S`fundmi | Film

Duke i dalë ballë të zotit të Shtëpisë

Nga - 15.08.2017

Një dokumentar i ri i eksploron rolet gjinore në një shoqëri në ndryshim e sipër.

Në fshatin e vogël të Pobergjit afër Deçanit, para afro pesë dekadave, Gjejranja, e bija e dytë e familjes, e kreu rutinën e saj të përditshme për herë të fundit. Si adoleshente e re, ajo e rregulloi tavolinën, hëngri darkë me familjen e saj, dhe i ndihmoi motrave më të reja me detyra. Kur të tjerët i morri gjumi, ajo iku nga shtëpia.

Disa vite më vonë, gjatë xhirimit të dokumentarit “Lord of the House” (Zoti i Shpisë), ajo u kthye në shtëpinë në të cilën u rrit dhe i doli ballë familjarëve të saj për këtë ngjarje që nuk u diskutua për gati 50 vite. Ajo iku për shkak të dëshirës që e kishte për të vijuar mësimin në shkollë të mesme të lartë, vendim ky që nuk u miratua prej familjarëve meshkuj. Derisa Gjejranja e rrëfen tregimin e saj, personaliteti i fortë i saj e magjepsë publikun – pas premierës botërore të këtij filmi në DokuFest të enjten (10 gusht), publiku u ngrit në këmbë dhe duartrokiti gjatë kur ajo doli në skenë.

Edhe pse Gjejranja është në fokus të dokumentarit të Danielle Bremer (i prodhuar nga filmbërësi kosovar Edon Rizvanolli), ky film eksploron edhe tregime të familjeve tjera që jetojnë sipas Kanunit, kodit të traditave shekullore shqiptare që janë të bazuara në dominim të meshkujve, e që i japin mashkullit më të moshuar në familje titullin “Zoti i Shpisë”. Dëshira e Gjejranes për t’u respektuar ajo dhe zgjedhjet e saja paraqitet në një shoqëri që është në transformim e sipër, në të cilën roli e këtyre traditave të vjetra është duke ndryshuar, dhe njerëzit po e gjejnë pozitën e tyre në një realitet të ri.

Dokumentari nis me një dasëm – zhurma e borive të veturave ndeshet me tingujt e tupanave derisa flamujt shqiptar valëvitin në prapavijë. Në kontrast me këtë skenë gazmore, të cilën Gjejranja e refuzoi për hir të pavarësisë së saj, ajo shihet me pallton e saj të bardhë si doktoreshë në një spital të stërmbushur, duke u kujdesur për një vajzë të re. Disa momente më vonë ajo shihet duke shfletuar rrjetet sociale, para se të ndalet te një artikull për një rast të ushtrimit të dhunës me bazë gjinore.

“Burrat… burrat që duan t’i udhëheqin familjet e tyre po i vrasin gratë e tyre”, komenton ajo. Edhe pse kjo fjali e vetme është e mjaftueshme për ta përmbledhur barazinë gjinore në Kosovë, ky dokumentar nuk ka qëndrim gjykues ndaj shoqërisë kosovare. Ndonëse Gjejranja dhe njerëzit tjerë pasqyrojnë mbi qëndrimet shoqërore dhe rolet gjinore, Bremer i lë perceptimet dhe përfundimet të hapura për audiencën, dhe e vë vetën në rolin e vëzhgueses.

Regjisorja holandeze Danielle Bremer mendon se me këto shtatë vite që ka jetuar në Kosovë e ka fituar një perspektivë të dobishme, duke e parë situatën si nga brenda, edhe nga jashtë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

“Nëse i shikon gjërat nga pikëpamja e jashtme, atëherë i sheh disi më ndryshe”, tha Bremer për K2.0. “Sepse edhe ne në Holandë kemi tradita, njëlloj sikur këtu, por nuk i sheh aq qartë, ose janë më pak interesante sepse je pjesë e tyre. Pra kur sheh si nga jashtë edhe nga brenda njëkohësisht, atëherë e ke një pozitë të mirë”.

Gjatë tërë dokumentarit shikuesit e gjejnë vetën në mes të bisedave dhe zbulimeve të sinqerta. Disa karakterë i vënë në dyshim traditat e rrënjosura, e tjerë i pranojnë ato.

“Ke shku në shkollë me shumë vështirësi sepse familja jonë nuk ka dashtë vajzat me shku në shkollë”, i thotë Hatja, nëna e Gjejranes, me ton të mprehtë. Biseda pastaj kthehet kah motra e madhe e Gjejranes, Servetja, e cila u martua në moshën 16 vjeçare. Kur e pyesin se a mendon që ishte shumë e re, Hatja përgjigjet haptas: “Kush më ka pyet mu? Burrat i kanë rregullu këto gjana”. Kjo bisedë e zbulon të vërtetën e ashpër të roleve të fiksuara dhe specifike në këtë shtëpi.

Pavarësisht faktit që Hatja e mbështeti vendimin e Gjejranes për ta kryer shkollën, ajo ende beson që Servetja bëri zgjedhje më të mirë. Arsyetimi i saj nuk lidhet aq me tradita. Ajo thekson faktin që Servetja do të ketë ‘fëmijë që kujdesen për të kur të plaket’, duke iu referuar pasigurisë që e ndjenjë njerëzit kur nuk i ndjekin rregullat e caktuara nga shoqëria.

Ky film i paraqet disa njerëz prej fshatrave e qyteteve të Kosovës të cilët jetojnë nën ndikimin e traditave që burojnë nga Kanuni. Foto: Nga filmi “Lord of the House”.

Roli tepër i kufizuar i grave paraqitet më së miri në kodin e themeluar shqiptar për sjellje sociale, në Kanun. Ky kod thotë se gratë nuk kanë të drejtë të zgjedhin. Gratë janë të lidhura për zgjedhjet që bëhen për to, fillimisht prej babait, e më vonë prej bashkëshortit.

Fragmente të ndryshme të Kanunit lexohen me zë nga pjesëmarrësit e dokumentarit; disa vajza në një kurs vallëzimi, një grua e re në një dyqan të fustanave të dasmave, dhe një familje. Bremer e përdori këtë për t’i treguar lidhjet në mes të jetëve të tyre që i jetojnë nën hijen e traditave që burojnë, të paktën deri në një masë, prej vet kodit.

“Një herë po lexoja libra të Edith Durham dhe desha të bëja diçka me shkrimet e saja, sepse e kisha përshtypjen që shkrimet e saja ende ishin të pranishme rreth meje”, thotë Bremer për K2.0. “Edhe pse e kuptova që ishte shumë kohë më parë, ka gjëra që ende janë këtu, të pranishme. Por pastaj mendova që po i bie si me i hy tërthorazi, e Kanuni m’u duk më i drejtpërdrejtë”.

Bremer gjithashtu e zgjeron bisedën deri te kundërshtimi i zakoneve nga pikëpamja e meshkujve. Kur Gjejranja përballet me axhën e saj e flet për ngurrimin e familjes së saj për ta kontaktuar atë pasi u largua nga shtëpia, ai pasqyron me nostalgji për të kaluarën, kur autoriteti i meshkujve ishte thuajse i pakundërshtueshëm. “Tash të gjithë i këqyrin punët e veta… Atëherë ka qenë e qartë kush i ka në dorë sendet: i zoti i sh’pisë”, thotë ai.

Ndonëse axha i thotë Gjejranes që e ka falur që ka ikë nga shtëpia, ai gjithashtu shpreh zhgënjimin e tij për faktin që traditat po zhduken shpejtë. Foto: Foto nga “Lord of the House”.

Në një skenë tjetër, disa burra mbledhen rreth një tavoline, duke pirë cigare e çaj, e duke pasqyruar për atë se si transformimi i shoqërisë ka krijuar huti rreth konceptit të të zotit të shtëpisë. “Nuk ka zot shtëpie ma… Gratë e morrën [këtë rol]”, thotë njëri burrë duke u zgërdhirë me ironi.

“Në shtëpinë time është si këtyneherë”, e ndërprenë një burrë tjetër i moshuar që refuzon minimizimin e rolit të tij. Pastaj një tjetër mundohet të gjejë kompromis për pikëpamjet e kundërta të miqëve të tij. “Pse po shqetësoheni për kush është i zoti i shtëpisë?”, thotë ai. “Secili duhet me jetu jetën e vet”.

Por mishërimi i nevojës për t’iu përshtatur normave më të vjetra shfaqet më së miri prej vajzave të reja që portretizohen në film; ndonëse vajzat në kurs të vallëzimit thonë se duan të vijojnë mësimin në shkollë të mesme të lartë, ato thonë se pjesëmarrja e tyre në kurs të vallëzimit varet prej bashkëshortëve të tyre. Në një skenë tjetër, një grua e re që punon në një dyqan nusëror flet për angazhimin e arranzhuar të saj, si dhe detyrimin që e ka për t’iu bindur familjes së bashkëshortit të saj në të ardhmën.

Jo si gratë e reja që aludojnë se fuqizimi i grave në Kosovë nuk është proces i shpejtë, Gjejranja e çliroi vetën prej bindjeve të famljes së saj, dhe kështu ndihmoi që motrat e saja më të reja ta ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u arsimuar.

“Ajo e bëri hapin e parë. Ajo i theu kufijtë në mes të gjinive”, komenton motra më e re e Gjejranes. Duke e përshkruar realitetin e ndryshuar të familjes së saj, një grua tjetër në familje thotë: “Ne nuk kemi Zot Shtëpie, kemi Zonjë Shtëpie”.K