Në thelb | Politika

Viti i opozitës politike për rimëkëmbje dhe riparim

Nga - 12.01.2018

Si është gjendja e partive opozitare në Kosovë?

Pas një viti të jashtëzakonshëm në të cilin u mbajtën dy palë zgjedhje të cilat e tronditën skenën politike në Kosovë, edhe viti 2018 me sa duket do të jetë i plot poterë, meqë veprimtaria e Dhomave të Specializuara në Hagë dhe konflikti i brendshëm i partive politike pritet t’u shtohen sfidave gjithnjë e më të mëdha politike në vend.

Institucionet qendrore politike vazhduan punën të hënën (15 janar), ndërsa K2.0 i analizoi partitë politike vendore, për ta vlerësuar qëndrimin e secilës në fillim të këtij viti kaq të rëndësishëm, duke i dhënë fund kësaj serie me dy partitë opozitare brenda Kuvendit të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK).

Shpresat shndrrohen në frikë nga ndarja: Lëvizja Vetëvendosje

Këtë javë (e mërkurë, 10 janar) Albin Kurti u konfirmua si i vetmi kandidat i regjistruar për zgjedhjet e brendshme për lidershipin e Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, kandidatura e themeluesit të partisë ka shkaktuar pakënaqësi brenda Lëvizjes. Kjo u manifestua në fillim të vitit me 11 dorëheqje të pozitave të profilit të lartë të kësaj partie, duke përfshirë këtu edhe Visar Imerin, ish-kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në letrën e dorëheqjes të cilën e publikoi më 2 janar, Ymeri deklaroi se një “fushatë e linçimit” ishte nisur kundër ish-sekretarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqajt, i cili u paraqit në KTV në fund të dhjetorit dhe deklaroi kundërshtimin e tij ndaj kandidaturës së Kurtit për udhëheqjen e partisë.

Ndarjet në këtë parti u bënë të dalluara në fillim të dhjetorit, pasi u përhap në media një bisedë në Viber ndërmjet deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën Aida Dërguti e quajti Kurtin “mut”. Zbulimet nxitën një betejë të furishme në rrjetet sociale ndërmjet aktivistëve të partisë. Ndonse kjo disonancë brenda partisë u bë e ditur për publikun në fund të vitit, u bë e qartë se kjo parti ishte përballur me konflikt gjatë pjesën më të madhe të vitit 2017.

Pa marrë parasysh ndarjen, Lëvizja Vetëvendosje pati një vit të suksesshëm. Albin Kurti dhe Visar Ymeri i festuan së bashku rezultatet e jashtëzakonshme të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare në qershor. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Pavarësisht zënkave brenda partisë, këtë vit Kurti ishte kandidati më i votuar në Kosovë, me mbi 140,000 vota si kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryeministër në zgjedhjet e qershorit. LVV-ja gjithashtu siguroi përfaqësimin më të madh në Kuvendin e Kosovës në raport me partitë e tjera individuale. Ndonëse kanë kaluar vetëm gjashtë muaj prej këtij suksesi, katër kandidatët e tjerë më të votuar të kësaj partie, Molliqaj, Ymeri, Dërguti dhe Dardan Sejdiu, janë në mesin e atyre të cilët kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

 

LVV-ja gjithashtu ka fituar tri komuna në zgjedhjet e tetorit. Prizrenin dhe Kamenicën i fitoi për herë të parë. Megjithatë, ky sukses tani duket paksa i njollosur, meqë kryetari i ri i komunës së Kamenicës, Qendron Kastrati, dha dorëheqje nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes.

 

Profili i theksuar i Lëvizjes Vetëvendosje në skenën politike ka prodhuar pasoja të cilat kanë filluar të dallohen. Me thellimin e ndarjes, figurat e profilit të lartë në parti nuk e kanë përjashtuar mundësinë e braktisjes së partisë socialdemokrate. Kjo çarje e brendshme mund ta dëmtojë seriozisht kapacitetin e Lëvizjes Vetëvendosje si parti aktive e opozitës vitin e ardhshëm, ndërsa ndarja në dy pjesë mund ta shpërbëjë pozitën e fuqishme brenda Kuvendit të Kosovës.

Kritikët kanë thënë se tejkalimi i këtyre betejave të brendshme në mënyrë demokratike do të jetë testi më serioz i pjekurisë së partisë. Pjesëtarët e LVV-së janë deklaruar për demokraci të brendshme tash e sa kohë. Megjithatë, rikthimi i paqes duket si sfidë e vështirë pas akuzave të mëdha të cilat janë shprehur në media.

Mënyra se si do të zgjidhen këto çështje të brendshme gjatë vitit 2018 ose do ta legjitimojë kauzën e tyre dhe do ta zhvillojë procesin e tyre demokratik, ose do t’i fusë në të njëjtin thes me partitë e tjera të cilat ishin ndarë pas mosmarrëveshjeve të brendshme.

Pengesa dhe rikthime: Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Ndarjet brenda Lëvizjes Vetëvendosje kanë krijuar ambient të mirë për LDK-në, e cila mund ta përdorë këtë vrull për t’u pozicionuar si partia kryesore opozitare e cila po e kërkon pushtetin. Një prej figurave kyçe të partisë, kryetari aktual i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka aluduar se sivjet partia e tij po përgatitet për zgjedhje të parakohshme për shkak të dobësisë së Qeverisë aktuale.

Mundësia e dështimit të Qeverisë në çështjet e demarkacionit të kufirit, Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe apo transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës, bashkë me vështirësitë brenda LVV-së – që mund t’i japin LDK-së hapësirë për ta formuar frontin e opozitës – mund t’i ndihmojnë LDK-së ta zhvillojë reputacionin tek elektorati. Kjo parti do të kërkojë rezultate më të mira pas një fushate jo të mirë në zgjedhjet e përgjithshme vitin e kaluar.

Ndryshe nga LVV-ja, LDK-ja u përball me kohë të vështira në gjysmën e parë të vitit 2017, ndërsa e mbyll vitin e kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve lokale. Pas shpërbërjes së Qeverisë së udhëhequr nga Kryeministri i atëhershëm dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, zgjedhjet e qershorit shënuan rezultatin më të dobët për partinë më të vjetër politike demokratike në Kosovë – ajo përfundoi në vendin e tretë për herë të parë në histori.

Performanca e dobët e LDK-së në zgjedhjet parlamentare të qershorit krijoi dyshime për lidershipin e kryetarit të partisë, Isa Mustafa. Foto: Petrit Rrahmani.

Por LDK-ja u rimëkëmb nga fiaskoja e zgjedhjeve të qershorit dhe brenda disa muajve arriti ta konsolidojë pushtetin në zgjedhjet komunale. LDK-ja fitoi kryesinë në tetë komuna, duke dalur më mirë se partnerët e dikurshëm të koalicionit, PDK-ja, dhe ylli i papritur i zgjedhjeve të përgjithshme, LVV-ja. LDK-ja gjithashtu iu afrua shumë fitores në balotazhin për Prishtinën.

Reputacioni i LDK-së do të varet gjithashtu nga ajo se a do të jetë lidershipi aktual i hapur ndaj politikanëve më të ri, të cilët si kandidatë individualë kanë fituar një pjesë shumë të madhe të votave në zgjedhjet e qershorit, e megjithatë nuk janë vendimmarrës me peshë brenda partisë. Ndonëse kryetari aktual i LDK-së nuk ishte kandidat për Kryeministër në zgjedhjet e qershorit, Mustafa ende shihet si personi i cili i merr vendimet në këtë parti.

Anëtarët e ri si Lumir Abdixhiku apo Driton Selmanaj ishin në mesin e pesë kandidatëve më të votuar në zgjedhjet e qershorit, por hapësira e tyre për vendimmarrje është e kufizuar brenda partisë. Ndërkohë, Vjosa Osmani, kritike e zëshme e veprimeve të partisë së saj në vitet e fundit, ishte kandidatja më e votuar pas kandidatit për Kryeministër, Avdullah Hotit.

Viti 2018 do të krijojë një mundësi për të filluar trajtimin e kësaj çështjeje, meqë zgjedhjet e brendshme pritet të mbahen në pranverë të vitit 2019. Votuesit e LDK-së shprehën dëshirë për ndryshim në kutitë e votimit vitin e kaluar. A do të jetë garda e vjetër e hapur për diskutime për rekrutët e ri në lidershipin e saj?

Jashtë partisë, efektet e Dhomave të Specializuara mund të sjellin përfitime për LDK-në në vitin 2018, meqë shumë figura kyçe të rivalëve të tyre politikë po lakohen si persona që mund të përfshihen në gjykimet e Hagës. Mirëpo, mbështetja popullore për LDK-në mund të rrezikohet varësisht nga perceptimi publik për Dhomat e Specializuara, për shkak të mbështetjes së partisë për krijimin e tyre.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO