Blogbox | Aktivizmi

Rezistencë ndaj revolucionit konservator në Kroaci

Nga - 22.05.2017

Veprime feministe kundër ideve ultra konservatore.

Këtë të shtunë, vetëm një ditë para se të mbaheshin zgjedhjet lokale, 10,000 persona u mblodhën në dy qytetet më të mëdha në Kroaci, përkatësisht në Zagreb e Split për marshin e dytë ‘Walk for Life’ (Ec për jetë), që ka për qëllim avokimin për ndalimin e abortimit.

Megjithatë, marshuesit u përballën me kundërshtimin e qindra aktivistëve, me të cilët u takuan në rrugë e të cilët e quajtën vetën ‘Platforma për të drejtat riprodhuese të grave’.

‘Walk for Life’ u udhëhoq prej individëve të grupeve ultra konservatore, duke përfshirë organizata si In the name of the family (Në emër të familjes) dhe shoqata si Vigilare, të cilët përfaqësojnë degën kroate të lëvizjes botërore ultra konservatore Tradition, Family and Property (traditë, familje dhe pronë).

Në lokacione të ndryshme marshuesit e organizatave konservatore u përballën me grupe më të vogla të protestuesve të Platformës, të cilët mbanin pankarta me mesazhe që qartë shprehnin mendimet e tyre për të drejtën ligjore për abort të sigurt dhe të qasshëm. Disa prej mesazheve të cilat i mbajtën lart aktivistët ishin: ‘Shtet, Zot – rrini larg vezoreve të mija!’, ‘Mitra ime nuk është pronë publike’, ‘Nuk i dorëzojmë trupat tonë!’, ‘Qëky p*dh nuk ka me lind nacionalista’, dhe ‘Dua të studioj, jo të digjem në shtyllë’.

Aktivistë nga Platforma për të drejtat riprodhuese të grave mbajtën një protestë ulur, për të bllkouar hyrjen e marshit ‘Walk For Life’ në sheshin qendror të Zagrebit. Foto: Grupi Obrana pravo na izbor.

Kur të dy grupet u takuan në sheshin Ban Josip Jelacic, në qendër të Zagrebit, njëzet aktivistë u larguan me forcë nga policia pasi u përpoqën që ta bllokojnë marshin e ‘Walk for Life’, duke mbajtur protestë ulur. Hyrja e ‘Walk for Life’ në shesh u prit nga Platforma me shpalosjen e një baneri të gjatë nëntë metra që mbante mesazhin: ‘Ecja për jetë i shkelë gratë’.

Kriminelët e Luftës në Walk for Life

Në ‘Walk for Life’, fytyrave më të njohura të revolucionit konservator, Zeljka Markic dhe Vice John Batarelo, iu bashkuan edhe disa politikanë; përfshirë ministrin për punë të jashtme, Davor Ivo Stier, kandidaten për kryetare të Zagrebit, Bruna Esih dhe anëtaren e Parlamentit Europian, Ruza Tomasic.

Një anëtare tjetër e Parlamentit Europian, Marijana Petir, gjithashtu morri pjesë në këtë grumbullim dhe u fotografua duke buzëqeshur dhe duke u përqafur me një kriminel të akuzuar për krime lufte, Dario Kordic. Kordic, krimet e së cilit përfshijnë vrasjen e një foshje tre mujore, morri pjesë edhe vitin e kaluar në marshin ‘Walk for Life’.

Për të ndihmuar me shlyerjen e mëkateve morrën pjesë edhe një numër i madh i murgeshave e priftërinjve, duke përfshirë Don Damir Stojic, që njihet më së shumti për deklaratën e tij që gratë e përdhunuara nuk mund të mbesin shtatzënë.

Rreth 10 aktivistë nga Platforma për të drejtat riprodhuese të grave u mbajtën në paraburgim. Foto: Grupi Obrana pravo na izbor.

Rezistencë feministe

Në ditët para mbajtjes së marshit ‘Walk for Life’ në Zagreb dhe Split, një grup i feministëve anonim i performuan disa veprime guerile gjatë natës për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj ndalimit të mundshëm të abortimit. Pjesë e protestës së tyre ishte ngjyrosja me ngjyrë të kuqe e ujit të fontanës Mandusevac në sheshin Ban Josip Jelacic, si dhe vendosja e varëseve të teshave dhe stikerëve me mesazhin: ‘Nuk kthehemi mbrapa!’

Aktivistët deklruan se po i zbulojnë qëllimet e vërteta të fshehura prapa buzëqeshjeve dhe slloganëve të zgjedhur me kujdes për kremtimin e jetës, që janë mbështetur nga organizatorët e marshit ‘Walk for Life’.

Dekonstruktimi i taktikave tinëzare dhe manipuluese në fushata që përpiqen t’i kufizojnë të drejtat e njeriut, e në mënyrë cinike i fusin brenda diskursit të të drejtave të njeriut, janë dalluar si caqet kryesore për dënimin publik të synimeve të organizatave ultra konservatore. Është dinamikë që është vendosur që prej referendumit homofobik që u mbajt në vitin 2013 për përcaktimin e martesës si bashkësi në mes të një gruaje dhe një burri.

Gratë jo vetëm që po ofrojnë rezistencë të fuqishme ndaj revolucionit konservator, por edhe po besojnë që, pavarësisht të gjithave, do të jenë fituese në këtë luftë për të drejtat e tyre, dhe për një shoqëri të personave të lirë.

Nismat dhe platformat feministe në Kroaci tani po e shprehin kundërshtimin e tyre nëpërmjet mediave dhe po dërgojnë mesazhe të qarta kundër sulmit gjithnjë më të furishëm e më të organizuar, dhe shpeshherë institucional, ndaj të drejtave themelore njerëzore të grave.

Prej kur u mbajt Marshi i Natës sivjet me 8 mars në qytete të ndryshme të Kroacisë (më së shumti njerëz kishte në Zagreb, ku dolën më shumë se 6,000 persona në rrugë), është bërë e qartë se gratë jo vetëm që po ofrojnë rezistencë të fuqishme ndaj revolucionit konservator, por edhe po besojnë që, pavarësisht të gjithave, do të jenë fituese në këtë luftë për të drejtat e tyre, dhe për një shoqëri të personave të lirë.

Bio: Ana Brakus jeton dhe punon në Zagreb si gazetare për gazetën javore Novosti. Tash e disa vite ajo ka avokuar për të drejtat e personave LGBT dhe grave. Pavarësisht të gjithave, i pëlqen politika.

Foto kryesore: Obrana pravo na izbor group.

  • PËR AUTORIN/EN Ana Brakus
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/ës nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në serbisht.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO