Shkurt | Protesta

Protestohet kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike

Nga - 20.12.2017

Organizatorët paralajmërojnë protesta të reja.

“AsNiCentMaShumë”, “Hajnat”, “Kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike”, “S’PagujMaPërVeriun” ishin vetën disa nga parullat dhe thirrjet e qindra qytetarëve që protestuan sot prej orës 12:00 para zyrës qendrore të KEDS-it në Prishtinë.

Protesta erdhi si kundërpërgjigje ndaj paralajmërimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) javën e kaluar për mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 18 për qind. Po ashtu, kryeministri Ramush Haradinaj e kishte konfirmuar mundësinë për një rritje të tillë.

Protesta u thirr në fillim të kësaj jave në rrjetin social Facebook, dhe organizatorët e quanin veten “grup qytetarësh pa prapavijë partiake”.  Protestuesit marshuan nga KEDS-i deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

“KEDS/i e politikanët munden me u bashku e me i rrit çmimet sa të dojnë por na duhet me u mbledh e me protestu, me e blloku çfarëdo tentative të tillë” – me këto fjalë Rron Gjinovci, njëri nga organizatorët, iu drejtua qytetarëve në fillim të protestës.

Një pjesë e madhe e këtij grupi kishte organizuar edhe protesta të ngjashme në vitin 2013, atëbotë kundër fryrjes së faturave të energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Gjatë fjalimit, Gjinovci tha: “Ne, qytetarët e këtij vendi, pikërisht me protesta i kemi shfry faturat e vitit 2013 e disa njerëz janë duke u marrë me drejtësinë”.

Protestës së sotme i parapriu një aksioni simbolik ditën e djeshme kur disa nga organizatorët vendosën thëngjill përpara Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Ndërkohë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një prononcim për Kosova Press ka thënë se vendimi i ZRRE-së mund të ketë ardhur si rezultat i krizës energjetike dhe të importit të energjisë.

Megjithatë, kundërshtarët e kësaj rritjeje kanë pohuar se ekziston një lidhje mes rritjes së energjisë elektrike dhe ndërtimit të termocentralit Kosova e Re, i cili do të kushtojë mbi 1,3 miliardë euro dhe do të ndërtohet nga kompania amerikane “Contour Global”.

Marrëveshja u nënshkrua sot ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të kompanisë Contour Global, derisa jashtë po mbahej protesta.

Në janar të vitit 2016, Instituti për Analiza Ekonomike dhe Financiare të Energjisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (IEEFA), në bashkëpunim me Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, (KOSID) kishin paralajmëruar rritje te çmimit të energjisë elektrike, madje deri në 50 për qind. Kjo rritje shihej edhe në raportin e tyre me titull: “Termocentrali i propozuar “Kosova e Re”, barrë e panevojshme dhe me çmim të paarsyeshëm”.

Shumë zëra kritikë ndaj ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” kanë theksuar faktin se Kosova po ndërton një termocentral i cili do ta shtojë ndotjen dhe nuk do të jetë në përputhje me standartet europiane, duke e parë orientimin drejt energjisë së ripërtëritshme dhe heqjen dorë nga përdorimi i thëngjillit.

Organizatorët e protestës paralajmëruan se së shpejti do të ketë aksione të tjera dhe, sipas tyre, protestat nuk do të ndalen derisa të hiqet dorë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO