Pikëpamje | BiH

Referendum për Asgjë

Nga - 01.09.2015

Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, po luan lojë të rrëzikshme për ta ushtruar ndikimin e tij veç se të konsiderueshëm.

Bosnja dhe Hercegovina (BiH) edhe një herë po pret fjalën përfundimtare mbi krizën e trilluar të radhës, të shkaktuar prej elitave politike. Pritet një vendim në javët e ardhshme për pyetjen se a duhet të mbahet një referendum i diskutueshëm për ligje shtetërore në lidhje me drejtësinë në pjesën e vendit me shumicë serbe.

Teorikisht, fjala e fundit do të jetë e Gjykatës Kushtetuese të Republika Srpska (RS) – një prej dy entiteteve që e përbëjnë BiH. Megjithatë, është e perceptuar gjerësisht që në realitet, vendimi varet nga një vendim tjetër i Presidentit të RS, Milorad Dodik, për atë se sa është i gatshëm ai ta ushtrojë kapitalin e tij të gjërë politik. Tani, presim një rund tjetër të “Dialogut të Strukturuar” të moderuar nga BE, në mes të liderëve politik boshnjak, që do të mbahet në Bruksel me 10 shtator.

Referendumi i mundshëm ka të bëjë me vendime që janë marrë nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), institucioni ad hoc ndërkombëtar që është i përgjegjshëm për mbikëqyrjen e zbatimit të aspekteve civile të Marrëveshjes së Paqes në Dayton, që i dha fund luftës në BiH. Në mënyrë që të kuptojmë historinë e plotë në lidhje me mandatin e OHR, duhet edhe një herë t’i kthehemi fundit të luftës së Bosnjes, dhe kontekstit politik që çoi të loja aktuale e referendumeve të trilluara.

Marrëveshja e Strukturës së Përgjithshme për Paqe në Bosnje dhe Hercegovina, që u nis në Dayton, Ohio (dhe përfundimisht u ratifikua në Paris në dhjetor 1995), i bëri dy gjëra: i dha fund një lufte që zgjati tre vite e gjysmë, dhe e definoi të ardhmën e sistemit politik dhe marrëdhenieve në mes të ndërluftuesve. Marrëveshja e la një vend de facto të ndarë me dy entitete – Republika Srpska dhe Federata Boshnjako-Kroate – dhe me institucione të dobëta në nivel shtetëror.

Marrëveshja e Paqes në Dayton që u nënshkrua në 1995 i dha fund luftës në BiH dhe e formoi peizazhin politik të pasluftës.

Marrëveshja e Paqes në Dayton që u nënshkrua në 1995 i dha fund luftës në BiH dhe e formoi peizazhin politik të pasluftës.

Mes tjerash, marrëveshja e paqes përfshiu tekstin zyrtar të Kushtetutës së re të Bosnjes dhe Hercegovinës (Aneks 4), dhe Marrëveshjen e njohur më pak, Aneks 10 mbi Zbatimin Civil. Aneksi i fundit i referoi pjesës së procesit ku komuniteti ndërkombëtar, së bashku me akterët lokal, siguruan kryerjen e nevojave themelore për funksionimin e sistemit politik të vendit. Në këtë aspekt, një prej pikave më të rëndësishme ishte themelimi i OHR. U bë institucion shumë i rëndësishëm në 10 vitet e para pas luftës duke marrë masa efektive që siguruan funksionimin themelor të shtetit. Masat dallonin prej ndalimit të politikanëve të akuzuar për (ose të lidhur me) krime të luftës, te mbrojtja e pozitave shtetërore nga kriminelët e luftës, te vendimet mbi çështjet si prezantimi i një monedhës së përbashkët.

Mandati i OHR u përcaktua si vijon në Aneksin 10:

“Duke patur parasysh kompleksitetin me të cilin përballen, Partitë kërkojnë përcaktimin e Përfaqësuesit të Lartë, të emërohet në përputhje me rezoluta relevante të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të lehtësuar përpjekjet e Partive dhe për të mobilizuar dhe, sipas rastit, koordinuar aktivitetet e organizatave dhe agjencive të lidhura me aspektet civile të marrëveshjes së paqes, siç kërkohet nga rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB.

Pra, cila ishte idea kryesore pas një funksioni kaq inovativ në BiH të pasluftës? Kur shihet si e nevojshme, OHR përpiqet të zgjidh vështirësi në lidhje me zbatimin civil të Marrëveshjes së Paqës në Dayton; ajo pozitë është e emëruar në Marrëveshje si autoriteti final në këtë aspekt.

OHR emërohet nga Bordi Drejtues i Këshillit të Zbatimit të Paqës (PIC), organ i krijuar prej shteteve dhe organizatave ndërkombëtare që janë të përfshira në zbatimin e procesit të paqës në BiH; pas emërimit të PIC, vendimi verifikohet nga Këshilli i Sigurimit të OKB.

Fuqitë e OHR kanë evoluar gjatë kohës, duke pasqyruar kështu realitetin e situatës gjatë periudhës tranzicionale për shtetin dhe shoqërinë e Bosnjes.

Fuqitë e Bonn-it

Ndryshimet e para konkrete për mandatin e OHR, që u panë si reagim ndaj sfidave të zbatimit të procesit të paqës, erdhën gjatë Bonn Konferencës së PIC në dhjetor 1997. PIC deklaroi se në mënyrë që të “lehtësojë zgjidhjen e vështirësive”, OHR mund të merr “vendime detyruese, siç e sheh të domosdoshme ai”.

Kjo përfshiu: “masa të përkohshme që bëhen efektive kur partitë nuk arrijnë marrëveshje, që mbesin në fuqi deri sa Presidenca ose Këshilli i Ministrave miraton një vendim që është në përputhje me Marrëveshjen e Paqës, mbi çështjen në fjalë”. Gjithashtu, e çuan aq larg deri te sanskionimi “i masave tjera që sigurojnë zbatimin e Marrëveshjes së Paqës përgjatë Bosnjes dhe Hercegovinës dhe Entiteteve të saja, si dhe funksionimin e patrazuar të institucioneve të përbashkëta”. Me fjalë tjera, sa herë që nuk mund të pajtohen dy grupet e ndara, OHR kishte fuqinë të merrte vendim në vend të tyre.

Pra, e kishim komunitetin kombëtar, të çuditur e të habitur me faktin se dy vite pas një lufte me 100,000 vdekje, dhe tre grupe ndërluftuese, vendi nuk po arrinte të gjente zgjidhje paqësore për grindjet e tyre të përditshme. Në vitet e para të paqës, zënkat për cilët shkrimtar duhet të portretizohen në monedhën e përbashkët të së ardhmës, cili alfabet duhet të përdoret në targa të makinave, dhe çfarë dizajni duhet ta kenë pasaportat, të gjitha shiheshin si sfida të mëdha politike.

Prandaj – edhe pse jo pa debat e rezistencë – e bënë Përfaqësuesin e Lartë person përgjegjës. Të ashtuquajturat ‘fuqitë Bonn’ i dhanë autoritet OHR në mënyrë që të parandalohen vonesat në zbatimin e Marrëveshjes së Dayton, dhe të pengohet çfarëdo obstrukcionizmi. OHR morri vendime dhe masa që ishin të nevojshme për të siguruar funksionimin themelor të shtetit. Por ai u përpoq edhe të zgjidh probleme që, në prapavështrim, mund të duken si qesharake për t’iu dhënë, ose për t’u imponuar nga, një autoritet(i) ndërkombëtar; si pamja e flamurit zyrtar të vendit.

Por t’i kthehemi ngjarjeve që çuan të ‘referendumi i mundshëm për asgjë’.

Lindja e Institucioneve të Drejtësisë në Nivel Shtetëror

Në nëntor 2000, Wolfgang Petritsch, që ishte Përfaqësues i Lartë në atë kohë, lajmëroi vendimin e tij për të prezantuar Ligjin mbi Gjykatën Shtetërore të BiH. Para kësaj, të gjitha institucionet e drejtësisë (përveç Gjykatës Kushtetuese të BiH) operuan në nivel të entitetit dhe më poshtë, pasi që marrëveshja e paqës e la vendin me institucione të dobëta shtetërore por fuqi të mëdha në nivel të ulët, veçanërisht në lidhje me drejtësi. Gjykata e re Shtetërore pati për qëllim që të merret me krime lufte, dhe krim të organizuar në mes të entiteteve.

Wolfgang Petritsch imponoi Ligjin mbi Gjykatën Shtetërore të Bosnjes dhe Hercegovinës në 2000; Kuvendi Parlamentar miratoi ligjin në 2002.

Wolfgang Petritsch imponoi Ligjin mbi Gjykatën Shtetërore të Bosnjes dhe Hercegovinës në 2000; Kuvendi Parlamentar miratoi ligjin në 2002.

Teksti i vendimit të Petritsch u bazua në një projektligj të ‘Komisionit të Venedikut’ të Këshillit të Evropës, dhe kështu nuk erdhi krejt papritmas. Megjithatë, Kuvendi Parlamentar e vonoi miratimin e ligjit dhe kështu Petritsch vendosi që thjeshtë ta imponojë.

Një fakt që dihet më pak është se në korrik 2002, më shumë se një vit e gjysmë më vonë, Kuvendi Parlamentar në fakt e miratoi ligjin. Kryetari i Senatit të Popullit – një prej dy dhomave në Kuvendin Parlamentar – dhe bashkë-nënshkrues i aktit ishte Nikola Spiric. Sot Spiric është një prej figurave kyçe në Aleancën e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), që drejtohet nga Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik.

Në gusht 2002, OHR e re, Paddy Ashdown, miratoi një vendim për dekretimin e një ligji tjetër në lidhje me drejtësinë: Ligji mbi Zyrën e Prokurorit të Bosnjes dhe Hercegovinës, që siguronte bazën e themelimit të këtij institucioni në nivel shtetëror. Përsëri, në tetor 2003, të dy dhomat në Kuvendin Parlamentar të BiH e miratuan Ligjin. Dhe qëllojani se kush ishte kryetar i dhomës tjetër të Kuvendit, Dhomës së Përfaqësuesve, në atë kohë? Nikola Spiric, prej të njejtës parti që do t’i kundërshtonte ato masa më vonë.

Struktura ligjore për institucione të drejtësisë në BiH më vonë ndryshoi disa herë gjatë procesit të reformave të drejtësisë, dhe në disa raste u riafirmua nga organet ligjvënëse të BiH.

Megjithatë, mbizotëron një besim i njohur – por i pasaktë – publik që legjislacioni gjyqësor i sotëm është thjeshtë rezultat i masave të imponuara nga OHR. (Kjo pozitë e gabuar është e shkruar në mënyrë shumë efektive edhe në pyetjen e plotë dhe të rëndë të referendumit).

Qasje e Re Nga Komuniteti Ndërkombëtar

Pas dështimit të negociatave në mes të forcave politike të BiH në prill 2006 ku u flit për reforma kushtetuese – negociata që patën për qëllim të përfundojnë me ruajtjen e fuqive të nivelit shtetëror për Zyrën e Prokurorit dhe Gjykatën Shtetërore në Kushtetutën e BiH – dhe ndryshimeve në peizazhin politik pas zgjedhjeve të përgjithshme më vonë gjatë ati vit, komuniteti ndërkombëtar e humbi interesimin.

Në këtë kontekst, fuqizimi i mëtejmë i institucioneve të drejtësisë në nivel shtetëror e humbi rëndësinë politike. Pa lojtarë ndërkombëtar të interesuar në reforma të mëtejme, rrëfenja e re dominuese që vinte prej partive në Republika Srpska u fokusua në mbylljen e Gjykatës së Bosnjes dhe Hercegovinës.

Presidenti i RS, Milorad Dodik, duket se po luan lojëra politike duke kërcënuar të nxis referendume të diskutueshme në entitetin me shumicë serbe.

Presidenti i RS, Milorad Dodik, duket se po luan lojëra politike duke kërcënuar të nxis referendume të diskutueshme në entitetin me shumicë serbe.

Ky argument u udhëheq nga Dodik, lider partisë së njejtë SNSD që kishte luajtur rol direkt më herët në mbështetjen e akteve mbi reformat e drejtësisë në Kuvendin shtetëror. Dukej se SNSD shfrytëzoi çështjen e institucioneve të drejtësisë për avantazh në dy fronte: Së pari, të bëjë apel nocioneve populiste të ‘mbrojtjes së interesit etnik serb’, dhe së dyti si kërcënim i qëndrueshëm në rast e Zyra e Prokurorit të BiH vendos të veprojë mbi akuzat e krimit të organizuar dhe korrupsionit në mesin e disa zyrtarëve të lartë të RS.

Pra, prej 2010, SNSD e Dodik filloi sulmin, duke arritur kulmin në prill 2011 me vendim nga Kuvendi i Popullit të Republika Srpska për të bërë thirrje për referendum brenda entitetit me shumicë serbe. Pyetja që do t’u shtrohej njerëzve ishte:

A i mbështetni ligjet e imponuara nga Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, veçanërisht mbi Gjykatën dhe Zyrën e Prokurorit të Bosnjes dhe Hercegovinës, dhe verifikimin jokushtetues të tyre nga Kuvendi Parlamentar i Bosnjes dhe Hercegovinës?”

Blofi i tij e kapi vëmendjen e BE, që e dërgoi Përfaësuesen e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë në atë kohë, Catherine Ashton, në Banja Llukë, RS, për t’i zbutur tensionet. Kjo çoi te nisja e të ashtuquajturit “Dialogu i Strukturuar mbi Drejtësi“, që duket si pjesë e teatrit politik ku synohet të lejohet tërheqja e Dodik nga referendumi pa iu marrë fytyra.

Masat Ndëshkimore të Eskalimit të Trilluar

Më shumë se katër vite më vonë, të njejtit njerëz, i njejti emision, e njejta audiencë. Në korrik, Dodik e çoi praktikisht të njejtën nismë në Kuvend, për të organizuar referendum me pyetjen:

“A e mbështetni imponimin jokushtetues dhe të paautorizuar të ligjeve nga Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, veçanërisht Ligjet e imponuara mbi Gjykatën e Prokurorit, dhe aplikimin e vendimeve të tyre në territorin e Republika Srpska?”

Në korrik, Kuvendi i Popullit të Republika Srpska miratoi një propozim për referendum mbi institucionet e drejtësisë.

Në korrik, Kuvendi i Popullit të Republika Srpska miratoi një propozim për referendum mbi institucionet e drejtësisë.

Vendimi u miratua nga Kuvendi i Popullit të RS me 45 vota në favor, 31 anëtarë të opozitës abstenuan, ndërsa pesë anëtarë nga koalicioni boshnjako-kroat ‘Domovina’ dolën nga seanca. Megjithatë, vendimi nuk u dekretua. Shkoi te Këshilli i Popullit, dhomë e delegatëve që kanë për detyrë të sigurohen se vendimet e Kuvendit nuk i dëmtojnë ‘interesat jetike’ të njerëzve përbërës: boshnjakëve, kroatëve, dhe serbëve. Me 23 korrik, delegatët boshnjak në Këshillin e Popullit vënë veto në këtë vendim. Vendimi përfundimtar pra teknikisht do të bëhet nga Gjykata Kushtetuese e RS, që ka fuqi të anulojë veton e Këshillit të Popullit, dhe të lejojë qëndrimin e votës së Kuvendit të Popullit

Por ky proces i gjatë e i ndërlikuar është pikërisht ajo që e dëshiron Dodik, pasi që e lë me plot hapësirë për të ushtruar ndikimin e tij të madh. Formulimi i pakujdesshëm dhe i pasaktë i pyetjes së referendumit demonstron që nuk është diçka që Dodik deshti ta çojë në votim. Ndërkohë, ai mund të vazhdojë të mendojë për afate kohore, pasi që nuk është caktuar ndonjë datë për referendum, që domethënë se do të nevojitet edhe një rund të debatit në Kuvend.

Nën supozimin se Gjykata Kushtetuese e RS e lejon referendumin, Kuvendi mund të caktojë datë brenda periudhës gjashtë-mujore, që do të thotë se ky dështim i shpejtë dhe poshtërues mund t’i rris tensionet edhe në 2016. Ndërkohë, Dodik mund të ketë fuqi të rëndësishme për pazarllëk në vitin e ardhshëm.

Qëllimet e vërteta të Dodik u bënë edhe më të qarta kur dha një seri të kërkesave në shkëmbim për të anuluar referendumin, gjatë një konference për shtyp në Beograd. Erdhi pas një deklarate të përbashkët nga PIC (pa Rusinë, që abstenoi), që dënoi vendimin për të mbajtur referendum.

Milorad Dodik dhe Kryeministri serb, Aleksandar Vucic, foli për referendumin e diskutueshëm të RS në një konferencë të përbashkët për shtyp në korrik.

Milorad Dodik dhe Kryeministri serb, Aleksandar Vucic, foli për referendumin e diskutueshëm të RS në një konferencë të përbashkët për shtyp në korrik.

Ulur pranë Kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vucic, i cili gjithashtu e nxiti të konsiderojë përsëri referendumin (si pjesë e agjendës politike të Vucic dhe dëshirës së tij për ta paraqitur vetën si faktor rajonal i ‘stabilitetit’), kërkesat e Dodik ishin të përgjithshme dhe atyre u munguan hapat konkret për zbatim. Megjithatë, të gjithë dukej se ishin në një temë të përgjithshme, me synim që t’i bëjnë më të pamundshme ndjekjet penale të zyrtarëve të lartë të SNSD.

E para ishte që ‘Gjykata dhe Zyra e Prokurorit të jetë e pavarur’, pohim i ndikimit të perceptuar ndërkombëtar dhe interesimit në sigurimin e ndjekjeve penale të nivelit të lartë: e dyta kërkonte që ‘të gjithë që kanë kryer krime të luftës të dënohen’, nënkuptim që ndjekjet penale të mos fokusohen në serbë të Bosnjes; e treta ishte të ndryshohet Kodi Kriminal i BiH, referencë e fshehtë që disa kanë supozuar se lidhet me dëshirën që të shohin transferimin e ndjekjeve penale të krimeve serioze prej gjykatës së shtetit në institucione të nivelit të entiteteve; ndërsa kërkesa e katërt ishte që Kodi Kriminal të mos jetë i aplikuar në mënyrë retroaktive, në lidhje me krime të luftës. Kërkesa e fundit veç se ishte marrë parasyshnga Gjykata Evropiane e Të Drejtave të Njeriut dhe Gjykata Kushtetuese e BiH, të dy këto institucione duke kufizuar aplikimin retroaktiv në të kaluarën, edhe pse u shkaktualirimi i disa kriminelëve të luftës. Por lideri i SNSD duket se po i injoron këto fakte dhe vazhdon të bëjë kërkesa për lajme të së kaluarës.

Hap i ardhshëm ‘i rëndësishëm’ do të jenë rezultatet e një rundi tjetër të ‘Dialogut të Strukturuar’ në Bruksel në shtator. Mbetet të shihet nëse Bashkimi Evropian ka mësuar prej mësimeve për institucionet e drejtësisë në BiH, stabiliteti i të cilave duket se varet nga sigurimet se udhëheqja e sotme e RS nuk do të përballet me akuza kriminale në të ardhmën.

Nëse BE fillon të lejojë negociata për pyetje që nuk duhet as të diskutohen – si referendumi mbi asgjë – ka shumë mundësi që kundërshtarët e Dodik do të detyrohen të tërhiqen në çështje tjera legjitime; një referendum për asgjë është gjithmonë për diçka.

Qasja e Dodik duket se është: “Më jep çfarë dua, dhe do të largohem”. Por kërkesat e tilla mbesin jashtë horizontit të publikut dhe qytetarëve të rëndomtë.