Në thelb | Kulturë

A janë pronat publike vetëm për biznes?

Nga - 27.11.2017

Po hartohet një ligj i ri për përdorimin e pronave komunale.

Në vitet e fundit organizatat jofitimprurëse dhe OJQ-të i kanë shfrytëzuar më shumë pronat publike, shpeshherë duke organizuar ngjarje kulturore në ndërtesa të papërdorura. Ka shumë shembuj të kësaj dukurie në gjithë vendin, nga Termokissi dhe Stacioni në Prishtinë, te Kino Jusuf Gërvalla në Pejë, Lumbardhi në Prizren dhe parku kulturor Ali Podrimja në Gjakovë. Koncertet, shfaqjet e filmave, ligjëratat dhe ekspozitat e artit ia kanë kthyer jetën ndërtesave të vjetra dhe të braktisura, si kinemave, ngrohtores dhe klubit të boksit.

Por përveç qëllimeve kulturore, e përbashkëta e këtyre organizimeve ka qenë edhe fakti se ato janë përballur me vështirësi ligjore. Organizatorët e ngjarjeve shpesherë janë detyruar të zhvillojnë “luftë” të opinionit publik ndaj komunave apo Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), për ta fituar të drejtën ligjore për t’i përdorur këto ndërtesa.

Pjesë e problemit shkaktohet nga Ligji për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, i cili nuk parasheh shfrytëzimin e pronave publike nga ana e entiteteve si OJQ-të dhe organizatat e tjera jofitimprurëse.

Në ligj thuhet se pronat publike të komunave duhet të shkojnë në ankand, e pastaj t’u jepen ofruesve me çmim më të lartë apo atyre që kanë mundësi t’i sjellin më së shumti përfitime ekonomike komunës. Ky ligj nuk merr parasysh në mënyrë specifike përfitimet e tjera kulturore dhe shoqërore, prandaj pjesa më e madhe e pronave komunale deri më tani u janë dhënë ndërmarrjeve biznesore.

Po rishkruhen rregullat

Fatos Qerimi, kreu i Departamentit për Çështje Ligjore dhe Monitorim të Komunave brenda Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, beson se mungesa e dispozitave për organizatat jofitimprurëse nuk është e vetmja e metë e këtij ligji. “Ky ligj ishte paraparë të hartohej nga fillimi, jo vetëm të rishkruhej apo të ndryshohej”, thotë ai për K2.0. “Gjatë fazës së zbatimit të tij, nga periudha 2012-2013 e deri sot, ministria i identifikoi disa pengesa”.

Ligji tani po rishikohet dhe është në fazën e konsultimit. Konsultimi fillestar u mbajt më 12 tetor në Prevallë. E pranishme në takim, përkrah përfaqësuesve nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, AKP-së dhe komunave, ishte Rina Kika, avokate e cila po i përfaqësonte interesat e komunitetit Termokiss.

Gjatë takimit, Kika e ngriti çështjen e shfrytëzimit të pronave publike nga organizatat jofitimprurëse. Kjo i befasoi të pranishmit, meqë ky problem ishte kryesisht i panjohur. Pavarësisht kësaj, Kika thotë se zyrtarët nga ministria të cilët ishin të pranishëm në takim ishin shumë të hapur për të dëgjuar dhe për ta marrë parasysh këtë çështje.

Një përfaqësuese e Termokissit, Rina Kika, po shpreson ta ndryshojë ligjin për të lejuar shfrytëzimin e pronave komunale nga organizatat jofitimprurëse. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

“Propozuam ndryshimin e ligjit, që të krijohet hapësirë për shfrytëzimin e pronave komunale për qëllime jofitimprurëse nga organizatat jofitimprurëse, qofshin ato fondacione, OJQ apo të tjera”, thotë ajo për K2.0.

Kika zbulon se kishte shpresuar që kjo çështje të zgjidhej duke e ndryshuar ligjin për të mundësuar ankande të veçanta për organizatat jofitimprurëse, të ndara nga ankandet publike, të cilat deri më tani kanë qenë të rezervuara vetëm për biznese. “Kur e prezantova këtë ide, ata thanë se kjo duhet të rregullohet nëpërmjet një procesi special, e jo të dorëzohet në ankand – kjo më befasoi”, thotë Kika. “Ne pritëm që ata ta ndryshojnë procesin aktual për t’ia përshtatur nevojave të organizatave jofitimprurëse”.

Sipas Qerimit, në takimin e parë në Prevallë, Kikës iu kërkua ta përpilonte një kërkesë zyrtare dhe t’ua dërgonte zyrtarëve të ministrisë, që ata ta vlerësojnë kërkesën dhe t’i bëjnë hapat e nevojshëm për t’i përmbushur nevojat e organizatave jofitimprurëse. Ajo beson se procesi aktual për biznese është shumë i plotë dhe transparent, dhe shpreson të krijohet një proces i ngjashëm për të tjerët të cilët nuk janë pjesë e botës së biznesit.

Në një takim publik që u mbajt më 24 nëntor, përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, komunat dhe USAID-i, thanë se departamenti ligjor brenda ministrisë ka pranuar rekomandime, dhe se një grup punues do të vendosë për të ardhmen.

I pranishëm në takim ishte edhe Vullnet Sanaja nga OJQ-ja Anibar. Kjo OJQ ishte përballur me një konflikt në lidhje me pronën publike Kino Jusuf Gërvalla në Pejë. Sanaja nuk ka shpresa se ky proces do të ketë rezultate pozitive. Ai tha se “rezistenca pasive” me të cilën u përballën ata erdhi si pasojë e mungesës së informatave nga ana e zyrtarëve publikë. “Me sa duket nuk e kishin në plan ta shtojnë këtë pjesë për organizata të pavarura kulturore”, tha ai për K2.0.

Sidoqoftë, Sanaja beson se OJQ-të duhet të punojnë më shumë për ta ndryshuar mendësinë e zyrtarëve institucionalë duke i bërë kërkesat e tyre sa më të qarta. Ai beson se kjo do të arrihet vetëm me këmbëngulje, me pjesëmarrje në çdo takim këshillues dhe me lobim të rregullt në ministri, sa i përket këtij ligji. Jashtë këtij grupi të organizatave që punojnë në sektorin e kulturës, kërkesat për shfrytëzim jofitimprurës të pronave komunale janë bërë edhe nga OJQ-të HandiKos dhe Germin.

Rrezik nga keqpërdorimi i OJQ-ve

Qerimi thotë se departamenti i tij po i merr parasysh propozimet e Kikës dhe do të mundohet t’i trajtojë çështjet e ngritura si pika shqetësuese nga OJQ-të. Megjithatë, ai nuk është i sigurtë për atë se cila është mënyra më e mirë për ta trajtuar këtë çështje. Parashihet shkrimi i një kapitulli të ri për këtë ligj, për t’u lejuar kryetarëve të komunave t’i japin në shfrytëzim pronat publike nëpërmjet kuvendeve komunale. Qerimi nuk është i sigurtë për atë se a duhet të jetë dhënia në shfrytëzim e pronave komunale përgjegjësi e kryetarëve apo e institucioneve qendrore.

“Kemi raste tani kur OJQ-ve po u jepen pronat komunale në shfrytëzim, ndonëse ligji aktual nuk e ka rregulluar si duhet procesin për marrjen e vendimeve për dhënien e këtyre pronave”, thotë Qerimi. Ai e merr si shembull një rast në të cilin departamenti i tij pranoi një kërkesë për ta dhënë në shfrytëzim pronën publike të Federatës së Tenisit të Kosovës nga Komuna e Prishtinës. (Aktualisht, Federata e Tenisit e Kosovës dhe federatat e tjera të sportit janë të regjistruara si OJQ në Departamentin e Sportit brenda Ministrisë së Kulturës, meqë ligjërisht nuk ka formë tjetër për t’u regjistruar si entitet sportiv).

“Synimi jonë nuk është ta bllokojmë procesin”, shpjegon Qerimi. “Pra e bëmë të ligjshme, sepse kërkesa kishte shkuar nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, e cila pastaj e dërgoi atë në komunë, dhe pasi u miratua nga Kuvendi [Komunal], u dërgua te ne për ta konfirmuar ligjshmërinë e saj”.

Fatos Qerimi nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal beson se shqetësimet në lidhje me OJQ-të janë legjitime. Ai është duke kërkuar metodën më të mirë për t’i parandaluar keqpërdorimet. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Ai beson se kjo metodë është ndoshta më e mira për t’iu shmangur keqpërdorimeve të mundshme të pronave komunale nga OJQ-të në të ardhmen. Edhe përfaqësuesit në takimin fillestar në Prevallë si dhe në takimin këshillues të 24 nëntorit shprehën shqetësimet e tyre për keqpërdorimet e mundshme të pronave publike.

Qerimi thotë se shqetësimet rreth OJQ-ve janë të bazuara në mendim praktik dhe përvojë. Ai thotë se ka me mijëra prona publike, dhe se qeveria nuk ka mundësi ta kontrollojë funksionimin e të gjithave, prandaj mendon se probabiliteti për keqpërdorim mund të jetë shumë i lartë.

“Nuk po i fus të gjithë në një thes”, thotë Qerimi. “Një pjesë e mirë e tyre me të vërtetë e kanë në mendje interesin e qytetarëve”. Por për të ndihmuar në eliminimin e këtyre shqetësimeve për OJQ-të, Qerimi beson se zgjidhja më e mirë mund të jetë që kërkesat të dorëzohen në institucione qendrore.

Drejtori është i vetëdijshëm se nëse procedura shkon nëpërmjet institucioneve qendrore dhe institucioneve komunale, mund të ketë konflikt të interesave politike dhe bllokim të procesit si pasojë e konfliktit. “Ne jetojmë këtu, e dimë çka ndodh”, thotë ai. “Ne si ministri duam ta gjejmë aspektin më të përshtatshëm ligjor, që t’i shmangemi keqpërdorimeve të mundshme. Por vendosmëria politike është diçka krejt tjetër”.

Arsim dhe kulturë vs para dhe përfitim

Procesi i dhënies së pronave publike OJQ-ve kulturore mund të jetë i panjohur për komunat apo institucionet qendrore të Kosovës. Por për të ndihmuar në këtë aspekt, Kika ka zhvilluar një hulumtim për të parë se si e kanë rregulluar këtë shtetet e Bashkimit Europian.

Në propozimin e saj, të cilin ia dërgoi ministrisë, ajo e shtoi një përmirësim i cili do t’i detyronte komunat t’u japin në shfrytëzim organizatave jofitimprurëse 20 për qind të pronave të paluajtshme.

“E di se mund të tingëllojë si kërkesë e guximshme”, thotë Kika. “Por ky propozim është shumë i mirë sepse prej tij do të ketë përfitime më vonë, do të kontribuojë pozitivisht në zhvillimin e shoqërisë – ndoshta jo menjëherë, por ka përfitime të cilat do të shihen në afat të gjatë”.

Ajo e bazon supozimin e saj në shembuj nga Gjermania, Holanda, Austria, Britania e Madhe dhe Spanja, ku dhënia e pronave publike apo shtetërore për qëllime jofitimprurëse shpeshherë favorizohet. Ajo thekson shembullin e komunës së Amsterdamit, e cila ka zyrë që i kushtohet ofrimit të projekteve të braktisura për përshtatje dhe përdorim të përkohshëm për qëllimet e tjera. Një ndërtesë e quajtur ‘Melkweg’ u bë qendër multidisiplinare tërheqëse për muzikantë dhe artistë. Aktualisht ajo i ka 170 punëtorë, 400,000 vizitorë në vit, si dhe prodhon 12 milionë euro në vit.

Një shembull tjetër, më afër vendit tonë, është kompleksi Metelkova, i cili dikur shërbente si bazë ushtarake në Ljubljanë, Slloveni. Në vitin 1993, pasi u refuzua një kërkesë zyrtare e një grupi të aktivistëve, artistëve dhe gazetarëve për shfrytëzimin e tij, Metelkova u okupua nga ky grup, i cili i nisi aktivitetet e tij brenda saj. 13 vite më vonë, në vitin 2006, si rezultat i suksesit të kësaj nisme, ky kompleks u caktua nga qeveria si objekt i trashëgimisë kulturore.

Tani ai është bërë qendër jofitimprurëse dhe joqeveritare e kulturës urbane e cila i mirëpret të gjitha nismat kulturore. Aty organizohen 14 ngjarje dhe zhvillojnë punën dhjetëra artistë, duke përfshirë këtu programe për fëmijë dhe persona me aftësi të kufizuara.

Ndonëse okupimi është një alternativë, kur të riformulohet ky ligj, Kosova do ta ketë mundësinë të krijojë institucione të tilla brenda sistemit. Kika, Sanaja dhe disa OJQ të tjera po shpresojnë që së shpejti ata do të kenë të drejtë ligjore për shfrytëzimin e pronave komunale. Kjo do ta bënte të mundur që pronat publike të bëhen qendra kulturore dhe shoqërore, si dhe do të krijonte mundësi për prodhimin e të hyrave në afat të gjatë.K

Foto kryesore: Valmir Mehmetaj / K2.0.