Shkurt | Ngacmimi Seksual

RAPORTIMI I NGACMIMEVE SEKSUALE NË KOSOVË

Nga - 05.08.2016

Aplikacioni inovativ ndihmon që t'i bëjë rrugët më të sigurta.

Rreth 300 raste të ngacmimeve seksuale janë raportuar nëpërmjet aplikacionit të bazuar në Kosovë EcShlirë prej lansimit të tij në shkurt. Komentet seksuale, fishkëllimat, prekjet dhe përcjelljet janë format më të zakonshme të ngacmimit seksual që janë raportuar në këtë aplikacion deri më sot.

Kjo copë inovative e teknologjisë është rezultat i një bashkëpunimi në mes të OJQ-ve Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RRGK), Open Data Kosovo dhe Girls Coding Kosova. Ky aplikacion, që është në dispozicion për Android, synon t’i bëjë më të sigurta rrugët e Kosovës për qytetarët, dhe ta dobësojë fenomenin e ngacmimit seksual.

Sipas Kosovare Sahatqija, anëtare e Open Data Kosovo dhe Girls Coding Kosova, aplikacioni është shkarkuar nga rreth 800 qytetarë. “Shumica e raportimeve janë komente [seksuale]… por kemi pasur edhe raste tjera, si raportime të ndjekjeve”, thotë Sahatqija, njëra prej 30 grave të reja që e programuan aplikacionin.

s1

Pasi të shkarkojnë aplikacionin dhe të regjistrohen në të, qytetarët kanë mundësi të zgjedhin lokacionin e incidentit, llojin e ngacmimit seksual (prekje, komente, fishkëllimë, ndjekje, fotografim etj) dhe hollësitë për kriminelin (shok/shoqe, i/e huaj, shefi/ca, një koleg/e etj). Prej gati 300 incidenteve të raportuara, 187 ishin prej grave, 60 prej burrave dhe 30 prej përdoruesve që zgjodhën mundësinë “tjetër”, që u shtua si update për të lejuar të gjithë që përjetojnë ngacmime seksuale që ti raportojnë ato, përfshirë anëtarët e komunitetit LGBTI.

Sipas hartës së dhënë në uebfaqen e EcShlirë, rreth 90 përqind të incidenteve u raportuan nga Prishtina. Sahatqija thotë se frekuenca më e lartë e raporteve erdhi nga Sheshi Nëna Terezë dhe Bulevardi Bill Clinton.

EcShlirë gjithashtu po zgjerohet edhe jashtë Kosovës, me shkarkime veçanërisht në Shqipërinë fqinje. Edhe pse ky aplikacion ishte fillimisht në shqip, serbisht dhe anglisht, janë shtuar tani edhe gjuhët spanjolle e hebreje, pas kërkesave nga Amerika Latine dhe Izraeli. Megjithatë deri më tani shumë pak incidente janë raportuar jashtë Kosovës.

s2

Diskutimet publike për ngacmim seksual morrën hov në Kosovë në 2014 me fushatën Nata Është e Jona, pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare me synim për t’i dhënë fund dhunës seksuale dhe familjare në të gjitha format. RRGGK lansoi një video dy minutëshe në rrjete sociale ku një grua e re që po ecte rrugëve të Prishtinës u shoqërua me plot komente. “Kqyrja bothën” dhe “Kqyrja p*****, qysh e kisha q*”, ishin vetëm dy nga 50 komenteve që iu drejtuan asaj gjatë tetë orëve. Kjo video flet shumë edhe për frekuencën e lartë të ngacmimit seksual që e përjeton një grua e rëndomtë kosovare çdo ditë.

s3

Te publiku i përgjithshëm, perceptimet dhe kuptimi i asaj që përbënë ngacmimin seksual vazhdojnë të jenë problematike. Disa ditë para lansimit të aplikacionit EcShlirë në fillimit të vitit, RRGGK publikoi njëraport për ngacmim seksual, ku u mat ndërgjegjësimi dhe qëndrimet e qytetarëve. Ky raport, që përfshiu një anketë me 1315 qytetarë të Kosovës, tregoi se 64.1 përqind të grave dhe 32.5 përqind të burrave kanë raportuar përvoja të ngacmimit seksual.

Më pak se gjysma e të anketuarve e konsideruan ngacmimin seksual si diçka që përfshinë akte seksuale (49 përqind), prekje, pickime, ose shtyerje (49 përqind) ose fishkëllima (43.8 përqind). Ky raport tregon se edhe më pak kosovar konsiderojnë forma tjera të ngacmimit seksual si të tilla, dhe kjo bëri që RRGGK të aludojë se ka mungesë të përgjithshme të ndërgjegjësimit për atë se çfarë është ngacmimi seksual.

“Është e përhapur gjerësisht një kulturë e ‘fajësimit të viktimës’ kur ndodh ngacmimi seksual, sepse rreth 74 përqind të kosovarëve besojnë se ‘gratë ia bëjnë vetës problemet me ngacmim duke u veshur ose vepruar në mënyrë provokative'”, shkruan në raport. Qëndrimet e tilla shpesh i parandalojnë gratë që të raportojnë raste të ngacmimit seksual. Drejtoresha ekzekutive e RRGGK Igballe Rogova tha se lansimi i aplikacionit është çështje e rëndësishme që duhet adresohet. Prandaj aplikacioni EcShlirë po synon të sigurojë platformë që jo vetëm rrit numrin e raporteve, por edhe sfidon perceptime të tilla, si dhe zhvillon bashkëpunim me autoritete relevante.

“Ne bashkëpunojmë me Policinë e Kosovës për t’u treguar atyre për raporte që janë më serioze dhe për t’u treguar për lokacionet ku ka më shumë raporte”, thotë Sahatqija, duke shtuar se Open Data Kosovo është në proces ku po mundohet të fuqizojë komunikimin me Policinë e Kosovës duke i mundësuar qasje direkte policisë në databazë. “Kur raportet janë frekuente nën jë lokacion të caktuar, në bashkëpunim me policinë, mund të çojmë policë të veshur si civil”, tha ajo. “Mund të identifikojmë gjithashtu nëse kjo ndodh në rrugë më të errëta, dhe mund të koordinohemi me komunën që të vendosim drita ose të dërgojmë patrulla policore”.

Një bashkëpunim tjetër që po mundohemi ta zhvillojmë është ai me Ministrinë e Arsimit, për shkak të faktit se disa incidente të ngacmimit u raportuan në lokacione të shkollës. Dhe kështu me lejen e Ministrisë tri organizatat që e krijuan EcShlirë po planifikojnë të mbajnë seanca informative në shkolla të mesme për funksionin e aplikacionit, si dhe ëorkshop-e për të ngritur nivelin e ndërgjegjësimit për të dhënat që po mblidhen.

s4

Sahatqija shpreson që aplikacioni së shpejtë të jetë në dispozicion për përdoruesit e iOS, pasi që ata veç se e kanë një projekt propozim të përgatitur për të aplikuar te disa donatorë të mundshëm. EcShlirë do të promovohet gjatë DOKU:TECH, konferenca e teknologjisë e organizuar në Prizren gjatë DokuFest – Festivalit Ndërkombëtar të Filmave Dokumentar dhe të Shkurtër.

Fotografitë: Fikret Ahmeti / K2.0

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO