Në thelb | Refugjatët

Loja e BE-së me kufij

Nga - 23.02.2018

Kufijtë e mbyllur i kanë sjellë mijëra emigrantë në situatë të pasigurtë në Ballkan.

Amiri, afgan 16-vjeçar, ka udhëtuar drejt Bashkimit Europian për më shumë se një vit e gjysmë. Ai arriti në Serbi i vetëm dhe i pashoqëruar, nëpërmjet linjës tokësore, nëpër Turqi dhe Bullgari, krejt kjo pasi kontrabandistët e kishin mbajtur në Stamboll me javë të tëra, duke ia shantazhuar babain, duke kërkuar që ai të paguante 1,000 euro.

“Ishin afganë”, kujton ai. “Isha aty për 20-25 ditë. Më jepnin ushqim dhe ujë një herë në javë. Kryesisht e kaloja kohën në një dhomë. Kohë pas kohe më rrihnin. Kryesisht më godisnin në shkelma. Nuk më rrihnin çdo ditë, por herë pas here”.

Kur prindërit e tij e paguan haraçin, ata e liruan Amirin: “M’i mbuluan sytë dhe më futën në një veturë, pastaj udhëtuam gjatë… në fund më lanë në një rrugë. Nuk e dija se ku isha, në çfarë qyteti. Pastaj e kuptova që isha në rajonin Zeytinburnu në Stamboll. Aty u takova me disa tipa të tjerë të Afganistanit dhe shkova në Bullgari”.

Foto: Milutin Marković.

Ai kaloi katër muaj në kampin Bosmanci në Bullgari. Por meqë Bullgaria rrallëherë u jep azil afganëve, dhe nga frika e internimit, ai vazhdoi drejt Serbisë. Arriti ta kalonte kufirin në përpjekje të dytë apo të tretë. “Në pyjet e Bullgarisë piva ujë që nuk ishte i mirë”, thotë ai. “Prej atëherë shpeshherë kam dhimbje në veshkë. Doktori më jep antibiotikë, medikamente për dhimbje, dhe pastaj më liron. Dhe kur më dhemb prapë, i tregoj”.

Amiri tani banon në Beograd. Ai po punon si vullnetar në një organizatë që punon me refugjatë për ta kaluar kohën më shpejt në mes të përpjekjeve të vazhdueshme për të kaluar në BE.

Ai është një prej 3,800 personave të cilët aktualisht jetojnë në 5 qendra të përhershme dhe 13 qendra të përkohshme për ndalim në Serbi, sipas të dhënave të Komisariatit për Refugjatë. Vitin e kaluar ishin mbi 8,000 persona. Një pjesë e vogël kanë arritur të kalojnë në mënyrë të ligjshme në Hungari, por pjesa më e madhe nisen drejt ‘kufijve të gjelbër’ – nëpër fusha të Kroacisë apo Rumanisë; disa të tjerë së fundmi janë nisur drejt Bosnjës dhe Hercegovinës, duke u përpjekur të hynë në Kroaci nëpërmjet një linje tjetër.

Kalimi në Hungari është jashtëzakonisht i vështirë për shkak të masave të rrepta të kontrollit në kufi – duke përfshirë këtu rrethoja famëkeqe të larta katër metra – dhe dhunës policore. Situata në Kroaci është e ngjashme. Vullnetarët në terren rregullisht raportojnë dhunë policore në kufi dhe kushtet e tmerrshme të jetesës për këta njerëz, kryesisht të rinj, të cilët jetojnë në zonat kufitare.

Amiri thotë se ka arritur të hyjë në BE prej Serbisë pasi kaloi me sukses në Hungari. Ai kaloi në mënyrë të ligjshme, pasi kishte qenë viktimë e dhunës së kontrabandistëve në Serbi. Disa organizata lobuan për ta përfshirë atë në të ashtuquajturën ‘listë’ e cila mundëson kalimin e ligjshëm të kufirit. Deri sot, 20 persona mund të hynin në Hungari në këtë mënyrë çdo ditë, por tani rregullat kanë ndryshuar dhe vetëm dy njerëz mund të hynë në një ditë.

Kur arriti atje, ai qëndroi për më shumë se një muaj në një kamp të mbyllur të quajtur Roszke – shumëkush e ka krahasuar këtë kamp me burgje.

Ai aplikoi për azil në Hungari, por në fund të vitit 2017 u kthye në Serbi; ai thotë se autoritetet hungareze nuk i besuan kur tha se ishte minator, dhe u përpoqën ta transferojnë në një kamp ku mund t’i kishte kaluar deri në gjashtë muaj, pa mundësi për t’u larguar. Për Amirin dhe shumë të tjerë të cilët janë duke kërkuar jetë më të mirë, kjo është periudhë shumë e gjatë.

Pas përvojës në Hungari, ai bëri 8 përpjekje për ta kaluar ‘kufirin e gjelbër’ për në Kroaci. Megjithatë, secilën herë, siç ndodh me shumë të tjerë që bëjnë përpjekje të tilla – shumë prej të cilëve janë kthyer me forcë në Serbi – policia e parandaloi.

“Nuk fle mirë. Mendoj shumë. Mendoj për prindërit e mi dhe për atë se si do ta kaloj kufirin”, thotë Amiri. “Mirë është në Serbi, por e di se më duhe të lëviz përpara sepse nuk ka të ardhme për mua këtu. Nuk mund të kthehem”.

Foto: Milutin Marković.

Amiri e nisi udhëtimin e tij nga krahina Nangarhar në Afganistanin lindor pasi babai i tij u diagnostikua me një sëmundje, dhe Talibanët, që ende janë në pushtet në këtë pjesë të vendit, nuk e lejuan të punonte dhe ta fitonte bukën e gojës për familjen e tij. Pas një përballjeje me Talibanët, prindërit e tij vendosën ta çonin Amirin në Europë, ku shpresonin se do të jetë i sigurtë.

“Babai im i pagoi kontrabandistët 3,000 euro për të më çuar në Europë. E kam një xhaxha në Belgjikë. Tani ai më dërgon para kohë pas kohe – 100 euro në muaj, apo për disa muaj”, thotë Amiri. “Disa refugjatë këtu blejnë pica, Coca Cola… unë jo. Unë po mundohem të ruaj para për ta provuar një lojë”.

Amiri dhe refugjatët e tjerë u referohen përpjekjeve për ta kaluar kufirin me fjalën ‘lojë’. Një ‘lojë’, me një taksist nga Beogradi deri në Shid apo diku tjetër afër kufirit kroat, kushton nga 50 deri në 70 euro, por çmimet ndryshojnë vazhdimisht.

Ata të cilët kanë ende para shkojnë me kontrabandistët. Të tjerët lëvizin në grupe, të udhëhequr vetëm me GPS. Prej vitit 2015, ata të cilët kanë udhëtuar nga Beogradi kanë gjetur lidhje për të ecur përpara në parkun e Fakultetit Ekonomik. Në një kohë të caktuar, disa herë gjatë javës, grupe me katër apo pesë persona lëvizin në mënyrë të organizuar drejt kufirit serbo-kroat.

Dhuna policore

Prej vitit 2015, kur refugjatët filluan të kalonin masivisht nga Ballkani për në BE, Serbia u bë pikë e rëndësishme e ndalimit në ‘rrugën e Ballkanit’. Pasi BE-ja i mbylli kufijtë në mars 2016, mijëra njerëz ngecën në këtë rrugë. Nëse duan ta vazhdojnë rrugën, ata detyrohen të kërkojnë mënya alternative për të hyrë në BE.

Kufijtë e mbyllur i bënë më të cënueshëm udhëtarët. Ata jo vetëm që janë shpeshherë viktima të kontrabandistëve, por jane po ashtu viktima të forcave policore të shteteve të BE-së, të cilat nuk ngurrojnë të përdorin forcë apo internim të paligjshëm, duke e shpërfillur ligjin humanitar ndërkombëtar i cili parasheh që çdo person ka të drejtë për të kërkuar azil në një shtet në të cilin e gjen veten, pa marrë parasysh mënyrën se si ka hyrë në atë shtet të caktuar, apo faktin nëse posedon dokumente personale.

Në Serbi, refugjatët si Amiri, të cilët nuk kanë kërkuar azil, njihen nga sistemi ligjor vendas si emigrantë të jashtëligjshëm me të drejta për strehim dhe shërbime emergjente shëndetësore. Ligji për të Huajt lejon internimin në shtetin e origjinës, por meqë internimi është i shtrenjtë, Serbia nuk po e internon askë.

Stevan Tatalovic, hulumtues në fushën e migrimit dhe vullnetar në OJQ-në që u ndihmon refugjatëve, Info Park, shpjegoi se prej vjeshtës së vitit 2017, Serbia është bërë qendër prej së cilës emigrantët lëvizin në të gjitha drejtimet: drejt Rumanisë, Bullgarisë dhe Greqisë, apo nëpër Mal të Zi dhe Shqipëri drejt Italisë. “Kërkush nuk do të kishte menduar që këto rrugë janë të mundshme, por kjo ndodhi”, thotë ai.

Në të shumtën e rasteve ata lëvizin në këmbë. Amiri thotë se ai detyrohet të ecë për tri orë nga Shidi deri te kufiri kroat. Nëse arrin ta kalojë kufirin, ai do të ecë nëpër Kroaci dhe Slloveni për pesë apo gjashtë ditë: “E ke një maicë, një palë pantollona, një shishe ujë, 1-2 copa bukë… Jemi rreth 15 njerëz në një grup. Një herë kaluam pesë ditë në kufirin kroat duke i pritur kontrabandistët, e më pas na kapi policia”.

raportet e grupeve vullnetare që punojnë me emigrantë, por edhe në raportet e Doctors Without Borders (MSF), përshkruhen shumë raste të dhunës brutale që ushtrohet kundër atyre që hynë në Kroaci. Për këtë akuzohen pjesëtarët e policisë lokale. Deri më sot, policia vazhdimisht ka mohuar një gjë të tillë.

Photo: Milutin Marković.
Photo: Milutin Marković.
Photo: Milutin Marković.
Photo: Milutin Marković.
Photo: Milutin Marković.
Photo: Milutin Marković.
Photo: Milutin Marković.
Photo: Milutin Marković.
Photo: Milutin Marković.

Nga janari deri në nëntor 2017, një ekip i MSF-së që po punon në Serbi regjistroi 41 raste të shkaktimit të qëllimshëm të lëndimeve ndaj njerëzve të cilët u përpoqën ta kalojnë kufirin kroat. Sipas fjalëve të një analisteje të MSF-së, Andrea Kontenta, lëndime të ngjashme vëreheshin te të gjithë pacientët. Ato ishin shkaktuar duke përdorur pendrekë, shkelma dhe grushta.

Ata të cilët kthehen me forcë nga Kroacia në Serbi ecin deri në qendrën në të cilën jetojnë, ose qëndrojnë në zonën kufitare për të provuar përsëri. Për disa muaj, numri i emigrantëve të cilët banojnë në Shid dhe në zonën përreth ishte nga 100 deri në 150 persona. Ata flenë në pyje, në objekte të braktisura, në streha të improvizuara.

Njëri prej tyre është Safi nga Pakistani. I lodhur nga përpjekjet e vazhdueshme për të kaluar dhe për të jetuar në “xhungëll” – fjalë e përdorur prej shumë njerëzve për t’iu referuar jetës në zonën e Shidit – ai ëndërron shtëpinë e tij. “Po mendoj çdoherë e më shpesh të kthehem në shtëpi. Më mungojnë bashkëshortja dhe fëmijët”, thotë ai. “Pjesa e Pakistanit prej nga vij unë është shumë e varfër. Shpeshherë nuk kanë as për të ngrënë. Desha të shkoj në Europë për t’u ofruar atyre kushte më të mira të jetesës, por kam frikë se kjo nuk do të jetë e mundur”.

K2.0 u takua me Harunin nga Afganistani në Boegrad pas një përpjekjeje tjetër për të kaluar në Hungari. Ai thotë se policia e ndali grupin e tij dhe i rrahi. Atë e goditën në zonën gjenitale. Vullnetarët humanitarë thonë se kjo nuk është diçka e pazakontë. Edhe ai po mendon të kthehet në shtëpi.

“Jam munduar të kaloj nëpërmjet Kroacisë tetë herë, dhe nëpërmjet Hungarisë pesë herë. Herën e fundit policia hungareze më rrahu mjaft keq”, thotë Haruni. “Nuk mund ta bëj më këtë. Gjithçka është bërë e padurueshme. Nisjet për ‘lojëra’, rrahjet, jeta në kamp, dhe fakti që nuk mund të fle më natën… i kam paguar kontrabandistët 6,000 euro për të më sjellë në Europë. Tani dua vetëm të kthehem në shtëpi”.

Megjithatë, shtëpia e tij, Afganistani, ende nuk është e sigurtë. Po të kthehet, mund t’i rrezikohet jeta.

Jeta në Serbi

Amiri thotë se kontrabandistët kërkojnë që të gjithë t’i zhdukin kartat e hyrjes në kamp dhe dokumentet e tjera para se të nisen për në ‘lojë’. Nëse nuk arrijnë të kalojnë, Komisariati i Refugjatëve u jep karta të reja për të hyrë në kamp në bazë të fotografive të bëra në kampet ku regjistrohen fillimisht.

“Në qendra për ndalim nuk ka regjistrim, por ka regjistër, dhe gjatë këtij procesi mblidhen të dhëna të cilat janë pjesë e një formulari individual apo familjar (emri, mbiemri, ditëlindja, shteti i origjinës, etj.)”, shpjegon Svetlana Palic nga Komisariati në një shkëmbim të korrespondencës elektronike me K2.0, duke shtuar se Qeveria dëshiron që sa më shumë emigrantë të vendosen në qendra.

Shumë njerëz preferojnë t’u shmangen kampeve, sepse janë kritikaur kushtet e jetesës që ofrohen aty. Në vend të kampeve, ata duan më shumë fleksibilitet për të lëvizur më shpejt nëpërmjet Serbisë.

Vullnetarët pretendojnë se disa qindra njerëz në Serbi flenë jashtë kampeve, kryesisht në Shid, Suboticë, Kikindë dhe Beograd. Ushqimi, rrobat, dushi dhe llojet e tjera të ndihmës për ata të cilët flenë në ambient të hapur, ofrohen prej vullnetarëve të cilët vazhdojnë të vinë nga e gjithë Europa.

Foto: Milutin Marković.

Sipas Sonja Tokskovic-it, juriste në Qendrën e Beogradit për të Drejtat e Njeriut, praktika – e cila ishte e dalluar gjatë gjithë vitit 2017 – e Departamentit për të Huajt dhe Zyrës për Azil është se çdo person lejohet ta shprehë qëllimin për të marrë azil në Serbi vetëm një herë. Kjo do të thotë se një person i cili ka marrë konfirmim për kërkesën për azil, por më pas nuk është paraqitur në qendrën e paraparë për ndalim, ose është parandaluar gjatë përpjekjeve për ta kaluar në mënyrë të parregullt kufirin, nuk ka të drejtë të regjistrohet përsëri.

Ky lloj trajtimi është në kundërshtim me dispozitat e Konventës së Gjenevës, të cilat parashohin që çdo person të ketë qasje në procedura të azilit pa marrë parasysh nëse ka pasur mosvazhdimësi të qëndrimit të tyre në vendin në të cilin kanë aplikuar për azil, përderisa Zyra për Azil nuk ka marrë vendim përfundimtar për kërkesën.

Përfaqësuesit e UNHCR-së thanë për K2.0 se nuk duhet të ketë dallime sa i përket trajtimit të atyre të cilët janë kapur duke e kaluar në mënyrë të parregullt kufirin dhe janë kthyer në Serbi, dhe atyre të cilët nuk janë në të njëjtën pozitë.

Në 10 muajt e parë të vitit 2017, 5,153 njerëz shprehën dëshirën për të kërkuar azil në Serbi. Në të njëjtën periudhë, Zyra për Azil u dha statusin e refugjatëve 3 personave, dhe 10 të tjerëve u ofroi ndihmë suplementare, në të cilën përfshihet leja e përkohshme e qëndrimit në Serbi për një periudhë disavjeçare, me mundësi të kthimit në vendin e origjinës pas përfundimit të kësaj periudhe.

Pasi vizitoi Serbinë dhe Hungarinë në nëntor 2017, përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Europës për Migrim dhe Refugjatë, Ambasadori Tomas Bocek, raportoi në Këshillin e Europës se në shumë raste refugjatëve nuk u ofrohen informata themelore për procedurën e azilit në Serbi, dhe se në përgjithësi ata nuk kanë mundësi ta kontaktojnë organin përgjegjës për çështje të azilit. Ai shtoi se problemi me të ashtuquajturën ‘listën hungareze’ që po përdoret për ta lejuar një kuotë të caktuar të njerëzve ta kalojnë kufirin çdo ditë është mungesa e formalizimit dhe transparencës së saj – kjo krijon rrezik të korrupsionit.

Amiri, si shumica e njerëzve që janë ndalur në Serbi, ëndërron të lëvizë përpara. “Nuk e di çfarë duhet të bëj tani, por nuk do të kthehem në Kroaci apo Hungari. Sigurisht do ta kaloj dimrin në Serbi, e ta shohim se çfarë do të bëj më vonë”.

Ky artikull u shkrua si pjesë e projektit Raportimi për Migrimin dhe Trafikimin në Ballkanin Perendimor nga Thomson Reuters Foundation, në bashkëpunim me Qendrën e Gazetarisë Hulumtuese në Serbi (CINS).

Foto kryesore:  Milutin Marković.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO