S`fundmi | Të drejtat e njeriut

Raporti që kontribuon në strategjitë e të drejtave të njeriut

Nga - 02.12.2016

Në konferencën ECMI diskutohen rekomandimet për të drejta.

Të martën, (29 nëntor), raporti “Strategjia e të Drejtave të Njeriut për Kosovë 2016-2020: Rruga Përpara” u prezantua gjatë një konferene në hotel Sirius, ku u mblodhën përfaqësues të institucioneve qeveritare dhe shoqërisë civile. Publikuar nga zyra e Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve (ECMI) në Kosovë, nën ombrellën e Equal Rights for All Coalition, ERAC, ky raport ofron rekomandime për qeverinë për projekt strategjinë dhe plan veprimin e të drejtave të njeriut, që aktualisht është në proces të finalizimit.

Nëpërmjet Kushtetutës dhe strukturës ligjore, Kosova ka strukturë të shëndoshë ligjore që garanton respektimin dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore. Instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, janë të zbatueshme edhe në Kosovë, dhe e zëvendësojnë legjislacionin kombëtar, ndërsa pako e ligjeve për të drejta të njeriut (ligji kundër diskriminimit, për Institucionin e Avokatit të Popullit dhe për barazi gjinore), u ndryshuan në 2015 me synim të adresimit të mangësive të mëparshme në këtë strukturë ligjore.

Megjithatë, në praktikë, mungesa e zbatimit efikas të ligjit po i lë shumë grupe në një pozitë të prekshme, veçanërisht pjesëtarët e komunitetit LGBTI, minoritetet etnike, fëmijët dhe gratë. Synimi i strategjisë dhe plan veprimit të qeverisë 2016-2020 do të jetë që të shërbejë si dokument bazë me hapa konkret që palët relevante të interesit duhet t’i bëjnë për të promovuar dhe avancuar të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët kosovar.

Duke folur i pari në konferencë, kreu i seksionit politik të zyrës së BE, Thomas Gnocchi, tha se raporti është shumë i rëndësishëm meqë të drejtat e njeriut janë në thelb të procesit të integrimit në BE.

“Pjesëmarrja e shoqërisë civile… është veçanërisht e rëndësishme sepse OJQ-të dhe organizatat bazë punojnë direkt me persona të pafavorizuar dhe të margjinalizuar”, tha ai.

"Këto lloj raporte ndihmojnë gjatë punës sonë dhe ne do t'i shfrytëzojmë rekomandimet."

Habit Hajredini

Gnocchi shtoi gjithashtu se përgjegjësia përfundimtare për sigurimin e hartimit dhe zbatimit të kësaj strategjie i mbetet qeverisë dhe organeve relevante përgjegjëse. Në këtë aspekt, ai i referohet ministrive të ndryshme që duhet të bëjnë hapa që të garantojnë kushte më të mira për grupet e prekshme. “Për shembull, Ministria e Administratës Publike duhet ta ripunojë buxhetin dhe të zbatojë plane konkrete për atë se si dhe kur do të bëhen ndërtesat publike më të arritshme për njerëzit me aftësi të kufizuara”, tha ai. “Njëlloj edhe Ministria e Arsimit duhet të prezantojë masa konkrete që do t’i merr për të reduktuar nivelin e braktisjes së shkollës për fëmijët e komuniteteve të margjinalizuara”.

Gnocchi gjithashtu rekomandon që sistemi i drejtësisë të gjejë mënyra për të zbatuar me efikasitet legjislacionin e ri për t’i luftuar krimet e urrejtjes dhe për t’i dënuar ata që i kryejnë këto krime.

Habit Hajredini është drejtor i Zyrës për Qeverisjë të Mirë (ZQM) në Zyrën e Kryeministrit, që po e udhëheq dhe koordinon procesin e hartimit të strategjisë. Ai tha se raporti i ECMI erdhi në një kohë shumë të rëndësishme. “Këto lloj raporte ndihmojnë gjatë punës sonë dhe ne do t’i shfrytëzojmë rekomandimet”, tha ai.

Hajredini gjithashtu theksoi se themelimi i Grupit Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut do të shërbejë si mekanizëm i rëndësishëm meqë do të mundësojë koordinim më të mirë në mes të ministrive në nivel qendror dhe të komunave. I udhëhequr nga kryeministri, ky grup përbëhet prej ministrive dhe institucioneve relevante, Institucionit të Avokatit të Popullit – institucion që fillimisht rekomandoi hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për të drejtat e njeriut – dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile; do t’i raportojë Kuvendit, duke shpërndarë informata në organizata lokale dhe ndërkombëtare dhe duke i bërë prioritet problemet kryesore që lidhen me zbatim.

“Do t’i theksojë gjithashtu prioritetet në lidhje me çështjen e të drejtave të njeriut në përgjithësi, meqë do të ketë mandat për të rishqyrtuar legjislacionin dhe monitoruar zbatimin e ligjeve”, tha Hajredini.

Panelisti i tretë ishte Zëvendës Avokati i Popullit, Isa Hasani, që deklaroi se mbrojtja e të drejtave të njeriut është obligim për autoritetet shtetërore. Duke konfirmuar rolin special të Institucionit të Avokatit të Popullit në lidhje me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut, Hasani kritikoi qëverinë për faktin se nuk po tregojnë një qasje më të fortë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Institucioni i Avokatit të Popullit ka vërejtur se pavarësisht përpjekjeve pozitive të qeverisë, kishte mungesë të zbatimit të këtyre [strategjive për të drejtat e njeriut], qoftë si rezultat i mungesës së mjeteve financiare që do të mundësonin zbatimin e tyre, qoftë për arsye tjera”, tha Hasani.

Adrian Zeqiri, drejtor ekzekutiv i ECMI, ka qenë përfaqësues i shoqërisë civile në grupin e hartimit të strategjisë prej fillimit të procesit në 2015. Ai tha se projekt strategjia aktuale i ka marrë parasysh komentet dhe kritikat që u bënë në fazat fillestare, meqë tani sugjeron një ndarje të roleve dhe kompetencave, bashkëpunim në mes të strukturave të të drejtave të njeriut, dhe monitorim e identifikim të problemeve aktuale.

"Një prej rekomandimeve është përfshirja e Këshillit Prokurorial dhe sistemit të drejtësisë, që ne mendojmë do të kontribuojnë në punën e grupit punues".

Adrian Zeqiri

Duke theksuar ato që duhet mësuar, Zeqiri gjithashtu diskutoi për problemet e Strategjisë dhe Plan Veprimit për të Drejtat e Njeriut 2009-11, si mungesa e informatave nga institucionet, raportimi joefikas nga institucionet dhe organet zbatuese, dhe buxhetet e aktiviteteve që organizoheshin në mënyrë ad hoc.

“Kritika është se kishte mungesë fokusi, ishte e formuluar në mënyrë shumë të përgjithshme që nuk kishte tregues të matshëm, dhe ndonjëherë [gjërat duhej të bëheshin] në intervale kohore shumë ambicioze, e kjo bëri që të mos arrihet zbatimi siç u parashikua në strategji”, tha Zeqiri.

Zeqiri gjithashtu mirëpriti themelimin e Grupit Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut, megjithatë ai sugjeroi që të quhet grup punues ndërinstitucional.

“Nuk kemi vetëm ministri të qeverisë, por edhe institucione të pavarura, si Avokati i Popullit”, tha ai. “Një prej rekomandimeve është përfshirja e Këshillit Prokurorial dhe sistemit të drejtësisë, që ne mendojmë do të kontribuojnë në punën e grupit punues”.

Sipas raportit të ECMI, strategjia duhet të ketë vëmendje të veçantë për promovimin dhe mbrojtjen e shtuar të të drejtave të grupeve të prekshme në përputhje me përkushtimet ndërkombëtare që janë ndërmarrë nga qeveria. Fëmijët, gratë, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, personat LGBTI, minoritetet etnike, azilkërkuesit, personat e zhvendosur brenda vendit dhe të burgosurit, janë grupet e prekshme që duhet të konsiderohen si grupe që përfshihen në spektrin e synimeve të strategjisë, shkruan në raport.

Një çështje tjetër e ngritur në raportin e ECMI është koncepti i ‘strategjisë ombrellë’ që është prezantuar në projekt strategjinë aktuale, që synon të përfshijë strategji tjera që kanë të bëjnë me grupe specifike të prekshme ose të margjinalizuara në këtë strukturë. Ky raport rekomandon që grupi punues ka nevojë të qartësojë më mirë atë se çfarë kuptimi ka ‘strategjia ombrellë’ dhe se çfarë marrëdhënie do të ketë në mes të strategjive nën-sektoriale dhe strategjisë kryesore.

Ky raport vazhdon duke rekomanduar që projekt strategjia ka nevojë që t’i merr parasysh praktikat më të mira të shteteve tjera, si strategjia kombëtare e Gjeorgjisë që funksionon si ‘strategji ombrellë’ dhe është e bazuar në katër parime gjithëpërfshirëse dhe detyruese: paprekshmëria e të drejtave të njeriut nga shteti, mbrojtja kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut prej tjerëve, krijimi i një sistemi që i lejon personat që t’i realizojnë të drejtat e tyre në praktikë dhe informimi adekuat i popullsisë për të drejtat e njeriut.

Ky raport bënë thirrje për një proces hartues përfshirës dhe transparent, duke përfshirë të gjitha palët e interesit në proces e duke u konsultuar me to. Raporti vjen në përfundim se pas miratimit përfundimtar nga grupi ndërministror, konsultimet e mëtejme duhet të kryhen për ta finalizuar plan veprimin. Kur të finalizohet strategjia, duhet të ratifikohet në Kuvend.K

Ballina e raportit "Strategjia e të Drejtave të Njeriut për Kosovë 2016-2020".

Foto kryesore: Bess Hamiti / ERAC.