Në thelb | Media

Liria e mediave të shkruara në rënie

Nga - 03.05.2017

Mediat e rajonit në shënjestër të politikanëve, që përpiqen të mbijetojnë në mënyrë të çmendur.

Me të ardhur 3 maji, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, u publikuan raporte lokale e ndërkombëtare që theksuan pozitën gjithnjë e më të vështirë të mediave dhe punëtorëve të mediave në Ballkanin Përendimor. Organizata të respektuara si “Reporters Without Borders” (Reporterët pa kufijë), e shpallën vitin 2017 si një prej viteve më të vështira për mediat prej 1993-es, kur u pagëzua për herë të parë Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, nga Kuvendi i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Sipas renditjes relative të “Reporters Without Borders”, Bosnja dhe Hercegovina është vendi më i mirë në rajon sa i përket lirive të mediave, duke zënë vendin e 65 prej gjithsej 180 shteteve, e ndjekur menjëherë nga Serbia, ndërsa Kroacia është në pozitën e 74. Kosova është në vendin e 82-të, ndërsa Mali i Zi është në vendin më të largët,të 106-in. Sa i përket Ballkanit Përendimor, Maqedonia është shteti i fundit për nga liria e medias duke u renditur kështu në vendin e 111-të. Për shumicën e shteteve, veçanërisht Serbinë dhe Kroacinë, një rënie e dukshme është vërejtur në krahasim me vitin e kaluar.

Një vlerësim i ngjashëm për situatën e mediave në rajon erdhi edhe nga Freedom House, organizatë e bazuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që promovon lirinë e fjalës. Në shkallën e tyre të lirisë së shtypit, që shkon prej 0 (më së shumti liri) deri në 10 (më së pakti), Kroacia ka zënë vendin 41 dhe kryeson në rajon, më pas vjen Mali i Zi (44), Kosova (48), Serbia (49) dhe Bosnja e Hercegovina e Shqipëria (të dyja 51). Të gjitha bashkë klasifikohen si shtete që kanë ‘liri të pjesshme’ të shprehjes. Maqedonia (64) është shteti me rezultatin më të keq në rajon, dhe klasifikohet si shtet ‘pa liri’ të shprehjes, rënie kjo edhe nga viti i kaluar, kur pati shënoi rezultat 57 dhe u klasifikuar si shtet me ‘liri të pjesshme’ të shprehjes.

Në rajonin e Ballkanit Përendimor, Serbia ka përjetuar rënien më të madhe sa i përket lirive të mediave; Freedom House theksoi se liria e shtypit është dëmtuar nën administratën e Kryeministrit Aleksandar Vucic, i cili së fundmi i fitoi zgjedhjet presidenciale.

“Gazetarët hulumtues dhe të pavarur përballen me presion agresiv dhe të vazhdueshëm nga zyrtarët e qeverisë dhe mediave pro-qeveritare”, thotë raporti. “Sulmet fizike ndaj gazetarëve ndodhin çdo vit dhe kërcënimet, veçanërisht kërcënimet me vdekje, ndaj punëtorëve të mediave janë shqetësim serioz”.

Nedim Sejdinovic, president i Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës, i është ekspozuar sulmeve të vazhdueshme dhe beson se situata e mediave në Serbi është më keq se që ishte nën regjimin e Slobodan Milosevic.

Ekspertët dhe punëtorët e mediave presin që ky trend të vazhdojë në Serbi, meqë të gjithë treguesin po paraqesin një rënie të vazhdueshme. Ilir Gashi, drejtor i grupit të profesionalizmit medial “Slavko Curuvija Foundation”, thotë se mediat në Serbi funksionojnë si “sistem i përforcuesve të thjeshtë të qëndrimeve të strukturave udhëheqëse”.

“Rrogat në lëminë e gazetarisë janë nën mesataren e përgjithshme, dhe shumë gazetarë punojnë me kontrata të përkohshme, që do të thotë se në çdo moment mund të shkarkohen pa shpjegime”, thotë Gashi, duke shtuar se sistemi i mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve në industrinë e mediave është gjithashtu në nivel shumë të ulët. “Nuk kemi sindikata, inspektorate apo gjykata funksionale”, thotë ai. “Gazetarët dhe redaktorët janë të trajnuar për të supozuar paraprakisht se çfarë duhet e çfarë nuk duhet të shkruajnë”.

Kontroll total i mediave

Fakti që Serbia është zyrtarisht kandidate për anëtarësim në BE nuk i ka përmirësuar liritë e mediave në këtë vend. Nedim Sejdinovic, president i Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës, i është ekspozuar sulmeve të vazhdueshme dhe beson se situata e mediave në Serbi është më keq se që ishte nën regjimin e Slobodan Milosevic. Ka shumë aryse për këtë, thotë ai, por një prej tyre është se – përkrah reduktimit të donacioneve të huaja për media – qeveria ka gjetur mënyra, “si në vitet e 90-a, për të kontrolluar praktikisht tërë fluksin e fondeve të brendshme për media, qofshin mjete shtetërore apo parashtetërore, apo edhe para që vijnë prej kompanive private shumëkombëshe”.

Metodologjia e raporteve ndërkombëtare është zhvilluar për t’i identifikuar problemet e përgjithshme mediale në shtete të caktuara, por kështu nuk mund të flitet për specifika, si shkatërrimin e skenës së mediave të pavarura që ndodhi në Serbi gjatë viteve të 90-a, si dhe mungesën e financave të siguruara për media jofitimprurëse, që duhet të veprojnë në interesin e publikut. Megjithatë, nisma të shquara veç se kanë filluar të paraqiten, si Qendra e Serbisë për Hulumtime Hetuese (CINS), KRIK, PodrziRTV, ose Novinari ne klece (Gazetarët nuk gjunjëzohen), të gjitha shembuj që përfaqësojnë përpjekje profesionale të rezistencës ndaj kërcënimeve kundër këtij profesioni.

Një nismë joformale e quajtur Novinarska Mreza (Rrjeti i Gazetarëve) gjithashtu ka funksionuar prej fundit të vitit 2016. U themelua si bashkëpunim i kolegëve nga ish-Jugosllavia, e u zhvillua në një grup përkrahës që i ndihmoi gazetarëve të kërcënuar.

Gazetarja e vendosur në Beograd dhe një prej nismëtarëve të rrjetit, Zarka Radoja, thotë që edhe pse shumë gazetarë në rajon po flasin për mungesë të solidaritetit në mes tyre si profesionistë, përvoja me rrjetin e tregon të kundërtën, “të paktën në nivel bazik”.

“Jemi të gatshëm që t’i mbështesim kolegët që i ekspozohen sulmeve e kërcënimeve”, thotë ajo. “Sado që mund të duken si jo të rëndësishme, në shoqëri që janë shumë të ndara, ndarja e njohja e problemeve mes nesh, duke treguar që kemi solidaritet, janë veprime të vogla revolucionare”.

Në Maqedoni, sulmi i fundit në parlament nga grupet ekstremiste të mbështetura nga partia VMRO-DPMNE e tregoi seriozitetin e situatës politike dhe sociale në një shtet në të cilin gazetarët janë përballur me presionet më brutale tash e disa vite, e për të cilët koncepti i lirisë është bërë i panjohur.

Borjan Jovanovski është veteran i gazetarisë televizive maqedone, e ai ka qenë cak i këtyre sulmeve me vite: “Të gjithë ne që jemi këmbëngulës për ta mbajtur gazetarinë të gjallë jemi bërë underground. Ekzistojmë vetëm e vetëm falë ndihmës së jashtme, e prandaj quhemi mercenarë të huaj. Kjo etiketë nuk është e padëmshme kur marrim parasysh ato që na kanë ndodhur gjatë viteve”, thotë ai, duke shtuar se shpeshherë etiketohet si tradhtar dhe pështyhet në vende publike, dhe se në një incident, një kurorë e luleve të varrimit me emrin e tij dhe të bashkëshortes së tij ishte lënë para derës së shtëpisë së tij.

“Mundohemi që ta shpëtojmë gazetarinë sa më shumë që kemi mundësi, në mënyrë që të kemi një pikë nisjeje, në një rast më të mirë”.

Blerja e hapësirës mediale

Në Kosovë shumë gazetarë besojnë se situata nuk ka ndryshuar në krahasim me vitet e kaluara, dhe se po vazhdon trendi i presionit, sulmeve e madje edhe sulmeve të armatosura; megjithatë, ata ende besojnë se rezistenca ekziston dhe se presioni aplikohet nga gazetarët kundër institucioneve në mënyrë që këto të fundit të paktën ta kryejnë punën e tyre si duhet.

Shkëlqim Hysenaj, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Profesional, thekson faktin se sipas hulumtimit të vitit 2016: “World Journalism Study” (studim i botës së Gazetarisë) deri në 86 përqind të gazetarëve në Kosovë nuk kanë kontrata të përmanente.

“Sot, Shqipëria nuk ka media, por ka zyre që shumëfishojnë propagandë të ofruar prej partive politike”

Redaktori i BIRN Albania, Gjergj Erebara

“Gazetarët përballen me probleme të ndryshme, dhe liria e tyre është kryesisht e kufizuar në vendin në të cilin punojnë”, shpjegon ai. “Përveç kësaj, ka gjithashtu edhe faktorë të caktuar të jashtëm, si ndikimi i grupeve të ndryshme të interesit, politika dhe liderët politik që kanë ndikim në lirinë e shtypit dhe në profesionin që ata duan ta performojnë si duhet”.

Shqipëria ka përjetuar një rënie të madhe sa i përket lirive të shtypit, sipas Reporters Without Borders. Në vitin 2003 u rendit në vendin e 35 botëror, por prej atëherë ka rënë 47 vende më poshtë.

Gjergj Erebara, redaktor në BIRN të Shqipërisë, beson se problemet janë të ngjashme, por pasqyrohen mbi të gjitha në ndikimin e politikës në media. “Pas vitit 2000, një grup ekonomikisht i fuqishëm, i afërt me klasën politike, krijoi, bleu dhe financoi media që u futën në operim për përfitime të klasës aktuale politike, të njërës parti apo tjetrës”, thotë ai. “Në vitin 2007, gjatë zgjedhjeve lokale, disa politikanë ishin aq të fuqishëm saqë filluan që të paguajnë për prodhimin e ‘kronikave televizive’, të cilat ua dhanë më vonë për transmetim mediave të tyre të preferuara”.

Erebara thotë se në vitin 2009, kjo praktikë u themelua në një nivel më të lartë. “Partitë kryesore politike filluan të distribuojnë video xhirime të aktiviteteve të fushatave zgjedhore, ndërsa gazetarët u detyruan që të qëndrojnë jashtë tubimeve; shpeshherë e kishin të ndaluar edhe t’i inçizojnë takimet e fushatës zgjedhore”, thotë ai. “Sot, Shqipëria nuk ka media, por ka zyre që shumëfishojnë propagandë të ofruar prej partive politike”.

Megjithatë, pavarësisht të gjithë këtyre fenomeneve negative, Erebara beson se gazetarët në Shqipëri janë pjesa më aktive e shoqërisë, dhe se ata nuk ndalën së luftuari.

Përpjekje të hidhura për mbijetesë

Shteti i Ballkanit Perendimor, që sipas Reporters Without Borders është në situatën më të mirë sa i përket lirive mediale, Bosnja e Hercegovina, nuk ushtron zyrtarisht presione sistematike ndaj gazetarëve. Por ka lloje të presionit që i ndërlikojnë punët e punëtorëve të mediave, si mosrespektimi i Ligjit për Liri të Qasjes në Informata.

Shërbimi i transmetuesit publik gjithashtu po përballet me sfidat më të mëdha që prej themelimit në 1999, pjesërisht për shkak të situatës së vështirë financiare, dhe pjesërisht për shkak të përpjekjeve për t’i ndarë kanalet në bazë etnike, në mënyrë që të funksionalizohet një shërbim i ri i transmetimit publik në gjuhën kroate.

Problemet në lidhje me të drejtat e punëtorëve në industrinë e mediave janë në pozitë të ngjashme me ato të vendeve tjera. Gordana Katana, gazetare e kahmotshme në Banja Llukë dhe korrespondente për të përditshmën Oslobodjenje, shpjegon se si punëdhënësit e rrisin në mënyrë drastike numrin e orëve të punës, dhe nuk i respektojnë dispozitat e Ligjit të Punës, sa i përket të drejtave në lidhje me pushime, punë jashtë orarit, dhe punë në pushime. “Kontrata speciale kolektive formulohen ashtu që të përfaqësojnë shumën e të drejtave të punëtorëve, e kjo nuk lë hapësirë që gazetarët t’i thirren të drejtave minimale të Ligjit të Punës”, thotë ajo.

Problem më i gjërë

I vetmi shtet anëtar i BE-së në rajon, Kroacia, dikur ishte shembull i mirë, meqë mediat e shkruara kishin qarkullim shumë të madh dhe transmetuesit publik kishin vlerësime të mira. Sot situata është krejtësisht ndryshe dhe hapësira mediale është e stërmbushur me tekste të mira e të këqija, ndërsa çdo ditë ka pak e më pak vende pune për gazetarët.

"Është e vështirë të flasësh për liri të mediave dhe gazetari të pavarur. Mund të flasim vetëm për përpjekjet e hidhura për mbijetesë”

Ivica Djikic, gazetar nga Kroacia

Ivica Djikic, gazetar që është përballur shumë herë me presion gjatë karierës së tij, beson që në Kroaci ka tekste të shkëlqyeshme dhe autorë të jashtëzakonshëm, por “gazetaria dhe industria e mediave, veçanërisht gazetaria serioze dhe kualitative politike, nuk mund të bazohet në këto përjashtime, në pasigurinë ekzistenciale të gazetarëve, në vullnetarizëm dhe honorare simbolike për tekste të publikuara”. Ai shton se në Kroaci sot “është e vështirë të flasësh për liri të mediave dhe gazetari të pavarur. Mund të flasim vetëm për përpjkejet e hidhura për mbijetesë”.

Goran Borkovic, redaktor në portalin forum.tm, mendon ngjashëm si ai. Ai beson se shteti duhet të reagojë, dhe se gazetaria kroate po i afrohet një periudhe jashtëzakonisht të vështirë. Së fundmi portali i tij u përball me një situatë pa zgjidhje; kur HDZ i ndali të gjitha fondet publike për mediat jofitimprurëse pasi hyri në fuqi në vitin 2016, ai nisi një fushatë të mbledhjes së fondeve nëpërmjet publikut, dhe arriti që të mbijetojë për 5 muaj. “Kryesisht falë kolegëve të mi, arritëm që t’i mbledhim 10,000 dollarë dhe të mbijetojmë për pesë muaj”, thotë ai.

Megjithatë, Borkovic thotë se nuk është zgjidhje afatgjate. “Zgjidhja kërkon kujdes sistematik nga shteti, sepse së shpejti të gjitha mediat ose do të zhduken, ose do të bëhen shërbime të thjeshta të grupeve të caktuara të interesit, të cilat do të kenë arsye për t’i mbajtur këto media përderisa janë të nevojshme për t’i shtyrë përpara interesat personale të tyre”, përfundon ai.

Në një kohë të konservatizmit gjithjë e me të shtuar, e shënuar nga një fuqizim i së djathtës ekstreme dhe përdorim i terrorizmit si justifikim për pakësim të të gjitha llojeve të lirive, është e qartë se Ballkani Përendimor nuk është i vetmi që po përjeton rënie në nivelin e lirive mediale; shtypi gjithashtu po sulmohet nga politikanët në shoqëritë kapitaliste përendimore të BE-së dhe SHBA-së, dhe një numër i madh i shteteve europiane kanë miratuar ligje që i lejojnë agjencitë e intelegjencës që t’i vënë gazetarët dhe burimet e tyre nën mbikëqyrje të vazhdueshme.

E gjithë kjo nuk qëndron mirë për mediat që gjinden në periferi të Europes. Situata e pasigurt për profesionin e gazetarisë, presionet dhe kontrolli politik, dhe shembujt e rrahjeve e arrestimeve, vetëm sa flasin për faktin se na pret një periudhë e luftës për të drejta të mediave, dhe për liri bazike civile – ama bash bazike.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO