Shkurt | Hapësira Publike

Qysh me i marrë përsëri terrenet e përbashkëta të Prishtinës?

Nga - 04.07.2017

Në ngjarjen e fundit të K2.0 është diskutuar ringjallja e hapësirave publike.

Të premten (me 30 qershor), K2.0 e organizoi një diskutim të hapur të titulluar “Qysh me i marrë përsëri terrenet e përbashkëta për Prishtinën”, në Termokiss. Diksutimet për ringjalljen e hapësirave publike që janë të papërdorura apo të braktisura ishin pjesë e projektit |Common Ground for the Balkans”, projekt i mbështetur nga Balkan Arts dhe Culture Fund BAC.

Termokiss u zgjodh si lokacion për shkak se është shembull për potencialin që e kanë hapësirat e braktisura. Një pjesë e papërdorur e kompleksit të sistemit të ngrohjes Termokos në Prishtinë u ringjall vitin e kaluar si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët nga një grup i të rinjve kosovarë, belgë dhe zviceranë. U instaluan dritare të improvizuara, u ndërtua një kulm dhe muret u ngjyrosën me mesazhe pozitive e motive të ndryshme.

“Ka qenë ni grup i madh i njerëzve që kanë bo punë gjithëpërfshirëse”, tha Arbër Salihu, anëtar i komunitetit Termokiss.

Ai tha se transformimi i asaj ndërtese të madhe të hirtë e të betontë në diçka që sot i ngjanë një qendrës sociale morri vetëm 10 ditë punë. Kjo nuk ishte sfida e vetme. U përballën me burokraci të tepërt nga ana e Komunës, si dhe u deshën që t’i bien në fije se si ta udhëheqin atë si hapësirë të komunitetit pasi që e themeluan.

K2.0 organizoi një diskutim energjik javën e kaluar në qendrën sociale Termokiss në Prishtinë.

“Kërkush nuk duhet me përfitu financiarisht prej aktiviteteve që mbahen këtu”, tha Salihu. “Duhet me dalë prej këtij rrethi, që duhet me pagu dikënd për shërbime”.

Rreziku nga privatizimi ishte një prej temave që u përsëritën atë natë. Në Pejë, kontrata 15 vjeçare e qirasë për “Jusuf Gërvallën”, kinemanë e vetme në tërë rajonin e Pejës, i’u dha Anibar-it në një ankand publik në dhjetor, pasi u vë papritmas në listën e pronave për privatizim. Anibar, një organizatë kulturore e të rinjve, e shfrytëzon hapësirën si një prej lokacioneve të Festivalit të përvjetshëm Ndërkombëtar të Animacionit, Anibar.

Vullnet Sanaja e shpjegoi atë se si Anibar e morri kontratën e qirasë për kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, pasi ishte mbështetur shumë pak prej komunës. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Anibari nuk deshi që kinemaja të privatizohet, dhe kështu e morri përsipër menaxhimin e vendit, në mënyrë që të parandalohet privatizimi. Por drejtori i Anibar-it, Vullnet Sanaja, tha se askush në komunë nuk duket i interesuar për këtë vend.

“Ne ende besojmë që dikush tjetër duhet ta udhëheqë”, tha Sanaja. “E gjithë kjo nisi sepse kishte mungesë të veprimit nga zyrtarët e qytetit të Pejës”.

Mbajtja e kësaj ngjarjeje të përvjetshme në “Jusuf Gërvalla” e fut në përdorim këtë vend të paktën për një periudhë gjatë çdo viti, duke u siguruar që të mos braktiset përsëri.

Fjala “e përkohshme” ishte një temë tjetër e kësaj nate. Folësit diskutuan dhe dhanë ide për atë se si mund të garantohet që hapësirat e ringjallura nuk braktisen përsëri pas “ngjarjeve që mbahen vetëm një herë”.

Giulia Cantaluppi nga “Temporiuso”, projekt i bazuar në Itali që propozon ide për përdorim të hapësirave të përkohshme, sugjeroi që njerëzit të mos frikësohen nga idea e “përkohshmërisë”. “Fjala ‘e përkohshme’ është si mundësi për të eksperimentuar me një destinacion të ri pa investuar shumë”, tha ajo. “E përkohshme nuk do të thotë të jemi të pasigurtë, por që të jemi eksperimental. Ideja është që, nëse funksionon, pse jo? Atëherë mund ta bëjmë që të funksionojë për kohë më të gjatë”.

Giulia Cantaluppi ka përvojë me ringjalljen e hapësirave, meqë ka punuar me projekte të tilla në Itali. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ajo tha se për t’i futur në funksion hapësirat si Termokiss, nuk nevojitet planifikim afatgjatë nga ana e qytetit. Në fakt, duhet të caktohen synime në afat të shkurtër. Ajo theksoi se këto hapësira nuk duhet të përdoren për të krijuar “politika sociale” në një vend në të cilin mungon qeverisja. Duhet të shihet si e drejtë për të përdorur hapësira të zbrazëta për të cilat nuk ka plan askush.

Pavarësisht termit “e përkohshme”, Cantaluppi sugjeroi që të përcillen disa hapa bazik e procedural, në mënyrë që të transformohen hapësirat e zbrazëta në kapital kulturor.

Së pari duhet të gjinden këto hapësira. Pastaj duhet të kuptohet se çfarë nevoja ka popullsia aktualisht. Pastaj vjen instalimi i infrastrukturës, para se të merren sigurimet, lejet, e të gjitha dokumentet tjera të nevojshme. Pas asaj vjen vendimmarrja për atë se çfarë saktësisht duhet të bëhet me hapësirën, si dhe krijimi i një komuniteti rreth saj, komunikimi me lagjen, dhe organizimi i ngjarjeve.

Në interes të publikut

Në diskutimin e dytë, me përfaqësues nga Komuna e Prishtinës në panel, u theksua se hapësirat e përkohshme nuk do të thotë të jenë ndërtesa të braktisura. Kreu i departamentit të pronave në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, propozoi që gjatë muajve të verës, kur nuk mbahet mësim, sallat e sportit të jenë të hapura për publikun.

Për ta themeluar këtë duhet të kalohen disa procedura ligjore me komunën, e kjo e ndezi një debat për atë se a po bënë aq sa duhet komuna për të lehtësuar proceset për ringjallje ligjore të hapësirave të zbrazëta.

Ndërtesat e papërdorura në Prishtinë mund t’i ipen marrësve për qëllime që i shërbejnë interesit publik, por kriteri i “interesit publik” nuk është themeluar asnjëherë konkretisht. Kjo shërbeu si pikë kyçe e debatit në mes të anëtarëve të komunitetit dhe Kukajt.

Diskutimi i dytë u fokusua në bashkëpunimin me komuna për qasje në prona të papërdorura publike. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Pyetjet tjera që u shtruan kishin të bëjnë me plane për ndërtimin e ndërtesave në toka të papërdorura kur veç se ka ndërtesa që janë në dispozicion dhe nuk shërbejnë për kurrëfarë qëllimi, si dhe me tendencën për të ndarë tokë për “ofruesit” që japin më shumë ekonomikisht, në vend se për ata që kanë plane për komunitetin.

“Ne nuk kemi shkop magjik që mund t’i ndryshojë këto gjëra”, tha Kukaj. “Ne jemi duke bërë përpjekje të sinqerta për bashkëpunim”.

Përfaqësuesit e komunës theksuan se duhet të veprojnë sipas ligjit, dhe se çfarëdo pengesa burokratike që paraqiten gjatë procesit të ripërdorimit të hapësirave të zbrazëta nuk janë kurrë të qëllimshme, por thjeshtë rezultat i politikave që janë në fuqi.

Besart Vllahinja, kreu i Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, aludoi se njerëzit si ai e Kukaj duan që t’i ndihmojnë komunitetit që t’i marrin përsrëi hapësirat publike, dhe e kanë bërë këtë aq sa kanë patur mundësi brenda kufizimeve të ligjit. Megjithatë, ai insistoi që ekziston një vi ndarëse në mes të asaj që është e përshtatshme dhe asaj që është e paligjshme. “Po vuajmë prej pasojave ligjore. Nuk kemi imunitet”, tha Vllahinja.

Në fund, diskutimet theksuan se themelimi dhe udhëheqja e qendrave sociale ose kulturore të shndërruara prej hapësirave të braktisura nuk është aq e thjeshtë sa mund të tingëllojë, dhe thjeshtë nuk është okupim i paligjshëm i një vendi me disa shokë, me birra në dorë. Vullneti duhet të transformohet në veprim, punë, kohë e përpjekje. Duhet të jetë vullnet kolektiv. Bashkëpunimi dhe miratimi janë të nevojshëm për të garantuar që procedurat ligjore shkojnë ashtu si duhet. Nevojitet një komunitet për ta vënë në lëvizje e për t’i dhënë jetë sa më të gjatë.

“E gjenë një hapësirë e çka mandej?”, pyeti Cantaluppi. “Nevojitet kapital social”.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO