spain1
Në thelb | Njohja

Refuzimi i Njohjes: Spanja

Nga - 07.11.2016

Seri pesë-pjesëshe për shtetet e BE që nuk e kanë njohur Kosovën.

Kur Kosova shpalli pavarësinë me 17 shkurt, 2008, vëmendja u kthye kah parlamentet dhe kuvendet e huaja nëpër botë, për të parë se kush do ta njihte shtetin më të ri në Evropë. Deri në fund të vitit 2008, Kosova u njoh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia dhe të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, përveç pesë- përjashtimet ishin Spanja, Rumunia, Sllovakia, Greqia dhe Qipro.

Tetë vite e gjysmë më vonë, ndonëse 112 shtete nga mbarë bota e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, ajo ende nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe pesë shtete anëtare të BE ende nuk e kanë njohur. Kjo gjendje e njohjes së pjesshme e ka lënë Kosovën në pritje të vuajtshme, shpeshherë duke i ndërlikuar proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe duke e privuar nga përfitimet e zakonshme që ofron shtetësia.

Drejtë pavarësisë (1)

24 MARS, 1999:
NATO nis fushatën ajrore të bombardimit kundër regjimit të Milosevic në Republikën Federale të Jugosllavisë. Ndërhyrja ushtarake ndodhi si përpjekje për t'i dhënë fund krizës humanitare në Kosovë dhe përfundon me ndërhyrje tokësore në qershor të po atij viti, që rezultoi me largimin e aparatit shtetëror të Milosevic prej Kosovën.

10 QERSHOR, 1999:
Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara miraton rezolutën 1244. Kjo rezolutë e vendosë Kosovën nën administrim të përkohshëm të OKB; këto detyra performohen nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). UNMIK-ut gjithashtu i ipet detyra e themelimit të institucioneve të përkohshme të vetë-qeverisjes lokale dhe lehtësimit të procesit politik për të vendosur statusin e ardhshëm të Kosovës.

Kundërshtimi ndaj pavarësisë së Kosovës avokohet më së shumti nga Serbia (me mbështetje të fuqishme nga Rusia), që insiston se shpallja unilaterale e Kosovës shkel të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin territorial të Serbisë. Edhe pse në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë GJND dha opinion këshillues ku konkludoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare, faktorë të përbashkët që lidhen me qëndrimet e pesë shteteve të BE që nuk e kanë njohur Kosovën janë çështjet e brendshme.

Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende atë janë zhvilluar në bazë individuale prej vitit 2008, me arritura të ndryshme. Në këtë seri me pesë pjesë, K2.0 analizon faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që kanë ndikuar në lidhjet diplomatike në mes të këtyre pesë shteteve dhe Kosovës.

Kosova dhe Spanja

Një ditë pasi Kosova shpalli pavarësinë, Ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme të Spanjës, Miguel Angel Moratinos, morri pjesë në një takim të mbajtur në Bruksel që mblodhi ministrat e jashtëm të të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Ai foli me gazetarë në lidhje me lajmet që dolën nga qoshja jug-lindore e Evropës, duke dhënë një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë. “Qeveria e Spanjës nuk do ta njeh aktin unilateral të shpallur dje nga kuvendi i Kosovës”.

Moratinos ishte pjesë e një kabineti të udhëhequr nga Kryeministri Jose Luis Rodriguez Zapatero i Partisë Spanjolle Socialiste të Punëtorëve (PSOE), që ishte në fuqi deri në vitin 2011. Ndryshimi nga PSOE  e Zapateros në Partinë e Popullore të udhëhequr Mariano Rajoy, parti e krahut të djathtë, nuk ndryshoi aspak qëndrimin e Spanjës mbi Kosovën. Ndonëse politika spanjolle është shquar me mosmarrëveshje në mes të forcave politike për çështje të brendshme, ato kanë qenë të unifikuara sa i përket qëndrimit të tyre në lidhje me statusin e Kosovës.

Guillermo Altares është redaktor i shtojcës së ditës së diel të gazetës më të lexuar në Spanjë, El Pais, dhe ka punuar si gazetar në Kosovë pas luftës. Ai nuk sheh shumë ndryshime brenda spektrit politik spanjoll sa i përket çështjes së pavarësisë së Kosovës.

“Një qeveri socialiste vendosi që t’i tërheqë forcat spanjolle në 2009 sepse nuk deshën që t’i kenë trupat e tyre [në Kosovë] pas shpalljes unilaterale të pavarësisë”, shpjegoi Altares – 600 trupa spanjolle ishin pjesë e shërbimit të KFOR në atë kohë kur u bë tërheqja. “Por qeveria e krahut të djathtë e Partisë Popullore gjithashtu ka thënë se nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës”.

Drejtë pavarësisë (2)

DHJETOR 2003 - TETOR 2005:
OKB vendosë disa standarde që duhet t'i arrijnë Institucionet e Përkohshme të Vetë-Qeverisjes në Kosovë para se të diskutohet statusi përfundimtar i Kosovës. 22 muaj më vonë, një raport i autorizuar nga OKB deklaron që nuk mund të ketë më progres sa i përket standarteve deri sa Kosova të qartësojë statusin përfundimtar politik të saj.

SHKURT 2006:
Statusi i ardhshëm i Kosovës diskutohet në një takim në Vjenë nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë. Këto negociata ndërmjetësohen nga i Dërguari i Posaçëm i OKB, Martti Ahtisaari. Megjithatë, pas disa takimeve, nuk arrihet ndonjë marrëveshje, dhe kjo bënë që vet Ahtisaari ta formulojë një plan që ka për synim zgjidhjen e ngërçit.

Kundërshtimi ndaj Kosovës ekziston gjithashtu jashtë dy partive tradicionale qeverisëse të Spanjës. Podemos, një parti majtiste që po rritet dhe që doli e treta në zgjedhjet e fundit në Spanjë, si dhe është e përfaqësuar në parlamentin evropian, ka qenë e zëshme sa i përket kësaj teme.

Gjatë një debati në Parlamentin Evropian në mars 2015, lideri i partisë, Pablo Iglesias, e përshkroi Kosovën si “një lloj narko-shteti i mbështetur nga SHBA” dhe deklaroi se “procesi i integrimit të Kosovës në BE kërkon njohjen e Kosovës, që është kundër të drejtës ndërkombëtare dhe do të… pengonte procesin e pajtimit dhe stabilitetin”.

Rajonet separatiste në Spanjë

Qëndrimi i ashpër i Spanjës ndaj Kosovës është i bazuar kryesisht në frikën e një “efekti domino” që mund ta shkaktojë njohja e pavarësisë së Kosovës në Krahinën Baske dhe në Kataloni; rajone separatiste të Spanjës që mund t’i shpallin në mënyrë unilaterale pavarësitë e tyre përkatëse.

Struktura e decentralizimit të pushtetit në Spanjë bënë që edhe Katalonia e edhe ajo Baske të gëzojnë pozitë autonome brenda mbretërisë së Spanjës. Si në të gjitha rajonet tjera në Spanjë, të dy këto zona i kanë institucionet e tyre rajonale, gjegjësisht kuvendin, qeverinë, flamurin dhe gjuhën zyrtare përkatëse, përveç spanjishtës Megjithatë, elemente të mëdha të popullsisë brenda dy rajoneve ende kërkojnë pavarësi të plotë.

Krahina Baske shtrihet në veri të Spanjës, dhe me dekada ishte sinonim i organizatës së  armatosur separatiste, ETA, që shpeshherë përdori sulme të armatosura për të arritur synimin e tyre të pavarësisë baske. Megjithatë, grupi lajmëroi armëpushim të të gjitha aktiviteteve të armatosura në 2011 dhe së fundmi aspiratat separatiste që janë deklaruar me dekada si duket janë venitur. Komentuesit e kanë shpjeguar këtë fenomen si rezultat i performancës dhe rritjes së mirë ekonomike që e ka përjetuar ky rajon kohëve të fundit.

Vëmendja e mediave për ambiciet separatiste të Krahinës Baske si duket është kthyer kah Katalonia në vitet e fundit. Në 2014, qeveria rajonale e Katalonisë mbajti referendum në të cilin 80 përqind e votuesve mbështetën shkëputjen. Referendumi u dënua ashpër nga qeveria spanjolle, që e konsideroi këtë si lëvizje politike e projektuar vetëm për të krijuar ndarje dhe për të rritur tensionet politike brenda vendit.

"Tetë vite pasi Kosova u bë e pavarur, çështja katalanase është bërë edhe më keq", shpjegoi Altares. "Prandaj Spanja nuk do që të thotë diçka për pavarësinë e Kosovës".

Guillermo Altares

Gjykata kushtetuese spanjolle morri vendimin që shkëputja katalanase ishte jokushtetuese. Megjithatë, në muajt e fundit lëvizja separatiste në Kataloni ka folur për të ecur përpara me shkëputje unilaterale nga Spanja, duke mos e marrë parasysh këtë vendim në lidhje me këtë proces. Në shtator 2016, katalanasit që janë pro pavarësisë mbajtën tubime duke bërë thirrje që të vendoset një datë në vitin 2017 për referendum për pavarësi.

Diskutimi i shtuar për çështjen e Katalonisë ka bërë që qëndrimi spanjoll për Kosovën të ngrihet tërësisht. “Tetë vite pasi Kosova u bë e pavarur, çështja katalanase është bërë edhe më keq”, shpjegoi Altares. “Prandaj Spanja nuk do që të thotë diçka për pavarësinë e Kosovës”.

Për Altares, krahasimet në mes të Kosovës dhe Katalonisë nuk janë të sakta, meqë këto dy çështje sipas tij dallojnë në thelb. “Mendoj që Kosova nuk ka lidhje me Kataloninë”, tha ai për K2.0. “Në Kosovë kishte vrasje, persekutime [të paligjshme], tortura dhe aparteid kundër shqiptarëve nga [regjimi i] Milosevic. Një numër shumë i madh i njerëzve u detyruan që të largohen sepse kishin frikë për jetën e tyre. Në Kataloni nuk ka ndodhur diçka e këti lloji”.

Pavarësisht këtyre dallimeve të dukshme në mes të rajoneve separatiste në Spanjë dhe Kosovës, shteti spanjoll vazhdimisht ka vendosur që ta etiketojë hapin unilateral të Kosovës si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Autoritetet spanjolle kanë insistuar që për shkëputje duhet ose marrëveshje dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë , ose rezolutë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Këto pikëpyetje për shkelje të së drejtës ndërkombëtare u mendua se do të përfundonin në 2010, kur (GJND) dha vendim këshillues ku konkludoi që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“GJND tha se Kosova është rast i veçantë dhe se nuk ka rast të ngjashëm me atë të Kosovës”, tha Altares, duke aluduar në karakterin sui generis të Kosovës. Por qëndrimi i Spanjës ka mbetur i pandryshuar, edhe pasi gjykata e OKB-së e lëshoi këtë vendim këshillues.

Mungesë interesi

Altares beson që qëndrimi i pandryshueshëm i Spanjës për Kosovën rrjedh pjesërisht nga mungesa e interesit strategjik dhe gjeopolitik. “Fokusi i Spanjës është shumë më shumë kah Amerika Latine”, tha ai për K2.0. “Sepse [Spanja] nuk ka shumë shkëmbime ekonomike me Kosovën”.

Drejtë pavarësisë (3)

3 prill, 2007:
Pas më shumë takimeve e negociatave me të dy palët, Ahtisaari prezanton planin e tij për statusin e ardhshëm të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKGB. Plani i Ahtisaarit miratohet shpejtë nga autoritetet në Prishtinë dhe ipen deklarata mbështetëse për gjetjet e këtij plani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Parlamentin Evropian. Megjithatë, refuzimi nga qeveria e Serbisë dhe kundërshtimi i fuqishëm rus e parandalon miratimin e planit.

17 shkurt, 2008:
Të përballur me stagnim në negociata, Kuvendi i Kosovës e shpall vetën unilateralisht Kosovën të pavarur, por serbët e Kosovës e bojkotojnë seancën në Kuvend. Kuvendi e obligon vetën që t'i ndjekë dispozitat e Planit të Ahtisaarit; rekomandimet e këtij plani formuan bazën kushtetuese të Kosovës. Institucionet kosovare gjithashtu pajtohen që t'i pranojnë mbi 2,000 trupa të misionit të BE për Sundim të Ligjit (EULEX), për të monitoruar dhe ndihmuar sistemin e drejtësisë. Misioni është ende operativ, deri në vitin 2018.

Ndonëse shtetet tjera që nuk e njohin Kosovën kanë zhvilluar marrëdhënie me Prishtinën duke hapur Zyre Ndërlidhëse në Kosovë, Spanja i ka injoruar krejtësisht të gjitha përpjekjet për të krijuar marrëdhënie diplomatike me Prishtinën zyrtare.

Shkëmbimet zyrtare në mes të delegacioneve kosovare dhe spanjolle kanë qenë inekzistente deri më tani, dhe kufizimet në udhëtim që imponohen nga autoritetet spanjolle gjithashtu kanë parandaluar thuajse  çdo lloj shkëmbimi bilateral kulturor në mes të anëtarëve të shoqërive civile përkatëse të këtyre dy vendeve.

Kosovarët, që janë qytetarët e vetëm të Ballkanit Perendimor që janë përjashtuar nga liberalizimi i vizave në zonën Shengen, janë të kufizuar sa i përket udhëtimit në territorin spanjoll, edhe atëherë kur ata pajisen me vizën Shengen.

Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) është OJQ në Prishtinë që është angazhuar me vënien e lidhjeve në mes të Kosovës dhe pesë shteteve anëtare të BE që nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe me Bosnjen e Hercegovinën dhe Serbinë, nëpërmjet programit të saj “Lidhja me Evropën“. Fokusi kryesor i këtij programi është shkëmbimi i anëtarëve të shoqërisë civile, vizitat reciproke dhe shkëmbimet kulturore. Megjithatë, Spanja si duket ka qenë gati hermetikisht e mbyllur për çfarëdo bashkëpunimi të mundshëm.

Denion Galimuna, koordinator në KFOS, tha për K2.0 se “Spanja është e paarritshme, dhe komunikimi është gati joekzistues, edhe në mes të sektorit të shoqërisë civile, pasi që nuk po ipen viza për të shkuar atje”.

Në tetor 2016, një delegacioni të policeve femra nga Kosova iu refuzuan vizat spanjolle, edhe pse u ftuan për të marrë pjesë në një kongres të mbajtur nga Asociacioni Ndërkombëtar i Policeve femra në Barcelonë.

Politikanë të Kosovës kanë përdorur takime multilaterale për t’u takuar me zyrtarë spanjoll.  Duke qenë pjesmarrës me rastin e zgjerimit të Kanalit të Panamasë në qershor 2016, presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, papritmas shpalli që Spanja së shpejti do ta njeh Kosovën pasi u takua me Mbretin Felipe VI të Spanjës; si duket ishte një përpjekje që t’i zgjeronte marrëdhëniet Kosovë-Spanjë krahas zgjerimit të kanalit. Por deklarata e tij nuk u konfirmua asnjëherë nga pala spanjolle.

Spanja poashtu është treguar e vendosur për të parandaluar nismat kosovare për anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare, madje edhe organizatat kulturore e ato shkencore.

Spanja ishte në mesin e grupit të shteteve që kundërshtuan anëtarësimin e Kosovës në UNESCO në nëntor 2015. Gjatë diskutimit të komitetit për meritat e aplikimit të Kosovës në UNESCO në selinë e kësaj organizate në Paris, ambasadorja spanjolle në UNESCO Maria Teresa Lizaranzu bëri thirrje për “respektim të plotë të parimit të integritetit territorial”.

Përpjekjet për njohje

GUSHT 2008 - KORRIK 2010:
Serbia reagon ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës duke kërkuar opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjegjësisht duke e pyetur këtë të fundit se a ka shkelur Kosova të drejtën ndërkombëtare. Dy vite më vonë konkludimi ishte i qartë, por nuk ishte vendim detyrues: shpallja nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare.

PRILL 2013:
Dy vite pas fillimit të dialogut teknik,Kosova dhe Serbia kaluan në dialog politik, dhe nënshkruan një marrëveshje, që prej shumë njerzve u konsiderua si "marrëveshje shumë e rëndësishme" për të ndihmuar me normalizimin e marrëdhënieve. Pika 14 e kësaj marrëveshjeje thotë që "u pajtuan që të mos e bllokojnë, e as t'i inkurajojnë tjerët që të bllokojnë, progresin e njëra tjetrës në rrugët përkatëse drejt BE".

DHJETOR 2014 - MAJ 2016:
Kosova pranohet si anëtare e plotë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në dhjetor 2014, dhe si anëtare e plotë e FIFA-s e UEFA-s në maj të vitit 2016. Megjithatë, në nëntor 2015, Kosova dështon për tri vota që të pranohet në UNESCO, pasi Serbia lansoi një fushatë të ashpër shtetërore kundër anëtarësimit të Kosovës.

22 KORRIK, 2016:
Suriname bëhet shteti i 112 që njeh Kosovën si shtet të pavarur në korrik 2016. Megjithatë, Rusia, Kina, India, Brazili dhe më shumë se 80 shtete tjera, ende nuk e njohin sovranitetin e Kosovës.

Kriza aktuale politike në Spanjë

Për pjesën më të madhe të vitit 2016, politika në Spanjë u karakterizua nga një sfidë tjetër e brendshme, kur ndarjet në mes të partive politike Spanjolle bënë që të dështojë formimi i qeverisë për më shumë se 10 muaj.

Megjithatë, ngërçit të gjatë politik në Spanjë si duket përfundimisht i erdhi fundi. Me 23 tetor, Partia Socialiste votoi që të mos bllokohen përpjekjet e Mariano Rajoy të Partisë Popullore, që pritet të bëhet kryeministër i Spanjës përsëri, duke  shmangur zgjedhjet për herë të tretë brenda një viti.

Meqë i erdhi fundi ngërçit të gjatë të brendshëm politik, pyetjet e politikës së jashtme mund të bëhen të rëndësishme përsëri brenda diskutimeve politike në Spanjë, por sa i përket qëndrimeve në lidhje me Kosovën, nuk ka shumë gjasa që do të ketë ndryshime.

Në prill 2016, Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Spanjoll refuzoi propozim të prezantuar nga partia katalanase ERC (Esquerra Republicana de Catalunya / E Majta Republikane e Katalonisë) për njohjen e Kosovës. Ky propozim kërkoi që qeveria spanjolle të nis lidhje diplomatike me Kosovën, kërkoi miratimin e një Plan Veprimi për Liberalizim të Vizave brenda strukturës së BE, dhe nxiti qeverinë që të punojë drejtë përfshirjes së Kosovës në organizata ndërkombëtare. Nisma morri 30 vota kundër dhe vetëm 12 pro.

Deri sa po intensifikohen diskutimet që përfshijnë lëvizjet separatiste në Kataloni, vështirë është të shohim ndryshim të qëndrimit të Spanjës në të ardhmën e afërt sa i përket Kosovës. “Kur të njihet Kosova nga Serbia, Spanja do ta njeh Kosovën”, përfundoi Altares.K

Imazhi: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO