Pikëpamje | Ekonomia

Rimendimi i nënshtetësisë kosovare

Nga - 16.02.2018

Politikat ekonomike kanë dështuar që të adresojnë pabarazinë.

Demokracia, e kuptuar si sistem politik ku qeverisja del nga zgjedhjet legjitime dhe konkurruese, nis të ndikojë në uljen e pabarazisë pas rreth 20 vitesh, sipas një hipoteze shpresëdhënëse në kërkimet sociale. Në librin Demokracia dhe e majta të publikuar në vitin 2012, shkencëtarët Evelyne Huber dhe John D. Stephens gjejnë mbështetje të freskët të kësaj pritjeje në mesin e shteteve të Amerikës Latine – disa prej të cilave kanë ngjashmëri me Kosovën për nga trashëgimia e transformimit të tyre prej sistemeve të tjera në demokraci – pas gjallërimit të lëvizjeve të majta dhe përmirësimit të politikave të provuara nga organizatat ndërkombëtare.

Në dhjetëvjetorin e pavarësisë, Kosova i afrohet dy dekadave në demokraci, pra qëkur janë mbajtur zgjedhjet e para të lira. Mirëpo, gjasat janë të pakta që demokracia zgjedhore kosovare të fillojë ta sfidojë së shpejti pabarazinë tejet të lartë dhe historikisht këmbëngulëse sociale sado që ajo ka qenë një nga nxitësit e luftës, mosbesimit të madh politik, dhe migrimit të vazhdueshëm. Mënyra se si është konceptuar nënshtetësia kosovare e pasluftës dhe realiteti i të majtës politike garantojnë hegjemoninë e pabarazisë.   

Sociologu Thomas H. Marshall e ka definuar nënshtetësinë si tërësi të të drejtave civile, politike dhe atyre sociale. Cilësia e nënshtetësisë varet nga mënyra e ndarjes së të drejtave dhe standardeve të jetesës brenda një shoqërie. Që të drejtat civile dhe politike të mund të jetësohen nga sa më shumë njerëz dhe që standardet e një popullate të jenë sa më të afërta, politika sociale ose tërësia e të drejtave sociale duhet të priret kah barazia.

Pabarazia në Kosovë është më e larta në Europë për shkak se të drejtat sociale nuk janë hartuar nga organizatat ndërkombëtare për të pasur qëllim barazinë, dhe për shkak se e majta nuk ka qenë e aftë të vijë në pushtet me një agjendë për t’i reformuar ato.    

Receta e pasluftës e Bankës Botërore

Ndonëse shumica e ligjeve bazë që i patën hapur rrugë politikës sociale të pasluftës – të punës, transfereve sociale (për shembull, pensioneve, mbrojtjes dhe sigurimeve sociale, etj.) dhe taksave – qenë nxjerrë rreth kohës së zgjedhjeve dhe viteve të para parlamentare, ato kryesisht hartoheshin nga Banka Botërore dhe shpalleshin nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK-u. Përfaqësuesi Special i OKB-së ishte autoriteti i fundit dhe organizatat ndërkombëtare gëzonin besim publik duke u marrë si zëri i Perëndimit pasi NATO-ja kishte ndërhyrë në luftë.

Parlamenti mund të mos ketë pasur fuqi ta ndërronte thelbin e ligjeve. Por edhe akterët më të votuar vendorë deklaroheshin me orientim të djathtë, i kishin me rëndësi elektorale fjalët përkëdhelëse nga diplomatët e huaj, dhe, ndonëse njohuritë e tyre të fushës duhen parë me dyshim, anëtarët e elitës së atëhershme e shihnin gjerësisht çdo nismë me paraqitje liberale si ikje të domosdoshme nga trashëgimia e “palavdishme” jugosllave.

Ky kontekst dhe lodhja nga vitet e ‘90-a e shpjegon deri diku edhe rezistencën e zbehtë të ish-punëtorëve të socializmit vetëqeverisës të viteve 1952-’89. Derisa ata prisnin heshturazi rikthimin e disa prej të drejtave të tyre të dikurshme, ligjet e reja instaluan recetën e rreptë neoliberale, politikën sociale të residualizmit, ku shumica e njerëzve pritet të gjejnë zgjidhje në treg, ndërsa qeveria kufizohet në transfere sociale minimale aty ku tregu dështon.

Siç tregohet në vijim, politika e re ishte thelbësisht e ndryshme nga vetëqeverisja socialiste për sa i përket formës. Megjithatë, të dy modelet, për arsye të ndryshme, dhanë rezultate të ngjashme, të dobëta.

Në punë, politika e re, që rregulloi se punëtori mund të largohej me një muaj paralajmërim nga punëdhënësi, nuk caktoi pagë minimale, nuk vendosi sigurim të obliguar shëndetësor dhe as mbrojtje të papunësisë, ndërsa pushimi i lehonisë me pagesë zgjaste vetëm dymbëdhjetë javë.

Gjatë socializmit, puna ishte e mbrojtur ngurtësisht, kishte program të papunësisë, punëtorët kishin sigurim shëndetësor për vete dhe anëtarët e familjes, pushimi i lehonisë zgjaste deri në dy vjet, dhe punëtorët merrnin edhe subvencione për konsum.

Por si pensione si ndihma e kushtëzuar sociale për familjet në varfëri, u programuan në atë mënyrë nga Banka Botërore që të kërkonin sa më pak buxhet.

Për më shumë, UNMIK-u nënshkroi 465 kontrata shitjeje në procesin e privatizimit të ish-ndërmarrjeve publike ku më nuk mund të ktheheshin ish-punëtorët. Kah fundi i qeverisjes deindustrializuese të Kombeve të Bashkuara, punëdhënësi më i madh u bënë organizatat buxhetore publike me 39% (2007), në krahasim me 25% (1986) sa punonin në sektorin jashtekonomik (ose administratë) në vitet e fundit të Kosovës autonome socialiste.

Në transferet sociale, vëmendja iu kushtua pensioneve. Ndryshimi më serioz u bë me krijimin e Fondit të Kursimeve Pensionale (i ngjashëm me modelin e provuar në vitet e ’80-a dhe të ’90-a në Kili), më 2002, që parashikoi kursimet e detyrueshme individuale pensionale në treg.

Në të kaluarën Kosova aplikonte modelin pensional Pay-as-You-Go ku gjenerata aktuale e punëtorëve paguante për pensionistët aktualë. Kështu, u mënjanua çdo lloj solidariteti ndërmjet punëtorëve, gjeneratave të tyre, dhe u hoqën garancitë qeveritare për të ardhurat pensionale. Hapësirë u krijua edhe për kursime të tjera vullnetare në treg.

Në këmbim të këtij marketizimi dhe individualizimi radikal, u krijua pensioni bazë universal për të gjithë të moshuarit mbi moshën 65-vjeçare si dhe për personat me paaftësi të përhershme, me pagesë nga buxheti kombëtar. Por si këto pensione si ndihma e kushtëzuar sociale për familjet në varfëri, u programuan në atë mënyrë nga Banka Botërore (duke i ndërlidhur me shpenzimet minimale të konsumit) që të kërkonin sa më pak buxhet.

Më 2007, pensioni bazë kishte vlerë 40 euro; ndihma sociale maksimale, për një familje shtatanëtarëshe, ishte 75 euro në muaj. Të ardhurat në treg në raport me pensionet dhe ndihmat sociale rriteshin ndërsa mbrojtja sociale e dobët nuk zgjerohej.

Në vitin 1981, për fëmijët e punëtorëve, ose afër 37% të fëmijëve në Kosovë, lëshoheshin shtesa me para të gatshme; kah fundi i mandatit të UNMIK-ut filluan të lëshoheshin pagesa vetëm për rreth 3,500 fëmijë (nën 1%) me paafëtësi të përhershme, jetimë dhe të adoptuar.

Përderisa në socializëm tatimi në të ardhurat e punëtorëve përbënte burimin kryesor të të hyrave buxhetore krahinore, nën UNMIK-un deri më 2007 të hyrat nga tatimi në të ardhura nuk arrinin 1% të GDP-së. Që nga paslufta buxheti mbushet kryesisht nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tatimet e tjera kufitare, që do të thotë se tërë shoqëria njëjtë, e jo proporcionalisht sipas pozitës ekonomike, i kontribuon shpenzimeve publike.    

E ndërkohë që shpenzimet financoheshin nga të gjithë dhe transferet sociale ishin minimale, sipas përshkrimit residualist, pritja se tregu do të krijonte bumin ekonomik shfaqej e paqenë.

Më 2007, shkalla e punësimit prej 19.7% ishte më e vogël se maksimumi i punësimit që ka pasur vendi në socializëm – 23%; ndërsa pabarazia në të ardhura të disponueshme familjare, e shprehur përmes indeksit Gini, ishte 37.1%, për vetëm një pikë përqindjeje më e ulët sesa (38.1%) më 1978 – viti i fundit me të dhëna të ngjashme nga periudha e socializmit.

Kosova e kishte pabarazinë dukshëm më të lartë atëbotë dhe e mban atë rekord në krahasim me ish-entitetet jugosllave. Përderisa në socializëm pabarazia shkaktohej nga fakti që shkalla e punësimit ishte e ulët dhe shumica e transfereve sociale ndërlidheshin me punën ose përfitimet burokratike, nën UNMIK-un pabarazia shkaktohej nga fakti se punësimi dhe shpenzimi social ishte i vogël, ndërsa baza e taksave nuk ishte e orientuar drejt barazisë.

Rritja e vetëqeverisjes: Partikularizmi dhe klasa e re burokratike

Me rritjen e vetëqeverisjes kosovare gjatë viteve të fundit të administrimit të UNMIK-ut dhe pas pavarësisë, buxheti i përgjithshëm u rrit, por nga këndvështrimi i nënshtetësisë politika sociale po vjen duke u përkeqësuar.

Fajtori kryesor për këtë është blloku me më së shumti pushtet politik, që përbëhet nga partitë e dala nga UÇK-ja, në krye me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) në timonin e Qeverisë këto dhjetë vjet. Ky bllok i orientoi fondet publike pikësëpari te mbështetësit e vet dhe burokratët.  

Në një anë, politika e kësaj force është partikulariste. Përderisa nuk ka bërë asgjë në sektorin e mbrojtjes sociale përveç decentralizimit, ajo ka rivizituar më së shpeshti skemat që ndërlidhen me ish-pjesëtarët e UÇK-së si dhe ka krijuar kompensimet për ish-të burgosurit politikë.

Skemat e familjeve të dëshmorëve, të invalidëve të UÇK-së, të pensioneve të FSK-së dhe TMK-së përbëjnë pagesat më të larta dhe së bashku me skemën e re të veteranëve përfshijnë rreth 60,000 njerëz. Ky lloj i partikularizmit është motivuar nga zgjedhjet, duke shpërblyer mbështetësit dhe duke dënuar grupet tjera – viktimat civile, fraksionet e tjera të luftës, gratë dhe komunitetet etnike.

Qeverisja e PDK-së korrespondon edhe me përshpejtimin e privatizimit: deri në vitin 2016, është nënshkruar gati dyfishi i kontratave të shitjes, por vlera e tyre është mbi 50 milionë euro më e vogël se e shitjeve të UNMIK-ut. Meqë baza e saj elektorale nuk kanë qenë ish-punëtorët socialistë, dhe si rezultat i destinacionit të shpeshtë të shitjes së këtyre ndërmarrjeve, privatizimi përbën edhe një dënim të të tjerëve nga PDK-ja.   

Në anën tjetër, qeverisja e saj po krijon një klasë të re të pasur që është e ndërlidhur me burokracinë dhe paranë publike. Deri më 2016, të ardhurat mesatare të sektorit publik u rritën për 184% në krahasim me vitin 2007, kurse të ardhurat nga sektori privat u rritën më së shumti 37%.

Derisa TVSH-ja është rritur disa herë, në vitin 2008, PDK-ja ndryshoi ligjin për tatimin në të ardhurat individuale duke e ulur shkallën më të lartë të tatimit (progresivitetin) nga 20% në 10%. Nëse fuqizohet edhe ligji aktual për sigurimet shëndetësore i vitit 2014, kjo politikë nënkupton që shteti merr taksa gati të njëjta nga e gjithë shoqëria, ndërsa për administratën jep rroga të mira, kursime pensionale të mira, pushime të lindjes me pagesë nëntëmujore, dhe sigurime shëndetësore bujare, derisa merr më pak prej këtij sektori.

PDK-ja gjithashtu i ka rritur investimet publike në komunat ku ka qenë më e mbështetur. Ndonëse shkalla e punësimit formal është rritur në 28.3% (2016), përgjithësisht në sektorin privat, fakti që vetëm 20-përqindshi më i pasur i shoqërisë është pasuruar më tej, tregon më shumë ndërlidhje se pavarësi ndërmjet burokracisë dhe tregut.

Gati 20 vjet në demokraci nuk ka asnjë skemë universale të shtesave për fëmijët; dhe numri i çerdheve publike në gjithë vendin mezi kalon 40.

Veprimet partikulariste të PDK-së i kanë trimëruar partitë e tjera. Kur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) u gjet për herë të fundit në krye të Qeverisë, ajo miratoi një koncept-dokument (2016) për heqjen e pensioneve universale. Në të njëjtën kohë, ajo rriti dhe kategorizoi pensionet e paguara nga shteti për ish-punëtorët socialistë, me të cilët ka më shumë afinitet elektoral.

Kështu, nuk ishte çudi kur Kryeministri i ardhur nga AAK-ja më 2017, në 100 ditët e para të tij, ia vuri kulmin qasjes partikulare me skemën për “Rastin Kumanova”, duke ndarë 10,000 euro për secilën familje të të përfshirëve. Ai po ashtu tentoi ta rriste rrogën e tij, për 6 herë më shumë se të ardhurat mesatare të familjeve kosovare –  një vendim që u suspendua pasi që Agjencia Kundër Korrupsionit e shpalli veprim të jashtëligjshëm.

Në këtë hegjemoni partikularizmi dhe pabarazie tani veprimet e këtilla duken të natyrshme. Përballë kësaj qasjeje, për gati 20 vjet në demokraci nuk ka asnjë skemë universale të shtesave për fëmijët; dhe numri i çerdheve publike në gjithë vendin mezi kalon 40.

Kështu, zgjedhjet kanë ndikuar në mënyrën se si përdoret buxheti kombëtar. Shpenzimi social (rreth 6% e GDP-së) dhe mbulimi i shoqërisë me transfere sociale (rreth 20%) është pothuajse i njëjtë me periudhën më të mirë të socializmit vetëqeverisës (fundin e viteve të ’70-a). Mirëpo, Kosova ka problemet e përshkallëzuara të shtresimit (diferencimit) shoqëror.

Prej vitit 2015, pabarazia në të ardhura ka kaluar 43% dhe është më e larta në Europë. Kjo është arsyeja kryesore përse rreth 15% e popullatës (së pritshme më 2018) ka emigruar drejt Perëndimit ose ka hequr dorë nga shtetësia që nga shpallja e pavarësisë, dhe përse ka mosbesim kaq të madh ndaj politikës.      

Një nënshtetësi që synon solidaritetin dhe universalizmin

Rreth 67% e popullatës është në moshë pune, por Kosova është shoqëri në plakje; popullata e saj nën moshën 14-vjeçare, në raport me të gjithë banorët, ka rënë për rreth 47% që nga viti 1971. Ajo duhet ta zë hapin për t’i mbajtur qytetarët – për të pasur sa më shumë taksapagues dhe inovatorë të ardhshëm, si dhe shanse për demokratizim të mirëfilltë. E, për këtë, kërkohet më shumë barazi sociale.

Në vendet demokratike, barazia është më e lartë aty ku pushteti i partive të majta, social-demokrate, ka qenë më afatgjatë. Për t’iu rikthyer shembullit të Kilit, që tani llogaritet ndër liderët amerikanolatinë në politikën sociale, e majta ka dominuar në shekullin e ri.

Në Kosovë, qysh herët PDK-ja kishte braktisur programin e majtë të frymëzuar nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), ndërsa Vetëvendosja nuk është dëshmuar deri tash e aftë të vijë në pushtet në nivelin qendror. Rezultatet e saj në qeverisjen komunale të Prishtinës kanë dhënë sinjale pozitive (shujtat në shkolla, punësimi i një numri të varfërish, përmirësimi i shtëpive të shëndetit), por ato kanë qenë modeste.

Pushteti politik është vendimtar, por kërkohet edhe një agjendë e qartë kundër pabarazisë sociale e cila do të synonte qasjen universale, solidaritetin dhe progresivitetin – që në këtë hapësirë nuk kanë bashkëjetuar ndonjëherë.

Një qeveri reformatore do ta anulonte edhe sigurimin e planifikuar shëndetësor për ta zëvendësuar me modelin e sigurimit kombëtar shëndetësor ku sigurimi fitohet automatikisht me nënshtetësi.

Në politikën e punës, një agjendë e këtillë kërkon krijimin e programit të mbrojtjes së papunësisë, të kompenzimit të pushimit mjekësor dhe të nxitjes së kujdesit të përbashkët prindëror për fëmijët. Qeveria duhet ta shqyrtojë edhe ligjin e përkohshëm “një njeri-një punë”, me synim konkret që resurset e punës të shpërndahen sa më shumë, si dhe të nisë projekte qeveritare të cilat do të hapnin vende të reja pune për punëtorët më pak të kualifikuar dhe përfituesit e skemave partikulare.

Në planin afatgjatë, këta hapa mund të nxisin zvogëlimin e informalitetit pasi punësimi formal bëhet racionalisht atraktiv. Në anën tjetër, të ardhurat nga puna të klasave më të varfëra, që janë duke rënë në vazhdimësi vitet e fundit, do të rriteshin në raport me standardet e përgjithshme.  

Në sektorin e transfereve sociale është e domosdoshme të mënjanohen skemat partikulare. Një qeveri reformatore duhet ta shndërrojë programin e përkohshëm të pensioneve aktuale kontributdhënëse në program të përhershëm publik, me të ardhura të garantuara nga qeveria, por me financim nga kontributet e punëtorëve aktualë, që do të funksiononte paralelisht fondit aktual privat të kursimeve (Trustit).

Për shoqërinë e ardhshme kosovare, skema universale e mbrojtjes me para të fëmijëve dhe përmirësimin e shërbimeve të kujdesit për ta sot është urgjente. Por, të gjitha transferet sociale do të duhej të ndërlidheshin me të ardhurat mesatare në treg (jo shpenzimet minimale të konsumit), ashtu që standardet në komunitet të mbaheshin më të balancuara.

Një qeveri reformatore do ta hiqte edhe sigurimin e planifikuar shëndetësor për ta zëvendësuar atë me modelin e sigurimit kombëtar shëndetësor ku sigurimi fitohet automatikisht me nënshtetësi, dhe ku një nivel pagesash për shërbime dhe barna (p.sh., deri në 100 euro) mbulohet nga vetë individët, ndërsa të gjitha të tjerat nga buxheti kombëtar. Sigurimi i planifikuar rrezikon t’i lë jashtë, sikur në socializëm, të gjithë ata që nuk punojnë; dhe ai, si Trusti, do të kushtojë më shtrenjtë.

Së fundi, një reformë e këtillë do të përmirësonte bazën e taksave ashtu që rritjet e ardhshme të buxhetit të realizohen duke marrë më shumë prej më të pasurve në treg përmes shkallëve më të larta të tatimit në të ardhurat personale dhe tatimit të pronës.

Kosova ka infrastrukturë më të mirë, liri të shprehjes dhe pluralitet politik më të madh sesa ka pasur në dekadën e shkëlqimit të Jugosllavisë. Por varësia në dërgesa mbetet e njëjtë, nevoja për të kërkuar mirëqënie duke emigruar drejt Perëndimit vazhdon të jetë e madhe (sidomos në zonat rurale), të ardhurat e disponueshme të familjeve mbesin paradoksalisht gati të njëjta, dhe ndjenja se ka diçka thellësisht të padrejtë në dallimet e mëdha sociale që po kristalizohen gjithnjë e më agresive.

Me siguri duhen më shumë faktorë se pabarazia për të shkaktuar përmbysje të mëdha, siç i kemi përjetuar, por, bashkë me krejt krizën politike, ajo nuk e fisnikëron shtetin e Kosovës në dhjetëvjetorin e tij.

Të gjitha kalkulimet janë të autorit dhe mbështeten në të dhënat bazë të Agjencisë (Entit) së Statistikave dhe Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0

Kthehu prapa tek Monografia Kosovo X