Pikëpamje | Politika

Pse protestuam për Jabllanoviqin e nuk po protestojmë për Grabovcin?

Nga - 28.10.2016

Në Kosovë, frika nga 'i huaji' po lejon që 'tanët' të mos ndëshkohen për dëmtim të brendshëm të shtetit.

Rasti Jabllanoviq

Më 6 Janar 2015, një grup aktivistësh të Lëvizjës Vetëvendosje së bashku me OJQ-në lokale të Gjakovës, “Thirrjet e Nënave”, që mirret me zbardhjen e personave të pagjetur gjatë luftës në Kosovë, dolën të protestojnë ardhjen e një grupi të serbëve pelegrinë që deshën të vizitojnë një kishë lokale për Krishtlindjet Ortodokse. Protestuesit pohonin që në mesin e peligrinëve kishte edhe serbë lokal të zhvendosur nga Gjakova, që gjatë luftës së vitit 1998-99 kanë qenë të përfshirë në krime lufte ndaj popullatës shqiptare në Gjakovë. Me arritjen e pelegrinëve në Gjakovë, protestuesit hodhën copa akulli në drejtim të autobusit të tyre duke e thyer nje dritare. Më pas Policia e Kosovës arrestoi dy protestues.

Aleksandër Jabllanoviq, atëherë ministër për Kthim dhe Komunitete, i cili shoqëroi piligrinët gjatë vizitës së tyre, u deklarua për situatën duke thënë: “Egërsirat që i parandaluan serbët për të ardhur në shtëpitë e tyre të djegura, nuk do t’i shërbejnë askujt”. Termi “egërsira”, në serbisht “divljaci”, për shumë shqiptarë u kuptua si fyerje racore e etnike dhe shkaktoi trazira në vend.

Nuk u desh një kohë e gjatë derisa u mobilizua popullata shqiptare nga e gjithë Kosova me ndihmën e partive opozitare, për të kërkuar dorëheqjen apo shkarkimin e Jabllanoviqit. U organizuan protesta në qytete të ndryshme duke kulminuar me atë në Prishtinë që kishte pjesëmarrje masive me mijëra persona. Pas presionit publik Kryeministri Isa Mustafa u desh të reagojë dhe të shkarkojë ministrin Jabllanoviq.

Rasti Grabovci

Më 1 Gusht 2016, portali i lajmeve Insajderi.com filloi publikimin e një serie të përgjimeve të vitit 2011 nga celulari i ish-shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Përgjimet përmbajnë biseda të Grabovcit me zyrtarë të lartë të partisë së tij ku dëgjohet se si Grabovci keqpërdor pozitën duke bërë punësime pa kritere nëpër institucione të rëndësishme të Kosovës. Këto përgjime në masë të madhe edhe e demonstrojnë atë që shumë e kishin paramenduar – se shumëçka nëpër institucionet publike është e kapur nga partitë në pushtet që punësojnë njerëz, jo sipas meritave dhe kualifikimeve, por sipas lidhjeve partiake.

Dalja në shesh e përgjimeve – të quajtura ‘Dosja e Shefave’, pasi që anëtarët e partisë shpesh dëgjohen duke e quajtur Grabovcin ‘Shef’ –  solli poashtu pakënaqësi të madhe. Pas një kohe, një grup apolitik i organizuar nga qytetarët vendosi të bëjë thirrje për protesta – një grup shumë i vogël prej disa qindrash i’u bashkuan protestës. Ky grup është konsistent dhe vazhdon të mbajë protesta çdo të enjte, sidoqoftë pjesëmarrja mbetet jo e madhe.

Nëse marrim rastin e Grabovcit dhe Jabllanoviqit dhe i krahasojmë për nga numri i protestuesve dhe reagimeve, atëherë vërejmë që Jabllanoviq morri reagime dhe protesta shumë më të mëdha e më të zëshme që në fund edhe çuan deri te largimi i tij nga pozita e ministrit. Ndërsa Grabovci morri poashtu reagime e protesta, por ato ishin disi më të vobekta e të varfëra për nga fuqia.

Ekziston diçka më thelb në kulturën politike të Kosovës që bën popullin të ngritet në protesta, e ajo është frika ndaj “të huajit”, e cila ushqehet nga ndjenja nacionale.

Grabovci gjithashtu bëri një deklaratë të pamatë pas skandalit të tij; ai para se të merrej në pyetje nga prokurori, para gazetarëve tha me shaka “erdha të bëj disa emërime”. Në një mënyrë Grabovci me një deklaratë të tillë e tregoi edhe fuqinë e tij kundrejt institucioneve të cilat tashmë i ka sabotuar. E në anën tjetër deklarata e tij nuk u morr si fyese, por kaloi e u harrua si një shaka pa kripë që nuk bëri askë të qesh pos thënësit të saj.

Dikush tjetër mund të thotë se dallimi i pjesëmarrësve në protesta ndaj Grabovcit e Jabllanoviqit ka ndodhur sepse ndaj Jabllanoviqit pati mobilizim edhe të opozitës – e cila e organizoi protestën me organizata të ndryshme të shoqërise civile – e se “Dosja e Shefave” publikohet ekskluzivisht vetëm nga Insajderi.com, ndërsa mediat tjera mund vetëm ta përpunojnë lajmin.

Por, argumenti im shkon përtej praktikaliteteve të organizimit të protestës e mediave. Ekziston diçka më thelb në kulturën politike të Kosovës që bën popullin të ngritet në protesta, e ajo është frika ndaj “të huajit”, e cila ushqehet nga ndjenja nacionale.

Pra, le të kthehemi te krahasimi Grabovc dhe Jabllanoviq dhe të zhveshim Jabllanoviqin nga simbolika e emocionaliteti i fyerjes së tij, e të njëjtën ta bëjmë me Adem Grabovcin, dhe analizojmë se cili nga ta ka dëmtuar më shumë Kosovën me veprat e tij.

Atëherë padyshim që faktualisht emërtimi i njerëzve pa konkurs dhe shtrirja e klientelës partiake nëpër institucione publike është shumë më shumë e dëmshme për Kosovën si shtet e për qytetarin/en e Kosovës si individ, sesa një fyerje nga një ministër serb. Sidoqoftë, për shumë qytetarë të Kosovës disi ishte më e rëndësishme të protestohej për një fyerje sesa për korrupsionin e klientelizmin që ka ngulfatur gjithçka meritokratike në vend. Pse?

Nësë vështrojmë protestat e mëdha të pasluftës, vërejmë se të gjitha kanë një të përbashkët: sikurse protestat e 10 shkurtit 2007 që ishin protesta masive kundër Pakos së Ahtisaarit dhe negociatave me Serbinë, por edhe protestat e viteve të fundit të cilat ishin masive, kishin të bëjnë me reciprocitetin ndaj Serbisë (14 Janar 2012), Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë (9 Janar 2016), protestat për dorëheqjen/shkarkimin e Jabllanoviqit (17 janar 2015). Ajo që i karakterizon këto protesta është që gjithmonë u bënë kundrejt kontestuesit më të madh të pavarësisë së Kosovës, shtetit të Serbisë, si dhe kundër marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga Brukseli, që shpesh herë nga shqiptarët e Kosovës shihen si një dëmtim apo përgjysmim i pavarësisë e sovranitetit të Kosovës.

Një trajektore e tillë historike e karakterizuar me protesta të shumta ndaj Serbisë e pjesërisht edhe komunitetit ndërkombëtar, pa dyshim formëson dhe ndikon në kulturën politike të Kosovës; ndërtohet një vetëdije kolektive e njerëzve për t’u organizuar, mbrojtur e revoltuar ndaj së huajës dhe të këqijave që Kosovës mund t’i vijnë nga jashtë apo të huajt.

Një mendësi e tillë politike është e kuptueshme kur e shikojmë historinë e shtetformimit të Kosovës; kjo mendësi tregon  gjithashtu atë se pavarësia e Kosovës mund të kontestohet, por prap se prap është e pakthyeshme për shkak të, mes tjerash, këmbënguljes së shqiptarëve për liri.

Ndërsa tanët automatikisht nënkuptohen si miq për shkak të etnisë apo kontributit që e kanë dhanë gjatë luftës, duke injoruar kështu dëmin potencial që mund të na shkaktojnë nga brenda.

Por, kjo nuk do të thotë që s’duhet t’i qasemi kritikisht kësaj mendësie. Një vetëdije e tillë kolektive e shtyen popullsinë që të organizohet e mobilizohet për rrezikun nga “i huaji”, por injoron në thelb dëmin shumë të madh që i bëhët Kosovës përbrenda nga kosovarët me kravata të bardha. Këta të fundit thirren si institucionalistë dhe bile kanë luftuar edhe për Kosovën dhe pas vitit 1999 janë promovuar me meritat e tyre të luftës.

Kjo më sjell edhe tek pikënisja e këtij krahasimi të protestave ndaj Jabllanoviqit dhe Grabovcit, dhe arsyet për të cilat qytetarët kosovarë protestuan ndaj tyre. Edhe pse deklarata e pamatur e Jabllanoviqit është shumë më pak e dëmshme se klientelizmi të cilin Grabovci e ka instaluar nëpër institucione përmes pozitës së tij, protestat ndaj Jabllanoviqit patën disproporcionalisht më shumë pjesëmarrës. Kështu disi po e formësojmë një kulturë politike në të cilën nervi revoltues e protestues mund të prekët vetëm nga të huajt. Ndërsa tanët automatikisht nënkuptohen si miq për shkak të etnisë apo kontributit që e kanë dhanë gjatë luftës, duke injoruar kështu dëmin potencial që mund të na shkaktojnë nga brenda.

E kjo lloj kulture politike e mendësie kolektive i’u shkon më së shumti përshtati pikërisht “tanëve” që vazhdimisht e kanë shfrytëzuar këtë hapësirë për të instaluar klientelën e tyre nëpër secilin institucion publik. Pra sentimenti nacional e revoltimi ndaj të huajës na bën të injorojmë apo harrojmë akterët e brendshëm duke i’u dhënë atyre hapësirën e duhur që institucionet shtetërorë t’i përdorin për vetpasurim, dhe të delegojnë pasurinë shtetërore si një lloj trashëgimie në baza fisnore dhe partiake. Por në të njejtën kohë ky sentiment nacional instrumentalizohet nga lëvizjet opozitare për të shtyrë agjendën e tyre partiake e cila pa këtë sentiment revolutues dështon të merr vëmendjen e njëjtë në diskursin publik.

Prandaj edhe vijmë në situata kur një fyerje e pamatur e Jabllanoviqit është si një top bore që i lëshohet një kodrine duke eskaluar e marrur gjithçka me vete, e veprimet e Grabovcit disi mbesin të pranueshme. Prandaj, si shoqëri duhët të vijë koha që me po aq vrull të revoltohemi edhe ndaj “tanëve” që çdo ditë me veprimet, telefonatat e marrëveshjet e tyre nën tavolinë po e dëmtojnë shumë më shumë Kosovën sesa fyerjet e një ish-ministri serb.

Imazhi: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO