Monografitë | Pikëpamje | Të drejtat e LGBTI | LGBTI

Prezantojmë me krenari monografinë e K2.0 për LGBTI

Nga - 10.10.2017

Parada e parë e krenarisë në Kosovë duhet të kuptohet ashtu siç është: një festë, por edhe protestë për të drejta fundamentale të njeriut.

Sot shënohet një ditë e rëndësishme në përpjekjen për të drejtat e njeriut në Kosovë. Pas tre marshimeve të njëpasnjëshme të mbajtura në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë (IDAHOT), rrugët do të mbushen në Paradën e parë të Krenarisë në vend, të emëruar “Në emër të dashurisë”. Qëllimi i kësaj parade është të festohet diversiteti, por, njëkohësisht, edhe të protestohet për të drejtat ligjore për lezbiket, gejët, biseksualët, dhe personat transgjinorë.

Në K2.0, mbështetja jonë për të drejtat e komuniteteve LGBTI na ka dhënë një përvojë të drejtpërdrejtë për pikëpamjet homofobike që ende dominojnë në shoqërinë tonë. Në 2012, vendimi ynë për ta sfiduar normën heteroseksuale përmes publikimit të numrit të revistës që kishte për temë seksin, pati ofruar një prej hulumtimeve të para të thukta për vështirësitë që personat nga komunitetet LGBTI kanë në Kosovë dhe në tërë rajonin. Gjuha e urrejtjes dhe sulmet e dhunshme në ngjarjen e promovimit të publikimit tonë demonstruan që ekziston një nevojë e menjëhershme për artikulim dhe mbrojtje edhe më të zëshmë jo vetëm të të drejtave të njeriut, por edhe të lirisë së shprehjes.

Pesë vjet më vonë, shumë gjëra kanë ndryshuar në shumë nivele. Sot ka mbështetje më të zëshme dhe më të madhe për personat LGBTI. Gjatë viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë të rritjes së aktivizmit të organizatave të shoqërisë civile dhe të individëve në avokimin dhe njohjen e të drejtave të LGBTI si të drejta të njeriut; presioni dhe kërkesat ndaj institucioneve  për të garantuar mbrojtje dhe mundësi të barabarta janë shtuar; edhe pse mediat kryesore kryesisht kanë mangësi në të kuptuarit e problemeve me të cilat ballafaqohen personat LGBTI, ato janë larguar nga ushtrimi i gjuhës së urrejtjes; janë krijuar disa intervenime kulturore dhe artistike që kanë për qëllim t’i sfidojnë normat tradicionale dhe konservative në lidhje me këtë çështje.

Është me rëndësi që këto zhvillime të merren parasysh sepse gjatë këtyre viteve të fundit ato kanë kontribuuar që çështjet që ndërlidhen me LGBTI të bëhen pjesë e diskursit të gjerë publik. Megjithatë, përpjekja për barazi vazhdon dhe nuk ka fund. Lufta për të drejtat e personave LGBTI në Kosovë ende duhet zhvilluar, qoftë në nivel institucional qoftë në nivel të shoqërisë.

Gjatë referencave të bëra në lidhje me personat LGBTI, përfaqësuesit e klasës politike ose kanë përdorur gjuhë të urrejtjes ose i kanë përsëritur deklaratat monotone dhe jo të sinqerta, por të mësuara përmendsh mbi diversitetin dhe barazinë. Për më tepër, në fushtatat parazgjedhore nacionale dhe lokale të këti viti, asnjëra parti nuk i përmendi të drejtat e personave LGBTI, e lëre më të ofrojë ndonjë qëndrim apo çështje, si p.sh. çështja e martesave të seksit të njëjtë.

Ato pak herë kur përfaqësuesit politikë iu bashkuan marsheve IDAHOT, ishin vetëm raste kur ata ishin në pozita të krerëve të shtetit. Kjo gjë, me të drejtë, e ka krijuar përshtypjen në shoqëri që veprimet dhe reagimet e tyre janë rezultat vetëm i presionit të bashkësisë ndërkombëtare.

Prandaj, Parada e Krenarisë është përgjigje ndaj këtij realiteti, një organizim I bazuar në identitet për personat LGBTI, që e fuqizon luftën politike për të drejta të barabarata.

Pavarësisht kësaj, pjesëmarrja e tyre nëpër marshime ka rëndësi të madhe për aktivistët LGBTI sepse ndihmon në krijimin e precedenetit. Por, përderisa përkrahjet e këtilla publike vazhdojnë të mbeten në nivel të performansës së përvitshme, ato do të vazhdojnë të perceptohen si veprime të pasinqerta dhe vetëm sa do ta thellojnë edhe më shumë mungesën e besimit që mbrojtësit e të drejtave të njeriut e kanë në lidhje me atë që këta politikanë do ta trajtojnë çështjen e pabarazisë në plan afatgjatë.  

Në ndërkohë, në nivel të shoqërisë, ekzistojnë disa besime të ngulitura që duhet të thyhen. Njëra prej tyre ka të bëjë me vetë ngjarjen. Kur Parada e Krenarisë është paralajmëruar javën e kaluar, pavarësisht përkrahjes së gjerë të ofruar në rrjetet sociale, shumë reagime e kanë vënë në pyetje pse personat LGBTI kanë nevojë për një ditë të veçantë “vetëm pse janë gejë, lezbike, biseksualë apo transgjinorë”.

Këto reagime nuk flasin vetëm për nivelet e mospranimit të homofobisë ndaj komunitetit LGBTI. Ato poashtu tregojnë për keqkuptime serioze të thelbit të luftës për barazi dhe të drejta të njeriut.

Po, paradat e krenarisë janë për ta festuar kulturën LGBTI dhe për t’i pranuar personat LGBTI si pjesë të barabartë të shoqërisë. Por ato gjithmonë janë edhe për ta aktualizuar luftën për të drejta në ato fusha ku të drejtat e tilla vazhojnë të shkelen. Shumë njerëz që kanë marrë pjesë në marshimet e deritanishme në Kosovë nuk kanë qenë gejë, lezbike apo transgjinorë, por ata megjithatë janë bashkuar për ta manifestuar besimin e tyre dhe për t’I mbrojtur të drejtat e njeriut. Ndërkaq shumë persona LGBTI që marrin pjesë vazhdojnë të kenë frikë ta shprehin haptas orientimin e tyre seksual apo identitetin gjinor për shkak të reagimeve urrejtëse me të cilat mund të ballafaqohen.

Diversiteti nuk është vetëm një fjalë atraktive e procesit demokratik; ai është pranim dhe njohje e asaj që është ndryshe, por edhe njohje dhe sigurim i të drejtave politike, ekonomike dhe sociale për të gjithë qytetarët.

Prandaj, Parada e Krenarisë është përgjigje ndaj këtij realiteti, një organizim i bazuar në identitet për personat LGBTI, që e fuqizon luftën politike për të drejta të barabarata. Kjo është arsyeja pse Parada e Krenarisë, mu sikur cilado demonstratë apo protestë tjetër, ka nevojë, dhe duhet të manifestohet publikisht, sepse është një mekanizëm I rëndësishëm përmes të cilit qytetarët e marrin në dorë vendin e tyre në shoqëri.

Në ndërkohë, ne si shoqëri duhet ta kuptojmë që nuk mund të ketë një të drejtë që e tejkalon tjetrën me rëndësinë apo prioritetin e saj. Në fakt, argumentimet e tilla janë shpesh të bëra në mënyrë specifike për individë apo grupe që janë më të ndjeshme ndaj diskriminimeve politike, ekonomike apo sociale. Ata shpesh kanë tendencë t’i kategorizojnë njerëzit si “të tjerë” që “nuk janë si ne”; botëkuptimet e tilla pretendojnë që ekziston një mënyrë e të qenët, dhe që ata kanë autoritet në përkufizimin e asaj se si të tjerët duhet ta ndiejnë apo ta shprehin identitetin e tyre.

Lidhur me këtë, është shumë e rëndësishme të kuptohet që shenjuesit si gjinia, raca, etnia, klasa apo orientimi seksual, kryqëzohen dhe rezultojnë në përvoja të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Diversiteti nuk është vetëm një fjalë atraktive e procesit demokratik; ai është pranim dhe njohje e asaj që është ndryshe, por edhe njohje dhe sigurim i të drejtave politike, ekonomike dhe sociale për të gjithë qytetarët.

Gazetarët dhe mediat duhet t’i kuptojnë këto çështje komplekse, dhe kjo monografi të cilën po e botojmë sot është një kontribut në këtë betejë të vazhdueshme.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO