Biseda | DokuFest 2017

Robert Bisha: Muzika folklorike është ajo kur njerëzit i thonë gjërat ashtu si janë

Nga - 07.08.2017

Pianisti diskuton përzierjen e tradicionales me eksperimentalen.

Të shtunën në mbrëmje (5 gusht), në malin që e rreh era, e në të cilin qëndron Kalaja e Prizrenit, pjesëmarrësit e DokuFest u kënaqën me një koncert të shkëlqyeshëm, një bashkëpunim në mes të pianistit Robert Bisha dhe Korit “Izo-Polifonik” shqiptar. Bisha bëri shaka duke thënë se ishte edhe një bashkëpunëtor i tretë, duke i përshkruar tre performuesit kyç si “piano, polifonia dhe erërat e freskëta”.

Bisha u lind afër Shkodrës në veri të Shqipërisë në 1984, dhe filloi të luante piano kur ishte vetëm gjashtë vjeç, derisa vijonte mësimin në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”. Deri në moshën 12 vjeçare veç se kishte filluar t’i peformonte komponimet e tij në skenën klasike shqiptare. Më vonë lulëzoi si multi-instrumentalist eksperimental që ka dashuri të veçantë për pianoforten klasike, të cilën e studioi në shkollën e muzikës “Girolamo Frescobaldi”, në Ferrara të Italisë.  

Përveç pianos, Bisha i bie me pasion edhe fizarmonikës, kitarës dhe instrumenteve klasike të perkusionit. Një ditë e dëgjoi një motiv folklorik të performuar me çifteli dhe u magjeps. “Ishte diçka në mes të paganizmit dhe misticizmit”, tha ai për gazetën shqiptare Panorama vitin e kaluar. “Nuk më kishte tingëlluar aq e bukur asnjëherë më parë”.

Ai thotë se kjo tërheqje e re që e ndjenë për muzikën folklorike shkon më thellë se interesat turistike ose ekzotike. Ai beson se muzika tradicionale duhet të përjetohet e jetohet. Duhet të jetë pasion dhe fushë e studimit. Veprat që i komponon ai tani të kujtojnë këngët tradicionale folklorike shqiptare, por ai e pranon që kryesisht janë vetëm komponime. Stili i tij muzikor rregullisht përfshinë improvizime, qoftë në performanca solo, qoftë si reagime harmonike ndaj muzikantëve tjerë.

Koncerti i së shtunës ishte i pari për këtë grup në Kosovë, dhe i pari që u mbajt brenda mureve të Kalasë që prej rinovimit të saj. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Kjo performancë në DokuFest ishte e para që Bisha dhe Kori Izo-Polifonik Shqiptar mbajtën koncert në Kosovë, dhe kishte për qëllim festimin e renovimit të Kalasë në të cilën u mbajt. Transportimi i pianos deri në Kala ishte sfidë në vete. Bisha tha se për dijeninë e tij kjo nuk ishte bërë ndonjëherë më parë, e prandaj ishte veçanërisht krenar. K2.0 u takua me të pas performancës për të folur për polifoni, tradita, eksperimentalizëm dhe piano.

K2.0: A jeni të kënaqur me koncertin? A shkoi gjithçka sipas planit?

Bisha: Planifiket nuk i bëjmë ndonjëherë. I kemi disa pritshmëri, pastaj çka vjen, vjen; edhe e presim, edhe e shërbejmë mirë. Të paktën mundohemi me shërby më së miri.

Çfarë ju tërheqë aq shumë nga muzika polifonike, dhe për sa kohë keni punuar në këto bashkëpunime?

Ka shumë gjana. Më tërheqë thjeshtësia e intervaleve. Më tërheqë bazikja që e ka. Më tërheqë arketipi që e mbanë mbrenda. Më tërheqin shumë gjana të them të drejtën. E ndjejë. Kjo është gjëja më kryesore dhe arsyeja pse e kam ndjekë edhe kam punu me të – sepse e ndjejë. Në këtë rast ka nja dy vite që punoj me korin; po ecim e po e çojmë nëpër botë.

Muzika juaj është mjaft eksperimentale, por e keni zgjedhur pianon – një instrument klasik apo tradicional – për ta performuar muzikën tuaj…

…piano është një nga ato instrumentet që është përdorur më së shumti në të gjitha mënyrat. Por pianoja ka që në vitin 1900, që nga Weber e këtej, që përdoret në të gjitha mënyrat. Mos edhe me John Cage, është përdorë në të gjitha mënyrat. Nuk është edhe aq tradicionale, sepse nuk ekziston tradicionalja. Është një mendim i joni për me fiksu një diçka. Por gjithçka është në evolucion, është në lëvizje.

A mendon që muzika polifonike po zhvillohet? A ekziston një tërheqje e re për të në mesin e gjeneratave më të reja?

Ka një tërheqje, po ka qenë pak e fshehur. Ti kur ke qenë i vogël nuk ndëgjohej shumë muzikë polifonike këtu. As tek unë në veri nuk ndëgjohej shumë. Bile të them të drejtën, të them diçka tjetër, sa vazhdonte polifonikja tek televizori, hajt më mirë po ndryshojmë kanal apo po shohim diçka tjetër. Tani këto kohët e fundit është edhe një mënyrë me u vu në relacion me jugun. Edhe pse jemi popull shumë i vogël, jemi pak si të ndarë në këtë aspektin veri-jug.

Tradita e muzikës vokale polifonike në Shqipëri u shpall ‘Kryevepër e Trashëgimisë së Paprekshme të Njerëzimit’ nga UNESCO në 2005. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Tani polifonikja, ka marrë pak një hov, ka fillu me u ndëgju pak më shumë, edhe pse të them të drejtën ka fillu me u ndëgju pak më shumë me këto transformimet e turbofolkut. Këto nuk janë shumë të dobishme sipas meje. Viijnë momente kur mosha jonë e kupton dhe thotë ‘okej shoku, s’kam pse me ndëgju më turbofolk, por po shkoj tek qeliza e shëndetshme dhe po punoj me të’, siç po bëjne edhe disa autorë të tjerë.

Muzika që e dëgjuam në DokuFest të ipte ndjenjën e një bashkëpunimi në mes të së vjetrës dhe modernes, tradicionales dhe eksperimentales. Nëse ndodhin më shumë kësi bashkëpunime, a do t’i kishin dhënë muzikës tradicionale në nuancë të bashkëkohores? A mendon që do të ishte më e njohur dhe më e suksesshme?

Nuk e shoh që gjithë puna ime duhet të jetë për një sukses. Unë e shoh se gjithë puna ime duhet të jetë për me shku me i ushqy pikëvështrimet e mija. Për shumë njerëz tradicionale është polifonikja, ndërsa eksperimentale është pianoja, pavarësisht se mbrenda koncertit nuk ka vetëm pjesë polifonike. Janë të kënduara në mënyrë polifonike por janë edhe të kompozuara. Unë kam kompozuar edhe pjesë polifonike të reja – do t’i quaj të reja – edhe i kam vu në marëdhënie me pianon, me instrumentet e tjera.

Por ku du me u ndalë. Për mu muzika tradicionale, siç e quajnë shumica në këtë rast, muzika e folkut, muzika e popullit është gjithmonë jashtëzakonisht moderne. Ka pasë shumë kompozitorë Bea Bart e deri te i fundit sipas meje nga kompozitorët më të rëndësishëm, Luciano Berio, dhe kompozitori hungarez [Gyorgy] Kurtag, që kanë pasë një marrëdhinie me folkun, pra me popullin.

Është kjo që është tek bazikja, totalisht tek bazikja. Është populli që tregon gjërat siç janë – drejtë – bum! Tek modernja që këto kohët e fundit [po ashtu] tregohen gjërat sic janë, dhe kur i dëgjon në muzikë thu ‘prit se diçka po ndodh bashkë, në harmoni’.

Foto kryesore: Agan Kosumi / K2.0.