Në thelb | Protesta

Dënohen protestuesit pa u ndalur protestat

Nga - 23.01.2018

A po komprometohet liria e shprehjes në Shqipëri?

Në një prej sallave të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, para një gjykatësi, në bankën ku zakonisht ulen vrasësit, përdhunuesit dhe hajdutët, këtë herë qëndronte një student, një doktoreshë dhe një mësues. Seanca zgjati vetëm nja dy minuta. Të pandehurit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me një muaj burg. Më vonë ky dënim u reduktua në 40 orë shërbim për komunitetin.

Ky ishte vendimi që mori gjykata në tetor për Orges Zanin, Mimoza Bocarin dhe Altin Kukon, të cilët e kundërshtuan publikisht ndërtimin e një sheshi të lojërave të betonit në Parkun në Liqenin Artificial në Tiranë. I pandehuri i katërt, Ardit Mekshiqi, u lajmërua nëpërmjet mediave, meqë ai kishte ikur nga Shqipëria.

Dy vite më parë, kreu atëbotë i sapozgjedhur i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e kishte përqendruar energjinë e tij në menaxhimin e hapësirave publike. Fillimisht ai bllokoi hapësirën e gjelbër para Galerisë Kombëtare duke vendosur një instalacion vigan. Më pas, ai lejoi ndërtimin e një parkingu nëntokësor nën parkun më të vjetër të kryeqytetit, Rinia, dhe pastaj shpalli një tender për ndërtimin e objekteve shumëfunksionale dhe shumëkatëshe në hyrje të Parkut në Liqenin Artificial.

Por në shkurt të vitit 2016, kur ai e urdhëroi pastrimin e një pjese të një pyllit në këtë park për ta ndërtuar një shesh lojërash të betonit dhe një kafeteri, një grup i qytetarëve dhe studentëve dolën në rrugë për të protestuar. Gjatë demonstratave u arrestuan disa protestues, duke përfshirë këtu Zanin, Bocarin, Kukon dhe Mekshiqin, të cilët më pas u sollën para gjykatës.

Avokatja e protestuesve, Holta Ymeri, mendon se ndërhyrjet e sipërmarrësve në park, duke përfshirë këtu rrethimin e disa zonave të mëdha me gjerdhe, ishin veprime kriminale, ndërsa protestat nuk ishin diçka e tillë. “Rrethimi i parkut ishte i jashtëligjshëm. Njerëzit reaguan dhe protestuan, siç kanë të drejtë të bëjnë”, tha ajo për K2.0.

Vetë Ymeri ishte një prej qytetarëve të cilët protestuan kundër hyrjes së makinave të ndërtimit në park. “Policia i tërhoqi protestuesit zvarrë”, shpjegoi ajo. “Në një video shihet një polic duke e goditur një grua në kokë. E befasishme është që edhe kjo grua u dënua nga gjykata”.

Arrestimi i Zirkon Dishës në protestë u duk si i paramenduar. Ky aktivist pretendon se e futën në veturë të policisë para se ai t’i bashkëngjitej protestës. Foto: Artan Rama.

Aktivisti Zirkon Disha lajmëroi në faqen e tij në Facebook se ai do të protestonte, por thotë se kur u afrua te vendi i ngjarjes, para se t’i bashkëngjitej demonstratës, policia e futi në veturë të policisë.

“Kur më kapën, e dëgjova në radion e tyre: ‘Kape Zirkon! Kape Zirkon’”, kujton ai. Sipas Dishës, policia ia mori shenjat e gishtërinjve në stacionin e policisë. Aty ishte zhvilluar një atmosferë e tensionuar për shkak se flitej se një polic ishte dërguar në spital si rrjedhojë e protestës. Kryetari i Bashkisë e kishte vizituar atë në spital. “Doli të jetë një mashtrim, sa për t’u dokumentuar nga kamerat”, pretendon aktivisti. “U pa që policët u rrëzuan vet”.

Protestuesit në gjykatë

Ata të cilët protestuan në Parkun në Liqenin Artificial nuk janë qytetarët e vetëm të cilët e kanë gjetur vetën në gjykatë pas protestave të viteve të fundit. Tetë studentë të Fakultetit të Shkencave Shoqërore tanimë janë ankuar për një dënim në formë të shërbimit për komunitetin. Ata u dënuan për rolin e tyre në një protestë gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në auditoriumin e tyre në nëntor të vitit 2015.

Ata shprehën mospajtimin e tyre me politikat e Qeverisë për arsim duke hedhur vezë drejt Ramës. Vezët nuk e goditën Kryeministrin, e megjithatë studentët u dënuan në mars. Prokurori fillimisht kërkoi që studentët t’i kalojnë dy muaj në burg, e më vonë e zvogëloi dënimin në shërbim për komunitetin.

Protestat e studentëve janë përcjellur me dënime. Njëri prej avokatëve të të akuzuarve pretendon se policia ushtroi dhunë. Foto: Artan Rama.

Njëri prej avokatëve të studentëve, Dorian Matlija, konsideron se dënimet e shqiptuara nga gjykata ishin të tepërta dhe taktikat e përdorura nga policia ishin të rënda. “Ata u dënuan me punë të detyruar, ndëonse gjykata nuk e identifikoi ndonjë autor të thyerjes së vezëve”, tha ai për K2.0. “Gjatë arrestimit, policia ushtroi kontroll të paautorizuar të vendbanimeve të studentëve dhe ushtroi dhunë kundër një numri prej tyre”.

Rasti kundër Pavjo Gjinit, ish-student i shkencave politike, ka kaluar në dy nivele të gjykimit. Rasti i tij ishte i lidhur me një marsh të studentëve i cili u planifikua të mbahej në tetor 2015 por u anulua nga policia dy orë para fillimit. Tani ai duhet ta paguajë një gjobë në vlerë 30,000 lekë (210 euro) nëse Gjykata Supreme e konfirmon vendimin.

Ky fat mund ta presë edhe Andi Tepelenën, anëtar i shquar i Alenacës Kundër Importit të Plehrave (AKIP), i cili në korrik të vitit 2017 organizoi një protestë kundër rritjes së çmimeve të ujit para Bashkisë së Tiranës.

Ai e lajmëroi paraprakisht policinë, por bëri një gabim: E shënoi 27-ën si datë, në vend të 26-ës. Policia e lejoi tubimin por u konsiderua si i jashtëligjshëm dhe Departamenti i Sigurisë Publike e dorëzoi rastin në prokurori.

“Të nesërmën policia më thirri për të dhënë dëshmi”, tha Tepelena. “Unë u thashë se ishte gabim dhe se njoftimi në Facebook kishte datën e saktë. Por pastaj lexova në shtyp që më kishin akuzuar mua dhe dy të tjerë”.

Një protestë tjetër që mund të ketë dështuar sa i përket respektimit të protokolit u mbajt një muaj më vonë në Kamëz, qytet i vogël afër Tiranës. Kur banorët e bllokuan djegien e plehrave urbane në ambient të hapur, eksperti i ambientit dhe aktivisti Sazan Guri vendosi t’i mbështesë ata. Ai i lajmëroi autoritetet për qëllimet e tij dhe të nesërmën e udhëhoqi një tubim të vogël para Zyrës së Kryeministrit.

Edhe pse ishte tubim paqësor dhe pa pasoja për rendin publik, protesta që pasoi u konsiderua si e jashtëligjshme, sepse sipas ligjit, autoritetet duhet të ishin lajmëruar tre ditë më parë. Materialet pastaj u dërguan te zyra e prokurorisë.

Aida Karakushi është një protestuese tjetër e cila u përball me ligjin në vitin 2017. Ajo vendosi të protestonte kundër zgjedhjes së Presidentit të ri. Karakushi shkroi ‘Ti nuk je Presidenti im!’ në një copë letër dhe doli të protestonte në rrugë me disa miq. Por ata u ndaluan nga policia para ndërtesës së Parlamentit dhe u shoqëruan në stacion të policisë.

“Ata erdhën dhe na thanë se nuk kemi leje për të protestuar”, tha ajo për K2.0. “Ata na thanë se e dinë që nuk jemi të dhunshëm, por sipas tyre, duhej të shkonim në stacion të policisë”.

Eljan Tanini gjithashtu u përball me gjykatën, pasi protestoi ndaj vendimit të komunës për t’i hequr drunjtë që i kishte mbjellur ai. Foto: Artan Rama.

Një piktor dhe shkrimtar i ri, Eljan Tanini, tashmë e ka kryer dënimin si pasojë e rolit të tij në një protestë tjetër. Për një kohë të gjatë, Tanini vullnetairsht kishte mbjellur drunj anembanë Shqipërisë. Në vitin 2016, kur autoritetet komunale vendosën t’i prenin 40 prej tyre në Tiranë, ai protestoi – gykata e dënoi me dy muaj burg në përputhje me Nenin 235 të Kodit Penal: “Kundërshtim të Zyrtarit Publik [sic]”.

Tanini e pranoi dënimin, që më pas u shndërrua në punë pa pagesë nëpërmjet shërbimit për komunitetin. Tanini e kaloi këtë kohë duke pastruar pluhurin nga raftet e vjetra të librave në një bibliotekë publike lokale.

Leje apo njoftim?

Të gjithë të dënuarit janë aktivistë të cilët kanë protestuar në emër të lëvizjeve të ndryshme shoqërore. Përveç Taninit, të gjithë janë dënuar nga autoritetet sipas Nenit 262 të Kodit Penal: ‘Organizim dhe Pjesëmarrje në Tubime të Paligjshme’. Por a është problemi te ligji dhe mënyra e përdorimit të tij nga autoritetet, apo te protestat?

Sipas Raportit për Monitorimin e të Drejtës për Tubim të Lirë (2016-2017), të hartuar nga Partners Albania, ekziston një paqartësi në lidhje me konceptet “njoftim” dhe “leje”. Ndonëse Ligji për Tubim njeh konceptin e ‘njoftimit’, Kodi Penal e konsideron mungesën e “lejes” si shkelje penale.

Dorian Matlija shpreson ta qartësojë këtë mospërputhje. “Për marshin e anuluar të studentëve, ne kemi vendosur ta adresojmë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar një interpretim të ligjit në lidhje me të drejtën për tubim”, tha ai për K2.0.

Holta Ymeri gjithashtu po e sheh këtë si mundësi për t’i përdorur rastet aktuale për ta përmirësuar ligjin. “E drejta për të protestuar është e rëndësishme dhe duhet të mbrohet”, deklaroi ajo. “Ne jemi të vendosur t’i drejtohemi Strasburgut nëse protestuesit e Parkut mbesin fajtorë”.

Vasilika Laçi, drejtoreshë e Civil Rights Defenders Albania, propozoi një zgjidhje për këtë çështje. “Kemi nevojë për një strategji për përmirësimin e ligjit në favor të dhënies së lejeve. Të bëhemi bashkë, ta kthejmë situatën në favorin tonë…”

Liri e rrejshme e shprehjes?

Ky trend, ku qytetarët po përballen me probleme ligjore pas protestave, ka shkaktuar shqetësime që po krijon një përshtypje e gabuar në lidhje me lirinë e shprehjes në Shqipëri. Të dhënat në vijim mund të përdoren për të dhënë një imazh çorientues të mënyrës së trajtimit të së drejtës për të protestuar.

Për shembull, në raportin e lartpërmendur të Partners Albania u tha: “ka përmirësime në menaxhimin e tubimeve”, pas analizimit të të dhënave që i kishte siguruar vetë Policia e Shtetit – ku doli se gati të gjitha tubimet e kërkuara në dy vitet e fundit ishin miratuar.

Por në deklaratën e Drejtorit të Policisë së Tiranës për K2.0 u zbulua se çka qëndron prapa numrave. “Për ne është e rëndësishme të respektohet procedura”, shpjegoi Ardi Veliu. “Ne përcaktojmë vendin dhe kohën e protestës. Ne nuk e ndalim, por nëse kriteret nuk respektohen, ne e konsiderojmë si të paligjshme”.

Dorian Matlija, avokati i përfshirë në protestat e studentëve, mendon se vendimi për leje është selektiv. “Në një rast policia e ndali një marsh të studentëve me justifikimin se andej do të kalonte një delegacion i huaj”, tha ai për K2.0. “Ne i verifikuam informatat dhe gjetëm se nuk kishte delegacion”.

“Ne përcaktojmë vendin dhe kohën e protestës. Ne nuk e ndalim, por nëse kriteret nuk respektohen, ne e konsiderojmë si të paligjshme.”

Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu

Veliu e mohon këtë akuzë. “Ne nuk bëjmë dallime në karakterin e protestës. Përgjegjësitë tona lidhen vetëm me zhvillimin normal të protestave”, deklaroi Drejtori i Policisë së Tiranës.

Megjithatë, një çështje u ngrit edhe nga partia më e madhe opozitare për protestën e Partisë Demokratike të Shqipërisë në shkurt të vitit të kaluar, kur aktivistët e partisë vendosën një tendë që e bllokonte Bulevardin qendror të Tiranës.

E befasishme ishte që policia nuk e konsideroi këtë protestë të paligjshme, dhe pas një ‘bllokade’ dymuajshe, opozita siguroi një bashkëqeverisje katërmuajshe, dhe si rrjedhojë e kësaj e liroi Bulevardin.

“Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë frikë kur çështjet lidhen me politikë”, tha Holta Ymeri për K2.0.

Ymeri gjithashtu beson se sistemi i drejtësisë ka prirje t’i mbështesë zbatuesit e ligjit, e jo protestuesit. “Gjykatësi i cili i dënoi aktivistët në park më parë i kishte shpallur të pafajshëm disa policë të cilët në një tubim të vitit 2011 kishin vrarë katër protestues”, deklaroi ajo. “Merreni me mend si i duken atij policët që vetëm i rrahin protestuesit!”

Në rastin e Parkut në Liqenin Artificial, Avokati i Popullit tha se të drejtat e protestuesve ishin shkelur dhe kërkoi që kjo dhunë të hetohej. Ministria e Punëve të Brendshme tha se i kishte dënuar dy policët me masa disiplinore por prokuroria nuk nisi hetime. K2.0 më vonë kontaktoi me një prej policëve të ‘dënuar’ përmes telefonit. Me sa duket ai është zhvendosur dhe tani punonte në Njësitin për Reagim Emergjent.

K2.0 gjithashtu i dërgoi pyetje Ministrisë së Punëve të Brendshme në lidhje me procesin e protestave por nuk mori përgjigje.

Kosto e protestave

Pasojat për protestuesit që janë ndjekur penalisht shpeshherë kanë zgjatur më shumë. Ardit Mekshiqi, njëri prej personave të ndjekur penalisht për protestën në Parkun në Liqenin Artificial, është një prej mijëra shqiptarëve të rinj që po largohen nga vendi çdo vit.

Por Mekshiqi nuk është emigrant ekonomik. Ai i ka kryer studimet në drejtimin e gjeodezisë. Por në vend se të punësohej si inxhinier dhe ta shfrytëzonte tokën për përfitime ekonomike, ai vendosi ta mbronte atë.

Ai u përfshi në disa protesta, duke përfshirë këtu një protestë kundër hidrocentraleve në Valbonë. Një ditë policia erdhi në shtëpinë e tij duke e kërkuar për ta arrestuar. Kur u dënua nga gjykata për pjesëmarrjen në protestat e Parkut në Liqenin Artificial, ai tashmë ishte larguar nga vendi.

Zirkon Disha, ish-student i marketingut, u mbajt në arrest nga policia tre herë gjatë protestave në Parkun në Liqenin Artificial. Ai pastaj u largua nga Shqipëria për gjashtë muaj.

Kur u kthye, ai u zgjodh fitues në dy gara të punësimit në kompani private. Por më pas të dy kompanitë e informuan se vendimi ishte rishikuar. Më vonë ai mësoi se disa prej klientëve të këtyre kompanive ishin institucione shtetërore. Sot ai punon në një biznes privat, por ka një pozitë që nuk përputhet me përvojën e tij.

Eljan Tanini ka vendosur marrëdhënie më fitimprurëse me komunën. Ai së fundmi ka marrë leje për të krijuar vepra artistike në prona komunale dhe nuk proteston më. “Nëse na përshtaten idetë, unë bashkëpunoj”, tha ai. “Dua të bëj gjëra të mira për qytetin tim”.

Pavarësisht problemeve ligjore me të cilat është përballur Alida Karakushi, ajo ende është e përkushtuar të protestojë për interesin publik. Foto: Artan Rama.

“Njerëzit thyhen”, shpjegoi ekspertja e aferave publike Alida Karakushi. “Fatkeqësisht e shoh faktin se aktivistët po largohen. Shumë pak kemi mbetur në këtë vend. Shumë pak njerëz dalin për kauza publike, dhe shumë prej tyre për kauza politike. Autoritetet arrijnë t’i kontrollojnë OJQ-të, kështu që ne jemi rreziku kryesor për ta. Shpeshherë na quajnë Don Kishoti…”

Përkeqësimi i situatës nuk e ka parandaluar Karakushin të protestojë në rrugë. Ndryshe nga mijëra njerëzit që u larguan nga vendi, ajo u kthye në Shqipëri pasi studioi në Universitetin e Oregonit në SHBA.

Ndonëse ajo merr pjesë në trajnime për politikë publike me gjysëm orari, ajo ka dhënë kontributin e saj në publik me orar të plotë nëpërmjet ngritjes së nivelit të ndërgjegjësimit në komunitet, duke u bërë vetë shembull, dhe duke protestuar për mbrojtjen e çështjeve publike.

Ajo vendosi të protestonte në Bulevardin qendror me aktivistë të tjerë. Ajo organizoi protesta dhe mbajti fjalime publike. Një herë madje protestoi vetë për ta mbrojtur interesin publik. Por tani ka ardhur koha që dikush ta mbrojë atë si dhe protestuesit e  tjerë.K

Foto kryesore: Artan Rama.