Në thelb | Ambienti

Siguria në qytet

Nga - 02.08.2017

A është e përgatitur Prishtina për fatkeqësi natyrore apo të shkaktuara nga njeriu?

Në verën e vitit 2017 kemi parë shumë zjarre vdekjeprurëse nëpër ndërtesa të Evropës dhe mbarë botës. Më e fundit në periferi të Splitit, dhe në Honululu e Oakland në Shtetet e Bashkuara, e të mos e harrojmë edhe katastrofën që ndodhi në Grenfell Tower në Londër. Është fenomen që ka shkaktuar shqetësime në lidhje me sigurinë e ndërtesave çdokund, e kështu e ka nxitur K2.0 që ta analizojë edhe situatën në Prishtinë për të parë se sa i përgatitur është kryeqyteti i Kosovës për zjarre e katastrofa tjera.

Numri i ndërtesave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme pas luftës në Prishtinë veç sa i shton shqetësimet rreth sigurisë. Shumë ndërtesa u ndërtuan pa leje dhe nuk iu nënshtruan inspektimeve të nevojshme për siguri, e as proceseve ligjore.

Drejtorati i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës ka konfirmuar për K2.0 që ekzistojnë direktiva dhe kode specifike për ndërtim në Kosovë, dhe se ata nuk aprovojnë plane të ndërtimit që nuk përputhen me to. Megjithatë, zhvillimi i rregullave ishte i detyrueshëm me ligj herën e fundit kur u përmirësuan ligjet e ndërtimit në Kosovë në vitin 2012, që do të thotë se këto kode janë gati pesë vite të vjetra, dhe shumica e njerëzve të botës së ndërtimit me të cilët bisedoi K2.0 nuk ishin të vetëdijshëm për ekzistencën e tyre.

Astrit Nixha, kreu i Shoqatës së Arkitektëve të Kosovës, beson që ndonëse kodet e ndërtimit ishin të shenjta në kohën e Jugosllavisë, ato nuk respektohen sa duhet në botën e arkitekturës sot. “Mund t’u them se kushdo që ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës para vitit 1991 i aplikon kodet”, thotë Nixha.

Pas vitit 1991, kur profesorët shqiptar të Kosovës u shkarkuan masivisht prej Universitetit për shkak që refuzuan të japin mësim sipas kurrikulës së re dhe të imponuar serbe, arkitektura bashkë me lëndë tjera u mësuan në sistemin paralel të arsimit, jashtë institucioneve shtetërore. Nixha mendon se në këtë pikë kodet e ndërtimit u bënë dytësore, dhe thekson besimin e tij që njerëzit që diplomuan pas vitit 1991 kryesisht nuk i njohin kodet, e kështu edhe nuk i inkorporojnë në projekt ndërtime.

Afërsia e ndërtesave në kryeqytet është fenomen që i shqetëson arkitektët, sipërmarrësit e ndërtimeve urbane dhe zjarrfikësit. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Arben Hyseni, menaxheri i projektit në “Labi Com”, kompani e ndërtimit me bazë në Prishtinë që ka operuar për rreth 30 vite, insiston që kompania e tij i ndjek kodet evropiane, ngjashëm me kompanitë e Gjermanisë dhe Serbisë fqinje. “Prej fillimit e deri më tani asnjëherë nuk kemi punuar pa leje”, deklaron Hyseni, duke shprehur gjithashtu shqetësimin e tij për numrin e ndërtesave që janë ndërtuar pa leje, e që paraqesin rrezik me afërsinë e tyre ndaj njëra tjetrës.

Këshilltari biznesor i “Labi Com”, Besim Callaku, i shpjegoi përfitimet biznesore që vijnë me respektimin e direktivave dhe kodeve. “Ne i ndjekim kodet sepse mendojmë që pas 20 viteve mund të kemi probleme me blerës [nëse nuk i ndjekim]”, thotë Callaku, duke shtuar se në vitet e fundit është shtuar niveli i njohurisë sa i përket konsumimit, meqë njerëzit gjithnjë e më shumë duan që t’i shohin shtëpitë para se t’i blejnë apo marrin me qira.

Megjithatë, meqë Kosova gjindet në një zonë mjaft aktive sizmike, shumë prej ndërtesave në Prishtinë nuk janë të pajisura për t’u përballur me fatkeqësi të mundshme, qofshin ato natyrore apo të shkaktuara nga njeriu. Sa i përket qëndrueshmërisë ndaj tërmeteve, Nixha thekson se sa më e vjetër ndërtesa, aq më të mira i ka mundësitë e mbijetimit në këtë aspekt. “Meqë jam arkitekt, miqtë më pyesin ‘Ku të blej banesë?’, e unë gjithmonë u them ‘në pjesët e vjetra; ndërtesa të vjetra’”, thotë ai. “Unë u them që të blejnë çfarëdo që është ndërtuar para luftës”.

Ai beson se ndërtesat e paraluftës kryesisht i zbatojnë më shumë kodet, dhe i kanë strukturën e materialet sipas standardeve dhe kalkulimeve sizmike. E njejta gjë nuk mund të thuhet për ndërtesat që janë më të reja, meqë shpërthimi i ndërtimeve të paligjshme nisi pas luftës. Agjencia Kosovare e Privatizimit lajmëroi vitin e kaluar se kishte identifikuar “2,500 ndërtesa të paligjshme në prona të ndërmarrjeve publike”. Kur hyri në fuqi në vitin 2014 kryetari aktual i komunës së Prishtinë, Shpend Ahmeti, institucioni që ai e kryeson e publikoi një raport nëpërmjet së cilit deklaroi se ishin 46,000 ndërtesa të paligjshme në qytet.

Meqë idea e rrëzimit të një numri kaq të madh të ndërtesave mund të jetë joreale, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e propozoi një ligj që lejonte regjistrimin e ndërtesave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme, ligj ky që u miratua në dhjetor të vitit 2013. Legalizimit të ndërtesave të ndërtuara pa leje iu caktua kosto pesë euro për metër katror, vlerë edhe më e ulët se ajo që kërkohet për marrje të rregullt dhe paraprake të lejës për ndërtim.

Nixha thotë se ky është problem i madh dhe veprim i padrejtën daj investitorëve që shprehën dëshirë të nisin ndërtime në mënyrë të ligjshme. “Investitorët që duan të punojnë në mënyrë të duhur dhe profesionale tani janë ngatërruar në diçka prej së cilës nuk mund të dalin”, thotë Nixha. “Kur i përfunduan [ndërtimet] kishin borxhe [ndaj bankave]. I paguan lejet – të gjitha lejet – dhe duhet të garojnë me njerëz që nuk kanë leje, me pagesa paraprake…thjeshtë nuk munden”.

Ai thekson korrupsionin në qeveri dhe favoritizmin e zyrtarëve drejtë investitorëve që i njohin personalisht.

“Nëse ndodhin zjarre prapa rrugëve kryesore, brigadat e zjarrfikjes nuk mund të bëjnë asgjë, sepse nuk mund t’i qasen atyre zonave.”

Astrit Nixha, Kreu i Shoqatës së Arkitektëve të Kosovës.

Zjarret janë një prej shqetësimeve kyçe sa i përket shkeljes së rregullave të ndërtimit. Planet e ndërtimit në Prishtinë duhet të aprovohen nga komuna, dhe duhet të jenë në përputhje me Ligjin për Mbrojtje nga Zjarri të vitit 2011. Ligji i klasifikon llojet e ndryshme të ndërtesave me plane të ndryshme për parandalim të zjarrit, por urdhëron gjithashtu që në të gjitha lokalet publike të ketë kushte për “evakuim të papenguar të njerëzve në rast të zjarrit nëpërmjet shkallëve të evakuimit dhe pajisjeve për alarmim e zjarrfikje”.

Një pikë tjetër kyçe në këtë ligj është që “rrugët e daljes në sipërfaqe horizontale dhe vertikale” duhet të jenë të ndërtuara me materiale që janë rezistente ndaj zjarrit. Ky ligj gjithashtu thotë se pronarët dhe përdoruesit e të gjitha lokaleve duhet të kenë pajisje për zjarrfikje, dhe se këto pajisje duhet të kontrollohen një herë në vit. Megjithatë, këto ligje nuk janë respektuar gjithmonë.

Meqë plot ndërtesa në Prishtinë janë të ndërtuara tepër afër njëra tjetrës, zjarret të cilave nuk mund t’i qasen menjëherë zjarrfikësit nëpërmjet rrugëve kryesore lehtë mund të përfundojnë me fatkeqësi të mëdha. “Nëse ndodhin zjarre prapa rrugëve kryesore, ata [brigadat e zjarrfikjes] nuk mund të bëjnë asgjë, sepse nuk mund t’i qasen atyre zonave”, paralajmëron Nixha. “Të gjitha ndërtesat janë të ngjitura me njëra tjetrën, pra nuk ka linja për qasje nga prapa”.

Fatmir Nreci, zjarrfikës në brigadën e zjarrfikjes në Prishtinë, konfirmon se ka ndërtesa në qytet të cilat kanë hyrje tepër të ngushta, dhe kështu kamionët e zjarrfikësve kanë vështirësi që t’u qasen. Ai gjithashtu identifikon probleme të mëtejme në lidhje me zjarrfikjen në ndërtesa. “Nuk kanë të gjitha ndërtesat hidrantë”, thotë Nreci. “Gjithashtu ka ndërtesa të vjetra të cilat nuk kanë shkallë. Secili kat i secilës ndërtesë duhet të ketë shkallë për raste urgjente”.

Kreu i parandalimit dhe hulumtimeve në Departamentin e Zjarrfikjes në Komunën e Prishtinës, Muharrem Beka, gjithashtu beson se afërsia e shumë ndërtesave në kryeqytet është problem i madh.

Kriteret që i cakton departamenti i tij për ndërtesa përfshijnë hapësirë adekuate dhe të paktën dy linja për qasje të kamionëve të zjarrfikësve, furnizim funksional me ujë, prani të bombolave të gazit dhe zorrave për zjarrfikje, plane dhe linja të evakuimit, si dhe pika të daljes për raste të zjarrit. Megjithatë, ai thotë se kompanitë e ndërtimit vazhdimisht nuk po i ndjekin planet e tyre. “Nuk po lihet hapësirë në bazë të standardeve që janë në fuqi”, zbulon Beka. “Edhe kur ka hapësirë, njerëzit i parkojnë veturat çdokund, dhe bëhet shumë e vështirë qasja e kamionëve të zjarrfikësve në ndërtesa”.

Departamenti i Zjarrfikjes në Komunën e Prishtinës po themelon rregulla të reja për hapësirë në mes të ndërtesave dhe inspektime të rregullta. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Linjat e evakuimit janë gjithashtu problematike, meqë ai mendon se shumë ndërtesa nuk kanë shkallë ose hapësirë të mjaftueshme në shkallë për evakuim apo transportim të personave të lënduar. Megjithatë, Beka thotë se shumica e planeve që dorëzohen në departament aprovohen, së pari nëpërmjet përfaqësimeve grafike të planeve të tyre, e pastaj nëpërmjet inspektimeve fizike të kryera prej komiteteve të ndryshme në lokacionet e ndërtimit; por sigurisht, kjo ndodh me ndërtesa që ndërtohen me leje.

Për rregullat e reja Beka thotë që përveç se do të mundësojnë më shumë hapësirë në mes të ndërtesave, gjithashtu do të kërkojnë inspektim të secilit kat të ndërtesave, pra në vend se të kryhet inspektimi pas përfundimit të krejtë ndërtesës, do të ketë inspektime pas ndërtimit të secilit kat përkatës.

Por edhe pse duket që ka pasë përmirësime sa i përket sigurisë së ndërtesave në Prishtinë në vitet e fundit, ndërtesat që nuk i kanë marrë të gjitha masat paraprake dhe të nevojshme për siguri – si dhe ato që dikur ishin të paligjshme – ende qëndrojnë në zemër të Prishtinës, dhe me zbatimin e procesit të legalizimit, me gjasë nuk do të largohen në të ardhmën e afërt. E gjithë kjo e bënë të vështirë garantimin e sigurisë së qytetarëve në rast të ndonjë fatkeqësie.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO