Në thelb | Hapësira Publike

Rishkrimi i historisë

Nga - 19.08.2017

Si po zhduket trashëgimia socialiste e Jugosllavisë.

Në një natë qershori në Zagreb, u hoq shenja që mbante emrin ‘Sheshi Marshall Tito’, dhe pa pikë kujdesi u hodh në konteiner të mbeturinave. Kryesit e panjohur të kësaj vepre as që pritën konfirmimin zyrtar për riemërimin e njërit prej shesheve qendrore të Zagrebit, që shtrihet përpara Teatrit Kombëtar. Ai konfirmim erdhi disa javë më vonë, më 21 korrik, në një seancë të Kuvendit të Qytetit të Zagrebit, kur Komiteti për Emërim të Lagjeve, Rrugëve dhe Shesheve e pranoi propozimin që Sheshi Marshall Tito të bëhet ‘Sheshi i Republikës së Kroacisë’.

Fotografia “Tito në plehra” u shpërnda shumë nëpër rrjete sociale pasi më 26 qershor Milan Bandiq, kryetari i kahmotshëm dhe i sapozgjedhur i Zagrebit, e dha lajmin për këtë ndryshim të emrit. “Meqë jam 61-vjeçar dhe në mandatin e gjashtë si kreu i qytetit të Zagrebit, dhe di si të lexoj shenja të kohës në këtë qytet dhe më gjerë, dhe si ta dëgjoj pulsin e popullit, më erdhi që të propozoj diçka që nuk duhet ta kundërshtojë asnjë njeri normal në këtë vend”, deklaroi Bandiq në një konferencë për shtyp.

Shumë përmendore janë zhdukur gjatë kohës dhe sot në shtetet e ish-Jugosllavisë ka hapësira të zbrazta aty ku dikur qëndronin heronj. Kjo foto është bërë në Roçeviq, afër Kraljevës, në Serbi. Foto: Grup i Arkitektëve, Serbi.

Ky vendim nxiti protesta dhe akuza për kusuritje politike në prapaskenën e këti riemërimi. Bandiqit ia kujtuan se duhet ta respektojë premtimin që e dha para zgjedhjeve për të vendosur për emrin e sheshit nëpërmjet një referendumi.

Problem nuk paraqet vetëm emri i Titos. Prej viteve të 90-a, çfarëdo lidhje me njerëz ose ngjarje që kishin të bënin me luftën antifashiste, të drejtat e punëtorëve dhe në përgjithësi me krejt trashëgiminë e Jugosllavisë socialiste, është fshirë në mënyrë sistematike, qoftë duke ndryshuar emrat e rrugëve dhe shesheve, qoftë duke shkatërruar apo shpërfillur përmendoret dhe trashëgiminë kulturore. Ky fenomen nuk është i kufizuar vetëm në Kroaci. Ai ndodh në krejt ish-republikat dhe krahinat e Jugosllavisë.

Përballje me të kaluarën apo kalkulim i së ardhmes?

Duke shkatërruar apo shpërfillur elemente që na kujtojnë të kaluarën socialiste jugosllave, historia është ripunuar, dhe tash po shkruhet një histori e re. Sanja Horvatinçiq nga Instituti i Historisë së Artit në Zagreb e shkroi tezën e saj të doktoraturës për trashëgiminë e përmendoreve të periudhës socialiste. Ajo beson se qëndrimet ndaj përmendoreve në shtetet e ish-Jugosllavisë dallojnë shumë nga shteti në shtet.

“Në Slloveni nuk u shkatërruan pothuajse aspak”, thotë Horvatinçiq. “Përmendoret regjistrohen siç duhet, dhe ka përkujdesje e mbrojtje për to. Përmendoret në disa pjesë të Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës janë dëmtuar rëndë. Kjo kryesisht varet nga mjedisi politik dhe ai i kohës së luftës gjatë viteve të ‘90-a, si dhe nga struktura e popullsisë në rajone ose qytete të caktuara”.

Si kusht për të fituar mbështetjen e tyre e për të formuar koalicion me ta Bandic e kishte “heqjen e Marshallit”.

Milan Brandiq mendon se ky vendim ishte më pak i lidhur me motivin e përballjes me të kaluarën, e më shumë me një kalkulim për të ardhmen e tij. Meqë në zgjedhje ai fitoi me përparësi shumë më të vogël se që kishte shpresuar, ai e “këmbeu’ emrin e sheshit për një mazhorancë më të qëndrueshme në Këshillin e Qytetit. Bandiq u përpoq ta formojë një koalicion me Bruna Esihun dhe Zlatko Hasanbegoviqin. Kushti për të fituar mbështetjen e tyre dhe për të formuar koalicion me ta ishte “heqja e Marshallit”.

Bruna Esih garoi gjithashtu për kryesinë e qytetit të Zagrebit në zgjedhjet e fundit lokale. Ajo e mbajti tubimin e saj kryesor në shesh, dhe e shpalli riemërimin e tij si një prej synimeve kryesore të saj. Prej vitit 2012 e deri më 2016, Esih ishte lidere e Hrvatski križni put (Rruga Kroate e Kryqit), shoqatë e cila synon “ta ruajë kujtimin e vuajtjes së kroatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe periudhës së pasluftës”. Ajo iu përkushtua dekomunizimit dhe zbatimit të purifikimit të Kroacisë. Gazetat Slobodna Dalmacija dhe Vecernji e kanë shpallur atë si “ikonë e krahut të djathtë kroat”.

Zlatko Hasanbegoviq, ish-ministër i kulturës dhe kolegu i ri partiak i Esihut, më parë ishte pjesë e partisë udhëheqëse të krahut të djathtë Hrvatska Demokratska Zajednica (Bashkimi Demokratik Kroat). Ai çoi pluhur vitin e kaluar me deklaratat e tij për natyrën e antifashizmit, dhe sulmet e tij ndaj mediave të pavarura dhe lirisë së fjalës, të cilat shkaktuan shumë trazira përtej kufijve të Kroacisë. Hasanbegoviq e mirëpriti lajmin e Bandiqit duke thënë se të ngulësh këmbë në ndryshime nuk është fiksim, “por pikëpamje e qartë politike dhe kombëtare”.

“Kjo ka të bëjë me fakte themelore – RSFJ [Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë] dhe shteti kroat janë dy koncepte që nuk mund të ekzistojnë paralelisht, dhe çfarëdo forme e vazhdimësisë, qoftë politike, sociale apo tjetër, është e panevojshme, sepse shteti modern kroat u krijua në kundërshtim të shtetit që ekzistoi para tij, në një luftë që u nis nga APK-ja [Armata Popullore e Jugosllavisë]”, tha Hasanbegoviq, i cili më pas u emërua President i Komitetit për Emërim të Lagjeve, Rrugëve dhe Shesheve në Këshillin e Qytetit të Zagrebit. Kur u pyet se sa rrugëve duhet t’u ndryshohet emri, Hasanbegoviq u përgjigj: “shumë rrugëve”.

Heqja e socializmit / Jugosllavia në harresë

Muajt në vijim do të tregojnë se a do të vazhdojë Hasanbegoviq revizionizmin e nisur në vitet e ‘90-a – dhe në qoftë se po, me çfarë intensiteti – dhe a do të guxojë t’i ‘godasë’ disa simbole të tjera të së kaluarës, si ‘Sheshin e Viktimave të Fashizmit’.

Ky shesh – që gjendet 15 minuta larg zonës që dikur njihej si Sheshi Marshall Tito – u riemërua si ‘Sheshi i Fisnikëve Kroatë’ më 10 dhjetor, 1990. Presidenti kroat i asaj kohe, Franjo Tugjman, tha se ky vendim nuk u kuptua nga “diletantët dhe ekzibicionistët”. Ai tha poashtu se “pranë këtij sheshi duhet të ndërtohet një shesh i ri që mban emrin ‘Sheshi i Viktimave të Komunizmit’”.

Kjo deklaratë krijoi hapësirë për një diskutim që edhe sot e kësaj dite jehon në Kroaci: Cilat krime janë më të mëdha e më serioze – ato të kryera nga komunistët, apo ato të kryera nga fashistët?

Shumë intelektualë u rrebeluan kundër vendimit të Tugjmanit, dhe Komiteti i Veprimit për Sheshin e Viktimave të Fashizmit organizoi tubime protestuese çdo vit me datën 9 maj, në Ditën e Fitores kundër Fashizmit në Europë. Në vitin 2001, pasi kaluan 10 vjet duke bërë fushatë për ta rikthyer emrin origjinal, autoritetet lëshuan pe.

“Emërimi i rrugëve është mundësi unike për të shkruar histori.”

Bojan Marjanovic, Universiteti i Zagrebit

Në esenë e tij të vitit 2007, “Ndryshimi i qeverisë, ndryshimi i rrugëve”, Bojan Marjanoviq nga Universiteti i Zagrebit theksoi se emrat e figurave të shquara të epokës socialiste ishin fshirë në Kroaci, siç kishte ndodhur edhe me emrat që u referohen ngjarjeve që kishin të bënin me luftën për çlirimin e popullit, ‘Vëllazërimin dhe Bashkimin’ ose me klasën punëtore, si dhe me emrat e disa lokacioneve. Ato u zëvendësuan me emra të mbretërve, aristokratëve, shkencëtarëve dhe intelektualëve kroatë, emra që tregonin për shtrirjen e territorit kroat, dhe emra që tregonin mendësinë properëndimore të Kroacisë.

Njëkohësisht, u zhduk edhe lidhja e Kroacisë me republikat e tjera të Jugosllavisë. Shembulli më i qartë i kësaj është me gjasë riemërimi i rrugës që dikur njihej si Bulevardi i Beogradit, që përdoret për të dalur nga Zagrebi në autostradën që të çon në Beograd. Ajo rrugë u emërua “Bulevardi i Sllavonisë”, si zonë e Kroacisë që mban të njejtin emër.

“Emërimi i rrugëve është mundësi unike për të shkruar histori”, thotë Marjanoviq në esenë e tij. Kjo do të thotë se një hapësirë i atribuohet një ngjarjeje të caktuar historike dhe “e ngulit përherë në kujtimin e komunitetit më të ngushtë ose më të gjerë”.

Për kë janë të padëshirueshme përmendoret socialiste?

Megjithatë, revizionizmi ka lënë gjurmë edhe më të dukshme në përmendoret që kanë mbetur nga periudha socialiste, veçanërisht ato që i kushtohen luftës kundër fashizmit dhe çlirimit të popullit. Revizionizmi është bërë aq i fuqishëm saqë këto përmendore janë emëruar si ‘përmendore të padëshiruara’.

“E domosdoshme është të pyesim: Prej pikëpamjes së kujt janë të padëshirueshme këto përmendore, dhe pse?” pyet Sanja Horvatinçiq. “Agjendën e kujt po e ndjekim duke e pranuar këtë term, ‘përmendore të padëshiruara’?”

Ajo shton se shumica e përmendoreve që i kushtohen luftës kundër fashizmit, veçanërisht ato që u ndërtuan, u financuan dhe u mirëmbajtën nga komunitetet vendase, u krijuan për t’i ruajtur dhe për t’i përhapur kujtimet e luftëtarëve vendas që luftuan kundër fashizmit, si dhe të viktimave civile të terrorit fashist. “Ndryshe nga përmendoret e luftrave tjera, shumë prej përmendoreve të LNÇ-së nuk përmbajnë lista të gjata të me emra”, thotë Horvatinçiq. “Ata emra nuk u shpikën – ishin baballarët, vëllezërit, motrat apo fqinjtë e dikujt”.

Përmendore në Kozara, në Bosnjë, e cila u dëmtua pas luftës së fundit. Sot në Kozara, autoritetet vendase përpiqen ta shpërfillin të kaluarën antifashiste dhe ta përdorin atë si simbol të nacionalizmit. Foto: Nidzara Ahmetasevic / K2.0.

Megjithatë, përmendoret nga ajo epokë janë dëmtuar shumë në Kroaci. Vlerësohet se rreth 6,000 përmendore dhe monumente u regjistruan në Kroaci deri në fund të viteve të ‘80-a. Por deri në vitin 2000, sipas regjistrimit të kryer nga Savez antifasistickih boraca i antifasista RH (Lidhja e Luftëtarëve Antifashistë dhe Antifashistëve të Republikës së Kroacisë), më shumë se 3,000 përmendore dhe monumente u shkatërruan ose u dëmtuan shumë. Aktualisht ky numër pothuajse sigurtë është edhe më i madh sepse një pjesë e madhe e shkatërrimit ndodhi pas vitit 2000, dhe në atë listë nuk u përfshinë të gjitha përmendoret të cilat u dëmtuan para vitit 2000.

“Prej 1,700 përmendoreve të cilat i përfshiva në doktoraturën time, rreth 30 përqind janë gati krejtësisht të shkatërruara ose shumë të dëmtuara, dhe pothuajse po aq prej tyre janë të ruajtura ose më pak të dëmtuara”, thotë Horvatinçiq. Ajo ceku gjithashtu se regjistrimi i vitit 2000 nuk i pëfshiu pllakat përkujtimore dhe shumicën e gurëve të varreve, të cilat ishin caqet më të lehta për heqje dhe vandalizëm.

Fashizmi në Mostar

Shkatërrimi i përmendoreve u krye në mënyra të ndryshme. Disa përmendore dhe monumente u laguan në mënyrë sistematike, me minim të shënjestruar, e disa u larguan prej qendrave dhe u zhvendosën në lokacione periferike. Disa përmendore u shkatërruan për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, e disa të tjerëve iu shtuan elemente të reja – simbole ose u ndryshuan pllakat. “E gjithë kjo po ndodh pa kurrëfarë mbikëqyrjeje të ekspertëve dhe kundër ligjit”, thotë Horvatinçiq.

Sipas disa burimeve, në shtetet e ish-Jugosllavisë ishin rreth 30,000 monumente të LNÇ-së. Ndonëse numri i tyre në Kroaci është “gjymtuar” shumë si pasojë e shkatërrimit sistematik, raste tjera në shtetet fqinje tregojnë se çka ndodh kur kombinohet vandalizmi me pandëshkueshmëri.

Varrezt e Partizanëve në Mostar, të cilat u ndërtuan në vitin 1965, u shpallën si Monument Kombëtar i Bosnjës dhe Hercegovinës në vitin 2006. Sot ky monument është i shkatërruar krejtësisht. Stefica Galiq, gazetare e portalit tacno.net (nga Mostari) që mbështet ruajtjen e traditës antifashiste, thotë se “95 përqind e paneleve të varreve janë shkatërruar krejtësisht”.

Këto varreza kanë 810 gurë të varreve të cilat kanë kuptim simbolik, siç ka edhe dizajni i përmendores. “Forma e gurëve të varreve në të cilët ishin gdhendur emrat e luftëtarëve të rënë i ngjajnë formës së një druri të prerë, simbol i rinisë së ndërprerë”, thotë Galiq. “Gurët që u përdorën për ndërtimin e përmendorës u morën nga shtëpitë e vjetra dhe të shkatërruara të gurit nga kjo qytezë e vjetër. Sot muret janë të përshkruara me kryqër të thyer dhe fjalë fyese”.

Sipas Galiqit, autorët e këtyre krimeve po e kryejnë këtë formë të vandalizmit pa pasur frikë nga ndjekja penale. “Huliganët e kanë bërë këtë me vite, para syve të të gjithëve, duke e ditur se asgjë nuk do t’u ndodhë”, thotë ajo. “Çdo vit kur organizohet ngjarja e hedhjes së luleve në Varrezat e Partizanëve në Ditën e Çlirimit të qytetit të Mostarit, ose në Ditën e Fitores, huliganët dhe neoustashët hedhin gurë, petarde, shishe, koktej molotovi…”

Galiq tha se ajo i fotografoi ata duke e shkelur ligjin dhe i postoi ato fotografi në portal, por me sa duket ky veprim u injorua. “Kërkova informata nga policia, i pyeta çfarë kishte ndodhur pasi u raportuan incidentet, por asnjëherë nuk m’u përgjigjën. Thjesht më thonin ‘hetimet vazhdojnë’”, thotë ajo. “Kur e thirra Zyrën e Prokurorisë së Kantonit dhe e pyeta se sa ankesa i kishin marrë nga policia për huliganët të cilët hodhën objekte drejt vizitorëve në Varrezat e Partizanëve, ata më thanë që nuk kishin pranuar asnjë ankesë”.

Sidoqoftë, rindërtimi i Varrezave të Partizanëve në Mostar tashmë ka nisur. Këto punime po zhvillohen nga dega e Shoqatës së Luftëtarëve të LNÇ-së në Mostar, dhe po financohen nga Qeveria e Norvegjisë.

Kohë e re, heronj tjerë

Në Serbi nuk ka pasur këso shkatërrimesh sistematike, por përmendoret janë në gjendje të dobët, kryesisht për shkak të shpërfilljes. Jelica Jovanoviq është arkitekte dhe anëtare e OJQ-së Grupi i Arkitektëve, e cila po kryen hulumtime për gjendjen e përmendoreve të epokës socialiste në Serbi.

“Gjatë viteve të ‘90-a ndodhën disa heqje masive gjatë valës së marrëzisë nacionaliste”, thotë ajo. “Ato që ishin në parqe e pësuan më së keqi, si për shembull bustet e heronjve kombëtarë. Këtë kryesisht e bëjnë vandalistët dhe mbledhësit e metaleve. Ndonjëherë ndodh që një objekt të largohet dhe të mos kthehet më kurrë në vend”.

Në shtete të ndryshme të ish-Jugosllavisë po mbahen rregullisht protesta. Njerëzit po mundohen t’i ruajnë kujtimet e luftës antifashiste. Foto: Jelena Prtoric.

Vetëm pasi grupi doli në terren, e kuptoi se nuk ekzistonte ndonjë arkivë e mirë e përmendoreve. Ata u befasuan kur panë “sa pak përmendore kishin mbetur”.

“Edhe nëse njerëzit janë kundër një përmendoreje, opinioni publik konsideron se ajo përmendore nuk duhet të preket… ‘le të shkatërrohet vetë nëse ka nevojë’”, shpjegon ai. “Ende ka familje të cilave u përkasin përmendoret. Ata kujdesen për to. Në rastet e qytezave të vogla, për to kujdesen priftërinjtë apo shoqatat lokale të luftëtarëve”.

Shkatërrimi sistematik mund të mos ketë ndodhur në Serbi, por nuk ndodhi as mbrojtja sistematike e këtyre përmendoreve. Ato nuk u trajtuan si trashëgimi e vlefshme. “Modernizmi i pasluftës është dashur të mbrohet, por u zhvlerësua si diçka komuniste”, shpjegon Jovanoviq. “Të huajt kanë ardhur e na kanë thënë se nuk është e vlefshme”.

Zëvendësimet antifashiste

Ndonëse përmendoret që i kushtohen antifashizmit po zhduken nga peizazhi i postjugosllavisë, në Serbi po dalin përmendore të reja të historisë së shekullit XX. Edhe para se të rehabilitohej lideri i lëvizjes profashiste çetnike, emri i tij u kthye në diskursin publik për shkak të një përmendoreje që u ngrit në nder të tij në Ravna Gora, bashkë me disa pllaka të tjera përgjatë vendit.

Pastaj janë edhe nderimet për ushtarët rusë të Luftës së Dytë Botërore. “Pak shqetësuese është që po dalin përmendore të reja në nderim të ushtarëve të Ushtrisë së Kuqe anembanë Serbisë, me kuptimin e plotë të fjalës”, totë Jovanoviq. “Nuk di sa janë saktësisht, por janë mjaftë për ta dalluar këtë tendencë. Megjithatë, së fundmi kemi vërejtur trendin e ndërtimit të objekteve të reja për nder të Ushtrisë së Kuqe me tekste të llojit… ‘për vëllezërit tanë rusë të cilët morën pjesë në luftën e Serbisë për pavarësi’”, thotë Jovanoviq duke e cilësuar këtë si falsifikim historik. Këtë cilësim e justifikon duke qartësuar se ky falsifikim historik është një prej “kanaleve të lajkave drejtuar Rusisë”. Jovanoviq thotë se kjo është një mënyrë tjetër e rishkrimit të së kaluarës që po ndodh në territorin që dikur quhej Jugosllavi.

E ndonëse në Serbi po ndërtohen përmendoret dhe po ngriten pllakat përkujtimore për nder të Ushtrisë së Kuqe dhe lëvizjes çetnike, në Kroaci po shpëlahet trashëgimia e lëvizjes së ustashëve, të cilët ishin aleatë të nazistëve.

Në qershor për pak sa nuk u ndërtua një pllakë përkujtimore për njërin prej anëtarëve më të njohur të lëvizjës së ustashëve, Jure Françetiq, në qytetin e tij të lindjes, Otoçac, në qendër të Kroacisë. Por kjo nismë u ndal falë reagimit të shpejtë të shoqatave dhe aktivistëve antifashistë. Por në qendër të Jasenovacit, afër kampit të përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore, ende ekziston një pllakë me mbishkrimin “Za dom spremni” (“Për mëmëdheun të gatshëm”), përshëndetje që u përdor gjatë Luftës së Dytë Botërore nga lëvizja e ustashëve.

Për më tepër, dhejtëra rrugë në qyteza të ndryshme kroate mbajnë emra të anëtarëve të lëvizjes së ustashëve, si dhe të datës 10 prill, dita kur u krijua shteti i varur nga nazistët, Shteti i Pavarur Kroat. Deri më tani autoritetet e kanë mbyllur njërin sy. Asnjë prej tyre nuk është hequr, dhe asnjë nuk ka përfunduar në mbeturina.K

Foto kryesore: Stefica Galic, Tacno.net.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO