Në thelb | E kaluara, tani | BiH

Rilidhja e rajonit

Nga - 28.09.2018

Problemet me dokumente dhe lidhjet e dobëta rrugore pengojnë bashkëveprimin mes njerëzve të Ballkanit.

Benjamin Kolenović u rrit në Pejë dhe vijoi një pjesë të shkollimit në gjuhën boshnjake. “Ne përdornim një Abetare që na mësonte bazuar në monumentet që janë në Bosnje e Hercegovinë (BeH): histori dhe gjeografi boshnjake”, thotë Kolenović për K2.0. “Por, kurrë nuk kam pasur mundësi të shkoj atje”, shton ai.

Më herët gjatë këtij viti, Kolenović pati më në fund rastin të shihte nga afër këto monumente kur u pranua për të marrë pjesë në një konferencë në Sarajevë, por nuk arriti të shkonte për shkak të problemeve me vizat. Ai punon në fushën e marketingut digjital nga Prishtina për një kompani në Suedi dhe kishte aplikuar për vizë në Ambasadën suedeze ku dorëzoi pasaportën sipas procedurës.

“Meqë nuk kisha pasaportë, mbeta pa vizë boshnjake dhe kështu nuk munda të shkoj në konferencë”, thotë Kolenović duke qeshur. Përveç kësaj, ai thotë që përgjigje negative “për ndonjë arsye” mori edhe nga Suedia, edhe pse në këtë shtet kishte udhëtuar më parë, gjithashtu me vizë.

Konferenca POINT, rreth përgjegjësisë politike dhe teknologjisë së re, ku Kolenović kishte shpresuar të merrte pjesë, organizohet çdo vit nga Darko Brkan, drejtor i organizatës joqeveritare “Zašto Ne” në Sarajevë. Kjo organizatë mban shpesh konferenca rajonale dhe ndërkombëtare, kështu që Brkan i njeh mirë problemet me viza, madje shpesh ishte detyruar që të anulonte ose shtynte ngjarje të ndryshme për shkak të barrierave të tilla.

“Shtetet e vetme që kanë probleme me vizat janë Kosova dhe shtetet e Lindjes së Mesme. Asnjë shtet në rajon apo në Evropë nuk përballet me telashe të tilla”, thotë ai për K2.0.

Drejtori i Zašto Ne, Darko Brkan, është dashur të anulojë organizime të ndryshme për shkak të barrierave të krijuara nga regjimi i vizave mes Kosovës e Bosnjës. Ai beson që është gati e pamundur të merret vizë për të udhëtuar mes këtyre dy shteteve. Foto: Imrana Kapetanović/ K2.0.

Sipas Brkan, një çështje tjetër që e bën udhëtimin më të vështirë është fakti që autoritetet boshnjake rrallë japin viza për persona që udhëtojnë për arsye familjare. “Për të udhëtuar mes Kosovës dhe Bosnjës duhet të keni një arsye që lidhet me ndonjë organizim ndërkombëtar apo ngjarje ku njëri nga shtetet ka përfitime. Është gati e pamundur të merret viza”, thotë Brkan.

Drejtori i Zašto Ne beson që kur bëhet fjalë për kërkimin e një zgjidhjeje për problemet mes dy shteteve, ajo duhet të kërkohet në Beograd, më shumë sesa në Sarajevë. Ai thekson ndasitë që ekzistojnë në politikëbërjen e BeH dhe që kjo vlen gjithashtu edhe për problemet në raport me Kosovën. “Në përgjithësi, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bosnjës varen shumë apo tërësisht nga ato mes Kosovës dhe Serbisë”, përfundon Brkan.

Të njëjtin mendim e ndan dhe Emilija Redžepi, deputete boshnjake në Kuvendin e Kosovës, që është pjesë e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Redžepi beson që bashkësia ndërkombëtare duhet t‘i bëjë më shumë presion Beogradit, që pastaj Beogradi të ndikojë më shumë te Banja Lluka – kryeqyteti de facto i Republikës Serbe në BeH – në mënyrë që problemet me dokumente të udhëtimit të rregullohen dhe marrëdhëniet të përmirësohen.

Duke shpjeguar këto probleme në një bisedë me K2.0, Redžepi thotë që vizat po shkaktojnë shumë probleme në jetën e qytetarëve të cilët nuk mund të udhëtojnë dhe të studiojnë ku të duan. “Studentët boshnjakë nuk mund të studiojnë në shtetin e tyre amë”, thotë Redžepi.

Deputetja boshnjake në Kuvendin e Kosovës, Emilija Redžepi, beson që ndërveprimi mes dy shteteve është në gjendje tragjike në një kohë kur marrëdhëniet mes shteteve evropiane janë kaq të hapura. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Sipas deputetes, regjimi i vizave po i mban edhe familjet të ndara në të dy shtetet. Ajo e ilustron këtë me një rast tragjik të një qytetari nga Kosova që kishte ndodhur më herët këtë muaj, pas një aksidenti fatal komunikacioni në Bosnjë. “Vëllau [i cili jeton në Kosovë] nuk mundi të shkonte në funeralin e vëllaut të tij për shkak të procedurave të komplikuara për viza, pasi që duhet aplikuar në një nga vendet fqinje dhe procedura zgjat me javë të tëra”, thotë Redžepi. “Është tragjike që kjo po ndodh tani, në një kohë kur kufijtë e Evropës janë të hapur”.

Gjithashtu, ajo e vlerëson bashkëpunimin ndërinstitucional në mes dy shteteve si “shumë të dobët, madje më i dobët se me Serbinë”, teksa shton që qeveria e Kosovës nuk ka bërë sa duhet dhe mban pjesën e fajit për bllokadën në marrëdhëniet me BeH. “Ministria e Jashtme e Kosovës dhe Qeveria e Kosovës kurrë nuk i kanë ftuar përfaqësuesit legjitim të boshnjakëve të Kosovës për t’u angazhuar dhe për të marrë pjesë në zgjidhjen e kësaj çështjeje”.

Në të vërtetë, bllokada me vizat vlen për të dy shtetet, pasi që Kosova kishte vendosur masa reciproke ndaj BeH-së në janar të vitit 2014, kur bllokada e udhëtimit në mes të dy shteteve ishte temë e nxehtë në media.

Edhe pse rëndësia që mediat i kanë kushtuar këtij problemi ka rënë përgjatë viteve, qytetarët ende vazhdojnë të përballen me telashe. Më herët gjatë këtij muaji, Federata e Basketbollit e Kosovës ftoi në Kosovë një mysafir, që është qytetar nga BeH, për ta shikuar nga afër ndeshjen ndaj Maqedonisë. Për të ardhur në Prishtinë, atij iu desh të aplikonte për vizë në ambasadën e Kosovës në Stamboll, proces që shkaktoi vonesa dhe shpenzime të tepërta.

Sportistët në rajon janë penguar shpesh nga problemet e udhëtimit. Në maj të këtij viti, Ministria e Brendshme e Serbisë dha urdhër që Përfaqësuesja e Kosovës e karatesë të mos hynte në Serbi. E ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë Serbe lëshoi një komunikatë ku konfirmoi që ekipi kosovar u kthye prapa dy herë në pikën kufitare në Merdare, duke ua pamundësuar që të marrin pjesë në garat që u mbajtën në Novi Sad nga 9 deri më 13 maj.

Tre muaj më vonë, në gusht, Përfaqësuesja U-16 e Kosovës në basketboll gjithashtu u përball me probleme në tentimin e tyre për të udhëtuar drejt Sarajevës për Kampionatin Evropian që u mbajt në kryeqytetin e Bosnjës e Hercegovinës. Autoritetet boshnjake nuk ua dhanë me kohë vizat ekipit kosovar, duke rrezikuar kështu pjesëmarrjen e tyre në kampionat.

Kreu i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, beson se vështirësia që pati ekipi U-16 i Kosovës për të udhëtuar drejt Sarajevës, ishte një rast i qartë i përzierjes së politikës në sport. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, shpjegon tërë procesin stresues nëpër të cilën kaloi federata dhe ekipi i të rinjve, duke u munduar të marrin dritën e gjelbër për udhëtim drejt Sarajevës. Sipas tij, federata aplikon për vizë për secilën garë, por asnjëherë nuk ka probleme të tilla si me BeH, madje as kur bëhet fjalë për udhëtime në shtete të tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Kur është bërë jashtëzakonisht vonë, realisht nja 4-5 ditë para udhëtimit, ne i kemi shkruar FIBA-s [Federata Ndërkombëtare e Basketbollit] dhe u kemi thënë që nuk i kemi vizat”, thotë Fetahu për K2.0. “Pas presionit nga ta, na lajmëruan nga Bosnja që mund të shkojmë t’i marrim vizat të hënën”, rrëfen ai.

Megjithatë, sipas tij, boshnjakët sërish nuk i dhanë vizat në ambasadën në Shkup, pasi që Ministria e Punëve të Jashtme të Bosnjës, refuzonte të nënshkruante konfirmimin për vizat e ekipit kosovar.

Vonesat e ngarkuan tej mase orarin e garave të ekipit. “Na janë shtyrë dy ndeshje, kemi mbërritur atje në ditën e tretë, 7-8 orë para lojës dhe kemi luajtur çdo ditë me radhë pa pushim. Dy ndeshjet e humbura është dashur t’i kompensojmë në ditët që kanë qenë pushim”, shpjegon shefi i federatës. “Ne i kuptojmë implikimet politike, por fëmijët s’i kuptojnë. Ata janë përgatitur 8 javë për të garuar dhe e kanë të vështirë t’i kuptojnë problemet me Republika Srpskën.”

Fetahu thotë që ky ishte rast i qartë i përzierjes së politikës në sport. “Ne kemi miq në bordin e tyre për të cilët e di që me mish e me shpirt janë munduar të na ndihmojnë, por në anën tjetër ka pasur edhe përfaqësues serbë të federatës të cilët kanë pasur ndikim që të vijë deri te kjo situatë.”

Infrastrukturë e ndarë

Përderisa regjimi i vizave vazhdon të shkaktojë probleme për qytetarët kosovarë dhe boshnjakë, një prej pengesave më të mëdha për lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët e rajonit është mungesa e infrastrukturës së mirëfilltë rrugore për të lidhur shtetet. Investimet për një lidhje më të mirë dhe në shkurtimin e kohës së udhëtimit në mes shteteve, kanë qenë të pamjaftueshme.

Donika Emini, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, ilustron vështirësitë e udhëtimit nëpër vendet e Ballkanit. “Kur kemi organizuar aktivitete në Bosnjë, më është dashur të fluturoj nga Prishtina në Frankfurt, pastaj në Ljubljanë e më pas në Sarajevë”, thotë ajo për K2.0.

Udhëtimi me veturë nga Prishtina në Sarajevë do të përfshinte kalimin përmes Malit të Zi për shkak të kufizimeve të letërnjoftimeve të Kosovës në kufirin serbo-boshnjak dhe do të zgjaste 12 orë, për shkak që rruga është e vjetër dhe malore. Me përjashtim të Prishtinës dhe Tiranës, asnjë nga kryeqytetet e Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës, Serbisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë nuk janë të lidhura me autostrada, duke shkaktuar kështu udhëtime të gjata mes tyre.

Agjenda e konektivitetit e Bashkimit Evropian synon përmirësimin e lidhjeve të transportit dhe energjisë në mes të shteteve të Ballkanit perëndimor dhe vendeve të BE-së. Në një takim të mbajtur më 21 prill 2015 në Bruksel, kryeministrat e Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nënshkruan një marrëveshje që u jepte prioritet një numri të projekteve infrastrukturore të cilat do të forconin lidhjet mes të shteteve.

Megjithatë, realizimi i këtyre projekteve është vonuar për disa arsye, duke përfshirë mungesën e financimit, kontraktuesit e papërgjegjshëm dhe mungesën e vullnetit politik.

Shpend Emini nga Demokracia për Zhvillim vlerëson se vetëm gjysma e projekteve infrastrukturore të zotuara në agjendën e konektivitetit të BE-së, kanë filluar punën më 2018. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Marrëveshja përfshinte 11 projekte rrugore dhe tetë projekte për zgjerimin e rrjetit hekurudhor në rajon. Por, Shpend Emini, hulumtues dhe drejtor i organizatës “Demokracia për Zhvillim” në Prishtinë, thotë që implementimi i projekteve të dakorduara me BE-në ka shkuar më ngadalë se që ishte planifikuar fillimisht. Sipas tij, vetëm gjysma e projekteve të listuara në agjendën e dakorduar në Bruksel kanë filluar me punë konkrete në vitin 2018.

“Korridori 10”, rrugë që është menduar të lidhë Evropën qendrore me portet detare në Greqi, është një prej segmenteve që padyshim është përballur me probleme. Rruga është ideuar që prej fillimit të këtij shekulli dhe nuk ka arritur të përmbushë shumë afate, duke bërë që afati për përfundimin e ndërtimit të shtyhet tri herë, që nga afati fillestar që ishte dhjetori i vitit 2015, e deri në qershor të vitit të ardhshëm.

Shumë vonesa janë shkaktuar për shkak të pjesës që kalon nëpër Serbi. Banka Botërore ka dhënë rreth 275 milionë euro hua për financimin e ndërtimit të rrugës. Menaxheri i kësaj organizate në Serbi, Tony Verheijen, fajësonte kompanitë e kontraktuara për mashtrim të qeverisë serbe.

“Serbia gjithnjë manipulohet nga kompanitë e kontraktuara”, thoshte Verheijen për portalin World Highways më 2017. “Sjellja e disa firmave të cilave u janë dhënë kontrata në tenderë të mëdhenj ndërkombëtarë është thjesht e tmerrshme. Ata fitojnë kontrata duke ofruar çmim të ulët dhe pastaj e rikuperojnë dëmin përmes kërkesave për kompensim të dëmit. U duhen tetë muaj për t’u mobilizuar dhe sa herë që u bëhet presion nga qeveria serbe, ata bëjnë presion te qeveritë e tyre në mënyrë që të mos ndërmerret asnjë masë ndaj tyre.”

Nëse këto projekte janë vërtetë “prioritet”, siç është marrë vesh në Bruksel, kjo është ende një temë e hapur për debat, por është e qartë që realizimi i tyre po ecë ngadalë.

Një tjetër projekt rrugor që ka mbetur prapa është autostrada Prishtinë-Shkup, që njihet si Rruga 6. Pjesa e rrugës që kalon nëpër Kosovë ishte planifikuar të përfundonte në janar të këtij viti, por ndërtimi vazhdon edhe pse është më pranë përfundimit.

Në anën tjetër të kufirit, Qeveria maqedonase nuk ka arritur të ndërtojë një segment prej 13 kilometrash që do të lidhë Shkupin me kufirin kosovar. Tenderi publik për zgjedhjen e kompanisë ndërtuese ende nuk është hapur, ndërsa ministri maqedonas Goran Sugareski tha këtë muaj që ky segment do të fillojë të ndërtohet në pranverën e vitit të ardhshëm.

Një tjetër segment i rëndësishëm për infrastrukturën rrugore rajonale është rruga që planifikohet të lidhë Nishin në Serbi me portin e Durrësit në Shqipëri përmes Prishtinës. Rruga nga Nishi në Pločnik, një qytet 40 kilometra larg Merdares – pikës kufitare me Kosovën – është ende në pritje të fillimit të ndërtimit dhe do të kushtojë rreth 240 milionë euro.

Financimi i projektit ishte konfirmuar në shkurt të vitit 2018 nga Dubravka Negre, shefe e divizionit regjional të Bankës Evropiane për Investime. Ndërkohë që zyrtarët e qeverisë serbe kanë përsëritur disa herë që ndërtimi i kësaj rruge do të fillojë këtë vit, faqja në internet e Fondit Investiv për Ballkanin Perëndimor (WBIF) thotë që punët që kanë të bëjnë me shpronësimin e pronave janë aktualisht duke u adresuar.

Nëse këto projekte janë vërtetë “prioritet”, siç është marrë vesh në Bruksel, kjo është ende një temë e hapur për debat, por është e qartë që realizimi i tyre po ecë ngadalë. Rezultati final është një infrastrukturë rrugore që e bën të vështirë bashkëpunimin dhe lidhjet mes njerëzve në shtetet e Ballkanit perëndimor edhe më të vështira.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO