidë për të gjetja e lokacioneve në Prizren meqë nuk e njeh mirë qytetin. “Në fillim ishte problematike sepse nuk e dija se ku ishin vendet më të mira [për ta instaluar artin e rrugës]”, tha ai. “Unë i zbulova këto vende para dy ditëve, sepse isha në Shqipëri”.

Megjithatë, kur punojnë mendjet kreative, zgjidhjet gjinden. Koordinatorja e punëtorisë, Likana Cana, e zbuloi një prej lokacioneve më simbolike në të cilin është vendosur një fotografi historike shqiptare – dhe nuk është xhamia e Sinan Pashës, Kalaja apo ndonjë lokacion tjetër tipik për kartolinat e Prizrenit. “E kemi një fotografi me një nënë dhe dy fëmijë të vegjël në murin pranë së cilit vdiç Xheneta [Gashi] kur u rrëzua shtëpia”, shpjegoi ajo. “Është shumë simbolike”.

Deri sa u vendos instalacioni i dytë në Shtëpinë e Kulturës gjërat veç se filluan të shkojnë shumë më mirë – foto e dytë u ngjit me të parën. Fotografitë e tri grave tani janë elemente thelbësore të kësaj ndërtese. “Kjo është shtëpia e kulturës, e këto gra ishin tri mësuese, dhe pra kjo ishte idea: mësuese dhe kulturë”, tha Zaloshnja shkurtimisht.

Artisti Ergin Zalonshja duke e punuar projektin e dytë të artit të rrugës duke përdorur pastë të grurit. Ai më parë e kishte dekoruar ngjashëm Shkodrën në veri të Shqipërisë. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Synimi i kësaj punëtorie nuk ishte thjeshtë zbukurimi i qytetit. Pjesëmarrësit gjithashtu përfituan duke mësuar një teknikë të re. Grupi bashkëpunonte për të mos i prishur apo grisur fotografitë para se t’i vendosnin në mure. Dashamirët e artit patën mundësi që të shohin nga afër instalimin e një lloji më ndryshe të artit të rrugës. “Personalisht më pëlqen arti i rrugës dhe dua të mësoj më shumë teknika, prandaj kjo punëtori ishte shumë ide e mirë”, tha për K2.0 Sara Rodiqi, studente e arkitekturës dhe pjesëmarrëse në këtë punëtori.

Arti i rrugës i bërë me pastë gruri nuk është diçka e re. Zaloshnja më parë e kishte udhëhequr një përpjekje të ngjashme në Shkodër, veç se aty kishte edhe një aspekt më modern, meqë u inkorporuan efekte digjitale. Rodiqi gjithashtu kishte parë një projekt të ngjashëm me fotografi post-moderniste në Berlin.

Në përmbyllje të punëtorisë, Zaloshnja tha se ishte shumë i lumtur me punën dhe me atë që mbeti në qytetin e Prizrenit. Nuk është i vetmi që mendon kështu. “Mendoj se përshtaten shumë mirë. I japin vendit një atmosferë shumë të mirë sepse është sikur të jesh në një ekspozitë të fotografisë nëpër gjithë qytetin”, tha Rodiqi. “Përzierje e artit të rrugës dhe fotografisë”.

Foto kryesore: Agan Kosumi / K2.0.