Blogbox | Terror

Reagim ndaj terrorit

Nga - 04.07.2016

Arsyeja pse jam e gatshme t'i shfrytëzojë mundësitë e mia.

Fiks para dy javëve, i bëra gati sendet, e u nisa për në Aeroportin Ndërkombëtar Dulles në Uashington D.C., dhe hipa në një aeroplan që do më çonte pak më shumë se 8,000 km larg shtëpisë sime. Në muajt e ardhshëm do të isha e bazuar në Prishtinë, si pjesë e një programi veror me RIT Kosovo; por ndalesa ime e parë ishte në Stamboll.

Aterova në Ataturk pas 10 orëve.

Para dy javëve, Aeroporti Ndërkombëtar Ataturk ishte lokacioni i ekspozimit tim fillestar ndaj një qyteti me energji të shkëlqyeshme e popullsi të këndshme. Sot është skenë e një sulmi të terrorit që dyshohet se ka lidhje me ISIS.

“41 të Vdekur, Më shumë se 230 të Lënduar”, kjo mund të shihet në faqet e para të shumë rrjeteve të mëdha të lajmeve.

Ai veprim ishte i tmerrshëm. Ato jetë që u humbën, u humbën pa arsye. Në këto situata, është lehtë të ndjesh frikë, por ne nuk mund t’i japim frikës as edhe një grimë autoritet. Në kohët më të zymta ne duhet të punojmë më së shumti për të parandaluar veprime të pakuptimta të terrorit, që ato të mos na e njollosin perceptimin tonë të përgjithshëm ndaj një vendi.

Paragjykim i Kultivuar

Vendimi im për ta vizituar Stambollin erdhi lehtë; një ekskurzion i shkurtër në një qytet historik gjatë rrugës deri te destinacioni im i fundit, Prishtina. Në dy ditët e shkurtëra që i kalova në këtë qytet, më u zhvillua një simpati e papritur për Turqinë, e cila buroi nga një ndjenjë e qetësisë dhe ngrohtësisë, një pasqyrim i njerëzve me të cilët u takova gjatë qëndrimit tim.

Shpesh bëj hajgare që rreziku i vërtetë i një rajoni nuk ka të bëjë me gjeografi ose konstrukt politik, por me vozitës të pafytyrë.

Kur udhëtoj në vende që i tejkalojnë kufijtë e rehatshëm të botës perendimore, njerëzit shpesh më pyesin nëse jam nevrike; një vizitë në Egjipt, Liban, Turqi – e edhe Kosovë – dhe menjëherë bombardohem me pyetje të pashmangshme të shqetësimit.

“A po shqetësohesh që po shkon? A je e sigurt që nuk ka rrezik?”

Shpesh bëj hajgare që rreziku i vërtetë i një rajoni nuk ka të bëjë me gjeografi ose konstrukt politik, por me vozitës të pafytyrë. Megjithatë, duke i lënë hajgaret anash, më duhet të them se këto pyetje më tingëllojnë shumë të tepërta.

A isha e shqetësuar që po udhëtoja për në Stamboll? Jo veçanërisht. Po të kisha menduar që udhëtimet e mija do ta rrezikonin legjitimisht sigurinë time, me gjasë do të kisha vizituar ndonjë vend tjetër.

A isha e sigurt se nuk do të kishte rrezik? Eh po… a isha?

Veçanërisht kjo pyetje më duket shumë e kufizuar në konstrukt; jo që është invalide, por për shkak se është rezultat i një ideje që edhe është kultivuar, e edhe është theksuar nga mediat perendimore.

Pak kohë më parë e shikova një TED Talk të shkrimtares Chimamanda Adichie të quajtur “Rreziku i një Tregimi të Vetëm“, në të cilën ajo e thekson kultivimin e paragjykimit nëpërmjet ekspozimit të një rrëfenje të përsëritur për një grup të njerëzve ose për një vend.

“Pra kështu e krijon një tregim të vetëm”, tha Adichie. “I shfaq një popull si një gjë, si një gjë të vetme, përsëri e përsëri, dhe ashtu bëhen atëherë ata”.

Kjo ka ndodhur me rastin e Stambollit, dhe me pjesën më të madhe të vendeve në zhvillim. Agjencitë e lajmeve tregojnë tregime të glamurizuara për kombe të plagosura nga terrori, i definuar nga ekstremizmi dhe korrupsioni, sepse janë “lajme të rëndësishme”. Por bëhet problem kur është i vetmi tregim që zgjedhin ta tregojnë.  

Një artikull i publikuar pak kohë më parë New York Times, për shembull, e përshkroi Kosovën si vend të plagosur nga “radikalizmi islamik”, dhe shpejtë u bë subjekt i polemikave. Kur një artikull i kësaj natyre shkruhet për një shtet si Kosova, përfaqësimi i së cilës në media perëndimore është shumë i pakët, efektet mbi perceptimin e lexueshmërisë intensifikohen, dhe ky është problem.

Artikujt e kësaj natyre çojnë deri te pyetjet e parëndësishme për siguri.

A ishte e garantuar siguria ime kur vendosa që të udhëtojë kah lindja? Sigurisht jo. Si mund të jetë?! Në një rajon të prekur nga tensioni politik dhe rreziku i vazhdueshëm i terrorizmit, asgjë nuk është e garantuar.

Por rreziku për dëmtime e lëndime – ose më keq – vdekje, ishte aty shumë para se të ateroja unë në Stamboll.

Kur hipa në veturën time një ditë para se të nisesha, dhe kur vozita 5 km deri në market, kishte rrezik. Kur udhëtova për katër orë deri në aeroport të nesërmën, i njëjti rrezik u intensifikua.

Sipas Shoqatës Ndërkombëtare për Udhëtim Rrugor të Sigurtë, gati 1.3 milion njerëz vdesin çdo vit në aksidente me makina. 20 deri në 50 milion tjerë lëndohen ose gjymtohen. Pranë këtyre shifrave, probabiliteti i të qenit viktimë e terrorizmit është tepër i vogël.

Por kur hipa në veturën time, një ditë para nisjes, askush nuk u shqetësua mjaft që të më pyes për sigurinë time. Askush nuk më pyeti nëse isha nevrike për udhëtimin tim me veturë. Askush nuk më pyeti nëse isha e sigurt që po merrja vendim të mirë.

“Mënyra se si tregohen [tregimet], kush i tregon, kur tregohen, [dhe] sa tregime tregohen, varen shumë në fuqi”, tha Adichie.

Në rastin e Stambollit, e edhe të Kosovës njëlloj, fuqia është në duart e agjencive të lajmeve, të cilat tepër shpesh veprojnë sipas politikës “nëse ka gjak, ka përparësi”.

Një Ironi e Tmerrshme

Në mëngjesin e 17 qershorit, vetëm disa orë pasi arrita në Stamboll, e shkrova një përshkrim të shkurtër për ditën që e kalova me miq.

Në të shkrova:

“U endëm rrugëve, duke folur me vendasit, duke hapur dyer, dhe duke gjetur thesare të fshehura. Hymë në ndërtesa në të cilat zejtarët po punonin shumë, në dhoma të pluhurosura, të ndriçuara vetëm nga drita natyrale. Përfunduam në maje të po atyre ndërtesave, prej ku shiheshin rrugët e qytetit.

Ata më shpjeguan mua se si ka më pak njerëz se normalisht, pjesërisht për shkak se industria e turizmit në Turqi është duke përjetuar një periudhë pak më të thatë.

Më pak se 24 orë më parë, babai im më përqafoi kur më përshëndeti dhe më tha që të jem e kujdesshme në Stamboll. Dhe përderisa po ‘isha e kujdesshme’, e kam një ndjenjë që interpretimet tona të asaj fjale mund të kenë dalluar pak.

Por jam e sigurt, jam e lumtur, dhe po kënaqem shumë”.

Në po atë ditë, ua dërgova një mesazh prindërve të mi duke u thënë që kurrë nuk jam ndjerë më e sigurtë.

Lajmi për sulmin në Ataturk ngjashëm erdhi në formën e një mesazhi nga babai im.

Shkroi:

“Shpërthime dhe shkrepje armësh në aeroportin Ataturk. Sa për informatë. Duket keq”.

Së pari ndjeva ankth të papërballueshëm dhe mosbesim derisa e parafytyrova aeroportin, që para pak kohe e vizitova të transformuar në zonë lufte. E parafytyrova vetën aty, të ulur në kafene në qendër të terminalit, duke e pritur aeroplanin, dhe i paramendova shumë situata “çka nëse…” – çka nëse sulmi kishte ndodhur dy javë më herët. Çka nëse isha unë, duke ikur për t’i shpëtuar vdekjes?

E dija që një veprim i pakuptimtë i dhunës nga tre individë frikacakë do ta shtonin ndjesinë veç se ekzistuese të pasigurisë në qytete të mëdha, dhe do të shkaktonin një valë të madhe të frikës, deri sa njerëzit do ta vënin në dyshim sigurinë e tyre. Kjo ishte tragjedi e vërtetë.

E pastaj u bëra nervoz.

Përtej nervozës sime ndaj vet veprimit, e dija që një veprim i pakuptimtë i dhunës nga tre individë frikacakë do ta shtonin ndjesinë veç se ekzistuese të pasigurisë në qytete të mëdha, dhe do të shkaktonin një valë të madhe të frikës, deri sa njerëzit do ta vënin në dyshim sigurinë e tyre. Kjo ishte tragjedi e vërtetë.

Rastësia

Rastësia është shpeshherë dallimi në mes të jetës e vdekjes.

Rastësia është ajo që përcakton se kush vdes në pushkatime masive, e kush jeton; kush është në aeroport në kohën e një masakre dhe kush ishte aty vetëm dy javë më parë.

Unë fluturova deri në Ataturk, dhe fluturova nga Ataturku, dhe do të fluturoj nëpërmjet këti aeroporti edhe dy herë para se të kthehem përsëri në Shtetet e Bashkuara.

Do të vazhdojë të udhëtojë, të përjetojë kultura të reja, dhe të jetojë pa frikë.

Mbani zi e vajtoni për humbjen e atyre që ranë si viktima të terrorizmit. Kërkoni që qeveria juaj të merr më shumë masa për të rritur sigurinë dhe për të reduktuar rrezikun. Por mos jetoni me frikë, në asnjë rrethanë.

Vazhdoni t’i shfrytëzoni mundësitë e juaja, dhe terrori nuk do të fitojë kurrë.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO