Blogbox | Protesta

Ngritni flamujt — qysh merr formë rebelimi

Nga - 14.04.2017

Një vështrim mbi politikën.

Më 12 prill, revolta e pandërprerë kundër presidentit të ri të zgjedhur hyri në ditën e dhjetë. Ajo që rëndom do të ishte veç një 10-ditësh jete të zakonshme përplot trafik, telashe e studime të pafundme, u shndërrua në diçka shumë më të madhë për qindra mijëra njerëz, të cilët marshën nëpër rrugë të qyteteve të Serbisë për të protestuar kundër sistemit të korrruptuar elitist dhe njeriut i cili e mishëron procesin e tranzicionit drejt kurrgjësë – Aleksandar Vuçiqit.

Në mungesë të mbulueshmërisë objektive të mediave, pa udhëheqës, masat e tubuara studentësh nëpër plato e shkallë të Kuvendit Nacional në Beograd brohorasin plot solidaritet slloganin e njëjtë pas përfundimit të ditës, “Nesër në ora 6” — kur gjithçka do të vazhdojë nga aty ku është ndalur ditën paraprake me më shumë slloganë, banerë, e njerëz që i mbajnë ato lartë  për ta kundërshtuar qeverinë të cilës të gjithë dëshirojnë t’i japin fund.

Gjatë 10 ditëve të para, një ndryshim i ngadalshëm por megjithatë i rëndësishëm ndodhi brenda vetëdijes së njerëzve të tubuar, i cili mund ta ketë zanafillën në format e artit politik të cilat e materializojnë kalimin nga retorika anti-Vuçiq drejt thelbit të problemit — shkaqet strukturore të cilat kanë bërë që Serbia të jetë kampione e shkallëve të varfërisë.

Beteja brenda betejës

Me t’u kthyer në Beograd pas një jave jashtë vendit dhe pasi mungova në ditët e fundit të fushatës presidenciale, kisha dyshime nëse do të kishte raund të dytë të zgjedhjeve. Në fund, skepticizmi im u tregua me vend menjëherë pas fitores së hatashme prej 55 përqind të cilën e korri kandidati i partisë në pushtet, derisa i dyti, kandidati i pavarur Sasha Jankoviq mori diçka më shumë se 16 përqind të votave.

Edhe pse ishte e pritshme, numrat ishin frymënxënës. Kjo nënkuptonte së paku edhe pesë vjet reformash neoliberale, dominimin e një partie, privatizim dhe tkurrje e mëtejme e asaj që kishte mbetur nga prona publike dhe institucionet shtetërore.

Partia Përparimtare Serbe i kishte përsosur këto mekanizma udhëheqësie feduale dhe shantazhimi — duke e ndërlidhur pozitën materiale të anëtarëve të partisë dhe të familjeve të tyre me suksesin zgjedhor.

Unë nuk isha i vetëdijshëm për ngjarjet e 3  prillit — nata kur filluan demonstratat.  Ideja e parë e ndonjë trazire e cila po zihej më erdhi kur një mik i imi ma dërgoi në Facebook një fotografi të njerëzve me grushtat e ngritur lartë. Disa çaste më vonë një turmë njerëzish kaluan jo shumë larg banesës sime, ndërsa zhurma e mbushi dhomën thuajse po kalonin poshtë dritares sime. Vetëm kur dëgjova se më pak se 1,000 njerëz marshuan atë natë dhe e bënë gjithë atë rrëmujë e kuptova që kjo ishte ajo. Politika e rinisë e kishte gjetur shtëpinë e vet në rrugë.

Siç u pa më vonë, numri i njerëzve të cilët votojnë për partinë në pushtet rritet proporcionalisht me pabarëzinë, shkallët e papunësisë, dhe me kapjen e aparatit të shtetit nga partia në pushtet.

Partia Përparimtare Serbe i kishte përsosur këto mekanizma udhëheqësie feduale dhe shantazhimi — duke e ndërlidhur pozitën materiale të anëtarëve të partisë dhe të familjeve të tyre me suksesin zgjedhor. Ky është rrethi vicioz i politikës së Ballkanit i cili kërcënon ta përpijë Serbinë brenda vrimës së zezë të mjerimit — diçka duhej bërë.

“Ktheja pensionin gyshes!”

Të nesërmen, e dashura ime e kishte bërë gati një baner i cili thoshte “Sot po dal në rrugë që të mos përfundoj të jetojë  rrugëve”. Ishim krenarë kur e kuptuam se ishte ky njëri prej slloganëve më gjithëpërfshirës socialë në një turmë që numëronte më shumë se 15,000 persona të cilët kishin dalur në rrugë në natën e dytë të protestave, ku edhe tërhoqi edhe vëmendjen e madhe të fotografëve dhe të protestuesve tjerë të cilëve u duhej kohë ta lexonin. Ishte ky një fillim inkurajues.

Ndërsa po silleshim rrugëve të Beogradit edhe një agjendë ishte vendosur përpara kolonës lëvizëse të njerëzve, ku një grup i organizuar mirë, i krahut të djathtë, kishte vendosur një baner dominues që thoshte “Poshtë diktatura”, i cili ishte i rrethuar nga tifozë futbolli, simbole të krahut të djathtë, flamuj kombëtarë të gërshetuar me flamuj rusë — nuk i bënin hesap faktit se Rusia, ashtu sikurse edhe BE-ja, me gjithë zemër e mbështeste kandidimin e Vuçiqit. Parullat brohoriteshin duke e fajësuar Vuçiqin si shkaktarin e vetëm të lëmshit në të cilin gjendemi të gjithë ne. Tekefundit, shumë prej simpatizuesve të krahut të djathtë vinë nga po i njëjti sfond politik, prandaj edhe dallimet e tyre politike nuk janë hiç në shumë se çështja e personit i cili do t’i mishërojë ato. Prandaj ata vazhdimisht kërkuan raund të dytë të zgjedhjeve dhe insistuan në rolin e Vuçiqit në vend se të fokusoheshin në problemet pjesë e të cilave është edhe vetë ai.

Pakënaqësia simultanisht u artikulua edhe në rrugët e qyteteve tjera — në Novi Sad, Nish, Zrenjanin, Suboticë, e kështu me radhë. Mungesa e policëve në uniformë dhe mosgatishmëria e regjimit të ndërmarrë veprime kundër njerëzve e ka dëshmuar brishtësinë e pozicionit të tyre. Edhe sindikata më e madhe e policisë, së bashku me atë të ushtrisë, vendosën të organizonin protestë të shtunën, më 8  prill, e cila u mbështet nga studentët në Beograd.

Hapi më i madh dhe më i shpejtë nga qasja centriste e Vuçiqit drejt një qasjeje të problemit të sistemit u pa në Novi Sad, ku Lëvizja Studentore e Novi Sadit (SPNS), së bashku me nismat tjera, e morën përsipër organizimin e protestave dhe i bënë ballë përpjekjeve të provokuesve për t’i turbulluar ujërat.  Zyrtarët e qytetit, si rezultat i pafuqisë totale, urdhëruan që dritat e qytetit të fiken për të parandaluar që slloganët si “Serbia nuk është ndërmarrje e askujt”, “Ne i mësojmë vajzat të bëjnë revolucion, jo ta fshijnë shtëpinë”, të mos i shihnin njerëzit që po i përcillnin protestat nga ndërtesat e afërta. Edhe sllogani i pakicës hungareze nxori kokën në rrugë me fjalët “Të drejtat, kultura, mediat e lira”, që ishin shenjë e qartë se protestat po i tejkalojnë pengesat etnike.

Ndërsa ditë e 11-të e protestave po i afrohet fundit nuk ka shenjë të plogështimit të masave.

Evolucioni i rebelimit në Beograd mori kthesë të rrëmbyeshme kur një grup prej afro 100 studentësh, të mbështetur nga qytetarët e tubuar, qëndruan në shi të premten e 7 prillit, të cilët i zmbrapsën përkrahësit e krahut të djathtë të cilët ende qëndronin në krye të turmave. Ditë më parë, tensionet sa vinin e rriteshin teksa të rinjtë, aktivistë majtistë filluan të ecin bashkërisht, duke u marrë vesh që bashkërisht t’i bëjnë banerët dhe filluan ta rrezikojnë hegjemoninë e padëshiruar të djathistëve në krye të turmës. “Nuk duam liderë!”, “Jeni të padëshiruar!”, dhe “Protestat popullore!” ishin parullat që brohoriteshin në shenjë solidarizimi derisa furacakët shpërndaheshin.

Një ndryshim i nartyrës së protestave ndodhi me paraqitjen e slloganit të ri në krye të protestës — “Njerëzit po vdesin urie, elitat po kënaqen”, derisa parullat po kalonin nga ofendimet personale drejt Vuçiqit dhe veprimeve të tij drejt slloganeve të reja të lloijit “Ktheja pensionin gjyshes!”

Në ndërkohë, kërkesat e studentëve nisën të marrin formë, me kërkesa për përfundimin e masave shtrënguese, si dhe për arsim e shëndetësi publike. Duke iu shtuar këtyre edhe kërkesat për dorëheqjen e Komisionit Zgjedhor, dorëheqjen e bordeve të televizioneve shtetërore, si dhe dorëheqjen e krejt elitës politike, ato përbënë një katalog politik idealist, e megjithatë vizionar të një gjenerate të cilën shumëkush e shihte si apolitike dhe pa ambicie për t’u angazhuar në punët e shoqërisë.

Ndërsa ditë e 11-të e protestave po i afrohet fundit nuk ka shenjë të plogështimit të masave, të cilat po pasqyrojnë një lloj të caktuar këmbëngulësie e cila buron nga vetëdijësimi se askush nuk do t’i zhvillojë betejat në emrin tonë. Ky fakt dhe vullneti për t’i ndrequr gjërat i shtyn njerëzit t’i shpërfillin jetët e tyre, fakultetet e punët e tyre, dhe t’i përkushtohen dhënies fund të vuajtjeve të një shoqërie e cila gati e ka prekur fundin. Shumë banerë të protestave do të pushojnë deri në përfundim të festave të Pashkëve, pas së cilave ata do të ngriten përsëri — edhe pse protestuesit më të përkushtuar refuzojnë të heqin dorë madje edhe për një ditë, dhe do t’ju rreken rrugëve të nesërmen përsëri, duke mos u lënë kohë autoriteteve të pushojnë dhe duke mos u dhënë arsye për optimizëm.

Se çka do të bëhet me protestuesit dhe me kërkesat e tyre, mbetet të shihet. Për sa më përket mua, fitorja tashmë u arrit kur ne, brezat të cilët do t’i japin formë shoqërisë së të nesërmes, u organizuam dhe kërkuam që besimi i jonë të jetë i palëkundër që ne, me ndihmën e profesorëve tanë, me punëtorë e të moshuar, ta marrim kahjen e duhur.

Fotografitë u realizuan nga protestuesit pjesëmarrës.

KOMENTO