Në thelb | Dhunë Seksuale

Më në fund po vinë njohjet dhe reparacionet

Nga - 26.01.2018

Hapet procesi i aplikimit për të mbijetuarit e dhunës seksuale të kohës së luftës.

Në javët e ardhshme pritet që të mbijetuarit kosovarë të dhunës seksuale të kohës së luftës të marrin njohjet dhe reparacionet e shumëpritura për dëmet që i pësuan gjatë luftës në Kosovë. Një raport i Human Rights Watch i vitit 2000 identifikoi se gjatë luftës “përdhunimet dhe format e tjera të dhunës seksuale u përdorën si armë të luftës dhe instrumente të ‘spastrimit etnik sistematik’”.

Sot, gati 20 vjet më vonë, aktivistët dhe zyrtarët janë afër përfundimit të përgatitjeve, dhe procesi i aplikimit për të marrë statusin ligjor të viktimës së luftës pritet të nisë në shkurt të vitit 2018. Të mbijetuarit e verifikuar do të kenë të drejtë të marrin kompensim në vlerë 230 euro nga buxheti i shtetit.

U desh të pritej viti 2014 që e drejta e të mbijetuarve për reparacion, kryesisht në formë të kompensimit monetar në bazë mujore, të futej në amendamente të ligjit ekzistues që mbulon statusin e viktimave të luftës. Edhe tre vjet të tjera u deshën që Komisioni i Verifikimit, organi përgjegjës për rishikimin e aplikacioneve, të themelohej në prill të vitit 2017, e edhe tetë muaj të tjerë për ta ndarë një buxhet për t’i paguar reparacionet.

raportin e publikuar në dhjetor 2017, Amnesty International shkroi se prej vitit 1999, UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës kishin dështuar t’i përmbushnin obligimet e tyre ndaj të mbijetuarve, të cilët ishin mbështetur dhe ndihmuar nga OJQ-të. Raporti gjithashtu ceku se ndryshimet ligjore ende nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare për reparacione dhe me nevojat e të mbijetuarve, të cilëve përsëri do t’u mohohet qasja në shëndetësi falas dhe rehabilitim adekuat.

Para se të nisë zyrtarisht procesi i aplikimit, K2.0 analizon se kush ka gjasa ta marrë përsipër këtë proces, mënyrën e mbrojtjes së konfidencialitetit të tyre dhe mënyrën se si mund të ndihmojë njohja nga shteti në luftimin e stigmatizimit – si dhe mangësitë e tjera të legjislacionit.

Procesi i aplikimit

Komisioni i Verifikimit i cili do t’i rishikojë aplikacionet përbëhet prej nëntë anëtarëve, me pesë anëtarë nga Qeveria, si dhe një avokat, një psikiatër, një psikolog dhe një përfaqësues i shoqërisë civile që ka përvojë në mbështetjen e viktimave të dhunës seksuale.

Të mbijetuarit mund të zgjedhin të aplikojnë në tri mënyra, njëra prej të cilave është nëpërmjet katër OJQ-ve specifike të cilat autorizohen nga Qeveria – Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT), Medica Kosova, Medica Gjakova dhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave – Drenas.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e KRCT-së, shpjegoi për K2.0 se OJQ-të e autorizuara, të cilat po punojnë për t’i mbështetur të mbijetuarit nga rajonet e ndryshme, do t’u ndihmojnë aplikantëve me çështje logjistike gjatë procesit të aplikimit, dhe do të jenë përgjegjëse për dërgimin e aplikacioneve në Komisionin e Verifikimit.

Të mbijetuarit mund të aplikojnë edhe në mënyrë individuale dhe drejtpërdrejt te Komisioni nëpërmjet një zyreje qeveritare të themeluar në Prishtinë, si dhe nëpërmjet zyrave rajonale të Departamentit për Familje të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile të Luftës, pjesë e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Aplikantët do të marrin përgjigje brenda 30 ditëve prej momentit të aplikimit. Kompensimi do t’u në ditën kur miratohet aplikacioni i tyre. Nëse u refuzohet statusi, aplikantët kanë të drejtë të ankohen ndaj vendimit brenda 15 ditëve.

Ekziston edhe afati i fundit për aplikim – pesë vjet nga momenti kur funksionalizohet ky proces. Amnesty International ka shprehur shqetësimin se ky afat mund të jetë shumë i shkurtë, duke deklaruar se shumë të mbijetuar janë të pasigurtë për sa i përket aplikimit, dhe mund të vendosin për këtë çështje në bazë të përvojave të aplikuesve të parë – proces që siç duket mund të zgjasë më shumë se pesë vjet.

Kush do të aplikojë?

Ndonëse vlerësohet se janë rreth 20,000 persona të cilët kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, aktivistët thonë se numri i saktë nuk do të dihet kurrë. Katër OJQ-të e përcaktuara kanë dokumentuar dhe kanë identifikuar rreth 1,000 persona të cilët i kanë rrëfyer tregimet e tyre të dhunës seksuale gjatë luftës.

Përfaqësuesit e këtyre tri organizatave besojnë se gjatë muajve të parë prej hapjes së procesit, Komisioni kryesisht do të pranojë aplikacione prej të mbijetuarve të cilët janë mbështetur nga familjarët e tyre – proces i cili është pasqyruar në fuqizimin e tyre. Në anën tjetër, si pasojë e stigmatizimit shoqëror, shumë të mbijetuar nuk u kanë treguar për këto gjëra kurrë familjeve të tyre, e aktiviztët besojnë se kjo do të ndikojë në vendimin e tyre për të aplikuar.

“Shumë gra pengohen nga familjet e tyre sa i përket aplikimit”, thotë Veprore Shehu, drejtoreshë ekzekutive e Medica Kosova. “Ky është pension i përhershëm, dhe ata mund të përballen me ankth të përhershëm nëse familjarët e tyre nuk janë të vetëdijshëm për reparacionet [të cilat i marrin ata]”.

Shehu shton se reparacioni në formë të të hyrave mujore mund t’i inkurajojë edhe burrat të cilët kanë përjetuar dhunë seksuale, që të shprehen dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre për reparacion. Ajo thotë se stigma shoqërore është akoma më e madhe për meshkujt që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës, pjesërisht për shkak të përjashtimit të tyre nga debati publik.

Megjithatë, ndonëse disa grupe mund të marrin guxim, të tjerët përjashtohen nga procesi i aplikimit. Ligji aktual – i cili e merr datën 20 qershor 1999 si ditën e fundit të pranueshmërisë për viktima – nuk i adreson nevojat e atyre të cilët kanë vuajtur nga dhuna seksuale pas luftës, kur lufta teknikisht kishte përfunduar, duke ua mohuar kështu të drejtën për njohje dhe reparacion.

Ka probleme edhe me përputhshmërinë me legjislacionin e kaluar për reparacione financiare si rrjedhojë e luftës në Kosovë. Qytetarët të cilët tashmë janë duke marrë pension sipas Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, nuk kanë të drejtë të marrin pension tjetër brenda Kosovës.

Shehu beson se kjo mund t’i shkurajojë shumë të mbijetuar të aplikojnë. “Për shembull, është një grua bashkëshorti i së cilës është dëshmor i luftës, dhe ajo e merr pensionin e tij”, thotë ajo. “Ajo nuk guxon t’i hyjë procesit të aplikimit për njohje të statusit të saj për shkak se do t’ia heqin pensionin tjetër”.

Garantimi i konfidencialitetit

Aplikuesit mund të aplikojnë me shkrim në zyrat e njërës prej katër organizatave të autorizuara, pa dalur para Komisionit. Rushiti beson se kjo është masë e rëndësishme që ndihmon në ruajtjen e konfidencialitetit. Ajo shton se gjatë hartimit të procedurës së aplikimit u konsultuan me ekspertë nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave për t’i marrë praktikat më të mira.

Kur kryhet aplikimi, dokumenti menjëherë trajtohet si i klasifikuar. Nëse aplikimi bëhet nëpërmejt organizatave dhe Komisionit i duhen më shumë informata para vendimmarrjes, kjo do të bëhet nëpërmjet organizatës.

Aplikantët do të obligohen të paraqiten para Komisionit vetëm nëse dokumentimi i përvojave përmban paqartësi. Në atë rast, tri anëtarë të Komisionit do ta intervistojnë viktimën, dhe pjesëmarrja e një psikologu do të jetë e obligueshme. Aplikuesi gjithashtu ka të drejtë të shoqërohet nga ndonjë person që e zgjedh ai/ajo nëse ka nevojë për mbështetje gjatë intervistës.

Rushiti thotë se të gjithë anëtarët e Komisionit kanë nënshkruar gjithashtu dokumente të konfidencialitetit. Kjo vlen edhe për anëtarët e stafit të këtyre katër organizatave. Zbulimi i informacioneve do të konsiderohet vepër penale.

Ajo thekson se sistemi u hartua ashtu që të gjitha deklaratat të kenë për qëllim vetëm verifikimin, e jo të jenë pjesë e procesit të drejtësisë. Në këtë aspekt, sistemi dallon nga ai i cili u zbatua në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku për një kohë të gjatë deklaratat dërgoheshin te prokurori shtetëror për të ndihmuar me hetimin e krimeve të luftës. Aktivistët e specializuar në këtë fushë kanë thënë se kjo ka bërë që shumë të mbijetuar të përmbahen e të mos aplikojnë për reparacione në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Megjithatë, pavarësisht të gjitha masave të marra për garantimin e konfidencialitetit, në këtë sistem mund të ketë një boshllëk. Ankesat ndaj vendimeve të Komisionit do të kryhen nëpërmjet Gjykatës Themelore në Prishtinë ku, sipas Rushitit, mund të mos zbatohen masat e njëjta.

Heqja e stigmës

Veprore Shehu nga Medica Kosova beson se stigma shoqërore ishte arsyeja kryesore që gjithnjë e më pak të mbijetuar kanë folur për përvojat e tyre me OJQ dhe aktivistë në vitet e pasluftës, veçanërisht në krahasim me periudhën menjëherë pas fundit të luftës, kur më shumë të mbijetuar ishin të gatshëm të flasin. Sidoqoftë, viteve të fundit më shumë njerëz kanë filluar të flasin.

Sipas Shehut, krijimi i Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës në vitin 2015, i drejtuar nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga, si dhe mbështetja e saj publike për të mbijetuarit, deri në një pikë ndihmuan me luftimin e stigmës dhe bënë që të mbijetuarit të ndihen më të mbështetur nga shteti. Shehu dhe Rushiti besojnë se dispozitat e reparacioneve do t’i kontribuojnë nismës së Jahjagës dhe do ta përforcojnë mbështetjen qeveritare.K

Të mbijetuarit e dhunës seksuale të kohës së luftës të cilët kërkojnë njohje apo dëmshpërblime mund t’i kontaktojnë organizatat në vijim:

Qendra Kosovare e Rehabilitimit të të Mbijetuarve të Torturës

Medica Kosova

Medica Gjakova

Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave – Drenas

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.