Biseda | Politika

Ruairi O’Connell: Pjesëtarët e sistemit gjyqësor në Kosovë kanë mundësi të bëhen heronj

Nga - 04.10.2016

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar thotë se ‘Afera Pronto’ duhet të jetë një pikë e kthesës për Kosovën, por insiston se ka probleme më të mëdha me nivelin e lartë të korrupsionit.

18 muajt e parë të ambasadorit Ruairi O’Connell në Kosovë nuk kanë qenë krejt pa telashe. Që nga ardhja e tij në Kosovë në prill të vitit 2015 Kosova ka kaluar nëpër një bllokadë më të gjatë politike në historinë e saj të pasluftës, e cila u karakterizua me retorikë përçarëse si nga qeveria ashtu edhe nga opozita, me Kuvend të bllokuar, dhe me gaz lotsjellës gjatë gjithë kohës si në rrugë ashtu edhe brenda Kuvendit.

Ka pasur frustrim të theksuar në lidhje me marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara me fqinjët, me Malin e Zi dhe Serbinë, pastaj kundërthënie në lidhje me formimin e gjykatës speciale për gjykimin e krimeve të pretenduara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë dhe pas luftës, si dhe ‘Afera Pronto’ ku bisedat e përgjuara të politikanëve të PDK-së në pushtet zbuluan keqpërdorime të pushtetit.

Nëse ndonjë politikan i huaj është vërtetë në pozitë për ta mbërthyer ndërlikueshmërinë e jetës politike në Kosovë, ky person padyshim është ambasadori O’Connell. Ai ka magjistruar në temën e politikave nacionaliste jugosllave në shkollën e Studimeve Sllave dhe Europiano-Lindore në Londër (tani pjesë e Kolegjit Universitar të Londrës), ndërsa ka shkruar tezën: “Ndikimi i diplomacisë perëndimore në vendimmarrjen e elitave në Ballkan”. Pasi u bë pjesë e Zyres së Punëve të Jashtme dhe të Komonuelthit në vitin 2001, gjithashtu mbajti pozitën e zyrtarit për Jugosllavi në Londër si dhe qëndroi katër vjet në Kosovë, nga viti 2004 deri në vitin 2008, së pari si Sekretari i Dytë Politik dhe pastaj si Zëvendësshef i Misionit të Ambasadës Britanike.

Që nga ardhja e tij e parë në Kosovë para një dekade, O’Connell flet rrjedhshëm shqip, së pari duke vijuar një kurs të organizuar nga qeveria britanike (për të cilin thoshte se i kishte shkaktuar kokëdhimbje përditë), mirëpo i ndihmoi fakti që u martua me një shqiptare (që i ndihmoi “sadopak” ta mësonte gjuhën) — dhe gjithashtu flet serbisht. Një ambasador i cili flet gjuhët e një vendi ku shërben është “gjë shumë e rëndësishme”, thotë ai.

Gjatë kohës relativisht të shkurtë si ambasador, O’Connell ka qenë mjaft i pranishëm dhe kohë pas kohe ka përdorur gjuhë të drejtpërdrejtë në krahasim me kolegët e tij ndërkombëtarë për ta përçuar mesazhin; sidomos ka qenë i zëshëm kundër korrupsionit dhe formave të tjera të keqpërdorimit të pushtetit.

majlinda-hoxha-ruairi-oconnell_-10

K2.0 e ka takuar ambasadorin O’Connell për të zhvilluar një intervistë për të diskutuar në lidhje me disa prej çështjeve më të mëdha me të cilat Kosova po ballafaqohet sot. Ambasadori thotë se ‘Afera Pronto’ “duhet të jetë pikë e kthesës” për Kosovën, por sugjeron se vendi po ballafaqohet me probleme shumë të mëdha të korrupsionit me të cilat duhet të merret. Ai insiston se Kosova ka infrastrukturë për ta luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar dhe tani duhen individë të guximshëm të cilët do të ngriten në këmbë dhe të sjellin ndryshime — kosovarët nuk duhet të presin më nga forcat e jashtme për t’i adresuar çështjet e tyre, thotë ai, meqë dëshmitë historike tregojnë se kështu nuk shkojnë punët.

Në një intervistë që mbulon aspekte të ndryshme, ambasadori flet për rolin e vendit të tij në Kosovë pas referendumit për dalje nga Bashkimi Europian i njohur si “Brexit”, pastaj për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe për rolin e qeverisë dhe të opozitës në formësimin e demokracisë së re të Kosovës.

K2.0: Zbulimet e fundit të përgjimeve kanë treguar për nivel të lartë të korrupsionit institucional mu në zemër të politikës së Kosovës, me pasoja minimale për personat e përfshirë. A është kjo shenjë që Kosova nuk është serioze në deklaratat e saj të luftimit të korrupsionit ngase asnjë veprim nuk është ndërmarrë kundër zyrtarëve të lartë politikë të përfshirë në këto afera?

Ambasadori O’Connell: Nuk do të doja ta shihja korrupsionin vetëm në prizmin e këtyre përgjimeve…  a na kanë alarmuar këto përgjime? Jo. A do të thotë kjo se nuk ka nivel të lartë të korrupsionit? Jo, natyrisht se nuk do të thotë.

Ne e dimë se ka probleme të theksuara këtu dhe vetëm duhet shikuar, ta zëmë, përvojën e investitorëve kur ata vinë në Kosovë, dhe flasim me ne gjatë gjithë kohës. Dhe jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e hatashme me të cilat janë ballafaquar ata. Prandaj, e dimë se korrupsioni institucional është një problem i madh. Çdokush e din këtë dhe askush nuk ka pasur nevojë t’i dëgjojë këto përgjime për ta kuptuar një gjë të tillë.

Objektivat e politikës së jashtme britanike në Kosovë:

Shikuar në përgjithësi marrëdhëniet tona me Kosovën janë në zhvillim e sipër. Dhe ky zhvillim ka qenë i jashtëzakonshëm gjatë 17 viteve që lamë pas. Në vitin 1999 Kosova u bë thelbësisht subjket i politikës së jashtme britanike dhe e intevenimit të NATO-s me rol të madh të Mbretërisë së Bashkuar, si kundërpërgjigje ndaj situatës humanitare e cila po eskalonte në një katastrofë, e që na shtyu të intervenonim, por në të vërtetë Kosova ka qenë subjekt i atij intervenimi.

Kemi mbështetur zhvillimin e institucioneve të vetëqeverisjes, pastaj kemi qenë ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë. Kjo është faza e dytë – duke filluar me partneritet, por në të vërtetë bashkësia ndërkombëtare po e udhëhiqte Kosovën nëpërmjet UNMIK-ut.

Prej vitit 2015 jemi më shumë si partnerë, tani. Kemi interesa të përbashkëta si dy shtete të pavarura, dhe mendoj se kështu janë zhvilluar edhe politikat tona.

Sipas mendimit tim, nëse ka figura politike të përfshira në afera ilegale atëherë autoritetet e Kosovës duhet të ndërmarrin masa kundër tyre. Ata duhet të sillen para gjyqit, dhe gjyqi duhet të ndërmarrë veprime; nëse ata shpallen fajtorë, ata duhet të ndëshkohen dhe nuk duhet t’u lejohet – siç ka qenë rasti vitin e kaluar – të hyjnë në derë të burgut e të dalin menjëherë në derën e pasme dhe drejt e në spital. Më vjen keq!

Kjo do të dëshmonte edhe një nivel serioziteti. Ajo që do të dëshmonte seriozitet është nëse institucionet, të cilat mendohet të jenë të pavarura, prokurorët, policia, gjykatat, janë në gjendje të ndërmarrin veprime kundër atyre që janë të përfshirë në afera korruptive, dhe i ndërmarrin ato veprime e sistemi gjyqësor ua shqipton dënimin e duhur. Kjo do të dëshmonte nëj nivel të përkushtimit. E, a ekziston kjo? Nuk e di.

Të jem i sinqertë, nuk e di nëse ekziston vullneti për ta jetësuar këtë gjë, dhe mendoj se tani vërtetë ka ardhur koha që autoritetet kosovare ta dëshmojnë seriozitetin e tyre.

Por a mendoni se ka pasur ndonjë element të dëshmimit të këtij serioziteti? Ka kaluar më shumë se një muaj e gjysmë dhe nuk kemi parë të ndërmerret ndonjë masë ligjore kundër personave të implikuar.

Mendoj se është vështirë të komentohen hetimet… Por prapëseprapë, nuk është vetëm kjo. Kemi pasur disa raste ku figurat politike janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar për akte të korrupsionit dhe ata vazhdojnë t’i mbajnë pozitat e tyre. Më duket e jashtëzakonshme që një kryetar komune dënohet për një vepër serioze penale dhe disi i mundësohet të vazhdojë të jetë kryetar ndërsa e kalon kohën në burg. Kjo është e hatashme.

"A mendoj se njerëzit veprojnë me pavarësi? Sa instanca të korrupsionit gjyqësor duhet të shihen që të vihet në përfundim se, në fakt, jo, sistemi gjyqësor nuk ka vepruar në mënyrë të pavarur".

Kryetari i Prizrenit është i dënuar për korrupsion, një numër kryetarësh tjerë janë shpallur fajtorë për korrupsion. Por pastaj kemi rastin e një numri deputetësh të cilët janë shpallur fajtorë për krime lufte apo krime të rënda dhe vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre në kuvend. Shikoni, kjo është një çështje e gjerë dhe ka të bëjë me diçka që është pjesë e fokusit ndërkombëtar në rritje në 12 muajt e fundit, e ky është sundimi i ligjit.

Por në të njëjtën kohë këto përgjime datojnë nga një hetim i EULEX-it i vitit 2011. Pse mendoni se janë dashur pesë vjet që mediat t’i shohin këto zbulime, ndërsa EULEX-i, i cili ka pasur përgjegjësi për sundim të ligjit, nuk ka ndërmarrë kurrfarë veprimi?

EULEX-i ka ndërmarrë veprime në një numër rastesh dhe mendoj se është krijuar një mit i çuditshëm se EULEX-i nuk e ka zgjidhur asnjë rast dhe se nuk e ka dënuar askënd. Kjo nuk është e vërtetë.  Jo vetëm që janë ndjekur më shumë se 50 raste të korrupsionit, por ato janë çuar deri në verdiktin final.

Por këtu po flasim për një rast konkret.

Nuk jam i sigurtë për këtë. Ka mjaft dëshmi të korrupsionit anembanë Kosovës. Dhe këto kanë elemente klientelizmi dhe nepotizmi. Dhe dikush duhet të japë përgjigje për këtë, në aspektin politik. Dhe nëse nuk është shkelur ligji, dhe përsëri kjo u takon prokurorëve dhe gjykatësve të vendosin, atëherë edhe ata duhet të ndërmarrin veprime.

Por është vërtetë interesante se EULEX-i është përgjegjës për sundim të ligjit në Kosovë. Thjesht nuk mendoj se kjo është e vërtetë, ta them të drejtën. EULEX-i është këtu t’i ndihmojë Kosovës të ndërmarrë veprime, sidomos në rastet e vështira, por Kosova është e pavarur dhe sovrane. Keni sistem të drejtësisë, keni sistem gjyqësor, keni prokurorët tuaj. Nuk ka arsye që prokurori kosovar të mos e marrë përsipër ndonjë rast e të ndërmarrë veprime.

Besoni se sistemi gjyqësor në Kosovë e ka lirinë për të vepruar ashtu?

A besoj? Nuk e di, sinqerisht nuk e di. Por mendoj se ligjërisht dhe strukturaisht ata e kanë pavarësinë… [Por] mund të shihet se ka pasur ndërhyrje në gjyqësor dhe mund të shohim raste kur vendimet e nxjerra nga EULEX-i, nga gjykatësit vendorë, janë kritikuar nga ministrat kosovarë dhe kjo është një ndërhyrje e hatashme në pavarësinë e gjyqësorit.

Ndikimi i Brexit-it në politikën e jashtme britanike në Kosovë:

"Në fakt, nuk ka pasur ndonjë ndryshim. Gjithmonë ka qenë në interesin tonë – dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën por me gjithë rajonin e Ballkanit — të kemi shoqëri të cilat ndjehen të sigurta, të cilat ndjehen përparimtare dhe optimiste e të rehatshme sa i përket së ardhmes. Kjo është mënyra më e mirë e ballafaqimit me problemet të cilat i dëmtojnë shoqëritë këtu: krimi i organizuar, korrupsioni, migrimi i parregullt, dhe tani, po, radikalizimi. Me këto çështje mund të ballafaqohemi duke i ndihmuar shoqëritë të ndërtojnë siguri dhe prosperitet. Ky ishte interesi ynë i përbashkët në fillim të qershorit, dhe ky është interesi ynë i përbashkët sot.

Kemi një fond të madh programi bilateral si dhe të holla të cilat i shpenzojmë përmes OKB-së si dhe përmes Bashkimit Europian në këtë moment, dhe synojmë gjëra që kanë rëndësi për ne: Ekonomia dhe sundimi i ligjit – kjo do të vazhdojë, dhe vërtetë nuk shoh ndonjë ndryshim këtu".

Por Kosova i ka strukturat; korniza ligjore ekziston. Dhe ka nevojë që dikush, një prokuror apo gjykatës, të dalë e të thotë, ‘Unë do ta shfrytëzoj kornizën ligjore’ edhe pse me siguri ka presion politik, dhe presione të llojeve tjera. Ata kanë mundësinë të bëhen, po, heronj në sistemin gjyqësor për shkak se e kanë bërë një gjë të tillë. Nuk them se kjo punë do të jetë e lehtë, sepse nuk do të jetë ashtu. Por sinqerisht, një pjesë e madhe e historisë së Kosovës nuk ka qenë fare e lehtë për njerëzit që kanë qenë në ballë të proceseve. Dhe në të vërtetë besoj se ka burra dhe gra të mira në këto sisteme të cilët do të marrin vendime të vështira dhe e di se do të jetë e vështirë; kjo punë është e nevojshme.

Por në anën tjetër, është magjepsës vështrimi, ku jemi sot… që tetë vjet e gjysmë pas pavarësisë po presim që bashkësia ndërkombëtare ta çrrënjosë korrupsionin në Kosovë. E po, e keni sistemin ligjor, i keni gjykatat dhe i keni votat, apo jo? Nëse njerëzve nuk u pëlqen ajo që po shohin, ka mënyra tjera për t’i ndryshuar gjërat në vend se të pritet që të huajt t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme.

A mendoj se njerëzit veprojnë me pavarësi? Sa instanca të korrupsionit gjyqësor duhet të shihen që të vihet në përfundim se, në fakt, jo, sistemi gjyqësor nuk ka vepruar në mënyrë të pavarur. Për disa vite me radhë i kemi financuar institucionet ligjore të Kosovës për ta bërë këtë lloj monitorimi të sistemit gjyqësor por gjithashtu të shikojnë edhe punën e EULEX-it që mendoj se është diçka pozitive. Por i shikojmë rastet e korrupsionit në gjyqësor. Dhe çdo vit dalim me raporte të trasha disa centimetra ku përshkruhen instancat ku njerëzit i kanë bërë dëme të mëdha interesave të Kosovës dhe sistemit gjyqësor dhe asnjë veprim nuk është ndërmarrë kundër tyre.

Kur kemi një sistem aq të dobët gjyqësor edhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, a është reale të pritet se sundimi i ligjit vetvetiu do të përmirësohet në Kosovë?

Nevojitet vullnet dhe do të duhet guxim dhe dikush i cili do të marrë vendim që Kosova tash e tutje do ta marrë seriozisht llogaridhënien gjyqësore.

Nuk më bijnë ndërmend shembujt e fundit — nuk e di a mund ta marr ndonjë shembull — ku një problem i theksuar i krimit të organizuar u trajtua vetëm nga forcat e jashtme. Shoqëritë merren me to. Më duket se Lituania kishte një problem serioz para se të integrohej në BE dhe asaj iu tha se duhej të merrej me këtë problem, përndryshe nuk do të kishte vlerësim pozitiv. Dhe i dhanë fund problemit. Ishtë vështirë, kishte shumë telashe, por i dhanë fund.

A besoni se ‘Afera Pronto’ mund të jetë pikë kthese për Kosovën?

Duhet të jetë pikë kthese.

Nëse bisedon me njerëzit mund të kuptosh se ata janë lodhur me këto lloj sjelljesh dhe presin ndryshime… Sinqerisht nuk e di se çka do të ndodhë, por është e qartë se nëse Kosova është serioze në lidhje me zhvillimin ekonomik, në lidhje me investimet e brendshme, në lidhje me veprimet që vërtetë do t’ua mbushin shpresën qytetarëve për të ardhmen, atëherë praktikave të këtij lloji të cilat i kemi parë — nepotizmi, klientelizmi, korrupsioni — duhet t’u vie fundi.

Të flasim për marrëveshjet që Kosova i ka nënshkruar me Serbinë dhe Malin e Zi gjatë gushtit të vitit të kaluar. A mendoni se vazhdimi i dialogut me Serbinë në formën e tanishme është konstruktiv derisa marrëveshjet ekzistuese nuk respektohen nga asnjëra palë?

"Është magjepsëse kur sheh, një numër – dhe kjo nuk ka ndodhur kurrë në të kaluarën — një numër liderësh politikë serbë të Kosovës duke mësuar shqip".

Së pari, ta shikojmë nivelin e lartë. Dëshrojmë që Kosova dhe Serbia të kenë marrëdhënie normale. Kemi marrëdhënie bilaterale me të dyja shtetet. E ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është të kenë marrëdhënie bilaterale me njëri-tjetrin… Unë mendoj që [dialogu] është mjeti më i mirë… që Kosova duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë dhe ta konsolidojë shtetësinë. Mendoj se kjo është arritje e madhe.

Unë dhe kolegët e mi kemi biseduar në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve, dhe të them të drejtën, njerëzit duhet të shohin arsye për vazhdimin e dialogut. Se jeta e tyre do të përmirësohet. Dhe zbatimi ka ngecur. Ka elemente të vogla aty-këtu që kanë ecur përpara… Por është vërtetë e rëndësishme që marrëveshjet të zbatohen si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.

A po shkakton dialogu margjinalizim të mëtejmë, në vend të integrimit të komunitetit serb në Kosovë?

Njerëzit jetojnë nëpër fshatra në të cilat kanë jetuar me gjenerata të tëra. Shumë prej tyre janë ekskluzivisht serbe, disa prej tyre me popullsi të përzier – ku kanë jetuar edhe serbët. Popullsia urbane e serbëve që kanë jetuar në Prishtinë, Mitrovicë – ku ka qenë më e përzier – Prizren, është zvogëluar gati në zero. Kemi bërë shumë për kthimin e njerëzve, dhe konsideroj se Qeveria e Britanisë së Madhe është mbështetëse më e madhe e procesit të kthimit.

Nuk pajtohem me cilësimin se dialogu po i ndan disi njerëzit. Këto komunitete kanë jetuar, dhe vazhdojnë të jetojnë, mjaft të ndarë. Këtë pyetje do ta ktheja nga ana tjetër. Mendoj se ka shumë gjëra që njerëzit mund të bëjnë që komunitetet shqiptare dhe serbe të përafrohen… Mendoj se disa dialogë mund të ndihmojnë… [mirëpo] nuk mendoj se njerëzit duhet të presin që dialogu t’i zgjidhë të gjitha ato marrëdhënie ndërmjet komuniteteve; ato do të kërkojnë punë dhe ne po bëjmë shumë që t’i mbështesim ata njerëz që po bëjnë punë të këtij lloji.

Është magjepsëse kur sheh, një numër – dhe kjo nuk ka ndodhur kurrë në të kaluarën — një numër liderësh politikë serbë të Kosovës duke mësuar shqip. Mendoj se kjo është një gjë interesante që po ndodh në sfond dhe njerëzit nuk po e vërejnë këtë. Kjo nuk do ta transformojë gjithë marrëdhënien por mendoj se është një hap i rëndësishëm.

Kontributi më i madh personal si Ambasador:

"Nuk më takon të bëj vlerësime për veten, dhe do të doja që të tjerët të më vlerësojnë. Por shpresoj se ajo që kemi provuar të bëjmë këtu është t'i fuqizojmë njerëzit e Kosovës që ata vetë të marrin vendime dhe të kërkojnë ndryshime.

Prandaj, shumë projekte tona angazhohen në fuqizim të votuesve, antikorrupsion, sundim të ligjit, dhe ofrim të mjeteve që liderët dhe ata vetë të jenë llogairëdhënës. Dhe nëse mund t'ia dalim të bëjmë një gjë të tillë dhe t'i mbështesim kosovarët në tri vitet e ardhshme, unë do të jem i lumtur".

Dialogu, marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe gjykata speciale janë çështje kundërthënëse të cilat kanë qenë të pranishme gjatë tërë vitit. Pavarëisht dobive potenciale të marrëveshjeve, a po grumbullojnë ato në të vërtetë çështje të brendshme afatgjata të frustrimit dhe ndarjeve të brendshme të kosovarëve që do të ketë ndikim për një kohë të gjatë në demokracinë e re të vendit?

Mendoj se çështja e demokratizimit është shumë me rëndësi dhe do të pajtohesha 100 përqind me atë që tha përfaqësuesja e re e BE-së në Kosovë para disa ditësh, se është tejet e rëndësishme të sigurohet hapësirë për debat publik, të përfshihet… E kam fjalën për mënyrën se si e tha ajo, “të përfshihet opozita në vendimmarrje”. Dhe kjo nënkupton fuqizimin e Kuvendit, kjo do të thotë se Qeveria po i përgjigjet kërkesave të Kuvendit, duke qenë e hapur për debat, për një debat demokratik. Mendoj se kjo është absolutisht e rëndësishme.

Keni parë gatishmëri të Qeverisë së Kosovës të përfshihet në dialog me opozitën? Duket se ka mungesë komunikimi nga të dyja palët për më shumë se një vit.

Unë nuk mund të gjykoj nëse ata kanë vullnet apo jo. Kjo pyetje është 100 përqind për votuesit e Kosovës, nëse ata konsiderojnë se a po angazhohet qeveria demokratikisht apo jo. Por unë do të thoja se demokracia e Kosovës është shumë e re, për shkak të historisë dhe kthimit mbrapa 2000 vjet, të them të drejtën, dhe për shkak se çdo veprim që e ndërmerr një lider politik ka një efekt disproporcionalisht të madh në krijimin e kulturës së re politike në Kosovë.

"Mendoj se njerëzit duhet ta kuptojnë se çdo veprim që ndërmarrin tani do të ketë ndikim të madh në kulturën demokratike të Kosovës në të ardhmen".

Prandaj, nëse qeveria refuzon t’i dërgojë informacione Kuvendit, apo nëse, në anën tjetër, hapet për debat, varet edhe nga fakti nëse opozita, shpresojmë, do të mbetet përbrenda normave të debatit demokratik: kundërshtimi, protestat, ndoshta kritikat e ashpra dhe të qeta – krejt në rregull. Përdorimi i dhunës nuk është në rregull.

Ky ka qenë një vit i vështirë për demokracinë e Kosovës dhe përsëri mendoj se vjen një moment kur bashkësia ndërkombëtare thotë, “shikoni, ne ju kemi njohur në masë të madhe sepse kemi besuar se Kosova, mund, duhet, dhe do t’ia dalë t’i rregullojë çështjet e veta por tani është shumë me rëndësi të përmbushen kushtet e demokracisë europiane”.

A konsideroni se politika kulturore në Kosovë është në rrezik dhe ka gjasa të bazohet në retorika përçarëse sesa në përpjekje për të arritur konsensus?

Mendoj se është shumë e rëndësishme të bëhet ashtu. Është dashur kohë të ndërtohet ajo kulturë politike dhe besoj se partitë duhet t’u japin llogari votuesve dhe mbështetësve të tyre. Mendoj se njerëzit duhet të kërkojnë mundësi t’i tejkalojnë vështirësi politike. Mendoj se njerëzit duhet ta kuptojnë se çdo veprim që ndërmarrin tani do të ketë ndikim të madh në kulturën demokratike të Kosovës në të ardhmen… dhe mendoj se ekziston mundësia për ta ndryshuar këtë tani.

Por përsëri, më pyetët për vlerësimin tim; Mendoj se kjo u takon votuesve. Mendoj se njerëzit ende nuk besojnë se votat e tyre mund të ndryshojnë gjëra por ky është thelbi i demokracisë. Dhe Kosova gjithmonë do të ketë telashe përderisa votuesit nuk e kuptojnë se votat e tyre mund të bëjnë ndryshime.K

Fotografitë: Majlinda Hoxha.