Në thelb | Kulturë

Pse duhet mbrojtur trashëgiminë kulturore?

Nga - 14.08.2017

Kujtesa, identiteti dhe zhvillimi ekonomik si shtyllat kryesore.

Izet Mashkulli tregon me krenari pjesët e veçanta të shtëpisë së tij. Derisa fton brenda gazetarin e K2.0 nëpër derën e saj të gjatë e të ngushtë, ai vazhdimisht i thotë: “kikujdes me kokën sepse mund t’i godasësh trarët”, të cilët janë të vendosur në atë formë, e cila të krijon përshtypjen se po ec nëpër tunel.    

Vëmendjen e çdokujt në dhomë Izeti tenton ta tërheqë edhe me tavanin e stolisur prej druri, ku bien në sy varëset e lëshuara prej hekuri që dikur përdoreshin për të përkundur djepin e foshnjave. Me buzëqeshje në buzë Izeti tregon dritaret e mbuluara me rrjeta hekuri, të cilat sikur janë aty për të mbrojtur shtëpinë prej çfarëdo vëmendjeje nga jashtë. E brenda, gati secila dhomë përmban një ‘‘hamamgjik’ (banjë) aq të vogël saqë mezi mund të zë një person.      

Të gjitha këto veçori të shtëpisë, e cila besohet të jetë ndërtuar në fillim të shekullit XIX e që i takon stilit osman, Izeti 18-vjeçar i ka mësuar gati përmendsh, dhe ua thotë shpesh turistëve që vinë aty. Familja Mashkulli ka marrëveshje mirëkuptimi me disa organizata të cilët dërgojnë vizitorë aty, ku përveç shtëpisë së familjes mund të vizitojnë edhe kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, Xhaminë e Gazi Mehmed Pashës, pasi që të tre këto objekte të trashëgimisë kulturore gjenden ngjitur me njëri-tjetrin.   

Izet Mashkulli e sheh lidhjen gjithë jetën e tij e ka ndërtuar rreth shtëpisë së tij dhe e sheh si të papranueshme idenë e shitjen e saj. Fotografia: Agan Kosumi / K2.0.

Shtëpia është e mbrojtur me ligj si objekt i trashëgimisë kulturore dhe është funksionale edhe sot e kësaj dite. Izeti aty jeton bashkë me prindërit dhe dy vëllezërit e tij. Për shtëpinë e trashëguar prej stërgjyshërve, familja Mashkulli ka pasur oferta të majme për shitjen e saj, por prindërit kanë vendosur që atë t’ua lënë trashëgimi fëmijëve të tyre.   

Izeti është pajtuar plotësisht me vendimin e prindërve të tij. Për të shtëpia nuk është e rëndësishme vetëm për shkak të historisë së paraardhësve të tij por edhe për shkak se pesha e saj rritet edhe më shumë duke qenë dëshmitare e tërë jetës së deritashme të tij. Çdo gjë rreth saj ia kujton përvojat më mbresëlënëse, prej fëmijërisë e deri te njohjet e para që ende mbesin të vlefshme për të. Edhe pse Izeti është i papunë dhe ndjek një kurs intensiv për tu bërë berber, lidhja me shtëpinë e tejkalon mundësinë e shitjes së saj, edhe pse kjo do të përmirësonte gjendjen ekonomike të krejt familjes.   

"Objektet e vjetra në vetvete nuk kanë vlera veç pse janë të vjetra, por vlera e tyre qëndron për shkak të lidhjes së tyre me njerëzit përreth tyre.”

Hajrullah Çeku

Sipas Hajrullah Çekut, pjesëtar i organizatës joqeveritare EC Ma Ndryshe e cila avokon për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, është pikërisht elementi i kujtesës që bartin këto objektet ai që i shtyn njerëzit t’i ruajnë ato.

‘‘Kujtesa është ajo që jemi ne, ajo është pjesë e identitetit tonë. Pa kujtesë ne nuk kemi identitet dhe nëse e ruajmë trashëgiminë kulturore, atëherë e ruajmë edhe kujtesën’’, thotë Çeku. ‘‘Më shumë po flasim për identitetet lokale, identitetet e lagjes dhe ruajtjen e tyre. Objektet e vjetra në vetvete nuk janë vlera veç pse janë të vjetra, por vlera e tyre qëndron për shkak të lidhjes së tyre me njerëzit përreth tyre.”

Për Çekun çdo dëmtim i objekteve të trashëgimisë kulturore është dëmtim dhe sulm ndaj kujtesës së njerëzve. Për të, intervenimi në kupolën e Hamamit të Prizrenit të shekullit XVI – një nga objektet më të rëndësishme të qytetit – ilustron lidhjen e kujtesës me trashëgëminë kulturore.

Në vitin 2014, pas dhënies së një donacioni nga UNESCO dhe me mbikëqyrje të ekspertëve nga Turqia, në hamam kishin filluar disa intervenime të vogla, duke përfshirë edhe kulmin. Duke u bazuar në arkiva të vjetra më shumë se 200 vjet, ku kupolat e hamamit ishin të një materiali tjetër ndërtues, ekspertët e restaurimit vendosën që t’i kthejnë ato në formën origjinale. Por, Çeku thotë se kjo kishte rezultuar me reagim të qytetarëve, meqenëse kupolat fillestare nuk përkonin me kujtesën e gjallë të tyre.  

Hajrullah Çeku thotë se kujtesa është ajo që ne jemi. Sipas tij, identiteti pa kujtesë nuk mund të ekzistojë dhe nëse i ruajmë objektet e trashëgimisë kulturore, atëherë e ruajmë edhe kujtesën. Fotografia: Agan Kosumi / K2.0.

“Do të thotë, njerëzit reagojnë sepse panë një trup të huaj,” thotë ai. “U aktivizu gjeni i kujtesës dhe identitetit dhe thanë ‘çka është ky send, na s’jemi rritë me këtë hamam’. Sidomos moshat e vjetra ishin ata që reaguan më së shumti, duke lënë të kuptohet se intervenimi që po pretendohej të bëhej nuk asocionte me kujtesën që njerëzit kishin rreth hamamit, madje as për moshat e shtyra’’.

Çeku insiston se për qytetarët nuk është aq e rëndësishme mënyra e ndërtimit të objekteve, vlerat arkitektonike, apo edhe vetë vjetërsia e tyre, në krahasim me kujtimet që ofrojnë këto objekte, sikurse rasti i kupolës së Hamamit, ku qytetarëve nuk u bënte përshtypje ‘‘kthimi i materialit origjinal të kupolës’’.  

Puna në terren me qytetarët ia ka ndryshuar edhe vetë Çekut paragjykimin se qytetarët nuk kanë afinitet karshi objekteve të trashëgëmisë kulturore. Ai ka parë që qytetarët kanë këmbëngulur më shumë se çdokush tjetër që këto objekte të ruhen.

Së fundmi, rasti i Kalasë së Vushtrrisë është shembull konkret i asaj për të cilën aludon Çeku, ku qytetarët ishin ata që dolën në mbrojtje të objekteve të trashëgimisë kulturore. Gjatë muajit korrik, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve në kuadër të Ministrisë të Kulturës kishte dhënë leje që kalaja të shndërrohej në restorant, por kjo kishte mobilizuar qytetarët dhe shoqërinë civile të kundërshtonin ashpër një gjë të tillë. Ata pohonin se e gjithë kjo po bëhej me qëllim që njerëzit e afërt me pushtetin të përfitonin financiarisht;; në fakt, personi që kishte fituar të drejtën për të intervenuar në kala ishte i afërm i kryetarit të komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku.

"Këto objekte i japin elementet e tyre tek identiteti personal i secilit individ, dhe [u japin] peshë më të madhe atyre, si dhe në anën tjetër ato krijojnë një lidhje dhe një identitet të përbashkët mes njerëzve’’

Florina Jerliu

Çeku thotë se derisa raporti i qytetarëve karshi objekteve të trashëgimisë kulturore ka qenë i orientuar më shumë drejt vlerave shpirtërore, siç është kujtesa dhe identiteti, dhe “kjo është për tu vlerësuar”,  e njëjta gjë nuk ka ndodhur edhe me institucionet shtetërore.

“Institucionet vendore nuk janë përkujdesur aspak për objektet e trashëgimisë kulturore, dhe se vetëm kanë hartuar lista me objekte të trashëgimisë kulturore dhe më pas nuk janë përkujdesur dhe nuk kanë menduar për asnjë alternativë tjetër”, thotë ai.

Degradimi i trashëgëmisë kulturore tërhoqi veçanërisht vëmendje në verën e vitit 2016, kur neglizhenca dhe mungesa e veprimit të institucioneve çuan në tragjedinë e Xheneta Gashit. Vajza 3-vjeçare vdiq kur kulmi i shtëpisë, e cila është pjesë e trashëgëmisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, ra mbi të pas reshjeve të dendura të shiut. Komuna e Prizrenit ishte paralajmëruar nga organizata joqeveritare dhe nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren (që vepron si filial i Ministrisë së Kulturës) saktësisht për rrugën ‘’Marin Barleti’’, dhe rrezikun që paraqisnin shtëpitë në atë zonë pasi një shtëpi tjetër në atë rrugë ishte shembur një muaj më parë. Megjithatë, ata nuk ndërmorrën asnjë veprim për ta mënjanuar këtë rrezik.

Pak më poshtë nga rruga ku jetonte Xheneta, në rrugën “Marin Barleti” jetojnë muzikantët e pensionuar Iljaz dhe Shukrie Morina. Për dallim prej famijes Mashkulli ata kanë vendosur ta shesin shtëpinë e tyre të vjetër më shumë se 100 vjet, për arsye se ajo është bërë e pabanueshme. Kohëve të fundit u ka ardhur në ndihmë Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, dhe kanë vendosur që ta restaurojnë shtëpinë.

Iljaz Morina nuk beson se ndihma e ofruar nga institucionet shtetërore është e mjaftueshme për ta bërë shtëpinë të banueshme. Fotografia: Agan Kosumi / K2.0.

Iljazi tregon se ai përgjatë viteve ka bërë shumë pak intervenime brenda shtëpisë dhe ndihmën, e cila së fundi i është ofruar nga institucionet vendore, e sheh si të pamjaftueshme. Sipas tij, kjo ndihmë nuk është në gjendje të mënjanojë dëmtimet të cilat i ka shtëpia për shkak të viteve të shumta, sepse ‘‘krejt çka kanë ofruar ata është vetëm lyerja e mureve të shtëpisë’’.

Shukrija thotë se kurrë nuk u ka shkuar ndërmend ta shesin shtëpinë. Ajo kujton me nostalgji lidhjen që çifti ka krijuar me shtëpinë për krejt këto vite, prej fillimit të martesës e deri te raportet me fqinjët që ajo i përmend vazhdimisht. Por, gjendja e plogësht shëndësore e Iljazit nuk është duke u lënë zgjidhje tjetër; ata thonë se gjatë dimrit është e pamundur që shtëpia të ngrohet, ndërsa gjatë verës nxehtësia është e padurueshme.

Ata janë të bindur se në rast se e shesin shtëpinë, blerësit do ta shembin dhe do të ndërtojnë diçka tjetër – kjo edhe për shkak se shtëpia nuk është në listën e objekteve të mbrojtura – dhe se kjo i bën të ndihen keq.

Shtetësia dhe zhvillimi ekonomik karshi trashëgimisë kulturore      

Për Florina Jerliun, profesoreshë e lëndës ‘‘Mbrojtja e Trashëgimisë Kulturore’’ në Universitetin e Prishtinës, shteti duhet ta mbrojë trashëgimisë kulturore sepse ajo është e lidhur ngushtë edhe me ‘‘vazhdimësinë historike të shoqërisë’’, duke ndikuar jo vetëm në identitetin familjar, atë të lagjes e kështu me radhë, por edhe në identitetin e vetë shtetit. Jerliu thotë se elementi i shtetformimit duhet t’i motivojë njerëzit t’i ruajnë objektet e trashëgimisë kulturore. Ajo përmend rastet e shteteve europiane si Franca, Britania e Madhe, dhe Gjermania të cilat trashëgiminë kulturore e kanë parë si element kyç për krijimin e identitet të përbashkët shoqëror, që i ka shërbyer formimit të shtetit.

Florina Jerliu beson se objektet e trashëgimisë kulturore u japin peshë më të madhe identiteteve personale, si dhe kështu krijojnë një lidhje dhe identitet të përbashkët në mes njerëzve. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ajo e lidh këtë kundrejt idesë se vjetërsia e objekteve është e rëndësisë primare, duke thënë se përveç kësaj, objektet e trashëgimisë kulturore kanë edhe vlera për shkak të kujtesës dhe identitetit që ato përcjellin.

‘‘Atributi simbolik që kanë objektet e trashëgimisë kulturore është shumë i rëndësishëm. Këto objekte i japin elementet e tyre tek identiteti personal i secilit individ, dhe [u japin] peshë më të madhe atyre, si dhe në anën tjetër ato krijojnë një lidhje dhe një identitet të përbashkët mes njerëzve’’, thotë ajo.

Mbrojtja e trashëgiminë kulturore po ashtu ka ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të një vendi. Çeku thotë se ky model është treguar i suksesshëm në botë, ku përftimi ka qenë i dyanshëm – në njërën anë, shteti ka arritur të ruajë trashëgiminë kulturore dhe nuk është dashur që të investojë në objektet e vjetra, dhe në anën tjetër bizneset që kanë poseduar këto objekte kanë pasur përfitime financiare, pa pasur nevojë t’i rrënojnë apo ta dëmtojnë identitetin e atyre objekteve. Sipas tij kjo ka bërë që objektet e trashëgimisë kulturore të jenë shtytëse të zhvillimit urban dhe ekonomik të një vendi.

Duke iu referuar rrënimit të objekteve të vjetra për ndërtime të reja nga ana e bizneseve, Çeku konsideron se në Kosovë shteti ka dështuar të krijojë dhe të ofrojë kushte që biznesi t’i shohë objektet e trashëgimisë kulturore si mundësi të mirë që brenda tyre të përfitohet ekonomikisht.

‘‘Pas luftës, lufta më e madhe në Kosovë është zhvilluar për krijimin e hapësirave të reja për ndërtim dhe se nga kjo objektet e trashëgimisë kulturore kanë qenë ‘pre’ e sulmit të bizneseve për rrënim me qëllim të krijimit të hapësirave’’, thotë Çeku. “Institucionet shtetërore janë ato që stimulojnë bizneset që të ruajnë trashëgiminë kulturore në këmbim të përfitimit financiar. Shteti i krijon rregullat se si objektet e vjetra mund të shfrytëzohen për biznes dhe të përfitohet prej tyre, por edhe obligon që objekti të ruhet dhe këtu shtetit i mbetet vetëm roli i mbikëqyrësit. Por, [në Kosovë] ka raste edhe kur janë kërcënuar pronarët e shtëpive të cilët kanë refuzuar t’i shesin ato”.

Profesoresha Jerliu shpjegon se debati mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore karshi zhvillimit ekonomik ka ndodhur edhe në shoqëritë tjera, i udhëhequr nga dy grupe profesionistësh: planifikuesit urban dhe restauruesit (konservatorët). Këta të fundit kanë qenë në vijën e parë të frontit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe grupi tjetër që ka insistuar në zhvillim të mëtutjeshëm.

Shtëpia e Ilajaz dhe Shkurie Morinës në të cilën e jetojnë qysh prej vitit 1969. Ajo besohet se është më shumë se 100 vjeçare e vjetër. Fotografia: Agan Kosumi / K2.0.

Mirëpo, Jerliu përpiqet të sqarojë se kur flasim për restaurim nuk nënkuptojmëqë të konservohet plotësisht një objekt vetëm e vetëm për shkak se është i vjetër, por qëllimi i tyre është inkorporimi i këtyre objekteve brenda planeve të zhvillimit urban. Sipas saj, tashmë edhe në nivel botëror nuk mund të mendohet zhvillimi urban pa objektet që janë pjesë e trashëgimisë kulturore.

Ajo thotë se një prej komponentëve që bart trashëgimia kulturore është edhe zhvillimi i pjesës rreth saj – ‘’pra, assesi nuk mund të themi se objektet e vjetra janë pengesë e zhvillimit urban të qyteteve’’.

Ajo merr shembullin e lagjes ‘‘Te Qafa’’, në Prishtinë dhe rrugën që tashmë njihet si ‘’Rruga e Kafeve të Vogla’’, që lidhet me kujtesën, identitetin urban të asaj pjese dhe zhvillimin ekonomik.  Ajo thotë se edhe pse këto objekte nuk janë të vjetra dhe nuk diskutohen si vlera arkitekturale, në rast se një urbanist ka për qëllim të bëjë një plan urbanistik rreth kësaj lagjeje, ai assesi nuk mundet t’i anashkalojë kafeteritë dhe rëndësinë që ato kanë për atë pjesë të qytetit, sepse ato kanë krijuar atribute dhe janë bërë pjesë e asaj lagjeje dhe njerëzve që jetojnë aty, si dhe pjesë e zhvillimit ekonomik të asaj pjese.K

Foto kryesore: Agan Kosumi / K2.0.